Johannes van Vreeswijk braktis EULEX-in

Kresha

A pretty face can never trick me
Kryeprokurori i shumë premtimeve Johannes van Vreeswijk do ta lërë EULEX-in në kohën kur misioni ka filluar “të korrat e të mbjellave” që vetë Vreeswijk i pati proklamuar.

Njeriut, që për një kohë u bë simbol i luftës kundër korrupsionit në Kosovë, për shkak të aksioneve të EULEX-it për bastisje në prill të vitit të kaluar, dhe të dy intervistave në “Kohën Ditore”, njërën në maj e tjetrën në korrik, po i përfundon kontrata me punëdhënësin- EULEX.

Sipas burimeve të gazetës, nuk ekziston vullnet i ripërtëritjes së saj as nga zyrtarët e misionit e as nga vetë Vreeswijk. Holandezi, që premtoi aq shumë dhe u bëri thirrje të korruptuarve në Kosovë që të “djersiten”, nuk ka arritur që të ngrejë aktakuzë për asnjë ministër ose ish-ministër në afera të korrupsionit.

Arsyet duket të jenë të shumta. Burimet brenda vetë misionit të EULEX-it flasin për kontroll politik, procedura edhe më burokratike prej emërimit të Xavier Bout de Marnhac si shef i misionit, e edhe për shumë arsye të tjera. Ajo që zyrtarët e këtij misioni nuk e përmendin asnjëherë si arsye për mungesën e aktakuzave, është mungesa e fakteve. Sipas tyre, fakte dhe evidenca ka, ndonëse ka mungesë të bashkëpunimit të dëshmitarëve.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, nuk e sheh problematike largimin e Vreeswijk nga misioni.

“Johannes ka bërë një punë shumë të mirë për misionin. Puna e tij vlerësohet shumë. Por ai është vetëm pjesë e një ekipi të madh. EULEX-i nuk është i individëve, por i një ekipi të madh që punon së bashku për ta përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë Hawton.

Sipas zëdhënësit të EULEX-it, rotacionet në pozita brenda misionit janë pjesë normale e EULEX-it.

“Njëjtë sikur edhe pjesëtarët e tjerë të lartë që e kanë lënë misionin, edhe të tjerët do ta lënë në të ardhmen”, ka thënë Hawton.

Sipas tij, përveç shefit të prokurorëve, misionin do ta lërë edhe shefi i komponentit të policisë.

“Të dyja pozitat do të zëvendësohen nga njerëz njëjtë të aftësuar dhe të vendosur. Puna e misionit nuk do të afektohet”, ka thënë Hawton.

Johannes van Vreeswijk para nj viti pati deklaruar se e ka të qartë se si do ta “pastrojë Kosovën” nga krimi i organizuar dhe se si do ta luftojë krimin në çdo pjesë të vendit, në të gjitha nivelet.

Sipas tij, të dyshuarit e rastit të MTPT-së, ministri Fatmir Limaj dhe shefi i Prokurimit, Nexhat Krasniqi, dyshohen për veprat penale: shpëlarje parash, krim i organizuar, shpërdorim i detyrës zyrtare, mashtrim në zyrë dhe ryshfet. Në total për këto vepra, sipas tij, bazuar në ligjet e Kosovës, mund të dënohesh me 55 vjet burgim.

Van Vreeswijk pati shpjeguar se të dyshuarit që po hetohen nga EULEX-i janë të profileve të larta dhe nuk janë vetëm zyrtarë nga PDK-ja.

“Kemi edhe të partive të tjera, nëse kjo e siguron kryeministrin se ky aksion nuk është sulm ndaj partisë së tij”, ka thënë prokurori.

Ai i pati ftuar të gjithë që të mos mendojnë se zyrtarët e EULEX-it janë “budallenj që do të rrezikonin kredibilitetin e tyre duke ndërhyrë pa pasur argumente dhe fakte”. Johannes ua pati tërhequr vëmendjen të gjithëve se korrupsioni është krim serioz dhe se ata që po e bëjnë të jenë të sigurt se “EULEX-i do t`i ndalë”.

Ai gjithmonë ka folur për hetime të EULEX-it të paktën në gjashtë raste në nivele qeveritare, dhe shumë e shumë raste të tjera.

“Kemi një listë të gjatë me zyrtarë të qeverisjes, të cilët dyshohen për korrupsion dhe krim të organizuar... jemi duke ecur nëpër këtë listë”, pati thënë kryeprokurori.

Mirëpo gjashtë rastet e nivelit qeveritar deri më tash nuk janë ndriçuar publikisht. Nga katër raste me të cilat mund të identifikohet Johannes van Vreeswijk, në dy ka aktakuza e në dy të tjera ende nuk ka asgjë. EULEX-i ka ngritur aktakuzë në rastin e Doganave dhe atë të PTK-së, por ende nuk ka aktakuzë në rastin e guvernatorit Hashim Rexhepi. Për më shumë, Johannes van Vreeswijk do ta lërë EULEX-in pa e ngritur aktakuzën as në rastin, simbol i së cilit u bë, atë të MTPT-së, ku ministri deri atëherë i perceptuar si më i suksesshmi në Kosovë, Fatmir Limaj, u bastis me dyshimet për korrupsion dhe një varg akuzash të tjera.

Zyrtarët e EULEX-it thonë se hetimet për rastin e MTPT-së po vazhdojnë dhe se nuk do të heqin dorë nga rasti, por preferojnë që ta shfrytëzojnë kohën që u ofron ligji i Kosovës. Sipas ligjit, hetimet ndaj MTPT-së mund të zgjasin deri nga mesi i vitit të ardhshëm. //mesazhi
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top