Ismail Qemali, rrugëtimi drejt Bukureshtit për Pavarësinë

Love

βeℓℓe â๓e
  • Sipas Ismail Qemalit dhe shokëve të tij, shqiptarët duhej të shfrytëzonin rrethanat e krijuara nga shpërthimi i Luftës Ballkanike dhe nga ashpërsimi i kundërshtimeve midis Fuqive të Mëdha, për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë
Gazetari francez: Të gjithë flisnin, ai rrinte i heshtur

Prof.dr. Kaliopi Naska


ismail-qemali-320x246.jpg


Foto e rrallë – Një foto e rrallë e Ismail Qemalit e bërë më 1871 me përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha të kohës, diplomatë nga më të shquarit. Ismail Qemali, me i riu midis tyre, në atë kohë vetëm 27-vjeçar, është President i Komisionit Europian të Danubit, ndër më të rëndësishmit për kohën, Komision që akoma edhe sot është në funksion.

Fotoja është marrë nga libri “Anglo-Romanian relations after 1821”, botuar nga “Academia de Stiinte Sociale si Politice a Republichi Socialiste Romania”, 1983, f.98. Fotografia është gjetur nga stërnipi i Ismail Qemalit, Darling Vlora.

Në Stamboll, Ismail Qemali nuk arriti t’i bindte qeveritarët turq, se me gjithë këmbënguljen e tyre për të mos ua njohur shqiptarëve të drejtat autonomiste, monarkitë ballkanike nuk do të hiqnin dorë nga lufta kundër Perandorisë Osmane. Qeveritarët e Stambollit nuk morën parasysh as tezën e tij të njohur se ishte edhe në interesin e Portës së Lartë që lufta e aleatëve ballkanike t’i gjente shqiptarët të pajisur të paktën me një autonomi administrative, në qoftë se nuk dëshironin që Shqipëria të shkëputej plotësisht nga Perandoria Osmane.
Në fakt, gjatë javëve që Ismail Qemali qëndroi në Stamboll, çdo ditë e më tepër dukeshin shenjat se lufta e aleatëve ballkanikë kundër Perandorisë Osmane ishte e pashmangshme. Dukej haptazi se me gjithë interesin që kishin Fuqitë e Mëdha, për të ruajtur edhe për disa kohë status quo-në në Europën Juglindore, monarkitë ballkanike kishin vendosur përfundimisht që të mos prisnin më tepër, por t’i shpallnin luftë Perandorisë Osmane dhe t’i ndanin midis tyre zotërimet e saj në Gadishullin Ballkanik.

Për Ismail Qemalin, qeveritarët turq jetonin me iluzione kur kujtonin se Fuqitë e Mëdha do të ndërhynin për ta mënjanuar luftën, ashtu dhe kur ëndërronin edhe sikur lufta të shpërthente konfliktin do ta fitonte Perandoria Osmane. Ismail Qemali dhe në përgjithësi patriotët shqiptarë, ishin të bindur për të kundërtën. Ata niseshin nga fakti se kryengritja e përgjithshme shqiptare, edhe pse nuk fitoi atë që dëshironte autonominë administrative të Shqipërisë, provoi botërisht kalbësinë e Perandorisë Osmane. Pikërisht këtë rrethanë vendosën ta shfrytëzonin monarkitë ballkanike në të mirë të synimeve të tyre ekspansioniste e grabitqare.
Ashtu siç qenë të bindur se shpallja e luftës së monarkive ballkanike kundër Perandorisë Osmane ishte punë ditësh, po ashtu Ismail Qemali dhe shokët e tij qenë të bindur edhe për dy çështje të tjera, – se luftën do ta fitonin monarkitë ballkanike dhe se në përfundim të saj, trojet shqiptare do të copëtoheshin midis tyre – Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Në fakt, dy fuqitë më të interesuara për fatin e Ballkanit, Rusia dhe Austro-Hungaria, në fillim menduan të ndërhynin ushtarakisht për të mënjanuar konfliktet, por duke parë se ndërhyrja e tyre kishte rrezik t’i hidhte ato në luftë me njëra-tjetrën, për të cilën ishin ende të papërgatitura, vendosën të qëndronin në një anë dhe të deklaronin se ruajtjen e status-quo-së e konsideronin si politikën që u përgjigjej më mirë interesave të tyre.

