Ja kush ishte Zarathustra, ai që krijoi Ferrin.

Lauri

Anunnak

Ja kush ishte Zarathustra, ai që krijoi Ferrin si ndëshkim për mëkatarët dhe Parajsën si shpërblim për të virtytshmit.​




Historia e Persisë filloi në Battria dhe, ende përpara se aty të qeveriste një sundimtar në emër të zotave, në Battria jetonte një njeri që më vonë do të shndërrohej, më shumë se askush tjetër, në një figurë përcaktuese për nga fama dhe kultura persiane në perëndim. Ai themeloi një religjion duke i dhënë kështu Persisë një orientim të ri shpirtëror. Por akoma më tepër: ai përpunoi një vizion të botës, që pati ndikime vendimtare mbi vetë kulturën tonë, duke e mbruajtur në pikëpamje jodytësore. Ky njeri ishte Zarathustra. Kujt- që nuk i njeh ngjarjet e së shkuarës-, do t’i shkonte ndërmend se themeluesi i një religjioni të tillë do të kishte pasur një rëndësi botërore?
Kur arabët pushtuan Persinë dhe përhapën islamizmin, religjioni antiko-iranian u zhduk pothuaj krejtësisht nga rajoni e Zarathustra mbeti gjatë shumë kohëve, për pasardhësit, një profet doktrina e të cilit ishte kapërcyer tashmë nga ajo e themeluesve të religjioneve më të përhapura – Jezu Krishti, Muhamedi, Budda.
Një njeri pra, i dëbuar përfundimisht nga historia. Kjo, edhe pse shumë prej parimeve teologjike të religjioneve moderne, origjina e së cilave qe kërkuar për një kohë të gjatë tek profetët hebrenj, janë përshkruar në fakt nëpër shkrimet e Zarathustrës. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të pyetur, nëse religjioni hebraik e, në vijim krishterimi dhe islamizmi, nuk janë ndikuar thellësisht nga mësimet e tij.
Mbi personin e Zarathustra, ende sot dimë shumë pak. Historianët kanë mbrojtur opinione të ndryshme mbi datën e lindjes, mbi vendin e lindjes dhe mbi vendet ku Zarathustra jetoi dhe veproi. Nuk egzistojnë të dhëna me të vërtetë të besueshme, kjo edhe se pse mësimet e tij u shkruan disa shekuj mbas vdekjes së tij, me përjashtim të Gàthà-ve, predikime në vargje, apo himne, që i atribuohen Zarathustrës vetë; çka se këto të fundit përvijojnë biografinë e profetiti në mënyrë të vagullt. Legjenda bazohet vetëm mbi shkrime postume. Sot-mbas një kompleksi studimesh linguistike dhe krahasimesh të teksteve antiko-iraniane- pjesa më e madhe e hulumtuesve kanë arritur në konkluzionin se Zarathustra duhet të ketë lindur rreth vitit 630 para erës kristiane, në qytetin e Battria-as. Për rrjedhojë nuk ishte persian, por batrian, sikurse i quanin banorët e atij rajoni. Por ashtu sikurse persianët, i përkiste Ariasve, rracës së madhe indoeuropiane që, duke u nisur nga mijëvjeçari i tretë para Krishtit, ishte shtyrë në mënyrë të pandërprerë nga Azia Qendrore drejt Jugut.
Emrin Aria (sot arias ose arianë) e kishin zgjedhur vetë nomadët luftëtarë, emër që donte të thoshte “fisnikët” e që bënte të qartë distancën që egzistonte mes popujve të tyre dhe popujve të nënshtruar. Disa tribú kishin depërtuar në Indi rreth vitit 1900 para epokës kristiane dhe në një hark kohor prej dhjetë brezash kishin themeluar sistemin e kastave të indúve; disa tribú të tjera në të njejtën periudhë ishin futur në rrafshnaltat e pabanuara me stepa e shkretëtira, male e lugina pjellore, në atë vend që më vonë do të quhej “Iran”, “vend i arianëve”.
Emri i Zarathustrës zbulon prejardhjen e tij nga një famlje blegtorësh të pasur, që i përkthyer do të thotë “njeri nga gamile të vjetra”. Babai i tij quhej Porushaspa, “njeriu i kuajve galopues”, siç është e shkruar në fragmentet e ardhurat deri tek ne nëpërmjet Avesta-s, biblës së Zarathustrës. Nëse duam t’i besojmë traditave legjendare të Avesta-s, Zarathustra ishte fëmija i tretë i një familjeje të shquar fisnike që quhej Spitama, familje që kishte gjithsej pesë fëmijë. Babai me sa dihet paskej qenë prift i një klani blegtorësh fisnikë që nuk kishin ndonjë tempull dhe i realizonin ritet e tyre të sakrifikimit në shesh të hapur, në stepë. Ii ndikuar shpirtërisht nga traditat nomade të tribusë së vet e të jetës qytetare të Batrias, qysh i vogël qe i destinuara të ndiqte gjurmët e të atit , për t’u bërë edhe ai prift. Por prift i cilit religjion?
Dëshmitë e shkruara të kohës janë të pakta, por mjaftojnë për të përvijuar një kuadër të mjaftueshëm sqarues. Iranianët, nga batrianët tek medët e deri tek persianët- i ndanin zotat e tyre në dy kategori: Hyjnitë superiorë të dritës, që banonin në kozmos, ahurët, si dhe shpirtërat më të ulët që banonin në tokë, në erë, në ujë e në zjarr, daeya-t. Por ama asnjë njeri nuk ishte në gjendje të kuptonte në mënyrë racionale autoritetin e zotave të tillë. Ndonjëherë njerëzit i perceptonin pa asnjë motiv të mirëidentifikueshëm, si miq e si ndihmës në nevojë, herë të tjera si mizorë dhe shkatërrues. Ndihej mungesa e një profeti që, me mesazhin e tij, të vendoste në mes të atij kompleksi të panjoftshëm hyjnor, një rregullsi të thellë e ndriçuese.
Iranianët shpresonin vetëm që t’i bënin të mëshirshëm ata zota të shqetësuar dhe misteriozë, nëpërmjet këngëve të lëvdimit, dhuratave e sakrificave. Në ritualet e tyre solemne duhej të rridhte në mënyrë të bollshme gjaku i demave dhe i buajve, për të lehtësuar tmerrin e një fati të paanë. Priftërinjtë dhe populli pinin, në raste të përcaktuara, një pije dehëse që kishte emrin e zotit të tyre në ekstazë, Haoma, dhe nëpërmjet valleve ritmike të pafundme binin në trans për të perceptuar, qoftë dhe për çaste të vetëm, dehjen e magjishme të pavdekësisë, si zotat e tyre.
Zarathustra e kuptoi shumë shpejt papërshtatshmërinë e këtyre riteve. Në moshën njëzet vjeç braktisi atdheun e tij dhe u larguar në vetmi. Ai, që quhej një zaotar, poet i shenjtë e predikator, i ktheu shpinën zanatit të priftit. Dhjetë vite, ndoshta njëzet vite, duhet të ketë zgjatur pelegrinazhi i udhëtarit religjioz. Tek Avesta gjejmë të shkruar vetëm që në fund, mbi lumin Daitya, i qe shfaqur një engjëll dhe i qe vërtetuar një nga ngjarjet më pjellore për historinë e religjioneve.
