Humb në det një 20-vjeçar. I ati: Dyshime për shokët

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Ngjarje misterioze në Seman. Shokët, dëshmi kontradiktore. Dyshon edhe policia
Një 20-vjeçar nga Rrethi i Fierit rezulton i humbur që nga pasditja e së dielës. Ai ka hyrë në detin e Semanit për të lundruar së bashku me disa shokë, por nuk ka dalë më prej andej. Shoqëruesit e tij mohojnë se ai ka qenë me ta, ndërkohë që dëshmitarët këmbëngulin se katër të rinjtë kanë hyrë së bashku në det. Lajmin e zhdukjes e kanë dhënë vetë shokët e tij, të cilët pohojnë se ai është larguar pa lënë gjurmë. Ndërkohë që policia deklaron se ka dyshime që pas humbjes së 20-vjeçarit fshihen shokët të cilët e shoqëronin. Burimet zyrtare të policisë së Fierit bëjnë të ditur se pak pas mesditës së të hënës, rreth orës 13:00, janë shoqëruar për t‘u pyetur tre shokët me të cilët i riu i humbur kishte qenë në plazhin e Semanit.

I riu është Ernest Allanjaku, banor i fshatit Plyk, Komuna Portëz në Rrethin e Fierit. Së bashku me disa shokë ai i është drejtuar bregdetit të Semanit për të kaluar fundjavën. Burime nga vendngjarja pohojnë se 20-vjeçari Allanjaku dhe miqtë e tij, pasi kanë qëndruar për disa orë në rërë dhe në brigjet e detit, kanë vendosur të bëjnë një xhiro me barkë (motor uji) në thellësi. Katër shokët, mes tyre edhe i riu, kanë hipur në një barkë me motor dhe kanë nisur të lundrojnë, por pas disa minutash, si pasojë e detit të trazuar dhe erës së fortë, barka ku ishin të rinjtë është përmbysur. Tre prej të rinjve, të ndihmuar edhe nga plazhistët e tjerë, kanë mundur të dalin në brigjet e detit, ndërkohë që Ernesti nuk është parë të dalë në breg. Tre të rinjtë kanë mohuar si për policinë, ashtu dhe për të afërmit se në barkën e tyre ka qenë edhe 20-vjeçari i zhdukur. Ata kanë deklaruar për policinë: "Ne ishim tre shokë, Ernestin e lamë në breg. Nuk dimë gjë për të. Pamë që mungonte kur ne kemi dalë pas përmbysjes".

Të rinjtë kanë thënë se, pasi i kanë bërë ballë detit të trazuar dhe pasi janë qetësuar pas daljes në breg, kanë kërkuar shokun e tyre, por nuk e kanë gjetur. Fillimisht kanë menduar se ai do të ishte aty pranë, por më pas janë alarmuar për mosgjetjen e tij. Ata kanë lajmëruar të afërmit e 20-vjeçarit, si dhe policinë. Blutë e kufirit, të vendosur në plazhin e Semanit, kanë qenë të parët që kanë nisur kërkimet. Në radarët e stacionit të policisë kufitare nuk është kapur asnjë gjurmë e ndonjë trupi në det. Në mbrëmjen e së dielës, pranë brigjeve të Semanit, ku mendohet se është zhdukur Ernest Allanjaku, kanë mbërritur edhe familjarët e tij. Policia dhe familjarët kanë kërkuar deri në mbrëmje vonë, por pa rezultat. Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit të së hënës kanë rinisur kërkimet. Të hënën në mesditë kanë ndërhyrë dhe palombarët, por deti i trazuar e ka bërë të pamundur gjetjen e trupit të 20-vjeçarit.




