Individualizmi dhe konceptet e turbulluara të lirisë…

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Nga_GثZIM TUSHI
216807_10150165500767210_182132672209_6579474_5191002_a.jpg


(Liria individuale nuk është anarki sociale)

Njerëzit tanë kanë filluar të mërziten seriozisht nga situatat e paqarta sociale dhe ekseset individuale të njerëzve që cënojnë staturën e qytetërimit, vlerat e lirisë dhe individualizmit si shprehja më elokuente e saj. Dhe duke e parë situatën në mënyrë empirike, pa zbukurime filozofike dhe ambalazhe sociale të duket se njerëzit kanë të drejtë. Kjo ka bërë që të rriten dozat e kundërshtimit të vlerave universal dhe të pacënueshme të lirisë si vlerës sociale dhe të individualizmit si shfaqje e saj në jetën e njeriut konkret.



Një problem që në shoqërinë tonë shfaqet i komplikuar dhe problematik. Fakti që kritikat për këto dy instrumente themelorë të demokracisë janë në rritje, tregon se diçka që nuk është në vendin e duhur apo që nuk shkon në jetën e shoqërisë, me siguri që ekziston dhe duhet vlerësuar seriozisht. Meqënëse me këto çështje jam marrë me prioritet, kam ndeshur në kundërshtime me “fakte” që sjellin njerëzit në biseda private, në media, në tubimet politike për situatën që po zhvillohet në shoqërinë tonë dhe për pasojat që po sjellin në jetën e njeriut të lirë. Dozat e kritikës në rritje të shoqëruara me skepticizmin e natyrshëm ndaj vlerës së lirisë dhe individualizmit, duke i konsideruar ato si shkaktare dhe përgjegjëse të “teprimeve sociale” që ato po sjellin në shoqërinë tonë, i kanë vënë ato në shënjestrën e kritikës herë të hapur dhe herë të tërthortë. Unë besoj se nuk mund të jemi aq naivë sat ë mos kuptojmë atë që fshihet pas të vërtetave që duken dhe që duhen vlerësuar me ndjenjë realizmi. Sepse megjithëse duhen respektuar kritikat për ekseset e lirisë dhe teprimet eksentrike dhe ekzibicionale të individualizmit në jetën tonë, unë besoj se nuk mund të bëhemi aq naivë sa të biem dakord me irracionalitetin dhe paradoksalitetin e ideve anti-liberale dhe kundërindividualiste të disa njerëzve moralist apo konservatorë, që përpiqen të hedhin gurin dhe të fshehin dorën duke hedhur gurë mbi lirinë apo duke tentuar t’i thurin lavde tiranisë dhe paternalizmit social të hipetrofizuar të së kaluarës, që tashmë kanë vdekur përfundimisht.

Që në fillim duhet ta them atë që ndjej. Kësaj radhe fare hapur, pa dorashka sociale apo eufemizma filozofike. Të sulmosh në këtë mënyrë vlerën e papërsëritshme të lirisë që mezi e kemi arritur, qoftë edhe ashtu të brishtë siç është apo të mohosh vlerën esenciale të individualizmit si esencë e parë e lirisë, do të thotë që në mënyrë të tërthortë të sulmosh dhe të mos pranosh thelbin e vërtetë të shoqërisë së lirisë. Këtu nuk kam ndërmend fare të bëjë teori për lirinë, për format e saj pozitive apo negative. Pse ato janë teorikisht dhe filozofikisht janë të qarta për këdo që ka një nivel të caktuar të kulturës filozofike, apo që së paku ka lexuar në shqip, librat e shkëlqyer të Kantit, Hegelit, Millit, Sartrit, Izaiah Berlinit, etj, etj. Që nga koha e Hegelit e deri tek idetë e Habermasit dhe Dahrendorfit, ka një perceptim të tillë për lirinë, në të cilën esenca e individualizmit është konsideruar si thelb i lirisë që përfshin “…zotërimin e një mundësie për realizimin e vetes (ose mbase, edhe presupozon arritjen e saj)”. (John Gray, “Liberalizmi”, faqe 87)

Por le ta lëmë teorinë për në shkollë dhe të shohim problemet e lirisë dhe individualizmit në jetën tonë. Duke parë realitetin e shfaqjes së tyre, një gjë duket se është bërë fare e qartë në shoqërinë tonë. Në se liria është vlerë autonome që “punon për të gjithë”, zotërimi i burimeve të saj dhe realizimi në praktikë i lirive të veçanta, konkrete, të prekshme, të matshme dhe të vlerësuara sipas Xhon Rollsit si “liri themelore” të njeriut, si kusht që të bëjnë atë të sigurt dhe të lire, është një çështje që nuk lidhet aq shumë me “lirinë si autonomi” se sa me mundësitë dhe aftësitë individuale me aftësitë e njerëzve tanë, me punën e tyre konkrete për zotërimin e tyre. Në këtë kontekst, liria në kuptimin social është një parakusht social i dhënë në shoqërinë tonë demokratike, i cili megjithë difektet mbetet një aset i përbashkët që nuk ka vlerë dhe nuk mund të realizohet, pa synimet konkrete, luftën individuale dhe përpjekjet e personalizuara për realizimin e vërtetë të saj.