Zarathustra pati vizionin e luftës kozmike mes forcave të së mirës e të së keqes, mes Zotit dhe Satanait; mandej atë të ringjalljes së të vdekurve në ditën e gjykimit universal e të vazhdimësisë së së egzistencës edhe pas vdekjes, në parajsë ose në ferr- dhe të gjitha këto përpara se profetët e religjioneve të tjera të lajmëronin të njejtat principe.
Nëse supozimet e historianëve janë të sakta, kjo ka ndodhur diku mes viteve 610-590 para epokës kristiane. Pra, gjashtëqint vjet para Krishtit dhe njëmijë e dyqint vjet përpara Muhamedit, por dhe gjashtëqint vjet mbas Moisiut. Mbi lumin Daitya – kështu tregon Gàthà – udhëtarit religjioz, mbas meditacionesh të gjata, iu shfaq engjëlli Vohu Manu “shpirti i mirë”, i mbështjellur me një pelerinë prej drite vezulluese, që e çoi tek froni i zotit Ahura Mazdah, ” zot i ditur “. Zarathustra përshëndeti zotin me një himn, kulmi i të cilit realizohet me fjalët: “…unë dëshiroj, me këto fjalët e mia, të të njoh ty, më të diturin e gjithë të diturve, krijuesin e çdo gjëje nëpërmjet Shpirtit të shenjtë”.
Kaluan disa vite para se Zarathustra, mbas atij vizioni, të dilte nga vetmia për të filluar të predikonte në kryeqendrën e atdheut të tij. Njerëzit e dëgjonin pa shumë interes, priftërinjtë dhe fisnikët e refuzonin në mënyrë të ashpër. Të paktë ishin ndjekësit që u shtërnguan rreth tij dhe e shoqëruan në udhëtimet e tij predikuese nëpër sheshet e tregjeve të qyteteve, nëpër katunde e nëpër vendfushime çadrash. Mbas shumë vite zhgënjimesh e persekucionesh, braktisi Batria-n e me ata pak dishepujt e tij shkoi në mbretërinë e Korazmia-s. Mbreti Vistaspa e priti mirësisht, bëri disa biseda të gjata me të dhe u konvertua në besimin e ri: ky ishte një sukses i vendimtar. Fisnikët dhe oborrtarët e ndoqën shumë shpejt shembullin e mbretit, e po të njëjtën gjë bënë madje edhe priftërinjtë. Zarathustra mundi të fillonte veprën e vet. Nën mbrojtjen e mbretit bëri që të ndërtohej përpara portave të qytetit, tempulli i tij i famshëm i zjarrit, në altarin e të cilit, në vend të hapur, priftërinjtë mund të këndonin këngë e mund t´i flisnin popullit për idetë e reja religjioze. Nuk ishte më e nevojshme të sakrifikoheshin kafshë, për t’ i bërë më dashamirës zotat. Kush u bindej urdhërave të “ dijetarit më të vogël”, Ahura Mazdah, dhe prihej nga drejtësia, puna dhe ndershmëria, mund të shpresonte tek mëshira hyjnore në të ardhmen. Keshmar bëhet rezidenca e Zarathustrës, e drejt atij qyteti filluan të rendnin njerëz kureshtarë, për të dëgjuar predikimet e tij. Po prej këtu, nxënësit e Zarathustrës u nisën si misionarë nëpër provincat e largëta e nëpër mbretëtë e tjera. Pavarësisht këtyre sukseseve, nuk munguan vështirësitë dhe pengesat.
Kasta e priftërinjve fisnikë, e cila prej shumë kohësh sundonte nëpër qytete, i qëndronte kokëfortësisht besnike religjionit paraegzistues dhe bëri aleancë me princat e shteteve të afërta, për t’iu kundërvënë reformatorit. Lufta që pasoi ishte shkatërruese për themeluesin e religjionit dhe mbrojtësin e tij, mbretin Vistapa. Zarathustra iu përgjigj kundërshtarëve të tij në mënyrë jo më pak luftarake, ashtu siç dëshmon edhe një fragment nga predikimet e tij në vargje, ardhur deri në kohët tona: “Asnjëri prej jush të mos ua vërë veshin fjalëve dhe mësimeve të shërbëtorit të gënjeshtrës, sepse ai po e katandis shtëpinë, dhe vendin, provincën dhe shtetin në mjerim dhe gërrmadhë. Pra, rrëmbeni armët kundër tij!” Arrijmë tashti në luftën e parë të religjionit në territorin persian. Për Zarathustrën gjithçka mbaroi në katastrofë. Trupat armike, kur depërtuan në kryeqytet, e rrahën për vdekje me shkop plakun shtatëdhjetë e shtatë vjeçar, përpara se ai të mund të largohej.
Zarathustra vdiq si martir – si shumë etër themelues religjionesh. Kjo ndodhi rreth vitit 553 p.K. Simbas legjendës, doktrina e Zarathustrës qe shkruar qysh në kohën e mjeshtrit. Qe shkruar me bojë të artë në dymbëdhjetë mijë lëkurëra buajsh dhe qe ruajtur në bibliotekën mbretërore të Persepolit. Prej atij origjinali nuk na ka ardhur asgjë, e duhet të ketë përfunduar me siguri në flakët e vitit 330 para epokës kristiane, kur ushtarët e Aleksandrit të Madh, me të pushtuar qytetin, i vunë zjarrin. Gjithë ç’ka mbetur, janë disa kopje të redaktuara gjashtëqint vjet më vonë nga priftërinjtë, mbi bazën e egzemplarëve të tjerë të Avesta-s; edhe nga këto kopje na kanë ardhur vetëm pjesë fragmentare, sepse arabët, gjatë fushatave të tyre pushtuese, bënë shkatërrime të njëpasnjëshme. Fragmentet e ardhura deri tek ne, na ofrojnë gjithsesi sqarime të mjaftueshme mbi doktrinën e Zarathustrës. Në këtë pikë na lind dyshimi: a bëhet gjithnjë fjalë për idetë origjinale të Zarathustrës? Ka mundësi që fragmentet e mbërritura të kenë ndyshuar shumë pak gjatë përpunimit që iu bë para një mijë vjetësh, po për studiuesit e religjioneve, terësia e informacioneve të redaktuara nga priftërinjtë e ardhur pas Zarathustrës, nuk është krejtësisht e besueshme.
Zarathustra – si shumë etër religjionesh- ka lënë shumë pak gjëra të shkruara. E gjithë ç’na ka mbërritur, janë vetëm Gàthà-t (Himnet) në librat Yasna (Ritet e sakrifikimit) që mund t’i jenë atribuar drejtëpërdrejtë atij; të gjitha ato qenë redaktuar në një dialekt të ngjashëm me sanskritishten, që asokohe ishte në përdorim në Batria. Pra bëhet fjalë për pak pika të sakta referimi, të cilat, pavarësisht të gjithave, na japin mundësinë të rindërtojmë me njëfarë përafërsie, tiparet madhështore dhe unikale të doktrinës së tij.
