I fundit i bunkerëve, një ‘shkelje syri me nënkuptim’!

Nga Gentian Kaprata*

Prej muajsh tashmë, opinioni publik ishte njohur mbi një iniciativë kryeministrore të artit urban, për ndërtimin e një bunkeri pranë Ministrisë së Brendshme. Kishte përcjellë, gjithashtu, iniciativat e mbetura në tentativë të shoqatave të të përndjekurve politikë për ta shkatërruar atë, porse gjithmonë i keqinformuar mbi vendndodhjen e saktë të tij. U desh protesta antiqeveritare e 8 Dhjetorit, që shqiptarët të mësonin vendin ku po ngadhënjente i ‘fundit i bunkerëve’. Ndryshe nga çfarë ishte thënë, nga media e gjithkush që foli për të, ai nuk ishte ndërtuar pranë Ministrisë së Brendshme, porse në mes të godinës së Ministrisë së Zhvillimit Urban, ku ajo vendoset sot dhe ku ajo gjendej para 2013-s. Dhe specifikisht, ngjitur me dritaret e zyrave të Drejtorisë së Strehimit Social. Megjithëse rastësore, një simbolikë shumë domethënëse për shqiptarët që e njohin raportin e banesave me bunkerët në sistemin e kaluar.

Sistemi, nga ku evokohet ky objekt (bunkeri), që do na mbronte nga sulmet e NATO-s dhe Traktatit të Varshavës në të njëjtën kohë, kishte menduar të ndërtonte 700 mijë prej tyre, por jo banesa për shtetasit e saj të lumtur në mjerim! Imagjinoni për një moment, sikur në vend të këtyre mostrave të shëmtuara të ishin ndërtuar 700 mijë apartamente. Sepse, kaq ishte kostoja e një bunkeri, sa kostoja ndërtuese e një apartamenti banimi (një dhomë e kuzhinë)! Përgjigjja teknike është se realiteti urban që ndeshim sot do ishte shumë i ndryshëm. Me një stok të tillë banesash, vështirë të ndërtohej një kërkesë për banesa në tregun e pas vitit 1992, aq e madhe sa të përmbyste për kaq keq situatën urbane në vend. Bile, nuk do kishim as këtë kryeministër, i cili bëri karrierë politike i financuar pikërisht nga kjo ribërje urbane. Por kjo është një çështje tjetër dhe shumë e rëndësishme për t’u trajtuar si komponent i këtij shkrimi të shkurtër, kështu që vazhdojmë më tej.

Thonë se bunkerizimi i Shqipërisë ishte një akt çmendurie nga paniku i diktatorit, por unë nuk i jap këtë kuptim. Diktatori dhe kasta komuniste ishin shumë të qartë për forcën ushtarake të dy superfuqive dhe aleatëve respektivë. Ai e dinte se mjaftonte një vëmendje minimale dhe fuqia e tij ushtarake shkërmoqej në mosqenie. Në tjetër drejtim e vendoste sigurinë e tij fizike dhe të vazhdimësisë së ushtrimit të pushtetit. E siguronte tek indoktrinimi i masave injorante, të lëna të tilla në shumicë dërmuese. Bunkerizimi masiv i vendit, pas bërjes hasha të vëllezërve tradhtar sovjetik e më pas kinez, ishte faza e tretë e indoktrinimit të popullatës. Pas përfundimit të luftës, kasta e kishte qetësuar popullin me argumentin se përballë armiqve perëndimorë ‘nuk ishin vetëm dy, por dyqind milionë’ duke përfshirë edhe protektorët rusë. Më tej, ‘vëllezërit kinezë’ do t’i mbronin kundër të gjithë botës, derisa edhe këta të tradhtonin dhe t’i bashkoheshin botës imperialiste e revizioniste që qëndronte e trembur para tytave të pushkëve që dilnin nga frëngjitë e bunkerëve tanë!

Kjo është vlera e vërtetë e bunkerizimit, mjetit të fundit të indoktrinimit masiv. Dhe nëse do të kërkonim një veçori karakteristike të diktaturës shqiptare, ajo është pikërisht bunkerizimi, sepse vetëm pas kësaj, ne ishim plotësisht të vetëm dhe plotësisht të ndryshëm nga e gjithë bota. Ai është simboli specifik i komunizmit shqiptar, i cili, ndryshe nga festimi publik dhe i detyruar i festave komuniste: përshëndetja me grushtin lart e fëmijëve të Përmetit; shfaqja e fotografisë së diktatorit pranë Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit; duartrokitja e një grupi ministrash e politikanësh të urimeve për diktatorin; përkulja e një ministri përpara fotos së diktatorit apo parakalimeve më parulla komuniste në qendrat e qyteteve, nuk ka nevojë as të fshihet apo mohohet në sytë e ndërkombëtarëve. Për ‘të fundit të bunkerëve’ kanë gjetur një argumentim artistik. E fshehin pas termit ‘vepër e artit urban’!

Por për çfarë? اfarë e bën artistik këtë volum? Pamja vizive! Nuk besoj! Estetika apo simbolika e marrëdhënies së tunelit me bunkerin? Vështirë të thuhet, për sa njëri vjen nga neoklasicizmi fashist e tjetri nga realizmi socialist. Mirëpo, ajo që nuk mund të lihet pa thënë është se bunkeri qëndron si vraga më e shëmtuar në fytyrën e bukur të të vetmit ansambël të trashëgimisë ndërtimore të Tiranës. Pasi shkatërruan çdo bllok banimi të Tiranës për arsye përfitimi ekonomik, tashmë po dëmtojnë për përfitime politike. Sepse, është e kuptueshme se kush është arsyeja e vërtetë e ndërtimit të ‘të fundit të bunkerëve’! Qeverisja e socialistëve të integruar apo të thjeshtë, po iu shkel syrin me nënkuptim votuesve të tyre nostalgjikë për kohën e komandantit. ثshtë ky veprim dhe të tjerë që bëjnë sikur ‘nuk i kanë parë’, që iu lejon atyre të shtiren si antikomunistë në sytë e ndërkombëtarëve apo të atyre shqiptarëve që besojnë vërtet në një reformim të punistëve shqiptarë 25 vjet më parë.

Mapo
 
Back
Top