Më 7 tetor, ato u dorëzuan aleatëve ballkanikë një notë në emër të pesë fuqive, ku dënonin çdo orvatje për të prishur status quo-në. Por aleatët ballkanikë nuk e pranuan notën, sepse konfliktin e armatosur tashmë e konsideronin të pashmangshëm. Kështu, më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Disa ditë më vonë, Serbia, Bullgaria dhe Greqia i shpallën gjithashtu luftë Perandorisë Osmane. Kështu filloi lufta e parë ballkanike. Shpërthimi i luftës krijoi për shqiptarët një situatë të vështirë. Shkelja e tokave të tyre nga ushtritë e shteteve ballkanike mbarte rrezikun që pushtimi të shndërrohej në aneksimin e tyre, siç ndodhi në të vërtetë. Në lidhje me situatën e re, Ismail Qemali ka shkruar në kujtimet e veta: “Aleatët ballkanikë i shpallën luftë Turqisë dhe ushtria bullgare zuri Kirk Kilisenë, ndërsa serbët zunë Shkupin, mendova se koha kishte ardhur për në shqiptarët që të merrnin masa të rrepta për shpëtimin tonë”.

Në këto kushte, platforma e autonomisë administrative të Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane, kishte humbur kuptimin e saj. Sipas Ismail Qemalit dhe shokëve të tij, shqiptarët duhej të shfrytëzonin rrethanat e krijuara nga shpërthimi i Luftës Ballkanike dhe nga ashpërsimi i kundërshtimeve midis Fuqive të Mëdha, për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Një përshkrim mjaft të goditur, të arsyetimit të Ismail Qemalit në javët e para të Luftës Ballkanike, na e jep gazetari frëng, Stefan Lozane (Stephane Lauzanne).

“Ndodhej në Kostandinopojë, shkruan ai, gjatë dy javëve të para të luftës, një burrë i cili nuk largohej nga holli i hotelit. Ai ishte i fuqishëm me një mjekër të bardhë që rrethonte dy sy ngjyrë blu, veçanërisht të thellë dhe shprehës. Ai kishte rreth vetes një grup të vogël njerëzish, që diskutonin, komentonin, bisedonin, ndërsa ai, gjithmonë i heshtur. Shikojeni këtë burrë, më thotë një ditë një diplomat. Ai do të jetë një ministër i parë, ndofta edhe kryetar i një shteti që ende nuk ekziston. Në luftën ku po përleshet Evropa, ai do të jetë fitues, pa pasur nevojë për të nxjerrë shpatën… Gjatë këtij pesëmbëdhjetëditëshi, ku çdo ditë shënohej një betejë, Ismail Qemali vinte më takonte në mbrëmje e më pyeste zakonisht: – ا’lajme të reja kemi? Unë e njoftova një ditë se turqit kishin thyer serbët. Kjo u njoftua me dhjetëra herë në Kostantinopol. Ai u duk i kënaqur dhe më thotë: – Ah, shumë mirë! Por të nesërmen kur rrota e ngjarjeve ndryshoi pak, si ajo e fatit, unë e njoftova atë se bullgarët kishin mundur turqit. Ai nuk u emocionua fare dhe më tha: – Ah, shumë mirë! – Dale, i thashë, nuk është e mundur që të jetë shumë mirë edhe kur turqit fitojnë dhe kur munden. Ai buzëqeshi, dhe me pak fjalë të qarta shprehëse dhe të matura më shpjegoi mendimin e tij, i cili ishte i një populli të ri. Por ishte shumë mirë, sepse, cilido qoftë fituesi apo i munduri, kishte ardhur ora që ai e kishte pritur gjithë jetën e tij dhe të cilin populli i tij e kishte pritur në shekuj me radhë orën kur Shqipëria do të shkundte zgjedhën dhe do të bëhej një komb i pavarur”.