Zarathustra hodhi poshtë besimin e e etërve të tij që njihte një numër të madh ahura-sh, zota të dritës, dhe daeva-sh, demonësh. Ai këmbënguli se vetëm njëri nga zotat-ahura, ishte zoti i vetëm: Ahura Mazdah, “zoti i ditur “. Ahura Mazdah nuk u shfaqet më njerëzve, si ahura-e tjerë, në mënyrë të dukshme, nuk afrohet me ide të tjera e nuk lind fëmijë, madje nuk është më një zot i ndryshueshëm që në mënyrë të pakuptueshme shpërndan herë të mirën e herë të keqen. Zoti i tij- Ahura Mazdah nuk ka një ‘imazh trupor’, është i kudopranishëm, abstrakt dhe i përjetshëm; shumë larg pasioneve njerëzore, Ai mishëron një princip lehtësisht të dallueshëm: të mirën. Këtij Zoti të vetëm i kundërvihet ama një kundërshtar me emrin Angra Mainyu,”shpirti i së keqes”. Kundërshtari i madh, një daeva në origjinë, nuk lë asnjë mënyrë pa përdorur, për t’i larguar njerëzit nga besimi në të mirën. Ekzistojnë pastaj figura ndihmëse që janë forca të së mirës e së keqes, të cilat ne vetitë e tyre janë shpirtëra dhe demonë dhe që rrjedhin nga forcat hyjnore të sipërpërmendura. Në anën e Ahura Mazdah është para së gjithash Spenta Mainyu, “Shpirti i shenjtë” që shfaqet ndonjëherë si mishërim i një Zoti të vetëm, herë të tjera si vlerë më vete, në cilësinë e lajmëtarit të vullnetit hyjnor. Zotat-shërbyes të këtij “Shpirti të shenjtë ” janë hyjni të dritës, “amesha spentas, “shpirtëra të pavdekshëm”, engjëjt; ata kanë si detyrë t’u kumtojnë njerëzve mesazhet hyjnore. Vohu Manu, “shpirti i mirë “, ishte njëri prej atyre engjëjve që i qenë shfaqur Zarathustrës për ta shoqëruar në fronin e Zotit. Në anën “shpirtit të së keqes “, Angra Mainyu, janë daeva-t, i demonët. Këtij grupi i përkasin pjesa më e madhe e hyjnive të adhuruara nga bashkohësit e Zarathustrës dhe janë shpirtëra të errët në shërbim të së keqes. Zoti është i përjetshëm, por lufta mes së mirës e së keqes, mes dritës dhe errësirës, është e kufizuar në kohë.
Kështu mësoi Zarathustra.
Lufta filloi mbasi Zoti kishte krijuar një botë pa mëkate, të banuar nga një njeri dhe nga një kafshë, të dyja ideale. Atëherë, në mbretërinë e dritës të Ahura Mazdah, u shfaq kundërshtari i tij, Angra Mainyu, që mohoi krijimin hyjnor dhe deshi ta përdhoste simbas zakonit të vet. Kaluan tre mijë vjet, derisa shpirti i së keqes arriti të depërtonte në botë pa mëkate, duke asgjësuar kështu njeriun ideal dhe kafshën ideale. Që nga ai çast, mbi tokë u shumëfishuan demonët më të vegjël, të krijuar nga Angra Mainyu. Ama shpirti i së keqes nuk mundi të dëbonte nga bota ndikimin e së mirës, sepse qoftë njeriu, qoftë kafsha ideale, kishin lënë farën e tyre mbi tokë. Nga kjo farë lindën në mënyrë magjike, kopja e parë njerëzore dhe speciet e para shtazore. Por në këto forma të reja të gjalla, ishin përzierë mes tyre e mira dhe e keqja. Epoka e artë e parajsës pa konflikte e pa mëkate, kishte kaluar. Ja, pikërisht në këtë mënyrë filloi historia universale e errësuar prej konfliktesh dhe intrigash dramatike. Që prej këtij çasti njeriu ishte, dhe është ende, i ftuar për të zgjedhur mes së mirës e së keqes. Epoka e re zgjati tre mijë vjet. Mandej Zoti vendosi t’ i ndihmonte njerëzit, duke dërguar mes tyre një profet: Zarathustrën. Por profeti u njoft si i tillë vetëm nga një pakicë njerëzish, e sa më shumë kohë të kalojë nga vdekja e tij, aq më shumë njerëzit do të largohen nga morali dhe virtyti. Si ndëshkim, Zoti do ta dënojë botën me një katastrofë përmbytjeje, me zjarre dhe luftëra shkatërruese, pra engjëjt e Tij do t’u bien trombave të gjykimit universal. Kështu, të gjithë njerëzit do të ngrihen nga varret e tyre e do t’u duhet të përgjigjen përpara Zotit Hyjnor rreth jetës së tyre, nëse e kanë pranuar apo refuzuar mesazhin shpirtëror të profetit. Teksa për besimtarët, në këtë pikë fillon një “jetë e amëshuar” në mbretërinë e Zotit, të tjerët do të dënohen me “mundim të përjetshëm” në ferr. Disa tipare të këtij mësimi religjioz, ishin të rinj, kurrë më parë të formuluar apo të parathënë nga ndonjë njeri tjetër. Shpesh bëhet fjalë për koncepte që kristianët, hebrejtë dhe muslimanët, pavarësisht shumë ndryshimeve që kanë ndërmjet tyre në detaje, gjejnë tek religjioni i Zarathustrës tipare të religjionit të tyre.
E gjithë kjo qe lajmëruar gjashtëqint vjet para se të lindte Jezu Krishti! Ama gjithsesi, doktrina e Zarathustrës lindi gjysmë mijëvjeçari mbas Moisiut e më shumë se një shekull mbas ardhjes së profetëve të mëdhenj hebraikë Isaia, Geremia dhe Elia.
Por sa kishte të vërteta origjinale tek Zarathustra? Çfarë pasojash pati doktrina e tij? Sa pati marrë nga modelet pararendëse të religjioneve e në çfarë ndikoi mbi religjionet e mëvonshme? Ende sot historianët e religjioneve debatojnë rreth çështjes nëse, Zarathustra kishte riformuluar në mënyrë më të qartë ide tashmë të njohura, apo pati krijuar diçka rrënjësisht të re. Disa prej kërkimeve të tyre mund të jenë marrë tashmë si të sigurta, dhe tashti do t’i shqyrtojmë. Le të fillojmë nga të besuarit në një Zot të vetëm.
Zarathustra ka themeluar një religjion monoteist, por nuk qe aspak i vetmi që lajmëroi besimin në një Zot të vetëm. Hebrejtë, kristianët dhe muslimanët ia atribuojnë parëlindjen e besimit tek një Zot të vetëm, Abrahamit, i cili rreth vitit 2100 para. Krishtit emigroi nga Mesopotamia në Kana. Abrahami jetoi njëmijë e pesëqint vjet përpara Zarathustrës, e edhe Moisiu e Isaia janë paraardhës të babait të religjionit të Iranit lindor. Zarathustra ka qenë ndikuar nga ata profetë hebrej? Battria ishte një qytet tregtar, pranë një rruge të rrahur karvanesh nëpërmjet së cilës tregtarët e Mesdheut drejtoheshin për në Indi e deri dhe për në Kinë.