Unë mendoj se ende nuk jemi shëruar nga disa sindroma supersociale dhe paternaliste të raporteve të njeriut me veten dhe shoqërinë. Kjo është arsyeja sipas mendimit tim që ndihet i fortë ndikimi dhe ndeshet shpesh perceptimi në përmasa të ekzagjeruara sociale i vlerës së lirisë e kuptuar më së shumti jo si mundësi por si realitet që sjell nga jashtë barazi kushtesh për të gjithë njerëzit e lirë, pavarësisht nga aftësitë dhe lufta individuale. Ky kuptim i deformuar i lirisë dhe individualizmit është shkaku pse në shoqërinë tonë në disa raste liria shfaqet si iluzion social dhe në raste të tjera, shoqërohet me zhgënjime të mëdha individuale. Tani është koha që të vërtetat t’i kuptojmë ashtu siç duhet dhe realitetet t’i marrim ashtu sic janë dhe jo ashtu siç i dëshirojmë. Kjo do të thotë që së pari njerëzit tanë t’i mësojmë që të kuptojnë së pari esencën e lirisë si vlerë sociale dhe mënyrat më shumë individualiste të realizimit të saj. Sepse në kohët modern “zotërimi social” apo përfitimet e përbashkëta joindividuale të lirisë, janë gjithnjë e më shumë të tërthorta, nganjëherë edhe të padukshme. Kjo është arsyeja pse vlerat sociale të lirisë (në kuptimin material) duken me mundësi të kufizuara për t’i vlerësuar individualisht dhe pragmatikisht. Ndërsa ato që arrijmë dhe realizojmë individualisht janë të dukshme, të prekshme, të matshme, me vlerë utilitare për njeriun individualisht.

Shoqëria e lirë shqiptare tani ka krijuar burime dhe ka bërë të kapshme resurset e lirisë politike, ekonomike, kulturore, morale, estetike e të çdo lloji tjetër. Por ajo që duhet kuptuar dhe që duhet t’ua sqarojmë me durim njerëzve tanë është kuptimi i plotë i faktit që zotërimi i këtyre burimeve, që janë parakushte që të bëjnë të lirë apo të aftë të shijosh frytet e lirisë, janë më shumë veçori individuale, të lidhura me aftësitë e natyrën individuale të çdo njeriu. Kjo është çështja, këtu është burimi i asaj të vërtete që përse unë vazhdimisht këmbëngul në mënyrë veçantë, për të kuptuar vlerën dhe thelbin e shëndoshë të individualizmit, si mjet me vlerë dhe kusht i panegociueshëm për këdo që kërkon të jetë i lirë. Kjo është esenca e mënyrës modern të të jetuarit, kushti themelor që e bën njeriun individualisht të lirë. Natyrisht, unë nuk mendoj se duke zgjeruar vlerat dhe mundësitë e njeriut dhe vlerat individuale për të siguruar brenda kufijve të lirisë si autonomi, kushtet e realizimit të lirive të veçanta themelore, në të njëjtën kohë nuk mund të mohohet as roli i shtetit social, as vlerësimi i kushteve që krijon shoqëria për realizimin e lirisë si mundësi dhe vlerë e përbashkët. Por jetojmë në kohë të reja, kur shteti social, mekanizmat e jetës sociale dhe respektimi i vlerave të përbashkëta siç po duket, edhe në shoqërinë tonë kanë prirje të reduktohen në favor të vlerave realizuese dhe mundësive personale të individit. Në këto kushte është iluzion dhe demagogji neto të tentosh t’i mësosh njerëzit me ide utopike, se vlerat dhe të mirat e lirisë mund t’i presim të gjithë bashkë që të realizohen më shumë në rrugë të përbashkët sociale dhe jo me përpjekje tejet individuale. Nuk duhet të jesh I ndershëm me veten dhe shoqërinë tënde të mos thuash të vërtetat që po bëhen kokëforta dhe të paluajtshme nga dëshirat e “lirisë komunitariste” të mos thuash të vërtetën jetësore. Hapësira ligjore dhe kushtet politike të barabarta për të qenë të “gjithë të lirë në lirinë e tyre”, nuk janë më të mjaftueshme për të “realizuar lirinë” konkrete pa aftësinë e duhur dhe përpjekjet personale për të qenë individualisht i lirë dhe i suksesshëm. Pa këto dy kushte nuk mund të realizohet as liria, as të funksionojë individualizmi. Por ky i fundit, sipas meje mbetet kushti më prioritar i lirisë së cdo njeriu, që ka synim të bëjë gjëra të mira për jetën e vet dhe në mënyrë të tërthortë edhe për shoqërinë. Madje në kushtet kur shoqëritë e tranzicionit, sic është shoqëria jonë nuk janë ende të harmonishme dhe të integruara, vlera e individualizmit si kusht për sukses personal është akoma më e madhe. Në se ngul këmbë dhe vlerësoj shumë individualizmin, kjo ide përveç të tjerave më duket nxitëse, e dobishme për njerëzit individuialisht dhe shoqërinë tone në tërësi, nga që duam apo nuk duam jetojmë në kohën, kur liria sociale dhe vetërealizimi individual i saj nuk janë as në të njëjtin nivel, madje as e njëjta gjë. Pa ndjenjë të fortë individualizimi, nuk është i mundur “realizimi i vetes” dhe arritja e suksesshme e qëllimeve personale dhe sociale.

