Karshillëk shtetit në Facebook: Do marrim hak për Ledion Marën

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P



Miq, të njohur dhe fqinj të Ledion Marës, kushëririt të Dritan Dajtit, i cili u vra aksidentalisht nga i shumëkërkuari kërcënojnë në “Facebook” se do marrin hak për vdekjen e tij. Por jo ndaj vrasësit të vërtetë, Dritan Dajti, por ndaj policëve që kanë marrë pjesë në aksionin për prangosjen e personit më të kërkuar deri më 7 gusht. “Dritan Dajti të lumtë dora. Hakun Ledionit ja more, jetën e shove, bravo Dritan Dajti”, është vetëm një prej qindra komenteve që janë bërë në “Facebook”, ku Ledion Mara, bashkëpunëtor Dajtit ka tashmë katër klube fansash veç profilit të vet që ka mbetur i pahapur pas vrasjes së tij. Miqtë e 23-vjeçarit Mara, i cili u vra momentin që u prangos Dajti kanë nisur të komentojnë dhe të lënë mesazhe në klubin e fansave, ideatori i të cilit është një person që prezantohet me emrin e koduar Daniele Coco dhe që pretendon se flet nga qyteti i Liverpulit, Angli. Në orën 9:20 të mbrëmjes së 11 gushtit, katër ditë pas ngjarjes së bujshme Coco, ka hapur klubin e fansave, duke shënuar mesazhin e parë në të: “Shtet o shtet hajde më vrisni dhe mua se jam shoku i Ledion Marës dhe nuk ia lë hakun pa ia marrë”. Ndërsa në fillim të blog-ut ndodhet mbishkrimi me rimë për Marën: “Kujtimi yt do të vazhdojë të mbetet i gjallë, hakun nuk ta lëmë pa e marrë”. Kaq është dashur, për të nisur mesditën e 12 gushtit komentet nga djem dhe vajza, me emra apo me kode për të vjellë urrejtje, kërcënime dhe deklarata për hakmarrje ndaj punonjësve të shtetit nga njëra anë dhe duke i thurur lavde Dritan Dajtit e Marës nga ana tjetër. Pasi i është kërkuar për të mbyllur faqen autori i saj Daniele Coco dhe që prezantohet me një foto të mikut të tij të vdekur, Mara, duke bërë karshillëk të hapur pohon: “Ai që e shan Ledion Marën do të ma paguajë 1 ditë. Dhe sa për shtetin tuaj s’më plas fare. Le të vijë të më kapi, po mua s’më kap dot. Ja dhe adresa ku jetoj. Liverpool Anfield Road Street. Le të vijnë këtu po nuk ikën si ata të 4 në Durrës”. Kjo adresë, që i përket stadiumit të Liverpulit, është përdorur prej tij ndoshta për t’u tallur apo për të humbur gjurmët, pasi dihet që organet shqiptare të hetimit nuk zotërojnë kapacitete të duhura për hetimin e krimit informatik. Me fjalor shumë herë banal dhe të shthurur persona të shumtë të prezantuar me emra dhe foto vajzash kanë shfryrë mllef kundër policisë, ndërsa kanë arritur deri atje sa të betohen se do hakmerren me çdo kusht. Për më tepër një prej tyre i prezantuar me foto të një femre dhe që mban emrin Kristi Hamzaj, pasi e nis dhe mbaron mesazhin e vet me sharje ndaj policëve pohon: “...nuk do ta lëmë me kaq ne, jo. Do t’ju hedhim në erë sot natën...”. Fakti bëhet më shqetësues, pasi gjatë gjithë ditës së djeshme kanë vijuar me dhjetëra komente, të gjithë të së njëjtës natyrë, madje duke kërcënuar veç të tjerash edhe ata persona që kanë pretenduar se Mara është vrarë nga vetë Dajti. Komentet vazhdojnë me kërcënimet se Ledioni dhe Dritan Dajti do të kishin vrarë më shumë policë, por shteti u tregua i zgjuar dhe dërgoi vetëm 4 të tillë. Fansat e këtij blogu, ashtu siç janë prezantuar edhe vetë pohojnë se janë djemtë dhe vajzat e “Rrugës Ypsilon” në Lushnjë, ose siç njihet rëndom në këtë qytet: “Lagjja e Morrit”. Në këtë zonë, emri zyrtar i së cilës është lagjja “Gafurr Muço”, ka pasur dikur bazat e bandës ish-kapoja i Lushnjës Aldo Bare. Të gjithë e cilësojnë Marën si djalë të shkëlqyer, që u vra nga dora gjakatare e policisë, ndërsa Dajtin si të fortin që ua ndreqi qejfin policëve. Klubi ka foto të Marës, ku spikat njëra prej tyre me armë në dorë, si dhe foto me logo kundër policisë. Të rinjve komentues nuk u bën përshtypje se Dajti ishte kriminel, Mara bashkëpunëtor dhe se në aksion u vranë 4 policë, që ishin familjarë dhe prindër me fëmijë të vegjël. Për fansat, krenaria e tyre, Ledio, miku i të fortit Dajti nuk është mes tyre. Dhe ajo që është edhe më e dhimbshme, është se çdo një prej tyre do të vepronte në të njëjtën mënyrë, në të njëjtat kushte dhe situatë që u ndodh Mara.

