Historia Islame ndërmjet realitetit dhe paragjykimeve

Kosovari

Koha
Historia Islame ndërmjet realitetit dhe paragjykimeve

Nexhat Ibrahimi

Kush është Thomas W. Arnoldi?



Thomas W. Arnoldi (1864 – 1930), është orientalist, historian, fi*lozof dhe hulumtues i njohur nga Anglia, profesor në Universitetin Islamik të Aligarhut në Indi gjatë viteve 1888-1898, pastaj profesor i filozofisë në Universitetin e Londrës (1898 – 1904), profesori i parë i gjuhës arabe në Shkollën për gjuhët orientale në Londër (1904 - 1930), dhe dekan i saj prej vitit 1921 - 1930.


Jeta e tij në mesin e muslimanëve i ndihmoi këtij evropiani ta njohë Islamin jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda, duke depër*tuar në thellësitë dhe zjarrin fetar të njerëzve të devotshëm, botë kjo në të cilën shumë pak evropianë depërtuan. Arnoldi kishte kolegë e miq të shumtë nga mesi i muslimanëve dhe ishte profesor i një numri intelektualësh muslimanë me renome, njëkohësisht kishte miqësi edhe me një numër orientalistësh e shkencëtarësh evropianë.





Vepra e Th. W. Arnoldit



Ndonëse vepra e Thomas W. Arnoldit “Historia e përhapjes së Islamit” për herë të parë e botuar në gjuhën angleze në Aligarh në Indi më 1896, edhe këto kohë ajo është tejet aktuale, si nga aspekti i çështjeve që trajton, ashtu edhe nga aspekti i metodës që përdor gjatë shtruarjes së materies.

Ka disa faktorë pse vepra jetoi kaq gjatë pa humbur në cilësi e vlerë, por, sipas bindjes sonë, mbi të gjitha, për faktin se vepra trajton dhe përpunon procesin e përhapjes së Islamit, siç e quajnë disa, religjionit më të ri në skenën botërore, duke mos lënë anash konceptin fetar, filozofik, shoqëror, politik dhe kulturor, të pranishëm tashmë pesëmbëdhjetë shekuj në mbarë rruzullin tokësor.

Kemi punime dhe studime të shumta të muslimanëve dhe jomus*limanëve që në të kaluarën kanë trajtuar aspektin politiko-shoqëroro-ekonomik, kulturor, shkencor e filozofik të Islamit, kanë trajtuar ngri*tjen dhe rënien e Islamit e çështje të tjera, por aspekti fetar i veprimit të muslimanëve është lënë në margjina të preokupimeve shkencore, asnjëherë nuk është studiuar në mënyrë analitike dhe të gjithanshme. Qasja e Thomas W. Arnoldit, edhe pse fare pak e mbështetur shkenc*ërisht e politikisht nga të tjerët, mbase, është impresionuese, kurajuese dhe, mbi të gjitha, konstruktive e shkencore edhe në kohën tonë.





Disa çështje thelbësore të veprës – Misioni



Thomas W. Arnoldi përveç që shtroi historinë e përhapjes së Isla*mit në botë, shtroi edhe depërtimin e Islamit në Ballkan e edhe tek shqiptarët.

Ndonëse niveli i studimeve dhe hulumtimeve në kohën e tij ishte në shkallë të ulët, ndonëse disa fakte të zbuluara më vonë nuk kanë qenë të njohura në kohën e tij, Arnoldi ofron një qasje origjinale, të pangarkuar, pa paragjykime e fanatizëm dhe të dhëna mjaft interesa*nte që veprën e bëjnë përmendore të historisë. Ai iu shmang historisë të shtruar në mënyrë kronologjike dhe hulumtoi zjarrin e muslima*nëve në përhapjen e besimit islam, aspektin introspektiv, sakral të tij. Misioni (da’va) nuk është i panjohur për Islamin, përkundrazi, është detyrë e shenjtë e të gjithë muslimanëve që ta prezantojnë atë (Ud’u ila sebili rabbike … Kur’an). … Në dallim prej shumë shkencëtarëve të tjerë, fenomenin e frymës misionariste në Islam Arnoldi nuk e kërkon në dhunën dhe padurimësinë e fanatikëve muslimanë, në ekspeditat ushtarake: me shpatë në një dorë dhe me Kur’an në dorën tjetër, por në proceset normale të transformimit, në veprimin modest të predikuesve dhe tregtarëve muslimanë, të cilët përpiqeshin ta përhapnin fenë nëpër tërë botën, sipas shumë udhëzimeve kuranore.