Pa këtë ndjenjë të fortë të synimit për realizim individual, është e vështirë që njeriu të mposhtë pengesat me të cilat ai ndeshet, qoftë ato që janë “jashtë” apo “brenda” tij. Koha moderne e ka korrigjuar ekuacionin klasik të lirisë, si një ideal i mundur që të realizohet pasivisht dhe në mënyrë të barabartë nga të gjithë. Liberalët e kohës sonë kanë bërë korrigjimet e duhura formulave klasike dhe iluministe të Kantit dhe Hegelit, për lirinë si barazi për të gjithë, duke zbuluar trajtën e re të ekuacionit të lirisë që është kompatibël me kohën moderne, si kusht që e lidh lirinë me aftësitë dhe mundësitë e njeriut për të vepruar individualisht. Në kohën tonë liria është një mundësi që nuk mund të shpërndahet në mënyrë të barabartë, por sipas mundësive dhe aftësisë individuale. Ndërkaq, duke vlerësuar sociologjikisht shfaqjet dhe trajtimet e shpërpjestuara dhe subjektiviste të lirisë në shoqërinë tonë, sipas mendimit tim, një pjesë jo e vogël e tyre është e lidhur me shkaqe konceptuale apo paqartësitë që kanë njerëzit, në lidhjet e tyre me lirinë e vetes dhe lirinë e të tjerëve. Ndihet se në këto momente tek njerëzit tanë është më shumë sunduese ideja e vjetër e lirisë negative, që favorizon konceptin e lirisë së individit si “vetëqeverisje e lirë” e njeriut, me një masë të konsiderueshme pavarësie nga shoqëria dhe të tjerët.

Kjo do të thotë se prirja e thellë liberale e jetës në shoqërinë tone, bashkë me thellimin e shpejtë të mënyrës individualiste të jetës, kanë bërë dominante idenë se liria është një vlerë që shfaqet në marrëdhëniet krejt të lira ndërpersonale të njeriut me të tjerët, por duke mos përfillur as detyrimet e brendshme të lirisë, as pengesat e natyrshme shoqërore, që bëjnë në një farë mënyre disiplinimin e saj. Por unë mendoj, se në kushtet e shoqërisë tonë pengesat e lirisë janë edhe ato që i vijnë njeriut nga jashtë, nga shoqëria por edhe ato që i vijnë nga vetja. Përballë këtyre pengesave është hapësira individuale e lirisë, e cila më shumë se sa në dorë të shoqërisë, është në duart e individit që përpiqet ta realizojë atë. Pa mohuar vlerën e pengesave që vijnë nga ambicja, egoizmi social, nepotizmi, politizmi dhe faktorë të tjerë të jashtëm, që bëhen pengesë për realizimin në kushte të barabarta të lirisë si mundësi për të gjithë, ai që vendos për lirinë e vet është vetë njeriu, me dëshira të qarta, ide të sakta dhe vullnet të fortë.