Në Shqipëri, nismën për një veprim politik që do ta nxirrte vendin nga gjendja e ndërlikuar dhe tepër kritike ku e kishte futur Lufta Ballkanike, e morën organizatat patriotike më të përparuara të kohës, të krijuara në Shkup – Shoqëria e zezë për shpëtim. Kjo u bashkërendit edhe me veprimin energjik politik të ndërmarrë nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, patriotë të tjerë jashtë vendit. Disa ditë pas shpërthimit të Luftës Ballkanike, Ismail Qemali u largua nga Stambolli dhe shkoi në Bukuresht, ku u mendua të organizojë një mbledhje me shqiptarët e mërguar në Rumani. Për organizimin e mbledhjes, në të cilën do të diskutohej rruga që duhej ndjekur për të shpëtuar atdheun nga rreziku i asgjësimit, para Ismail Qemalit u nis për në Bukuresht, Luigj Gurakuqi, shoku i tij i pandarë gjatë gjithë veprimtarisë së tij për Shpalljen e Pavarësisë.

Më 19 tetor 1912, Luigj Gurakuqi mbërriti në Bukuresht dhe mori menjëherë masa për organizimin e saj. Më 20 tetor mbërriti në Bukuresht edhe Ismail Qemali, i cili u prit në stacion, nga rreth 25 shqiptarë të Bukureshtit, ndërmjet të cilëve ishte edhe Luigj Gurakuqi. Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë jo pa qëllim zgjodhën Bukureshtin si vend për këtë mbledhje të rëndësishme. Në Bukuresht kishte një koloni shqiptare që prej kohësh kishte dhënë një ndihmesë të madhe në çështjen kombëtare shqiptare.
Veç kësaj, Rumania kishte shpallur asnjanësinë e saj ndaj konfliktit ballkanik, gjë që u jepte mundësi udhëheqësve që të vepronin lirisht për të siguruar mbështetjen e një organizate patriotike shqiptare në luftën për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Këto arsye i jep mjaft qartë një pjesëmarrës i mbledhjes, Asdreni, në kujtimet e tij.

“Ismail Qemalit i duhej një mbështetje ku të mbizotëronte vullneti i gjallë për punën e nisur. Atij i duhej një organizatë me ndjesi të pastër shqiptare, duheshin në ato çaste patriotë të ushqyer prej kohësh me idealin për ta parë atdheun e vet të liruar prej zgjedhës turke”. Në Bukuresht, Ismail Qemali hyri në bisedime edhe me personalitete rumune. Madje ai i dha gazetës rumune “Dimineata” një intervistë, e cila u botua më 24 tetor 1912.

Në intervistë, Ismail Qemali deklaroi se “sot o kurrë do ta themi dhe ne fjalën tonë”. Më tej: “Ne kërkojmë që lufta e sotme të mos na shkulë sipërfaqen e vogël që zotërojmë sot, atdheun tonë, tokën tonë”. Ai nënvizoi gjithashtu se një shpjegim më të plotë të ngjarjeve dhe të problemeve për Shqipërinë do t’i jepte “kuvendi i afërm”, mbledhja e patriotëve shqiptarë që do të mbahej në Bukuresht.

Këtu mori takim edhe me ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Take Joneskun, me të cilin shkëmbeu mendime mbi çështjen shqiptare. Prej tij mundi të merrte sigurime për ndihmën e Rumanisë në aksionin historik që po ndërmerrnin shqiptarët për shpalljen e pavarësisë kombëtare. Gjatë kohës që vazhdonin përgatitjet për mbledhje, më 25 tetor, Ismail Qemali u largua nga Bukureshti i përcjellë nga 20 bashkatdhetarë dhe shkoi në Vjenë. Qëllimi i tij ishte të bënte sondazh në qarqet qeveritare vjeneze. Rreth qëndrimit të tyre ndaj çështjes shqiptare dhe mundësisht për të marrë prej tyre premtimin se do ta përkrahnin çështjen që do të diskutohej në mbledhjen e Bukureshtit.

Në fakt, Vjena i premtoi një përkrahje. Këtë premtim, Ismail Qemali ua përcolli shqiptarëve të Bukureshtit me një telegram, të formuluar me frazën e matur se “janë shpresat që të arrihet qëllimi që kërkon Shqipëria”. Pak a shumë me të njëjtën përmbajtje, Ismail Qemali vuri në dijeni telegrafisht edhe rrethet patriotike që vepronin brenda në Shqipëri. Frazat e këtyre telegrameve qenë të shkurtra, por rëndësia e tyre ishte tepër e madhe. Në një letër që një patriot shqiptar shkruante ato ditë, porosiste shokët e tij që telegramin e Ismail Qemalit “ta këndoni me shumë kujdes se ka shumë fjalë të mëdha e shumë rëndësi e një fitim për fatin e Shqipërisë”.