Pra një qytet kozmopolit ku ndërfuteshin edhe idetë e Lindjes e të Perendimit. Pavarësisht kësaj, është pak e mundur që mendimi hebraik të ketë arritur deri në Battria, nisur nga fakti se hebrejtë nuk tregonin kurrfarë interesi për të udhëtuar aq larg, e aq më pak për t’u predikuar popujve të tjerë religjionin e tyre. Zarathustra duhet t’i ketë marrë ngacmimet nga tjetër drejtim. Po nga cili drejtim? Asnjë popull i kohës së tij, me përjashtim të hebrejve, nuk besonte në një Zot të vetëm e të vlefshëm për të gjithë njerëzit. Një popull ama, kishte hedhur hapat e parë në këtë drejtim: indianët arias. Indianët, qysh një shekull përpara Zarathustrës, kishin nisur të zhvillonin në pjesën filozofike të Veda-ve të tyre, të ashtuquajturën Upanisad (doktrinë e fshehtë), një formë të re religjioni. Jo pak prej mendimtarëve të tyre më kryesorë, mendonin se mbas shumëfishimit të ngatërruar të zotave, gjendej një forcë magjike fillimore, një shpirt universal krijues i gjithçkaje, të cilën e quajtën brahman. Fjala ishte për një parim abstrakt, thuajse të pakuptueshëm për masat e besimtarëve. Fshatarët e thjeshtë dhe artizanët, vijuan të besojnë tek Shiva, Visnu dhe njëmijë zota të tjerë – po për priftërinjtë e kulturuar ata zota përfaqësonin vetëm forma të dukshme të të pafundmit brahman. Unitet përtej shumëfishimit të gjithëllojshëm! Tek indianët, dhe pse me konturne të vagullta, po përvijohej ideja e një Zoti të vetëm. Vallë, Zarathustra i njihte ato tekste? Është e mundur. Madje shumë e mundur, meqë orientalisti amerikan Richard Frye na këshillon vëmendje ndaj faktit që lutjet e tij në vargje, pra Gatha-t, për nga metri dhe ritmi janë të ngjashme me Veda-n e brahmanëve indianë. Vetë titulli i veprës së Zarathustrës Avesta-që do të thotë Dije- përkon me përmbledhjen indiane të shkrimeve religjioze, që do të thotë po Dije. Është e kotë të nënvizojmë se nuk duhej të ketë qenë e vështirë të dëshifrohej “gjuha e shenjtë” e indianëve arias, sanskritishtja, që ishte mjaft e ngjashme me dialektin e Battria-s. Asokohe duhej të verifikoheshin mandej, kontaktet e vazhdueshme me priftërinjtë arias të Iranit lindor e të Indisë veriore. Pra Zarathustra kishte zhvilluar së fundmi, e në mënyrë radikale, atë që eruditët hindu kishin bërë të mugullonte. Në mënyrë të pavarur nga profetët hebraikë dhe me vështrim të drejtuar nga India, Zarathustra ndërmori një rrugë të re drejt idesë së një “pricipi fillimor”, të një “shpirti universal”. Pranë Battria-s, shumë larg nga Palestina, djepi i profetëve hebrej, mori jetë edhe një herë një akt gjenial krijues, besimi në një Zot të vetëm. Po për këtë, Zarathustra nuk do të bëhet një gjeni në historinë e religjioneve. Ai vetëm përpunoi atë që hebrejtë kishin formuluar në mënyrë të ngjashme. Ideja e besimit në një Zot të vetëm, nuk do të kishte vonuar të shfaqej, edhe sikur Zarathustra të mos kishte jetuar. Po ku qëndron vallë pamja e veçantë dhe origjinale, që asnjë profet përpara tij nuk e lajmëroi? Cila është risia që ndikoi në religjionet e tjera dhe në ato që erdhën më vonë? Sot, pjesa më e madhe e studiuesve të historisë së religjioneve, të përkushtuar në analizimin e burimeve historike, bien dakord në gjykimin e tyre në një pikë: që Zarathustra ishte i pari profet që lajmëroi ekzistencën e Satanait. Ai për së pari e ka ka konsideruar botën tokësore si një vend ku takohen e mira dhe e keqja, dhe askush tjetër përpara tij nuk u ka bërë thirrje njerëzve që të zgjedhin lirisht mes këtyre forcave absolute.
Zarathustra -siç shprehet adhuruesi i tij i largët dhe kritiku Friedrich Nietzsche në Ecce homo – “ishte i pari që kapi me intuitë se rrota vendimtare në ingranazhin e gjërave, ishte përkthimi i moralit në metafizikë “. Ështe sigurtë se ky model ka pasur paraardhës -indianët arias dhe iranianët e bënin prej kohësh dallimin mes së mirës e së keqes, duke e ndarë kështu universin në dy botëra të kundërta- por e veçanta tek Zarathustrës qe se arriti të fiksonte linja të sakta në atë rend ende të vagët. Ai ishte i pari që predikoi ringjalljen e të vdekurve në ditën e gjykimit universal, në të cilën njeriu duhet të përgjigjet përballë Zotit për veprimet e mira dhe të këqija.
Para Zarathustrës askush nuk ka lajmëruar egzistencën e një bote të përtejme , të parajsës për të mirët, e të ferrit për të këqinjtë. Ajo që shumë prej nesh besonte se i përkiste trashëgimisë krijuese të hebrejve, nuk qe ideuar nëpërmjet vizioneve në shkretëtirat e Judesë apo mbi lumin Jordan, porse në malet dhe stepat e Afganistanit e në brigjet e lumit Amu Darja.
Hebrejtë e kohës së Zarathustrës i njihnin tashmë Dhjetë Urdhëresat e Moisiut dhe besonin se mëkatarët zgjonin zemërimin e Zotit. Dënimi ama, i kërcënonte në botën e këndejme, nëpërmjet gjykatësit, e shpesh ndodhte, siç dhe e tregojnë pjesët më antike të Testamentit të Vjetër, që Zoti të ndërhynte drejtëpërsëdrejti dhe t’i kobëzonte mëkatarët me luftë dhe me epidemi. Një gjykim kompensues në botën e përtejme, ishte i panjohur edhe nga vetë profetët Isaia dhe Ezekiel, të cilët ishin thuajse bashkohorë me Zarathustrën. Është gjithashtu e vërtetë që në shkrimet e tyre gjendej i formuluar premtimi se të vdekurit do të ringjalleshin, por ajo profeci si imazhe dhe metafora, më shumë se asgjë lajmëronte rilindjen e shtetit të Izraelit mbas një periudhe dekadence: mendimi i tyre pra ishte i lidhur me botën e këndejme, ishte e tipit politik.
