“I tmerrshmi viti 2010”

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Shumë ekonomistë në Davos parashikojnë një vit të vështirë
Shumë vende kanë nisur që ta rimarrin veten nga recesioni i fundit ekonomik. Por a do të zgjasë një situatë e tillë? Ekonomistët e Forumit Ekonomik Botëror në Davos paralajmërojnë se shlyerja e borxhit të madh publik do të jetë “shumë, shumë e dhimbshme”. Do të jenë të pashmangshme shkurtimet në shpenzime dhe rritja e taksave

Për ata që janë nën të 30-at, Keneth Rogoff ka një lajm të keq. “Viti që keni përpara do të jetë i tmerrshëm”. Ky është të paktën parashikimi profesorit të ekonomisë në Harvard gjatë një takimi në Davos. Sipas tij, borxhi i shumë vendeve “po shpërthen” dhe për sa i përket popullatës së një sërë vendeve perëndimore ajo është në plakje e sipër dhe rritja ekonomike është një nocion i papërfillshëm më. Sipas këtij profesori dhe të tjerëve do të duhet të paktën një dhjetëvjeçar për të dalë nga errësira e së tashmes dhe shumë vende do të përjetojnë simptomën e Japonisë. Ekonomia e këtij vendi aziatik, pas daljes nga një krizë e jashtëzakonshme në vitet ’80, qëndroi për një kohë të gjatë në ujëra të turbullt, ndërsa besimi në aftësinë e ekonomisë për të marrë veten u zbeh në maksimum. Të paktë ishin ata që ndërmerrnin risqe duke i mohuar kështu vendit fluksin e parave “gjakun” e një ekonomie. Një situatë e tillë post-krize mund të përfshijë shumë vende në botë, vende që kaluan momente të vështira vitet e fundit me krizën e rëndë financiare. Një parashikim i tillë i bërë nga koka të rëndësishme të ekonomisë ka bërë që të ngrihen pyetje në lidhje me vërtetësinë dhe jetëgjatësinë e rikuperimit të shumë vendeve nga kriza ekonomike. Pyetja më e vështirë është: a është një recesion i dytë pas kthese? Në tremujorin e katërt të vitit 2009, ekonomia amerikane u rrit në masën 5.7%, por sa do të zgjasë një situatë e tillë? Në këtë situatë një gjë është shumë e qartë. 2010 përfaqëson një tërësi sfidash për gjithë ekonominë botërore, për vendet e pasura e për ato të varfra. Ka nga ata që thonë se “normaliteti” aktual është një iluzion dhe se ky iluzion, sipas tyre, vjen kryesisht si pasojë e sasisë së jashtëzakonshme të parave që “u pompuan” në sistemin financiar dhe në ekonomi gjatë ditëve më të ashpra të krizës nga ana e qeverive të ndryshme në të gjithë botën. Ndërkohë, situata e borxheve masive në të gjithë botën është një “eveniment unik në histori”. E vetmja situatë e ngjashme me atë që po kalohet aktualisht është periudha e Depresionit të Madh, por edhe ajo në disa zëra ka qenë më e butë dhe më e manovrueshme. Aktualisht, çështja është se cilat janë prioritetet. Kur mund të fillojnë vendet të paguajnë borxhin publik pa dëmtuar rikuperimin e brishtë? Dhe ajo çka është më e rëndësishme a do të paguajnë sërish taksapaguesit nga xhepat e tyre? Në Shtetet e Bashkuara për shembull, çdo politikan që do të përpiqej të shtonte taksat në mënyrë të ndjeshme do të largohej në mënyrë të menjëhershme dhe shkalla e zemëratës së popullit amerikan sa vjen e po shtohet, madje aktualisht është në një masë të krahasueshme me atë të luftës në Vietnam. Situata nuk është më e mirë edhe në shumë vende të tjera të botës së industrializuar. Por specifikisht gjendja në të cilën ndodhet Greqia tregon se sa e rrezikshme mund të bëhet situata. Ky vend po përballet me një borxh publik që përbën 110% të Prodhimit Kombëtar Bruto. Javën e kaluar u tha se Greqia po kërkonte para në Kinë. Sipas fjalëve të tjera, Athina mund të arrijë deri aty sa të dalë nga zona e euros e akoma më tej po sipas fjalëve, Athina mund të arrinte të bindte vendet e BE-së që ta shpëtonin financiarisht. Mohimet e gjithë këtyre thashethemeve nga pala greke nuk sollën ndonjë dobi. Greqia po përballet me kostot e huamarrjes që janë rritur në mënyrë të ndjeshme ndërsa përqindjet e interesit janë rritur gjithashtu. Lajme të tilla trembin edhe investitorët më të guximshëm. Në Europë ekziston frika se efekti domino mund të nisë me Greqinë dhe të vazhdojë me vendet e tjera duke shkatërruar besimin e investitorëve e si pasojë thellimin e krizës. Në botë ka ende vende dhe institucione që ofrojnë para me kredi, por kjo mund të mos zgjasë përgjithmonë. Nëse efekti domino do të niste nga Greqia, atëherë sipas të gjitha gjasave mund të vazhdonte me Irlandën, Spanjën dhe Portugalinë që janë në një gjendje të ngjashme. Kriza e Greqisë është një test shumë i madh edhe për vetë monedhën euro duke qenë se ajo i vë të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë zona përballë një dileme shumë të madhe. Nëse do të vendosin që ta ndihmojnë Greqinë financiarisht, ky do të përbëjë një precedent shumë të rrezikshëm, sepse edhe vende të tjera me një situatë të rëndë do të duan që të përfitojnë nga bujaria e bankave kryesore dhe qendrore të vendeve të BE-së. Dhe nuk mbaron këtu. Në të ardhmen e afërt apo të largët në raste të tilla të gjitha shtetet në nevojë mund të kërkojnë ndihmë dhe shpëtim duke iu referuar precedentit të Greqisë dhe kjo mund të ishte shumë e rrezikshme për stabilitetin e monedhës dhe të zonës në të cilën ajo bën pjesë. Por nga ana tjetër, nëse anëtarët e Eurozonës do ta braktisnin Greqinë dhe do ta linin që të dilte nga bataku vetëm përmes mjeteve të saj financiare, ose do ta linin që shteti të falimentonte, impakti i këtij rasti do të ishte shkatërrimtar për vetë monedhën euro. Kjo monedhë po merr gjithnjë e më shumë atributet e një monedhe rezervë. Gjithnjë e më tepër njerëzit mendojnë se euro është një monedhë e sigurt dhe falimentimi i një shteti që ndodhet në zonën euro do ta trondiste thelbësisht një besim të tillë. Në këtë atmosferë ka nga ata që megjithatë vazhdojnë që të përhapin optimizëm dhe shpresë. Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjatë një fjale që mbajti në takimin e Davosit u shpreh se rritja ekonomike po rikthehej shumë më shpejt nga sa pritej. Ai nënvizoi faktin se Azia tashmë është rikuperuar thuajse plotësisht nga kriza dhe mbi të gjitha ekonomia kineze vazhdon që të bëjë përpara me hapa të mëdhenj duke shënuar për vitin e kaluar një rritje prej 8%.

