Top Story,dokumentar investigativ,mbremjen e djeshme ka pasqyruar situata absurde që kanë ndodhur në parlamentin shqiptar kur politikanë të lidhur me botën e krimit, bënin ligje për sigurinë e vendit
Ministra dhe deputetë kanë që mbaruar studimet në universitete fantazmë e me doktoratura të vjedhura, apo ata që nuk dinë të flasin, por përfaqësojnë popullin në parlament.
Të rëndësishme të politkës shqiptare kanë marrë tituj shkencorë duke botuar studime të kopjuara. Pra që kanë rezultuar me doktoratura plagjiaturë.
Parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e vitit 2017, përbëhet me 36 deputetë juristë, ku një pjesë e tyre kanë mbaruar tek Universiteti Kristal. Më pas vijnë ekonomistët dhe financierët me 31 deputetë. Të tjerët kanë mbaruar profile të ndryshme.
Në pamje të parë kjo pasqyrë duket mjaft e kompletuar. Me 36 juristë duket se funksioni kryesor i Parlamentit, shqyrtimi dhe miratimi i ligjeve, është i përmbushur. Po ashtu edhe në çështjet ekonomike.
Por, në brendësi raporti i “Institutit të Studimeve Politike” tregon që ky nivel arsimimi është në fakt fiktiv. Le të shohim vetëm ata deputetë që kanë mbaruar për juridik. Nga 36 deputetë në këtë fushë, 12 e kanë fakultet të dytë, kryesisht “part-time”. 15 deputetë kanë përfunduar studimet juridike në universitete private, përfshirë në tre universitete të mbyllura dhe me pronarë të arrestuar për shitje diplomash. Pra, kemi shumë juristë, por kualifikimi i tyre në këtë fushë mbetet me pikëpyetje, duke marrë parasysh nivelin e universiteteve që kanë ndjekur. Por, problemet shkojnë edhe më thellë se kaq.
“Kanë deklaruar fakultete fiktive dhe adresa fiktive universitetesh, madje edhe me emërtime të gabuara të universiteteve reale, ose kanë deklaruar që kanë kryer kurse dhe specializime në univerisitete jo reale që nuk ekzistojnë dhe nuk gjenden në asnjë lloj adrese interneti. Ose rezulton që në të njëjtën kohë që kanë deklaruar që punojnë diku, kanë qenë drejtues, në të njëjtën kohë figurojnë në një shtet tjetër për studime, gjë që është e pamundur për të ndodhur”, shprehet për Top Story Afrim Krasniqi.
Top Story, për të parë nivelin e arsimit të deputetëve, u ndal në emrat konkretë. CV-ja e Lefter Kokës. Një personazh që prej vitesh ka pasur një peshë të madhe politike: kryetar i Bashkisë së Durrësit, deputet dhe Ministër i Mjedisit.
Pjesa më interesante është se tek deklarimi në KQZ me shkrimin e tij origjinal mbi arsimimin, z. Koka thotë se ka përfunduar Fakultetin Ndërkombëtar të Shkencave Juridike në Strugë.
Realisht një fakultet i tillë nuk ekziston. Nuk ka në të gjithë botën një fakultet ndërkombëtar të shkencave juridike.
Niko Peleshi është një tjetër politikan që arriti majat e pushtetit, por me një arsim tepër të dyshimtë.
Ai ka ushtruar detyrën si Kryetar i Dhomёs sё Tregtisё Korçё, si prefekt i qarkut të Korçës dhe më pas si Kryetar Bashkie. Ka mbajtur postin e zv/kryeministrit në mandatin e parë të qeverisë “Rama” dhe më pas Ministër i Bujqësisë në mandatin e dytë.
Por arsimi i zotit Peleshi ka fakte tepër interesante. Sipas CV-së me firmën e tij, dorëzuar në KQZ, ai e ka filluar universitetin në vitin 1989 dhe e ka vazhduar deri në vitin 1992. Pra, ka bërë vetëm 3 vite, në Universitetin Politeknik, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, në degën Elektronikë.
Më pas, zoti Peleshi ka bërë një shkëputje disavjeçare si emigrant në Gjermani. ثshtë rikthyer në Shqipëri si biznesmen. Dhe në vitet 2000 – 2002 ka vazhduar vitet e mbetura të shkollës. Sipas CV-së së tij, zotit Peleshi i janë dashur 13 vite që të mbaronte shkollën e lartë. Ai është rikthyer në universitet, pikërisht kur i hyri karrierës së tij politike. Burimet e ndryshme në rrugë jozyrtare bëjnë me dije për Top Story-n se Niko Peleshi nuk e ka marrë asnjëherë diplomën e shkollës së lartë, për këtë ne i bëmë një kërkesë zyrtare me shkrim Universitetit Politeknik të Tiranës, por ky institucion nuk ktheu asnjë përgjigjie.
Rrahman Rrahja, deputet i Partisë Socialiste në rrethin e Krujës, shënon në CV që ka mbaruar shkollën e mesme Bujqësore në vitin 1980.
Por, të lartën ai e ka filluar në vitin 2003. Pra 23 vite pas shkollës së mesme. Pikërisht në vitin 2003 ai është bërë edhe krytar i Komunës Nikël. Ndërkohë nuk dihet se me çfarë është marrë zoti Rrahja nga viti 1980 deri në vitin 2003.
Disa deputetë kanë gjetur marifete të tjera për t’i shtuar vlerat CV-së së tyre në fushën e arsimit. Ata bëjnë kurse të rëndomta disajavore ose mujore jashtë shtetit dhe më pas i fusin në CV sikur janë të diplomuar.
Rasti më tipik i kësaj hileje është deputeti socialist Sadri Abazi. Në CV e tij shkruhet që ai është diplomuar nga Akademia IRU, në Gjenevë, në vitin 2002. Por nëse futesh në faqen online të kësaj akademie, aty shikon se në fakt programet e saj janë kurse trajnimi për shoferët e kamionëve. IRU në fakt është shkurtim për “Interneishënëll Roud Junion”. Që do të thotë Unioni Ndërkombëtar i Rrugëve.
Tani do t’ju tregojmë se cilët prej zyrtarëve të lartë janë kapur me plagjaturë në doktoraturat e tyre.
Ndër to është dhe njëri nga figurat kryesore në Partinë Socialiste të Shqipërisë. Me doktoraturë të kopjuar rezulton të jetë kreu i grupit parlamentar socialist, zoti Taulant Balla.
Kjo plagjiaturë e bën më të rëndë skandalin për faktin se zoti Balla është edhe Kryetar i Grupit Negociator të Kuvendit në Parlamentin Europian. Ky është një pozicion kyç, pasi Shqipëria prezantohet në Bashkimin Europian pikërisht me zotin Balla.
“Zoti Balla shkruan në CV e tij që ka marrë doktoraturë Cumlaude që do të thotë me vlerësimin maksimal, ndërkohë që doktoratura e tij është plagjiaturë. Si mund të na përfaqësojnë ne persona të tillë në BE, kur e gjithë lufta në Bashkimin Eurpian është për pronësinë intelektuale”, tha Taulant Muka.
Në Parlament gjejmë edhe nga ata deputetë që konsiderohen si pa profesion. Ata në gjithë jetën e tyre s’kanë bërë asgjë përveç politikës.
I tillë është rasti i Fatmir Mediut, Pandeli Majkos dhe Ilir Metës.
Top Channel