Në fantazinë e hebrejve egzistonte vetëm një botë e hijeve ku të gjithë të vdekurit do të mbërrinin, pa dallim mes shpërblimit dhe dënimit, mes parajsës e ferrit. Një mbretëri e tillë e hijeve, ishte në gjithçka e ngjashme me Hadin e grekëve. Hebrejtë nuk e njihnin ende djallin si kundërshtar i fuqishëm i Zotit. Në shkrimet biblike të asaj kohe, Satanai shfaqej vetëm si ekzekutor i Jahve dhe si shpirt i ndëshkimit, pra duhej gjithnjë të zbatonte dëshirën e Zotit të tij suprem. Djalli nuk ishte ende demoni kokëngjeshur që synonte të triumfonte mbi Zotin me ndihmën e njerëzve. Veç kësaj hebrejtë e konsideronin historinë e njerëzimit si nji zinxhir të vetëm ngjarjesh. Atyre ende nuk u ishte folur për kopjen e parë njerëzore, Adamin (në hebraisht: qenie njerëzore) dhe Evën (në hebraisht: tokë), për zhvillimet dramatike të shkaktuara nga nga shfaqja e djallit, e mëkatit fillimor e të ndryshimit historik mbi tokë, që kishte si synin përfundimtar gjykimin universal në ditën e fundme. Hebrejtë e konsideronin historinë e njerëzimit si një përsëritje e përjetshme ngjarjesh të njejta, pa ndonjë qëllim të natyrshëm ndryshimor. Imazhet dhe konceptet religjioze të hebrejve të asaj kohe nuk ishin shumë larg prej atyre të popujve të tjerë të përparuar, si indianët, kinezët, babilonasit, egjiptianët, deri grekët dhe romakët. Tre shekuj mbas vdekjes së Zarathustrës, hebrejtë mendonin ndryshe. Në shkrimet e tyre biblike gjendeshin tashmë ato ide religjioze, që ne sot i konsiderojmë se janë në gjithçka e për gjithçka hebreje e, në kuptimin e të zhvendosurit, kristiane, pjesëbërëse të kulturës krejtësisht europiane.
Përhapja e ideve religjioze të Zarathustrës mbështetet nga shfaqja e një fuqie politike që arriti ta mbrojë në mënyrë të suksesshme religjionin e ri kundrejt kundërshtarëve të saj. Vetëm atëherë u realizua për Zarathustrën mundësia për t‘u bërë i famshëm përtej kufijve iranianë, për të ndikuar kështu në mënyrë vendimtare edhe mbi religjionet e tjera. Kjo forcë politike kishte filluar të formohej qysh në kohën e vetë Zarathustrës: ishte perandoria e persianëve. Por historianët nuk i fshehin dyshimet e tyre. Mbi të gjithë, njëri prej ekspertëve më të shquar të religjioneve antiko-iraniane,
Geo Widengren, mohon që Mbretërit e Mëdhenj të perandorisë së parë persiane kishin besuar seriozisht në mësimet religjioze të Zarathustrës. Ata mbretër, më tepër njerëz politikë sesa religjiozë, do të kenë pranuar nga religjioni i ri disa rregulla doktrinore, por duhet të kenë qenë treguar shumë të kujdesshëm për të mos hyrë në konflikt të hapur me traditat egzistuese. Pra, e kushedisatta çështje e pazgjidhur. Siç dhe është e zakonshme për gjithë ç‘i përket historisë së persisë së lashtë. Por një gjë është e sigurtë: në Iran, doktrina e Zarathustrës ka jetuar në periudhën vijuese, një fazë të fortë zhvillimi. E ka edhe më: disa princër persianë dhe funksionarë të lartë, nxitën përhapjen e religjionin të ri nëpër provincat e pushtuara, në lindje deri në luginën e Indos, në perëndim deri në vendbanimet mes Tigrit dhe Eufratit, në Azinë e Vogël, Siri, Palestinë dhe Egjipt. Në asnjë rast persianët nuk e detyruan një popull të nënshtruar që të konvertohej në religjionin e Zarathustrës, përkundrazi ata i lanë kujtdo besimin që kishte. Por të gjithë nënshtetasit e perandorisë kishin mundësi të interesoheshin në mënyrë aktive për religjionin e ri. Kjo duhej të ketë pasur rrjedhime të paparashikuara dhe vendimtare për atë kohë.
Takimi me Zarathustrën u solli një zhvillim religjioz me rëndësi të madhe njerit prej popujve të nënshtruar: hebrejve. Efektet ishin të një rëndësie historike botërore. Hebrejtë e asaj kohe kaluan krizën më të madhe të historisë së tyre. Në vitin 587 para Krishtit, Nabukodonosor, mbreti i Babilonisë pati shkatërruar kryeqytetin hebraik, Jeruzalemin, deri në muret e brendshme dhe pati dëbuar mbi të gjitha njerëzit e letrave, priftërinjtë, funksionarët e administratës, tregtarët dhe ushtarët në rajonin mes Tigrit dhe Eufratit. Shteti hebraik nuk egzistonte më. E tërë elita intelektuale, dhe me të një pjesë e popullit, jetonte nën sundimin e guvernatorëve të huaj shumë larg nga vendi i lindjes. Ajo epokë-që ka hyrë në histori si burgimi babilonas-, mori fund nëpërmjet forcës së Kirit, Mbretit të Madh të persianëve; ai i riktheu hebrejtë në tokën e të parëve, mbasi arriti të pushtonte mbretërinë babilonase. Por idetë dhe koordinatat shpirtërore të atyre hebrejve që u kthyen në shtëpi, ishin të ndryshme nga ato të paraardhësve të tyre të drejtpërdrejtë: gjatë qëndrimit të tyre në tokën e huaj, ishin ndikuar gjatë ndeshjeve dhe përplasjeve me një kulturë absolutisht të re e, në një farë mënyre tërheqëse. Të vënë në provë prej asaj eksperience, thellësisht të çorientuar, priftërinjtë hebrej filluan të mendojnë pandërprerazi mbi çështjet e mëdha religjioze, mbi kuptimin e egzistencës; edhe populli dukej më i prirur për të nxënë mesazhe të reja profetike. Gjatë kësa periudhe historike u formuluan pjesë themelore të Testamentit të Vjetër, frymëzuar nga trashëgimia kulturore e huaj. Para së gjithash në Babiloni: prej aty hebrejtë morën mitin e krijimit nga balta të kopjes së parë njerëzore dhe legjendën e përmbytjes. Por mësuan shumë edhe nga persianët. Por si mund ta bëjmë të ditur se hebrejtë qenë ndikuar pikërisht nga doktrina e Zarathustrës? Përsa i përket kësaj, zotërojmë një dokument ndriçues. Gjendet në Testamentin e vjetër: libri i Danielit. Nuk i njohim autorët, sepse libri ka mundësi të jetë shkruar disa shekuj mbas vdekjes së profetit hebraik. Mandej, duhet të jetë fjala për një përzierje mes elementeve legjendare dhe ngjarjeve të ndodhura me të vërtetë. Pavarësisht kësaj, mund të nxjerrim disa konkluzione të rëndësishme nga teksti.