Lirinë individuale çfarëdo të bëjë shteti dhe shoqëria nuk e arrin njeriu që ka përtaci mendore, nivele të ulta angazhimi social, forcë të ulët rezistence individuale përballë vështirësive, apo ai që jeton me iluzione dhe mbytet nëpër fantazitë sociale të parealizueshme, që lirinë e pret si dhuratë nga të tjerët. Mund të jetë e drejtë ideja që vjen nga teza klasike e lirisë si “moskufizim i mundësive” dhe e “lirisë si autonomi” që është një tezë e kritikuar në të kaluarën. Sepse në kushtet e jetës post-moderne, ideja e liberalëve klasikë për lirisë si vlerë e brendshme, e natyrshme dhe e pakufizuar brenda njeriut, që individualisht lufton dhe siguron autonominë e duhur nga të tjerët, shoqëria dhe ndikimet penguese të tyre, duhet parë më ndryshe, duke vlerësuar edhe normat konvencionale të jetës sociale dhe sidomos përvetësimin dhe respektimin e formave të trashëguara të jetës, përtej të cilave liria e njeriut mund dhe duhet të jetë e kufizuar qoftë nga vetja apo edhe nga të tjerët që janë jashtë tij. Në kohën moderne është e vështirë të procedosh me koncepte të mbyllura teoriko-filozofike, sepse është e vështirë që ato të kenë vlerë dhe influencë sociale në kushtet e “shoqërisë së hapur”. Nuk ka më të vërteta të kulluara në një shoqëri të përzier nga pikëpamja konceptuale dhe vlerësimi pluralist i gjërave të jetës.

Liria individuale nuk mund të jetë pa asnjë kufi, nuk mund të ekzistojë pa respektuar në të njëjtën kohë një “grup të vërtetash” sociale, që janë të barabarta dhe të vlefshme për të gjithë, brenda të cilave njeriu ka mundësi të sigurojë dhe garantojë lirinë e vet, pa cënuar lirinë e të tjerëve. Sepse edhe liria si autonomi për njeriun, nuk ka asnjë vlerë konkrete në se nuk është e lidhur me kushtet për të plotësuar së pari “liritë e veçanta”, që janë liritë themelore të njeriut si ajo e fjalës, shprehjes, punës, tubimit, protestës, etj. Por nuk është e vërtetë ajo që thonë super liberalët, se liria e njeriut si autonomi është një ndjenjë e tillë ultra e personalizuar që nuk duhet të përfillë as traditën e qëndrueshme morale dhe as konvencionet e përbashkëta të jetës së përbashkët shoqërore. Nuk besoj se është normale, po qe se vazhdojmë të mbështesim tezën e lirisë të konceptuar vetëm në trajtën e mbyllur dhe të personalizuar të saj jashtë çdo limiti social, apo duke e interpretuar në shoqëri vetëm si formë ekstreme të “individualizimit të lirisë” si vlerë individuale. Këto perceptime të deformuara të lirisë kanë krijuar kushtet që në shoqërinë tonë të ndeshemi me perceptime banale të lirisë, të shfaqura shpesh herë në formën e anomisë dhe pse jo edhe të anarkisë sociale.

Në kohën tonë është e nevojshme që në shoqërinë tonë të përpiqemi që të rregullojmë mekanizmin e funksionimit dhe mënyrën e përdorimit të lirisë si autonomi e njeriut nga faktorët e jashtëm pengues apo disiplinues të saj. Sepse ajo që ndihet se është deformuar në shoqërinë tone, ka të bëjë me qëndrimin dhe kuptimin e njëanshëm të lirisë, duke e parë atë vetëm nga njëra anë, vetëm si “autonomi individuale” dhe mohim të nevojës për të njohur dhe respektuar konvencionet e përbashkëta sociale, vlerat e njohura të mënyrës së jetës, traditës, që janë kushtet e jashtme determinuese apo pse jo edhe kornizat morale të funksionimit të lirisë. Prirja e shfaqur në shoqërinë tonë, tregon qartë deformimet e këtij raporti, sepse liria nuk është e barabartë me tendencën e njeriut për t’u “kthyer në vetvete”, as prirjen e “mbylljes” në guackën personale. Ne kemi nevojë jo për “qënie vegjetative”, por për njerëz që lirinë e përdorin në mënyrë racionale, duke qënë në të njëjtën kohë kritik me ambientin e jashtëm, por edhe vetëkritik me veten e tyre. Kjo ndjenjë komplekse, bipolare, është kusht thelbësor për të “gjetur kufijtë” e lirisë, duke mësuar të vërtetën universale se asnjëherë nuk ka “liri të pakufizuar”, se liria e çdo njeriu mbaron atje, ku fillon liria e tjetrit dhe e drejta e shoqërisë si tërësi sociale…

B.botime shqiptar
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top