Nëpër faqet e kësaj vepre do të shohim praktikimin historik të ajeteve kuranore të kësaj natyre, do të shohim historinë e predikimit islam, e jo të konvertimit detyrues, i cili kohë pas kohe mund të haset nëpër të gjitha periudhat e historisë së Islamit, duke abstenuar nga Urdhëresa hyjnore. Mirëpo, në vepër haset mungesa e klasës priftë*rore, e klerit, organizatës së veçantë për propagandimin e fesë, që e cek edhe Sami Frashëri në librin e tij “Përhapja e Islamit”. Në islam nuk ekzistonte ekuivalenti kristian, por ekziston ndjenja e përgjegjë*sisë që zë fill në personalitetin e besimtarit – muslimanit. Me këtë, secili është njëherësh edhe misionar.





Dhuna, përjashtim e jo rregull



Arnoldi shumë herë thekson se faktorët kryesorë të përhapjes së Islamit nuk duhen kërkuar në fanatizëm, në dhunë, por në simplifici*tetin, jokomplikueshmërinë e thjeshtësinë e mësimit islam: “Nuk ka zot tjetër pos Allahut Një dhe se Muhammedi është i dërguar i Tij” është e tëra që kërkon Islami për hyrje në Islam. Mësimi islam nuk është i ngarkuar me sisteme teologjike, ndaj mund ta shpjegojë çdo besimtar. Ai është i karakterit jodogmatik, racional, i qartë dhe vetëm pas përqafimit të tij të Islamit nga bindja, kërkon që individi i tillë të aftësohet dhe t’i zbatojë detyrat praktike të fesë: Shehadetin, namazin, zekatin, agjërimin dhe haxhin. Në këtë unitet të racionaliz*mit dhe ritualeve mund të gjendet sekreti i fuqisë me të cilën Islami dominoi në mendjet dhe zemrat njerëzore.





Xhizja, haraxhi – shenjë respektimi e jo diskriminimi



Po ashtu, Arnoldi shqyrton edhe tolerancën islame dhe lirinë e jetës fetare për të gjithë ata që paguajnë xhizjen, kompensim për sigurinë fetare e fizike brenda shtetit islam. Ekzistimi me disa shekuj i qindra sekteve e lëvizjeve ideore kristiane brenda Perandorisë Islame dëshmon më së miri për tolerancën që ka ekzistuar gjatë këtyre kohëve, kurse rastet e dhunës kanë qenë fryt i fanatikëve dhe entuzia*stëve e jo parim i Islamit, i ajeteve kuranore.

All-llahu në Kur’an pohon: “Në fe nuk ka detyrim …”. (II, 256); “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do të kishte besuar gjithkush që është në tokë, pa përjashtim. A do t’i detyrosh ti njerëzit të bëhen besimta*rë? Asnjë njeri nuk është besimtar pa vullnetin e All-llahut dhe Ai i dënon ata që nuk mendojnë.” (X, 99-100).





Raportet e Osmanlinjve ndaj qytetarëve kristianë ishin në shenjë të mirëkuptimit dhe të tolerancës



Me pushtimin e Konstantinopolit më 1453, Mehmeti II, së pari doli në mbrojtje të kishës kristiane ortodokse dhe kishës kristiane përgjithësisht. Me këtë veprim ai e njohu Kristianizmin që paraqet një shkallë më tej të tolerancës. Me Fermanin që shpalli, e privilegjoi kishën dhe patrikun ortodoks Genadij II, administrimin intern të saj pa përzierje nga shteti, që ishte një kualitet në krahasim me shtetin bi*zantin. Disa burime bizantine gjendjen e popujve të ndryshëm nën Bi*zantin e përshkruajnë si të tmerrshme si në aspektin shpirtëror, ash*tu edhe në atë biologjik. Janë joserioze ata individë dhe ato qarqe që në bazë të disa rasteve ekstreme dëshirojnë t’i zhvlerësojnë gjithë ato vlera.