Nëse provojmë të ndjekim biografinë e Danielit- për aq sa mund të rindërtohet duke u mbështetur në traditën biblike-mbetemi të befasuar. Danieli pati jetuar në oborrin e mbretit babilonas Nabucodonosor; atje i qe caktuar një pozicion në rangun e funksionarëve të lartë që kishin për detyrë të zgjidhnin mes hebrejve të burgosur, më të bukurit, më inteligjentët e më të aftët për të shërbyer në oborrin e mbretit. Danieli bëri karrierë në oborr, falë aftësisë së tij për të interpretuar në mënyrë bindëse ëndrrat e Nabukodonosorit, e kjo nuk ishte pak në një vend ku nëpërmjet ëndrrave lexohej e ardhmja. Ai u bë deri dhe një funksionar i lartë. Kur Kiri pushtoi Babiloninë, shkoi në oborrin e Suzas, ku për shumë vite shërbeu si këshilltar i Mbretit të Madh Dario. Deri këtu, biografia e tij. Të një rëndësie vendimtare janë fjalët që autorët biblikë, të cilët kanë jetuar mbas tij, ia atribuojnë Danielit. Në kapitullin e dymbëdhjettë të librit që mban emrin e tij, lexojmë: “Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës , do të zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe poshtërsinë e përjetshme… Por ti Daniel (është Zoti që flet) shko, derisa të vijë fundi; e ji i qetë, sepse ti do të ringjallesh në tokën tënde në ditën e fundit “. Shprehje të ngjashme me këto nuk gjendeshin kurrë më parë në Testamentin e Vjetër. Janë mendime të atribuara një hebreu nën shërbimin e persianëve, e që në Suza duhet të ketë pasur patjetër kontakte me pasuesit e zarathustrës. Është hera e parë që një hebre lajmëron ringjalljen e të vdekurve në ditën e gjykimit universal. Në të njejtin libër lexohet, për të parën herë, itinerari i historisë ka një synim të saktë, në fundin e kohës: zhdukjen e nevojshme të botës sonë të papërkryer dhe fillimin vezullues të mbretërisë së përjetshme të Zotit. Libri i Danielit dëshmon ndikimin e religjionit të Zarathustrës mbi mendimin hebraik. Nuk duhet të bëhet fjalë për një rast të vetëm. Në vazhdën kohore me shek. III dhe II para Krishtit, hebrejtë bënë të tyren edhe doktrinën e engjëjve dhe demonëve të Zotit e të Satanait, si kundërshtarë të përjetshëm në këtë botë tokësore. Hebrejtë nuk besuan më se si e mira ashtu edhe e keqja vinin në të njejtën masë nga Zoti, e që duhet të pranoheshin si të ngjashme. Që nga ai moment, gjithë ç‘ishte e keqe iu atribua forcave demoniake që vepronin nga një mbretëri e fortpërcaktuar e errësirës, së cilës i duhet kundërvëne një qëndresë energjike. Në shek. II p. K. , religjioni hebraik u konfigurua ashtu siç Jezusi e njohu. Mesia mblodhi mandej disa aspekte themelore të atyre ideve të reja. E jo vetëm ai. Gjastëqint vjet më vonë, Muhamedi i dha jetë islamizmit, duke i marrë shtysat nga trashëgimia hebraike dhe kristiane: edhe ky i fundit predikoi se njerëzit kishin ardhur në këtë botë për të zgjedhur mes Zotit e Satanait; edhe ai u mësoi njerëzve mbi ringjalljen e të vdekurve në gjykimin universal; edhe ai lajmëroi parajsën si shpërblim për njerëzit e drejtë dhe ferrin si ndëshkim për mëkatarët. Është një paradoks i vërtetë: Pasuesit e Zarathustrës janë sot një pakicë në zhdukje e sipër, jo më shumë se dyqint mijë besimtarë, por mendimi i atit themelues ka kontribuar për të farkëtuar tre religjione, ndjekësit e të cilëve përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë botërore. Sot në Persi ndodhen dyzetë mijë pasues të Zarathustrës, një numër i papërfillshëm në raport me krejt popullsinë. Pjesa më e madhe e tyre jeton në Teheran dhe në rajonet e kerman e Yasd. Asnjë persian musliman nuk i pengon ata të mblidhen rreth zjarrit të shenjtë për t‘iu lutur Ahura Mazdah-ut; ndjekësve të Zarathustrës u është siguruar liri e plotë kulti. Në këtë rast nuk bëjnë përjashtim as shiitët fanatikë që janë të famshëm për tolerancën e tyre. Simbas rregullave islamike, asnjë religjion që mëson besimin në një Zot të vetëm, nuk duhet të pengohet. Muslimanët e shohin besimin e Zarathustrës si një formë primitive e islamizmit, fakt ky që u jep mundësi besimtarëve të Ahura Mazdah të mbijetojnë në vendin e tyre të origjinës, të paktën deri më tash. Jashtë Persisë, ndjekësit e Zarathustrës janë të pranishëm, në një farë numri, në Indi, ku janë shpërngulur qysh në shekullin VII. Atje quhen parsen, fjalë që do të thotë asgjë tjetër veçse persianë. Qendra e tyre është metropoli i Bombeit. Ata arritën ta përcjellin besimin e tyre në kujtesën e pasardhësve në mënyrë më të efektshme sesa vëllezërit e tyre persianë, dhe mundën t‘i ruajnë pa u penguar traditat e tyre në shoqërinë induiste, tolerante përsa i përket religjioneve. Nuk është pra rastësi, që pikërisht në Bombei, historianët europianë patën takimin e parë me doktrinën e Zarathustrës. Numri i parsen-ve kufizohet në rreth njëqint e tridhjetë mijë persona. Nëse atyre u shtojmë edhe persianët, arrihet në shifrën njëqint e shtatëdhjetë mijë persona, shifër e cila përmbledh të gjithë besimtarët që i kanë mbetur besnikë këtij religjioni, një herë e një kohë aq i rëndësishëm. Besimi i Zarathustrës nuk u bë kurrë një religjion universal. Por edhe ai, as që ka tentuar kurrë që ta bënte. Mbi bazën e të dhënave që kemi në zotërim, duhet të supozojmë që pasuesit e tij nuk e kanë ndjerë kurrë kurrë nevojën për t‘u predikuar si misionarë popujve të tjerë. “Shpërndahuni nëpër botë…”, ky urdhër i Jezusit, që Muhamedi e ka rithënë në mënyrë të përafërt, u mungon pasuesve të Zarathustrës. Ata veprojnë sikurse hebrejtë, të cilëve u mjaftonte të konstatonin se besimi në një Zot të vetëm t‘i kishte heshur rrënjët në popullin e zgjedhur. Perandorët antiko-persianë e kanë përkrahur këtë lloj vetëkufizimi; ata gjykonin se ishte më mirë t‘ua lini popujve të tjerë religjionet egzistuese, qoftë edhe thjesht për hir të paqes politike. Për këtë, qoftë kjo edhe jo arsyeja e fundit, religjionit të Zarathustrës iu desh ta humbte shumë shpejt ndikimin e vet, sapo pushteti i kishës së shtetit të rrëzohej prej muslimanëve. Zbulimi i Zarathustrës nga ana e kulturës europiane, filloi më 1771. Në atë kohë, historiani francez i religjioneve dhe orientalisti Abraham Anquetil-Duperon, njohu në Bombei parsenët dhe rastësisht diçka