Arben Qeleshi pranon mbrojtjen
Familjarët u caktojnë avokat Dajtit e Xhoxhit

TIRANE – Avokat Arben Qeleshi do të jetë mbrojtësi ligjor i Dritan Dajtit dhe kunatit të tij Erges Xhoxhi, të arrestuar së bashku më 7 gusht. Avokati Qeleshi, i kontaktuar dje nga gazeta konfirmoi faktin që do të jetë avokati mbrojtës i Xhoxhit, pasi e kishin zgjedhur familjarët e tij pak ditë pas seancës të masës së sigurisë. Sipas avokatit, dy ditë me parë ai ka paraqitur një kërkesë në prokurori për një ekzaminim mjekoligjor të klientit të tij Xhoxhi, pas pretendimit të familjarëve të këtij të fundit për dhunë të ushtruar nga forcat e policisë. Mësohet se kërkesa është pranuar nga organi i akuzës dhe se ditën e hënë Ergest Xhoxhi do të dërgohet për ekzaminim në Mjekësinë Ligjore. Gjithashtu, mësohet se Xhoxhi ka shfaqur pretendime se nuk ka marrë ndihmë mjekësore atëherë kur ka kërkuar. Ndërsa në lidhje me Dritan Dajtin, avokati Qeleshi pohoi se nga familja e të arrestuarit i është kërkuar përfaqësimi i tij ligjor. Por deri ditën e djeshme organi i akuzës nuk i ka dhënë leje për të takuar Dajtin në qelinë ku mbahet në spitalin e Burgut. a.b.

Zbulohen mesazhet në celularët e Dajtit

Armand Bajrami & Etleva Delia

Prokuroria për Krimet e Rënda ka administruar disa prej mesazheve telefonike të gjetura në aparatet telefonikë të Dritan Dajtit, të shumë-kërkuarit të arrestuar më 7 gusht në Durrës.
Burime pranë organit të akuzës saktësuan se bëhet fjalë për mesazhe të shkurtra, pa ndonjë domethënie të qartë. Të njëjtat burime sqaruan se mesazhet ishin të përbërë kryesisht nga një fjali, e tipit: “Ku je?”, “Më prit aty” e të tjerë. Sipas prokurorisë, ende pa u identifikuar emrat e personave që i kanë zotëruar këto numra, përmbajtja e tyre nuk mund të çojë në zbardhje të rrethanave në të cilat ato janë shkëmbyer. Më tej Prokuroria sqaron se pa u ditur konteksti në të cilin janë shkëmbyer këto mesazhe telefonike, është ende herët të flitet për një gjuhë të koduar në tekstet e tyre. Mesazhet telefonike u gjetën në disa prej 10 telefonave celularë që iu sekuestruan Dritan Dajtit pas arrestimit të tij në Durrës. Ndërkohë që pak ditë më parë, Prokuroria për Krimet e Rënda u kërkoi zyrtarisht kompanive telefonike në vend, zbardhjen e tabulateve të thirrjeve hyrëse dhe dalëse të kryera në telefonat celularë të Dritan Dajtit, deri në 8 muaj para 7 gushtit. Mësohet se nga ana e kompanive celulare janë kërkuar rreth 1 muaj kohë për mundësimin e këtyre tabulateve, me pretendimin se një pjesë e konsiderueshme e materialit elektronik ndodhet i arkivuar nëpër serverë të vendosur në Greqi. Po kështu, Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohoi dje se ka gjetur prova të reja në shtëpinë ku strehohej Dritan Dajti, në pallatin 6-katesh pranë sektorit “Iliria”, në plazhin e Durrësit. Burime të Policisë së Durrësit, efektivë të së cilës kanë ndihmuar grupin hetimor, shpjeguan se apartamenti në katin e gjashtë të ndërtesës, dy ditë më parë i është nënshtruar sërish një kontrolli të imtësishëm nga grupi hetimor, për të gjetur prova dhe gjurmë që mund të jenë të rëndësishme për dosjen hetimore në ngarkim të Dritan Dajtit. Mësohet se aty janë gjetur disa objekte mjaft me rëndësi për organin e akuzës, si dhe disa gjurmë të ndryshme, të cilat do të dërgohen për ekspertim në Laboratorin e Kriminalistikës. Po kështu gjurmë gishtash të personave të shumtë janë gjetur edhe në mjetin tip “Tuareg”, që përdorej nga Dajti. Gjithashtu burimet sqaruan se që nga dita kur ndodhi masakra, ku mbetën të vrarë 4 oficerë policie, disa oficerë të Hetimit të Krimeve nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, si edhe nga e Përgjithshmja, mbajnë nën mbikëqyrje të gjithë zonën përreth vendit të ngjarjes. Përgjatë gjithë javës, pas 7 gushtit, oficerët e policisë kanë marrë në pyetje dhjetëra persona që banojnë, apo janë me pushime në zonën ku ndodhi masakra. Persona të ndryshëm që pretendojnë se kanë parë sekuenca të ndryshme atë ditë kur Dritan Dajti qëlloi mbi katër oficerët e policisë dhe mikun e tij, të cilët i la të vdekur në vend, janë pyetur edhe për personin e katër që është larguar nga vendi i ngjarjes i plagosur, dhe që sipas policisë është një person me precedentë penalë dhe i skeduar nga drejtësia. Aktualisht ky person është shpallur në kërkim, ndërsa prokuroria nuk ka publikuar ende se çfarë provash disponon në ngarkim të tij. Të paktën dëshmitarë të ngjarjes pohuan se veç të vrarit Ledion Mara dhe të arrestuarve Dritan Dajti dhe Erges Xhoxhi, kishin parë një person të katër të largohej i plagosur nga ngjarja.


