Historia e krimit shqiptar: Peng në zinxhirin e kokainës

Çfarë zbulon një rrëmbim në Shqipëri mbi vesin europian në rritje të konsumit të kokainës.​





Ka dy mënyra për të interpretuar faktin se sekuestrimet vjetore të ngarkesave me kokainë në Europë kanë shënuar rekord të njëpasnjëshëm përgjatë tre viteve të fundit: Ngarkesat rekord munden që, në njërën anë, të merren si provë që mbikëqyrja më e mirë dhe bashkëpunimi më i fortë ndërkombëtar po ndihmojnë agjencitë ligjzbatuese të luftojnë shkelësit e ligjit. Në anën tjetër, sasitë gjithnjë e më të mëdha të kokainës që po kapen në Europë mund të merren si provë se sasi akoma më të mëdha po hyjnë në treg pa u vënë re.
Tregtia e drogës në Europë nuk ka qenë kurrë më e madhe dhe më fitimprurëse se sa sot. Agjencia Europiane e monitorimit të drogës, EMCDDA, vlerëson se në vitin 2017, tregtia e drogës në tregun me pakicë qarkullonte 9 miliardë euro, një rritje me 60% në krahasim me vlerësimin e vitit 2013, kur besohej se qarkullonte diçka më pak se sa 6 miliardë.
Dhe ndërsa tregu i drogës është zgjeruar, të dhënat e agjencisë tregojnë se tregu i kokainës është ai që po zgjerohet me ritëm edhe më të shpejtë se sa llojet e tjera të drogës. Në sektorin në lulëzim të substancave narkotike, kokaina është performuesi më i mirë.
Dhe nëse sekuestrimet në Europë janë në nivelin më të lartë në të gjitha kohërat, kjo do të thotë gjithashtu se europianët po konsumojnë më shumë drogë se kurrë më parë.

Ndërsa oferta në tregun e kokainës është rritur, çmimet me pakicë kanë rënë, ndërsa cilësia – e matur me normën e pastërtisë – është rritur. Dikur një mall luksi i destinuar vetëm për të pasurit, kokaina super e fortë ka hyrë në listën e shpërndarësit të zakonshëm, një telefonatë larg nga festa apo pista e vallëzimit.
Rritja shpërthyese e kokainës në Europë demonstron fuqinë e forcave të tregut – ligjit të kërkesës dhe ofertës – përkundrejt ligjeve ndërkombëtare që përpiqen t’i shtypin këto forca. Por ajo përfaqëson gjithashtu edhe një triumf në menaxhimin e sistemit ndërkombëtar të furnizimit: grupimet e ndryshme kriminale, shpesh në bashkëpunim, kanë rritur pjesën e tyre të tregut duke lidhur prodhuesit e kokainës me konsumatorët e saj – duke përputhur kërkesën me ofertën.
Kjo që kemi këtu është një histori që nuk ndodh shpesh në rrjetin e furnizimit: një mosmarrëveshje në lidhje me një ngarkesë në Mbretërinë e Bashkuar solli rrëmbimin e një personi në Shqipëri. Organizatat kriminale shqiptare janë bërë lojtarë të mëdhenj në tregun e Mbretërisë së Bashkuar, duke luajtur “një rol madhor në tregtinë me shumicë të kokainës”, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani, NCA.

Një zëdhënës i agjencisë tha se shqiptarët janë pjesë e një tendence më të gjerë, në të cilën bandat nga Ballkani kanë filluar të përfshihen në trafikun e kokainës për shkak të “fitimeve më të larta” dhe veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të “tregut shumë të pasur” të kësaj droge.
Kjo histori zbulon se si tregtia europiane e kokainës, dikur e dominuar nga mafiat e Italisë dhe Spanjës, po transformohet nga aktorët e rinj. Ajo tregon se si kostoja e këtij transformimi – në formën e korrupsionit kronik dhe dhunës sporadike – po zhvendoset drejt vendeve më të varfra, të tilla si Shqipëria.



Tregtia globale e kokainës me vlerë miliarda euro ka pasur një efekt gërryes në institucionet dhe shoqërinë shqiptare.
Ahmet Prençi, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë, tha se kriminelët në konflikt me njëri-tjetrin dhe me baza jashtë vendit, po zgjedhin të lajnë hesapet mes tyre “në shtëpi” – për shkak se ata e dinë se çdo hetim mbi ta nuk do të ishte po aq i thelluar sa në Perëndim. Për më shumë, tha ai, në Shqipëri “ekziston gjithashtu mundësia për të korruptuar policinë dhe institucionet e drejtësisë.”
Në Mbretërinë e Bashkuar, imazhi i gangsterit shqiptar është skicuar nga raportimet e medias për një grup të vetëm, të quajtur Hellbanianz. Me bazë në një nga lagjet më të varfra të Londrës, Barking and Dagenham, e nën udhëheqjen e të rinjve nga diaspora shqiptare, banda fitoi famë të keqe nga media tablloide në vitin 2018, pasi u shfaq në median sociale duke festuar me drogë, para dhe armë. Banda të tilla rruge janë vetëm një nga shumë hallkat e një rrjeti të larmishëm botëror, ndërsa pamjet e tyre të përshtatshme për Instagram bien ndesh me natyrën e përgjithshme të zinxhirit të furnizimit, ku kujdes i madh i kushtohet fshehjes së mallit dhe fitimeve, ndërsa dhuna është zakonisht përjashtim dhe jo rregull.