shumë të të rëndësishme: biblën e tyre, Avesta-n. Më saktë: ato fragmente të rëndësishme që kishin mbetur pas shekujsh me luftra religjioze e politike. Mori me vete një egzemplar për në Paris dhe e përktheu në frëngjisht. Qe një ndërmarrje pionieristike që bëri bujë. Menjëherë pesë vjet më vonë, ishte gati edhe përkthimi në gjermanisht, kaq i lartë ishte interesi i ngjallur tek specialistët dhe tek lexuesit e kulturuar përtej Renit. Nuk qe aspak rastësi që kjo ndodhi në shekullin e iluminizmit. Aso kohe, në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, poetë, filozofë e shkencëtarë, arritën të çliroheshin nga tutela e kishës dhe bënë çdo përpjekje për të njohur, përtej paragjykimeve, kultura të tjera, por dhe religjione të tjera. Iluministët e doni tolerancën dhe dënonin meskinët që pranonin pa përjashtim atë që nuk i binte ndesh mendimit të trashëguar nga e kaluara. Në ato vite Lessing dramën e tijborgjeze mbi tolerancën „ Nathani i ditur“ (1779), në të cilën ftonte për të kuptuar ato religjione, deri atëherë të konsideruara armike të krishterimit, si hebraizmi e islamizmi; ai relativizoi në mënyrë të efektshme, me armën e metaforës, konceptin e së vërtetës absolute. Në borgjezinë e kulturuar mbretëronte klima e hapjes ndaj së resë dhe e vëmendjes ndaj atyre religjioneve gjer atëherë të panjohura. Mozart i dha Zarathustrës veshjen e priftit suprem dhe të magjistarit Sarastro tek „Flauti magjik“; Goethe u muar me profetin iranian „Divan oksidento-oriental (shih: Hafiz). Por rëndësia vendimtare e Zarathustrës mbeti dhe për ende shumë kohë e panjohur prej një rrethi të gjerë lexuesish; shumë njerëz, në rastin më të mirë e konsideronin një profet të lënë në hije prej etërve themelues të religjioneve pasuese, një njeri pra të kapërcyer pamëshirshëm nga rendja e ngjarjeve historike. Ky opinion nuk ndryshoi në mënyrë substanciale as në shekullin XIX, kur gjithnjë e më shumë orientalistë u drejtuan nga India dhe Persia, duke mbledhur kopje të reja të Avesta-s, duke e përkthyer, komentuar dhe duke i krahasuar në mënyrë kritike ndryshimet respektive. Pikërisht në këtë mënyrë iu zbulua krejtësisht hulumtuesve, se doktrina e Zarathustrës përmbante disa koncepte parësore që deri atëherë i qenë atribuar hebraizmit dhe kristianizmit. Rezultatet e këtyre kërkimeve hasën në një rezistencë të madhe në shtresat e gjera të popullsisë. Shkencëtarët u ndeshën me një tabú: ata kishin guxuar të pohonin se përmbajtja e doktrinës së kristianizmit rridhte jo vetëm nga Jezu Krisht dhe profetët e Testamentit të Vjetër, por edhe nga ati i një religjioni që i përkiste një kulture krejtësisht të huaj. Mos kjo donte të thoshte se feja kristiane kishte qenë prodhuar në mënyrë kontradiktore dhe progresive, nga vetë njerëzit ashtu si e gjithë kultura e tyre, e nuk rridhte pra drejtëpërsëdrejti nga Zoti si e vërtetë absolute? Konkluzioni ishte logjikisht i supozueshëm. Pikërisht për këtë, zbulimi i Zarathustrës tingëlloi për perendimin kristian si një sfidë, dhe për shumë njerëz si një provokim i papranueshëm. Provokatori i madh ishte Friedrich Nietzsche. Në vitet tetëdhjetë të shekullit XIX, ai e paraqiti Zarathustrën nën titullin e veprës së tij kryesore „Also sprach Zarathustra“ (Kështu foli Zarathustra). Nietzsche e mori këtë titull nga Avesta e parsenëve indianë, në të cilën konceptet kryesore doktrinale parapriheshin prej kësaj shprehje. Nietzsche arriti atë që asnjë historian i religjioneve nuk e kishte arritur: ta bënte të njohur emrin e Zarathustrës për një publik të gjërë. Ky fakt është me të vërtetë paradoksal, meqë teksti ( i botuar për herë të parë më 1892 në një përmbledhje veprash të Nietzsche-s në katër vëllime) nuk ka asgjë të përbashkët me mësimet e vërteta doktrinale të atit të religjionit antiko-iranian. Nietzsche shihte te Zarathustra një nga gjenitë më të mëdhenj të historisë religjioze, po, si profet që kishte shënjuar koordinatat shpirtërore sipas së cilave ne, jetojmë ende sot. Por sipas Nietzsche, ajo që Zarathustra kishte sjellë sërish në botë, ishte „një gabim gjigantesk“ që duhej të asgjësohej. Nietzsche zgjodhi figurën e profetit për veprën e tij kryesore, me synimin për të treguar atë që ai ishte „kthimi i madh“. Personazhi i Zarathustrës krijuar prej tij, rikthehet sërish në vetmi për të rinjohur dhe demaskuar si mashtrim vetë krijimin e tij gjenial- pra besimin në luftën universale mes së mirës e së keqes, në botën e përtejme të pajisur me drejtësi shpërblyese e në metafizikë në kuptimin e gjerë. Zarathustra bëhet simbol i njeriut krijues që shkatërron pikërisht atë që ka krijuar, për të prodhuar mandej diçka të re – dhe e reja, një ditë nuk do t‘i rezistojë më nevojës së tërbuar të njohjes, e do të kapërcehet sërish. Gjithçka rrjedh, e vërteta absolute nuk egziston, egzistojnë vetëm ndryshimi dhe gjendja kalimtare e prodhimeve të ndërgjegjes; ky koncept që dikur na qe mësuar nga filozofi grek Herakliti, në veprën e Nietzsche-s bëhet element qendror. Në shkrimet e Nietzsche-s Zarathustra është transformuar pikërisht në të kundërtën e asaj që ishte në origjinë: jo aq një njeri që ndjehej i lidhur me një urdhër metafizik, sesa një njeri që, duke mos pasur më iluzione, pohon „asgjënë“ dhe arrin të krijojë urdhëra të rinj vetëm falë fantazisë së tij “lojcake” – gjithë duke e ditur se do të jenë kalimtarë. Deri më sot, ky Zarathustër, ashtu siç e karakterizoi Nietzsche, na është shumë më afërt sesa ishte në realitet. Pavarësisht interpretimit të tij të pjesshëm, pavarësisht pasionit me të cilin është refuzuar Zarathustra i vërtetë, një gjë është e qartë falë edhe Nietzsche-s: si është nënvlerësuar gjithmonë trashëgimia e mendimit të Persisë së vjetër që i është përcjellë perëndimit.