reagimet

PD: Rama, po përbalt policinë
Partia Demokratike edhe një herë akuzoi kreun e PS-së për qëndrimet e mbajtura në lidhje me vrasjen e katër punonjësve të policisë. “Kryetari pa mandat i Partisë Socialiste, për 8 ditë me radhë përpiqet të përbaltë aktin heroik, rënien në krye të detyrës së oficerëve të shkëlqyer, nga akti terrorist i Dritan Dajtit, si dhe të bëjë avokatinë e aktit terrorist të Dritan Dajtit. Edi Rama deklaron se të rënët në krye të detyrës janë viktima të korrupsionit shtetëror dhe e bën këtë vetëm e vetëm për të lehtësuar Dritan Dajtin nga akti terrorist që ai kreu, për të cilin e dënon çdo shqiptar”, thuhet në deklaratën e PD-së. Në të theksohet se “Partia Demokratike dënon këtë qëndrim amoral të Edi Ramës dhe e garanton atë se sikur tre apo pesë herë në ditë të lëshojë deklarata në avokati të krimit, tolerancë zero është dhe mbetet platforma ndaj Dajtit dhe klaneve të tij kriminale, që ai ushqen me troje e leje ndërtimi në Bashkinë e kryeqytetit”.

PS: Përgjegjësi politike për 4 policët
Partia Socialiste kërkon me ngulm nxjerrjen e përgjegjësive dhe përgjegjësve politikë për ngjarjen tragjike të vrasjes së 4 policëve. “Kanë kaluar 8 ditë nga vrasja tragjike e 4 policëve në detyrë dhe për fat të keq pushteti i grabitur i Sali Berishës ende nuk ka nxjerrë asnjë përgjegjësi për ngjarjen, por vazhdon të abuzojë me kokëfortësi me kodin e vdekjes. PS nuk e emocionon asnjë deklaratë me fjalor rrugaçëror dhe shpifje të ulëta që vijnë nga njeriu që grabiti votat e shqiptarëve në bashkëpunim me kriminelë të lëshuar enkas nga burgjet”, tha deputeti socialist, Ditmir Bushati. Ai shtoi “se vrasja e 4 policëve të pafajshëm është shprehje e gjendjes kritike të një vendi të mbetur pa shtet, ku pushteti punon vetëm për pasurimin e një familje dhe ku shërbëtorët e ligjit ndjehen të pambrojtur nga dora e kriminelëve, dhe jeta e qytetarëve shqiptarë është çdo ditë edhe më e pasigurt”.
*panorama*
 
Pse i postoni keto qelbesira \]
Ketyre mire eshte te mos ua zesh emrin ne goje jo me te behs sensacion se keto lloj gjallesash jetojne akoma
 
Back
Top