Kasaphana në Vlorë

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Bubeqi vuante nga sëmundje mendore
Vlora nuk e ka marrë ende veten nga masakra e shkaktuar prej ish-futbollistit të Flamurtarit, Agim Bubeqi. Policia ka sqaruar dje të gjitha rrethanat e ngjarjes së rëndë. Sherri ndodhi rreth orës 22:45 të mbrëmjes së të enjtes, në lagjen "Isa Boletini" të qytetit të Vlorës, në një lokal lagjeje. Edmon Guci 26 vjeç, Juljan Ismlamaj 27 vjeç, Enjard Nuraj 21 vjeç, Gëzim Bardhaj 40 vjeç dhe Isa Brahimaj 28 vjeç, kanë qenë duke pirë në një prej lokaleve të lagjes, pa shqetësuar askënd. Mbasi kishin rreth 40 minuta që po pinin së bashku, pa pandehur u është afruar ish-futbollisti i Flamurtarit, Agim Bubeqi, i cili banonte në një pallat pesëkatësh pranë lokalit ku rrinin të rinjtë. Bubeqi 46-vjeç mësohet t‘u ketë thënë të rinjve: "Pse qeshni? اfarë keni me mua"? Dhe ka ikur në shtëpi pa marrë përgjigje. Ai është kthyer pas pak minutash me një thikë që e mbante të fshehur pas shpine. Pasi ka filluar dhe një herë t‘i pyesë të rinjtë se çfarë kishin me të, ai ka nxjerrë thikën dhe duke i sharë ka nisur t‘i qëllojë pesë personat e ulur në karrige plastike, anës trotuarit. Të sulmuar në befasi, pesë personat u munduan të mbroheshin me duar apo duke përdorur karriget e tavolinat, por Bubeqi me një fizik sportisti nuk ndali së qëlluari deri sa u nguli të gjithëve aq thika sa i la të shtrirë përtokë. Vetëm kur i pa "kundërshtarët" të shtrirë mbi pellgje gjaku, ish-futbollisti u largua për në shtëpi me thikën në dorë. Aty ai e lau thikën, e futi përsëri në brez dhe doli të shikonte nga trotuari tjetër ç‘po ndodhte me njerëzit që masakroi. Pasi soditi një copë herë, ai u kthye përsëri në shtëpi për të pritur arrestimin nga forcat e policisë. Priste policinë për ta marrë. Policia dhe ambulancat e spitalit të Vlorës mbërritën shpejt në vendin e ngjarjes, por për 26-vjeçarin Edmond Guci ishte shumë vonë. Ai ndërroi jetë pa arritur në spital, pasi thika i kishte prerë një venë kryesore. Më me fat kanë qenë katër të tjerët, të cilët pas ndërhyrjes së mjekëve kanë dalë jashtë rrezikut për jetën. Agim Bubeqi është arrestuar në shtëpinë e tij pa bërë asnjë rezistencë ndaj forcave të rendit, edhe pse thikën e madhe me të cilën kreu krimin e kishte akoma në brez. Pas arrestimit, ish-futbollisti i njohur mësohet të ketë thënë se i qëlloi pesë personat pasi ata po qeshnin me të. "U acarova shumë dhe nuk munda ta mbaja veten", mësohet të ketë thënë fillimisht Bubeqi, ndërsa disa orë më pas ka shfaqur pendesë dhe ka thënë se nuk e dinte si kishte ndodhur ngjarja. Për shkak të paqëndrueshmërisë të të arrestuarit, policia ka thirrur në ndihmë edhe mjekë psikiatër. Një nga banorët e lagjes, që e pa skenën e tmerrshme, tregoi dje për gazetën se "Agimin e njohim shumë shpejt, që fëmijë, pasi ne jemi rritur me të dhe nuk na shkonte në mendje që ta kryente këtë krim". Një tjetër prej fqinjëve të tij tregon se "Agimi kishte disa vite që vuante nga çrregullime psikike. Qëkur ishte kthyer nga emigracioni, ai ishte mbyllur në vetvete dhe ishte distancuar nga njerëzit, aq sa nuk na përshëndeste as kur shkëmbeheshim nëpër shkallë". Një tjetër nga fqinjët thotë se para tre vjetësh ish-futbollisti u angazhua me Komunitetit Bektashian, ku i dhanë edhe një detyrë, por shumë shpejt e përjashtuan për shkak të problemeve mendore. Por, drejtoresha e Spitalit Psikiatrik të Vlorës, Antonela Agaj, thotë se Agim Bubeqi nuk ishte regjistruar asnjëherë në këtë spital dhe nuk mjekohej nga mjekët e atyshëm. Agim Bubeqi ka qenë një nga futbollistët më të spikatur të skuadrës së Flamurtarit në vitet ‘80. Në moshën 46-vjeçare ai ishte i pamartuar dhe jetonte i veçuar nga shoqëria. Prej vitesh shihej të lëvizte me një biçikletë dhe të bënte rregullisht stërvitje për të mbajtur trupin në formë. Ai kishte shfaqur shpesh çrregullime psikike, madje në disa raste kishte qenë i dhunshëm me familjarët, të cilët gjithsesi nuk kanë pranuar ta izolojnë.
SHQIP
 
Back
Top