Axhemi oglani / devshirma - përjashtim nga tolerance



Sipas Th. Arnoldit përjashtim nga mirëkuptimi dhe toleranca është marrja peng e fëmijëve meshkuj nga familjet kristiane, për t’i edukuar në frymën e ushtrisë perandorake. Ndonëse një veprim i tillë nuk ishte i justifikuar me burimet islame, ky veprim kishte rrënjë në sundimin e mëhershëm bizantin dhe nuk paraqiste risi dhe, në anën tjetër, popujt e varfëruar nga luftërat e shumta ishin në gjendje të mjerueshme, ndaj marrjen e djelmoshave në ushtrinë mbretërore edhe nuk e shihnin aq të tmerrshme, siç e përshkruajnë këtë disa relatorë kristianë, por si një mundësi të prosperimit politik dhe ekonomik të individit, familjes dhe rrethit ku jetonte.

Edhe Arnoldi, por edhe evropianët e tjerë, vërejnë dy faza të sund*imit të Perandorisë Osmane: dy shekujt e parë janë në shenjë të drejtësisë e prosperimit të përgjithshëm, kurse shekujt e mëvonshëm karakterizohen nga rënie në të gjitha fushat e jetës.

Megjithë këto, mund të thuhet se jomuslimanët në Perandorinë Osmane ishin në gjendje më të favorshme sesa jomuslimanët nëpër vendet e tyre kristiane të asaj kohe, dhe se të gjitha problemet brenda Perandorisë Osmane nuk ishin vetëm për jomuslimanët, por edhe për vetë muslimanët.





Islami dhe shqiptarët



Kaptinë e veçantë është përqafimi i Islamit nga ana e shqiptarëve. Nëse kemi parasysh shkrimet e shumicës së autorëve shqiptarë dhe ato që ata shkruajnë, gjithsesi të ndikuar nga koncepcionet historike sllavo–serbe, më pak perëndimore e fare pak shkencore,- atëherë në veprën e Th. Arnoldit na del një tjetër gjendje nga ajo që jemi mësuar ta dëgjojmë e ta lexojmë.

Dhuna, shpata, persekutimi, ngecja e shqiptarëve në zhvillim, si pasojë e përqafimit të Islamit e çështje të tjera, janë pohime të pavërt*etuara e të pavërtetueshme, të paargumentuara e të paargumentuesh*me. Paragjykimet që datojnë nga tradita judeo-kristiane e greko-roma*ke, nga kryqëzatat e inkuizicioni, kolonializmi e kongresi i Berlinit, Versaja, Londra, Shën Stefani, Jalta … kanë lënë gjurmë në këto shkrime, ndaj mbetet si obligim për institucionet dhe individët kompetentë që t’i përvishen një pune serio*ze për shkrimin e një historie shqiptare e edhe botërore, çfarë ka qenë e jo çfarë dëshirojmë ne sot të ketë qenë, aq më pak, çfarë dëshirojnë disa grupe fundamentaliste sllavo-bolshevike dhe funda*mentaliste katoliko-centriste, të influencuara nga jashtë, të ketë qenë historia.





Përfundim



Pajtohemi apo nuk pajtohemi në tërësi me Th. Arnoldin, vepra e tij është një përmendore për historinë e da’ves (misionarizmit) në Islam, një vepër e pakalueshme dhe një shembull se si duhet të shkru*het historia dhe si duhet të trajtohet e kaluara. Kjo vepër e përkthyer tash disa vite por ende e pabotuar në gjuhën shqipe, do të kontribu*onte edhe në kapërcimin e tendosjeve shekullore ndërmjet botës anglosaksone e perëndimore përgjithësisht e popujve muslima*në dhe në lidhjen e miqësisë dhe këmbimin e vlerave ndërmjet popujve dhe kulturave. Atë që kanë bërë më herët Arnoldi e B. Shoi dhe që sot e bëjnë Rozhe Garodi e Princi اarls, nesër duhet ta bëjnë brezat e ardhshëm. Shembulli i Arnoldit duhet të ndiqet nga të gjitha palët se si duhet të shkruhet për njëri-tjetrin.

Neve shqiptarëve këto përpjekje duhet të na shërbejnë shembull se si duhet të kultivohet shkenca, kultura, bashkëjetesa e mirëkuptimi. Islami si cilësi këtë rol e ka luajtur në të kaluarën, këtë është në gjendje ta bëjë edhe sot, po edhe në të ardhmen. Prandaj, apeli për publikimin sa më të shpejtë të kësaj vepre në gjuhën shqipe, mendoj se është i arsyeshëm. اdo vonesë do të ishte në dëm të kulturës dhe qytetërimit shqiptar.



(P.S.: Libri është botuar në fund të vitit 2004 nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës)


E Dielë, 23 Gusht 2009; 07:03
zeriIslam/com
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top