Ka humbur sporti në Shqipëri!?

ReNdEx

Interist Forever
Staf në FV.AL
Mod
30554_3.jpg


Nga: AHMET SHQARRI

Kampionati ynë i futbollit është ndërprerë që nga fundi i vitit të kaluar dhe pritet të dalë në skenë andej nga fi llimi i muajit të ardhshëm, duke u zhdukur kështu për një kohë kaq të gjatë. Por, se mos vetëm futbolli ka humbur në këtë mënyrë, pa nam e nishan,- mund të pyesë ndonjëri. Gati këtë fat kanë pësuar edhe sportet e tjera. Edhe nëse zhvillohet ndonjë ndeshje volejbolli apo basketbolli, ato më shumë ndjekin rrugën e formalitetit të zbatimit të kalendarit, se sa të të japin ndonjë kënaqësi, prandaj dhe interesimi për to nga ana e spektatorëve, por edhe nga mediat në përgjithësi, pothuajse është në nivelin zero! Duket se një përgjumje e madhe e ka pllakosur sportin tonë, deri n’atë derexhe, sa që sytë e veshët e shqiptarëve janë përqendruar tani vetëm nga bota, atje ku ndeshjet dhe garat e panumërta nëpër sporte të ndryshme, nuk kanë të sosur. Për “snobët”, ndoshta, kjo është koha më e përshtatshme për t’i harruar edhe më shumë këto sporte që kemi, sepse, me sa shihet, ato veç mërzisë nuk sjellin asnjë ndikim tjetër. Tjetër gjë është ajo që shihet nëpër botë. Nuk po them për ndeshje të veçanta e të jashtëzakonshme, si ajo Real (Madrid) –Barcelona, zhvilluar për çerekfinalen e Kupën e Mbretit, që ashtu si çdo përballje tjetër midis tyre, shihet pothuajse nga i gjithë rruzulli, por për gjithshka tjetër sportive, që nuk ka asnjë lidhje me ato që përpiqen të shfaqen tek ne. Edhe pse dimër, madje jo si ky i yni kaq “ledhatar”, por stinë e acartë, mbushur me shira, borë dhe akull, nëpër vende të tjera sporti zhvillohet normalisht, ndërsa tek ne vazhdojnë pushimet e stërzgjatura, pa ditur askush për arsyet e vërteta të kësaj ndërprerjeje!
I ndodhur këto ditë, së bashku me kolegun Besnik Dizdari, në Innsbruck të Austrisë në punimet e Kongresit të 75-të të Shoqatës Botërore të Gazetarëve Sportivë, ç’ka për mua ishte “jubilare”, sepse merrja pjesë për të 10-ën herë në një forum të tillë ndërkombëtar,( pas Quebekut, Athinës, Oviedos, Nju Jorkut, Dohas, Marakeshit, Pekinit, Antalias dhe Milanos), pata kënaqësinë të shijoja edhe disa nga garat e Lojërave të Para Olimpike Dimërore të të Rinjve, që nisën atje më 13 janar, ç’ka për austriakët ishte një “racion” më shumë në “menynë” e tyre të përditshme të aktiviteteve të ndryshme sportive që ata zhvillojnë. Por, ajo që ngjet me skitë n’atë vend malor dhe me klimë shumë të ashpër dimri, nuk do të thotë se i ka përjashtuar sportet e tjera. Përkundrazi, kampionatet e ndryshme atje vazhdojnë rregullisht, ndërkohë që nëpër Angli, Spanjë, Itali, Gjermani e kudo tjetër ku niveli i futbollit apo i sporteve të tjerë është më i lartë, garat e ndeshjet, siç po i shohim përditë, nuk ndërpriten për asnjë çast. Jam i detyruar ta përsëris edhe një herë faktin e shumëditur tashmë prej të gjithëve, se si anglezët e kanë mbushur me futbollin e tyre pothuajse çdo ditë të javës, madje edhe në ditët e 31 dhjetorit e 01 janarit të çdo viti! Po kështu kanë rinisur, pas një pushimi të shkurtër, sa për një frymëmarrje, edhe kampionati italian, si dhe ai gjerman, që me këtë rast ia vlen t’i përmendet fakti se ka edhe mesataren më të lartë të numrit më të madh të spektatorëve për një ndeshje, gati 50 mijë!
Tek ne, ndërsa dyert e stadiumeve janë mbyllur, vendin e sporteve në këtë stinë dimri e kanë zënë ekranet televizive me pamje nga sporti nëpër botë dhe lajme në formë thashethemnaje rreth protagonistëve të tyre. Madje, gjah i këtyre ditëve për disa media janë bërë edhe disa futbollistë tanët, por jo për “shkëlqimin” e tyre nëpër ndeshje, por për disa gjeste e sjellje aspak të pëlqyeshme, si pështyma e Roshit të Kelnit ndaj një kundërshtari; dueli që i paskërka kërkuar Debatik Curri një mbrojtësi të një skuadre tjetër, ndërkohë që veterani i Hanoverit, Altin Lala na qenka përfshirë në një grindje, deri aq, sa na e paska kapur për fyti një lojtar në fushë!...Ndërkohë, jeta këtu, në mungesë krejt të habitshme të zhdukjes së sporteve në këtë stinë dimri, fare mirë mund të mbushej me lajme apo kronika të tilla si ato rreth peshëngritjes, sportit më të suksesshëm të shqiptarëve, që deri tani i ka siguruar vendit tonë 4 të kualifikuar për në Lojërat Olimpike Londër 2012, dhe jo të bëhet zhurmë për ta paragjykuar e kritikuar këtë sport, si në rastin e gjetjes me substanca të palejueshme tek një sportiste, gjithsesi e nderuar. Jo se ky rast, apo dhe të tjerë të kësaj natyre nuk duhen trajtuar, por jo të përdoren kështu, në dëm të prishjes së të vetmit imazh të mirë që kemi...
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top