“Mund të them që ne e shohim si një punë, si çdo punë tjetër,” thotë Arbeni, një 45 vjeçar që merret me trafik droge, i cili kërkoi të mos identifikohet me emrin e tij të vërtetë, për Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN. “Nëse punon pa hile dhe me njerëz të besuar, nuk ke pse trembesh”.
Ndërsa kërkesa për kokainë është e gjithëpërhapur në Europë dhe oferta plotësohet nga prodhimi në lulëzim në Amerikën Latine, ka pasur pak ose aspak dhunë brenda zinxhirit të furnizimit; në vend të kësaj, tregu është zgjeruar me qetësi, duke krijuar hapësirë për sipërmarrësit e rinj.
“Kokaina është kaq fitimprurëse sa çdokush mund të marrë një pjesë të tregut,” thotë Dr. Anna Sergi, një pedagoge e lartë në kriminologji në Universitetin e Essex dhe eksperte për krimin e organizuar. “Është malli i vetëm në botë që fiton vlerë prej së paku 30 herë nga pika e prodhimit për te konsumatori final.” Sipas saj, tregu është i pamundur të kontrollohet për shkak se ai shfrytëzon rrjetet ndërkombëtare të transportit detar me konteinerë, të cilat janë konceptuar për të qarkulluar lirshëm – “treguesi më i suksesshëm” i një ekonomie të globalizuar ku çdokush mund të bëjë tregti me çdokënd.
Ariani, një 47 vjeçar shqiptar me eksperiencë në trafik, i cili gjithashtu foli me kushtin që emri i tij i vërtetë të mos tregohet, tha se ai ishte më i shqetësuar nga bandat rivale që sulmojnë paratë apo kontrabandën nga sa është i shqetësuar nga ligjzbatuesit. “Kur ngarkesa është rrugës, unë tensionohem,” tha ai. “Por nuk e mbyll veten në shtëpi. Shkoj në palestër. Nuk ju gënjej, kam shkuar edhe në kishë.”

Shqipëria nuk është as prodhues kokaine dhe as treg i madh konsumator, ndërsa lidhja e saj me këtë tregti mbështetet te një minorancë e vogël brenda një diaspore të madhe – minorancë që është angazhuar në zinxhirin e furnizimit. Megjithatë, Shqipëria ka një reputacion në rritje si narko-shtet dhe është paralajmëruar se duhet të pastrojë veten nëse dëshiron të realizojë ëndrrën e bashkimit në BE.
Sipas Julia Buxton, një profesoreshë e kriminologjisë në Universitetin e Manchesterit dhe eksperte në tregtinë e narkotikëve, Shqipëria është një viktimë tjetër e një sistemi “misterioz” të kontrollit të drogës, që është përpjekur të “zgjidhë problemin e kërkesës” në vendet e pasura, duke zgjidhur problemin e ofertës nga vendet e varfra.
“Ajo që po shohim në Shqipëri është ajo që po e shohim edhe në Amerikën Qendrore apo ajo që kemi parë në Afrikën Perëndimore,” tha ajo. Në terma të politikave, argumentoi Buxton, ligjet ndërkombëtare kundër drogës kanë theksuar problemin e operacioneve të sigurisë dhe sekuestrimeve, por pa e trajtuar problemin ekonomik – joshjen nga fitimet e mëdha përkundrejt varfërisë – gjë që i shtyn njerëzit nga e gjithë bota të bashkohen në tregtinë e drogës. “Ti nuk i mbyll kurrë rrugët e trafikut,” tha Buxton. “Ti thjesht sa i shpërndan ato.”