Policia

Zyrtarisht policia e Fierit deklaron se dyshimet kryesore për mbytjen e 20-vjeçarit janë për pakujdesi gjatë lojës së të rinjve. Burimet policore deklarojnë se nga dëshmitë e marra prej dhjetëra plazhistëve, banorë të zonës që kanë qenë pranë 20- vjeçarit ditën e diel, del se kontakti i fundit me të ka qenë nga ora 11:00 e së dielës. Më pas, askush nuk e ka parë. Dëshmi të tjera thonë se ai ka qenë nën shoqërinë e tre të rinjve, të cilët morën një mjet lundrues nga një lokal aty pranë dhe me të nisën të lundronin në det. Po ashtu, policia deklaron se ka marrë në pyetje shumë të njohur të Ernest Allanjakut, që kanë qenë me të deri në momentet e fundit. Policia ka marrë në pyetje pronaren e mjetit lundrues, e cila ka dëshmuar se të rinjtë e kishin marrë pa dijeninë e saj barkën. Edhe ky fakt po hetohet prej policisë, pasi dyshohet se mjeti lundrues është vënë në shërbim të të rinjve kundrejt pagesës.

Babai: Shokët hezitojnë të thonë të vërtetën


Edhe pse gratë e familjes Allanjaku nuk janë veshur ende me të zeza, morti në të është çelur që në mbrëmjen e së dielës. Ka qenë më e moshuara e fisit, gjyshja e 20-vjeçarit të humbur në brigjet e Semanit, ajo që ka urdhëruar që asnjë mos të veshë rrobën e zezë deri në mbërritjen e një informacioni të qartë për nipin e saj. Por, i gjithë fshati Plyk i Komunës Portëz, rreth 4 km larg Fierit, dukej sikur ishte në zi. Për të shkuar në Plyk duhet më parë të përshkosh një rrugë tejet të shkatërruar, e cila më 28 qershor e la komunitetin e këtij fshati dhe të dy fshatrave fqinj larg të drejtës së votës. Drejtuesit e dy mjete që u hasën gjatë rrugës, u shprehën se në familjen ku ka ndodhur ngjarja e rëndë ishin dhe do të rikthehen sërish atje kur të merret vesh ardhja e viktimës. Banesa ku jetonte 20-vjeçari Allanjaku është një godinë njëkatëshe, e ndërtuar prej vitesh. Që nga porta kryesore dhe gardhi me tela, kupton vështirësitë ekonomike ku jeton. Në oborrin e shtëpisë dhe në ballkon ndodhen njerëz të shumtë, që me sytë nga rruga duket se janë në pritje të ndonjë lajmi të mirë, ndonëse në të vërtetë askush s‘e beson.

Dy dhomat e shtëpisë janë ndarë sipas zakonit: në një priten burrat, në tjetrën janë mbledhur gratë. Në dhomën e burrave, i ati i 20-vjeçarit, Zijai, i sfilitur nga pagjumësia dhe më shumë nga dhimbja, nuk ka forcë të tregojë gjatë. "Jemi vetëm në pritjen e gjetjes së trupit. Nuk shpresojmë se do ketë mbetur gjallë. Rrethanat tregojnë se ka ikur. Mjerë ne për këtë gjëmë. Ishte i vogli mes dy djemve", thotë me lot në sy 50-vjeçari. Më tej ai tregon atë që kishte ndodhur të dielën, kur Ernesti i ishte lutur në fundjavë që të shkonte dy ditë në plazh. "Isha dakord, se të gjithë kemi qejf për në det, edhe pse nuk ia kemi mundësinë. Iku në mëngjes, së bashku me të afërm dhe shokë. Thonë që deri në orën 11:00 të mesditës ka komunikuar me të njohurit e më pas është zhdukur. Mua më lajmëruan shokët e tij dhe pasdite vonë prita autobusin të kthehej. Në sediljen ku ishte ulur im bir kur iku, gjeta çantën e tij. Nuk kishte ngrënë asgjë, pasi ushqimet që kishte marrë me vete ishin në çantë. Edhe shapkat dhe rrobat i kishte lënë në sediljen e autobusit. Më pas i rashë telefonit celular të djalit, por nuk m‘u përgjigj njeri. Vetëm sot në mëngjes telefonin e gjeta në autobus. E kishte shoferi i tij, Thoma Pleqi. Gjatë gjithë natës kërkuam, por më kot", tregon me një zë pothuaj të ngashëryer Zijai. Burra të tjerë, të afërm të familjes, që kishin ardhur për ngushëllim e që qëndronin pranë Zijait, thonë se deri në orën 14:30 të së hënës të gjithë burrat e fisit ishin në bregdet dhe në polici. "Bëmë kërkime në det, me shpresën se del trupi, po më kot", thonë ata. Sërish fjalën e merr babai i të humburit, i cili thotë se "shteti duhet të më ndihmojë për ta gjetur trupin e djalit. Unë besoj në mbytjen e tij. Të gjitha shenjat tregojnë se ai është mbytur. Pyeta të gjithë ata që dinin për djalin. Shikoj një hezitim prej shokëve të tij. Nuk besoj në ndonjë gjë të keqe, vetëm në frikë nga ana e atyre që dinë diçka më shumë për fundin e tij. Të gjithë të tjerët thanë se në barkën që u përmbyt ishte djali im, por nga ata që kishin qenë atje thuhet se im bir nuk ndodhej. Më habit ky fakt. Nëse djemtë kanë luajtur si të rinj që janë, dhe ka ndodhur kjo gjëmë, le ta thonë, pasi ajo që ndodhi, ndodhi", thotë gjithë lutje babai i të humburit.