Nga Vjena, Ismail Qemali u kthye përsëri në Bukuresht. Kuvendi filloi më 5 nëntor 1912 në hotelin “Kontinental”. Mbledhjen e drejtoi Ismail Qemali. Rendi i ditës mund të mblidhet me këto fjalë: Në ç’mënyrë mund t’i bëhej ballë gjendjes kritike të Shqipërisë dhe çfarë masash duheshin marrë për të parandaluar armiqtë që të shkelnin të drejtat e kombit dhe të atdheut. Në mbledhje, Ismail Qemali foli mbi gjendjen kritike në të cilën ndodhej Shqipëria në ato çaste, propozoi masat konkrete dhe nguli këmbë për besatimin e të gjithë shqiptarëve të të gjitha krahinave dhe të të gjitha besimeve në përpjekjet e përbashkëta për kombin dhe atdheun.

Në bazë të propozimeve të Ismail Qemalit, mbledhja e Bukureshtit mori tri vendime kryesore. Në vendimin e parë thuhet: “Duke qenë se qeveria osmane ndodhet sot në pamundësi të mbajë administrimin e vendit, duhet që shqiptarët të përmbledhin fuqitë e veta e të themelojnë një komitet drejtonjës, i cili të marri në dorë qeverimin e vendit e të përpiqet që kombi shqiptar të mos dalë i mundur e të mbetet nga çdo pikëpamje prapa kombeve të tjera. Me vendimin e dytë kërkohej që të formohej “një komision prej shqiptarësh të ditur e të njohur”, i cili të ndërmerrte një mision diplomatik në Europë, ku të shihej e nevojshme për të mbrojtur para botës së qytetëruar dhe qeverive të mëdha të drejtat kombëtare e vendore të popullit shqiptar”.

Shqiptarët e Bukureshtit, pohohej në vendimin e tretë, duhej të zgjidhnin një komitet prej disa vetash, të cilët të jenë në lidhje me komitetin e brendshëm e me qendrat e tjera të shqiptarëve të jashtëm e të bëjnë atë që mundet, për t’u ndihmuar e për të mbrojtur atdheun në ditët e sotme”. Vendimet e mbledhjes së Bukureshtit patën një rëndësi mjaft të madhe për zgjidhjen e detyrave që shtronte momenti historik. Siç del prej tyre aty nuk u përcaktuan qartë në se duhej shpallur autonomia apo pavarësia e Shqipërisë. Kërkesa për të themeluar një Komitet drejtonjës, i cili do të merrte në dorë qeverimin e vendit, të lë të besosh se Ismail Qemali e la të papërcaktuar çështjen e autonomisë apo të pavarësisë dhe bashkë me të edhe atë të mbledhjes së një kuvendi kombëtar dhe formimin e një qeverie, sepse donte të sigurohej mirë mbi qëndrimin që do të mbanin Fuqitë e Mëdha ndaj çështjes shqiptare.

Ky qëndrim i papërcaktuar i tij diktohej edhe nga fakti se situata ballkanike në këtë kohë dominohej ende nga vendimi i Fuqive të Mëdha që të ruhej status quo-ja, të mos dobësohej Perandoria Osmane nga pjesa europiane e saj. Kolonia patriotike e shqiptarëve të Bukureshtit i dha Ismail Qemalit dhe shokëve të tij gjithë ndihmën dhe përkrahjen që mundi. Për të vënë në zbatim detyrat që u përcaktuan në mbledhjen e 5 nëntorit 1912, kolonia zgjodhi që të nesërmen katër veta, që do ta shoqëronin Ismail Qemalin në misionin për një përçapje të re diplomatike në Vjenë.
Gjithashtu, për t’i bërë jehonë veprimtarisë patriotike dhe shërbimeve të mëdha që po i bënte atdheut, Ismail Qemali filloi të quhej “udhëheqësi dhe këshilltari politik i shqiptarëve”.

 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top