Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka përmbushur kushtet për dhënien e statusit kandidat, por për të bindur shtetet hezituese anëtare të cilat vendosin në dhjetor, vendi duhet të vazhdojë veprimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
"Komisioni Europian arriti në përfundimin se Shqipëria shënoi progres të mirë në rrugën drejt integrimit evropian, veçanërisht me miratimin e masave të përcaktuara si thelbësore për dhënien e statusit kandidat dhe duke vazhduar reformat e përcaktuara si prioritete kyç në Opinionin e Komisionit të vitit 2010. Shqipëria ndërmori hapa fillestarë në përmirësimin e efikasitetit të hetimeve dhe ndjekjeve penale në lufën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zgjedhjet parlamentare të 2013-s u zhvilluan në një mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt. Në funksion të kësaj, Komisioni Europian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusit kandidat, në kuptimin që Shqipëria vazhdon të ndërmarrë veprime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit", u shpreh komisioneri europian per zgjerimin Shtefan Fyle.
Sipas Komisionit, në mënyrë që Shqipëria të hedhë hapin e radhës, çeljen e bisedimeve për anëtarësim, vendi duhet të përmbushë plotësisht katër kushtet e mbetura që nga opinioni i vitit 2010.
"Shqipëria duhet të vijojë zbatimin e reformës për administratën publike; të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e institucioneve gjyqësore; të bëjë përpjekje më të vendosura në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë ngritjen gjurmëve të forta të provave në hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimet; të ndërmarrë masa efikase për të përforcuar mbrotjen e të drejtave të njeriut, përfshirë politikat ndaj Romëve dhe ato antidiskriminuese, si dhe të zbatojë të drejtën e pronës", tha Fyle.
Për të ardhmen e Shqipërisë në BE, Komisioni e cilëson si thelbësor angazhimin pozitiv të Shqipërisë në rajon dhe si jetësor dialogun e qëndrueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për reformat e integrimit europian.
Në kriterin ekonomik të Kopenhagen, Komisioni vlerëson se Shqipëria vijoi të ruajë stabilitetin makro-ekonomik, por ekonomia vendase mbetet e brishtë dhe e pambrojtur ndaj dobësive të brendshme strukturore dhe ndaj paqëndrueshmërisë ekonomike globale.
Mbeten shqetësimet për nivelin e lartë të defiçitit buxhetor, borxhin publik dhe parashikimet afatshkurtra të tij, si dhe për kreditë e këqija në sistemin bankar. Raporti i progresit thotë se "parashikimi fiskal duhet siguruar nga ulja e mbivlerësimit aktual të të ardhurave dhe duke e bërë efikase mbledhjen e taksave". Në përshtatjen e legjislacionit europian, vendit i njihet përparimi në fushat e prokurimit publik, të statistikave, të drejtësisë, lirive dhe sigururisë si dhe në dogana. Ndërsa progres i kufizuar përcaktohet për të drejtat e autorit, taksat, energjinë, mjedisin e ndryshimet klimatike. Në raportin e progresit kërkohen përpjekje të qëndrueshme për forcimin e kapaciteteve administrative dhe zbatimin e legjislacionit për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies.
Përmbushja e 5 kritereve
Fyle: Do nisim dialogun e nivelit të lartë me Tiranën
Pas rekomandimit për statusin, Komisioni Europian pritet të nisë së shpejti dialogun e nivelit të lartë me autoritetet shqiptare për përmbushjen e 5 kritereve të mbetura dhe rekomandimin sa më të shpejtë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Këtë e konfirmoi komisioneri Fule për TCH, pas paraqitjes së paketës së zgjerimit në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
“Le ta quajmë dialogu i nivelit të lartë për integrimin. Topi është në anën e qeverisë. Ne kemi paraqitur disa ide fillestare dhe unë kam planifikuar që tani që të shkoj në Shqipëri dhe shpresoj shumë që të diskutoj këto propozime për të arritur marrveshje konkrete mbi formatin. Unë mendoj se është e rëndësishme që kjo të mos shihet si diçka konkrete që e shmang Shqipërinë nga fokusi për prioritetet kyçe. Përkundrazi, dialogu i nivelit të lartë është se si të angazhohemi me qeverinë dhe unë shpresoj gjithashtu edhe me opozitën, mbi ato 5 prioritetet kyçe, për të dhënë orientimin politik, që të jenë të aftë t'i trajtojnë ato në mënyrë të efektshme, në mënyrë që Komisioni të jetë i aftë që t'i rekomandojë vendeve anëtare çeljen e negociatave për anëtarësim sa më shpejtë të jetë e mundur”, deklaroi Fyle.