Nga: “Persianët” e Gerhard Schweizer
Në shqip: Shpëtim Kelmendi
 
Marrezia dhe budalleku skan fund ne kte bote.

Po ta lexosh me vemendje kte budallik i bie sikur tjet shkeput noj pjes nga noj film vizatimor se ndryshe vec noj nji me llogjiken -360⁰ do e kuptonte.
 
ferrat i bani perenia tkullosi magjari …. hala besoni ne ferra o milet lonshit nam.. si te desesh ska dynja tpertejme vec kryma nen toke
 
Tani me serioz pak dhe pse pak ka lidhje me temen, por lidhet me kokezinjte ne fakt. Keta kane patriarket e tyre qe kur vinte puna per grua, venin gati ne Armeni e sotshme(dhe pse asaj do i dedikoj nje postim sic duhet se kush ishin vertete) se s'donin perzierje me kokezinje 😀😃😄
 
Un nuk kam frik se shkoj ne ferr . Rendesi ka qe jetoj bukur jeten ktu e as me plas se shkooj ne ferr a parajse .
Ja kshu se na lodhet koken me kte boten e pertejme lol
 
Tani me serioz pak dhe pse pak ka lidhje me temen, por lidhet me kokezinjte ne fakt. Keta kane patriarket e tyre qe kur vinte puna per grua, venin gati ne Armeni e sotshme(dhe pse asaj do i dedikoj nje postim sic duhet se kush ishin vertete) se s'donin perzierje me kokezinje 😀😃😄
Shumë e thjeshtë një pyetje: nga e morën ferrin arabët e të krishterët 🙄 kur Zarathustra ishte i pari që e foli atë filozofi ferr e parajsë 😁
 
Gan eden, paradeis iranisht , paradhisos grekaqi, paradisium latinisht, e paradiso e te parajsa e jone sot ska perkthim tjeter vec "Vend i rrethuar/ruajtur"
E them grekaqi* se ajo fjale ska egzistu ne ate kohe, vec nga shekulli 17+- :D
 
Gan eden, paradeis iranisht , paradhisos grekaqi, paradisium latinisht, e paradiso e te parajsa e jone sot ska perkthim tjeter vec "Vend i rrethuar/ruajtur"
E them grekaqi* se ajo fjale ska egzistu ne ate kohe, vec nga shekulli 17+- :D
Mos i nxirr bllof kshu me një post 🤷
Ka bukurinë e vetë ti vrasësh pak nga pak 😁
 
“Tani unë po largohem i vetëm, o dishepujt e mi! Shkoni dhe ju tani, të vetëm! Kështu dua unë.

Në të vërtetë, po ju them: shkoni dhe ruhuni nga Zarathustra! Ose më mirë, turpërohuni prej tij! Ndoshta ai ju ka mashtruar.

Njeriu që kërkon diturinë nuk duhet vetëm të dojë armiqtë e tij, por edhe të mundet të urrejë miqtë e tij.

Mësuesin e shpërblen keq kur mbetesh gjithnjë vetëm dishepulli i tij. E përse nuk doni ju të shkelni kurorën time?

Ju më nderoni, po ç’do të ndodhte nëse një ditë nderimi juaj do të shembej? Hapni sytë, se mos ju shtyp ndonjë statujë!

Ju thoni se besoni tek Zarathustra? Po ç’rëndësi ka Zarathustra! Ju më besoni mua, po ç’rëndësi kanë të gjithë besimtarët!

Ju nuk keni kërkuar ende veten tuaj – atëherë të më gjenit. Kështu bëjnë të gjithë besimtarët, prandaj të gjitha besimet vlejnë kaq pak!

Tani, ju urdhëroj të më humbisni mua e të gjeni vetveten; dhe vetëm kur të gjithë të më keni mohuar, atëherë do të kthehem tek ju…”

vazhdon...

 
E kam lexuar goxha zarathustren,do lexoj e kete shkrimin me siper spo te gjej pak kohe dhe qetesi,sepse ky eshte i veshtire ne te kuptuar.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top