LeVoyageur
RDM 33 NSOE
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj ka nisur një vizitë treditëshe në Izrael ku është pritur në parlamentin e këtij vendi, Knesset, nga anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe përfaqësues të tjerë.
Në takimin me Eli Nacht, Hoxhaj ka shtruar nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit parlamentar duke shënuar kështu një moment të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Sipas Hoxhajt, bashkëpunimi i mirë parlamentar do të shtynte pozitivisht edhe më tej marrëdhëniet ndërshtetërore për të përfunduar me njohjen nga Izraeli.
“Sot pata kënaqësinë të takoja deputetë të Knessetit me të cilët ndamë shumë mendime të përbashkëta të cilat duhet të fokusoheshin veçmas në thellimin e bashkëpunimit parlamentar. U pajtuam për takime edhe më intensive që do të duhej të përfundonin me njohjen e Kosovës. Ne kemi shumë nevojë në këtë fazë ku gjendet Kosova për të rritur miqtë nëpër botë, zgjeruar gjeografinë e kontakteve dhe njohjeve”, ka thënë Hoxhaj pas takimit.
Hoxhaj po ashtu ka takuar deputeten Rina Frenkel me të cilën ka folur për shkëmbimin e nevojshëm të përvojave ndërmjet komisioneve dhe parlamenteve për të shtyrë edhe më tej bashkëpunimin ndërparlamentar.
Në një takim të veçantë, Hoxhaj është pritur edhe nga përfaqësues të departamentit të tregtisë ndërkombëtare, njërit prej institucioneve kryesore të Izraelit në këtë fushë për të shikuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në sferën e teknologjisë informative, telekomit, bujqësisë, etj..
Vizita e Hoxhajt në Izrael është e para e këtij niveli që pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa ai do të takojë edhe zyrtarë të Ministrisë së Jashtme, mbajë disa ligjërata dhe takime tjera.
© KOHA.net