Sipas burimeve të TCH, vizita e komisionerit Fyle në Shqipëri është planifikuar të zhvillohet më 12 nëntor. Praktika e dialogut të nivelit të lartë është përdorur me vende të tjera të Ballkanit. Ajo synon rritjen e angazhimit dhe të vullnetit politik në nivelin më të lartë me qëllim afrimin e shpejtë të vendit drejt hapit të radhës pas statusit: hapjen e negociatave për anëtarësim.
Fyle prezanton strategjinë e zgjerimit
"Motoja jonë: çështjet rrënjësore vijnë të parat"
Komisionieri europian i Zgjerimit, Stefan Fyle prezantoi në Bruksel strategjinë e re të zgjerimit të bllokut, duke e nisur me deklaratën se ky ishte një vit i mirë për Bashkimin Europian, e për këtë pohim cilësoi marrjen e Nobelit të Paqes, por edhe atë që në më shumë se një rast e theksoi si “marrëveshjen poetike” mes Beogradit dhe Prishtinës.
Fyle e bëri të qartë se rëndësi kyçe për vendin kandidat dhe për vetë BE-në ka besueshmeria dhe përmbushja e kritereve konsiderohet tërësisht në funksion të saj.
“E kemi vënë theksin tek sundimi i ligjit sepse ne shpresojmë të vendosim një kulturë zgjerimi, e cila të tregojë se shtrirja e bllokut nuk bëhet me pilot automatik, por është një politikë serioze, një ndërveprim mes anëtarëve. Motoja e progres-raportit të këtij viti është: “çështjet rrënjësore vijnë të parat”. Ne duam t’i ofrojmë qytetarëve garancinë se zgjerimi nuk do ta dobësojë Bashkimin Europian, por përkundrazi do ta forcojë akoma më shumë. Dhe në fund të procesit, ne do t’i ndihmojmë vendet kandidate të forcojnë strukturën e reformave. Kandidat me mirëkuptimin që vendi të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Fyle.
Ky formulimi i është paraqitur të mërkurën vendeve anëtare të Bashkimit Europian, por hapja e bisedimeve kushtëzohet me përmbushjen e detyrimeve veçanërisht për reformën në administratë, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore.
Në ndryshim nga viti i kaluar, kur rekomandimi për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë kushtëzohej me përmbushjen e tre reformave, atë të Parlamentit, ligjin për Gykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil, këtë herë Komisioni Europian në dokumentin e tij për Shqipërinë, i propozon vendeve anëtare që asaj “t’i jepet statusi kandidat me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë të ndërmarrë reforma në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Rekomandimi vjen pasi Komisioni vlerëson se: “Shqipëria ka bërë përparim të mirë në rrugën e saj të integrimit europian, veçanërisht duke miratuar masa”, të cilat janë identifikuar si thelbësore që vendi të përfitojë statusin kandidat si dhe duke ndërmarrë reformat në fushat e përcaktuara si përparësi kyçe në opinionin e Komisionit të vitit 2010.
Shqipëria – vazhdon më tej vlerësimi i Komisionit – ka marrë hapat e para drejt përmirësimit të efiksasitetit të hetimeve dhe ndjekjes së rasteve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zgjedhjet e 23 qershorit vlerësohen gjithashtu se: “u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt”.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në dhjetor, gjatë Këshillit të ministrave të vendeve anëtare, mes të cilëve megjithatë nuk mungojnë skeptikët. Por sipas disa diplomatëve perëndimorë, vështirë se Këshilli mund të rrëzojë një rekomandim pozitiv.
Përgatiti: ARTA TOZAJ
Top Channel