Ai tregon se ka marrë kontakte të vazhdueshme me policinë. Mësojmë prej Zijait se ashtu si dhe shumë të tjerë që janë marrë në pyetje që nga mbrëmja e së dielës prej policisë, edhe një shok i ngushtë i djalit, i quajtur Kero Ilaj, po mbahet ende në polici. "Ky Ilaj nuk është lënë i lirë. Policia dyshon se ai di më shumë, ndërkohë që në barkën e përmbytur është vërtetuar se ka qenë edhe ky me disa shokë të tjerë. Nuk jep askush informacion se sa të rinj kanë qenë në barkë. Vetëm plazhistët thonë se katër të rinj në barkën e verdhë lundronin dhe luanin atje, duke shtyrë njëri-tjetrin. Im bir nuk dinte not, e ndoshta nga kjo ndihet fajtor ndonjë prej shokëve që mund ta ketë shtyrë thjesht për lojë, për asgjë tjetër", tregon Zija Allanjaku. Teksa bën apel për gjetjen sa më shpejtë të trupit të të birit , Zijai thotë se nuk ka konflikt me ndonjë në zonë. Ai tregon se familja e tij, e përbërë nga bashkëshortja Bajamja, tre vajzat dhe dy djemtë, mbahet vetëm me punët e bujqësisë, si dhe me një lopë.

"Djali i madh ka afro një muaj që ka ikur emigrant në Greqi, me qëllim për një ekonomi më të mirë. Këtë do të bënte edhe Ernesti, por nuk mundi. Jemi shumë keq. O bir…", shprehet Bajamja, ndërsa më pas përfshihet nga vaji dhe e ka të pamundur të flasë. Të afërmit nuk e kanë lënë banesën për asnjë moment dhe presin vetëm lajmin e gjetjes së trupit. Shpresë për më të mirën, për ndonjë shpëtim të mundshëm të 20-vjeçarit, nuk gjen në bisedat e tyre. Kjo tregohet në fakt nga të gjitha teshat, telefoni, buka dhe të gjitha sendet që 20-vjeçari i kishte lënë në autobusin me të cilin shkoi në bregdetin e Semanit, ku mendohet se ka hyrë për të mos dalë më. Ernest Allanjaku ka mbaruar shkollën 8-vjeçare dhe ekonomia e dobët e familjes nuk e ka lejuar vijimin e arsimit për të. Ai shpresonte për largimin jashtë vendit si emigrant, ndërkohë që merrej vetëm me punët e bujqësisë, duke i ardhur në ndihmë të atit dhe familjes.

*shqip*

normal_Ura_lumi_seman.jpg
 
Sa e madhe paska qene kjo Shqiperia mer jahoooo.Me erdhi shume keq kur e ndigjova ne lajme dje !
 
Back
Top