Me sa duket viti 2010 do të jetë një vit vendimtar. Përveçse në të do të duket nëse është jetëgjatë kjo valë shprese dhe rikuperimi, ai do të jetë edhe viti në të cilin komuniteti ndërkombëtar do të vendosë më në fund në lidhje me objektivat shumë të rëndësishëm për kontrollin e sistemit financiar botëror për të cilat u fol dhe u diskutua në takimin e fundit të G20. Propozimet e fundit të Barak Obamës për të ndarë bankat tregtare dhe ato komerciale dhe për të ndaluar bankat nga përfshirja në transaksione shumë riskioze kanë nxitur dhe shtuar shumë debatin në të gjithë sistemin bankar kombëtar. Industria e shërbimeve financiare është në rrëmujë për shkak të këtij plani ndryshimesh. Vetëm disa bankierë i janë përgjigjur idesë së ndryshimit. Ndër këto banka është “Comertz bank”, sipas së cilës idetë e fundit të Obamës janë të arsyeshme. Në fillim të takimit të Davosit shefi ekzekutiv i “Deutsche Bank”, Josef Ackerman i paralajmëroi të gjithë në lidhje me planin e Obamës. Sipas tij, në fund të gjitha bankat do të humbitnin shumë, sepse tregjet do të humbitnin efikasitetin e tyre. Në një nga ditët e takimit të Davosit shefat e mëdhenj të bankave dhe disa ministra të financave u takuan për të diskutuar për strategjinë që duhet ndjekur. Por me sa duket nuk është arritur asgjë. Përfaqësuesi i Obamës ishte ardhur për të treguar gatishmërinë dhe vendosmërinë e shefit të tij për kryerjen e ndryshimeve të tilla Sipas tij ishte shumë e rëndësishme që tu thuhej bankave se cila do të ishte politika që do të ndiqej. Ndërkaq të shumtë janë ata që dyshojnë në forcën e Obamës për të vënë në jetë ndryshimet e parashikuara. Në fjalimet e tij thuhet shumë, por deri më tani është bërë shumë pak.
•shqip•
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 25.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 6.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 18.8%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 25.0%
Back
Top