“Një jetë e qetë”
Marija Prenga nuk e ka parë të shoqin, që kur ai doli nga shtëpia një mëngjes të premteje 18 muaj më parë, pasi i tha se do të kthehej shpejt. Jan Prenga do të kthehej pasi të bënte një xhiro të shkurtër në qytezë – por kur Marija dëgjoi të trokiturën atë mesditë, te dera gjeti policinë. “Më thanë që Janin e kanë marrë,” rikujton ajo duke fshirë lotët në dhomën e ndenjës së shtëpisë ku jeton bashkë me tre fëmijët e saj.
Marija e njohu Janin kur ishte adoleshente. Më i madhi i pesë vëllezërve nga rajoni malor i Pukës në Shqipërinë e veriut, ai iu afrua familjes së saj kur ishte tetëmbëdhjetë vjeç, duke i kërkuar dorën për martesë. Tre vjet më vonë, pasi Jani përfundoi shërbimin ushtarak, çifti i ri lidhi kurorë. Ishin vitet 1990 dhe Shqipëria ishte në kaos. Një gjysmë shekulli diktature komuniste shtypëse dhe paranojake e kishte lënë vendin të varfër dhe të izoluar. Bashkë me tranzicionin erdhën dallgë trazirash ekonomike dhe kryengritje, duke shtyrë qindramijëra shqiptarë të kërkonin fatin jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali.
Marija dhe Jani iu bashkuan eksodit, duke u vendosur në Patras, qytetin port të Greqisë. Jani hyri në biznesin e mobilerisë duke përdorur aftësitë e tij si zdrukthëtar. Pas njëzet vitesh në Greqi dhe lindjes së dy vajzave dhe të një djali, familja vendosi të kthehet në Shqipëri. Ata u vendosën në Kamzë, një qytezë periferike pranë kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë. Një ish-lagje me barake, Kamza ka përjetuar një bum ndërtimor, i cili është financuar nga remitancat nga diaspora. Në një shenjë të qartë të përbërjes së saj ndërkombëtare, qyteza së fundmi riemëroi rrugët kryesore sipas emrave të qyteteve dhe udhëheqësve botërorë. Është ndoshta i vetmi vend në botë, ku mund të marrësh kthesën nga Rruga Tony Blair për te rruga George W. Bush.

Në dyshemenë e një ndërtese jo të përfunduar, tipike kjo për Kamzën, Jani krijoi një dyqan mobiljesh. Familja jetoi në një apartament në katin sipër. Megjithëse jo saktësisht të pasur – Jani kishte një Mercedez të vjetër – familja kishte një jetë të mirë; Marija ndihmonte në menaxhimin e biznesit. Jani, tha ajo, e trajtonte atë si një partnere të barabartë.



Kokaina është droga që ka rritjen më të madhe në tregun evropian të drogave, i cili në tërësi është gjithashtu në rritje, sipas vlerësimeve më të fundit krahasuese të agjencisë monitoruese evropiane EMCDDA.
Në mëngjesin e 17 janarit 2020, burri dhe gruaja shkuan për një kafe në një lokal aty pranë. Pak orë më vonë, Jani do të dilte për të shkuar në bankë dhe në një zyrë bashkie, ndërsa më vonë në derë erdhi trokitja që e informoi Marijan se burri që ajo kishte njohur prej 30 vjetësh – në martesë, prindërim, migrim dhe kthim – ishte rrëmbyer.
Dëshmitarët okularë zbuluan se Janit i kishin zënë pritë në qytezë katër burra të maskuar. Pati një përleshje dhe ai u rrëzua përtokë dhe u paketua në një fuoristradë Range Rover ngjyrë e bardhë, duke e lënë trotuarin të përgjakur.
Siç ndodh shpesh edhe në vende të tjera të Ballkanit, tensionet brenda botës shqiptare të krimit shpesh rrjedhin në rrugë – por burrat e përfshirë janë përgjithësisht kriminelë të regjur. Dhe megjithëse rrëmbimi i Jan Prengës kishte shenjat e një operacioni kriminal të stërvitur, ai vështirë se ishte një shënjestër tipike e krimit. Lidhja e tij e vetme e dukshme me botën e krimit ndërkombëtar të organizuar dukej se ishte emri që i ishte vënë rrugës ku ai u rrëmbye: ishte Rruga Londra. Në raportimet e lajmeve të ciklit njëzet e katër-orësh, pati alarm dhe habi për faktin që një biznesmen i zakonshëm u rrëmbye. “Jeta jonë ishte e qetë, pa asnjë problem,” tha Marija Prenga. “Ai nuk ishte përfshirë asnjëherë, qoftë edhe në problemin më të vogël,” shtoi ajo.

“Heqje qafe e konkurrencës”
Shkaku i rrëmbimit lidhet me problemet në një zinxhir furnizimi të sasive të stërmëdha të kokainës në tregun Europian. Kompania Bello, një organizatë kriminale, besohet se ka sjellë kokainë me vlerë qindramilionë euro në tregun europian gjatë dekadës së fundit. Malli është transportuar përmes asaj që është bërë metoda më popullore e trafikut të drogës në Europë: fshehur nëpër konteinerët e transportit të frutave ekzotike nga Amerika Latine. Pasi konteinerët janë shkarkuar në disa nga portet më të mëdha të Europës perëndimore, malli kontrabantë tërhiqet në fshehtësi dhe magazinohet nëpër automjete për transport për te një rrjet shpërndarësish.
Njëzet figura drejtuese të organizatës kriminale u arrestuan shtatorin e kaluar pas një hetimi ndërkombëtar që zgjati pesë vjet, i cili u përshkrua nga agjencia europiane policore, Europol, si hetimi më i madh i kryer ndonjëherë në organizatat kriminale shqiptare. Arrestimet u kryen nga forcat e sigurisë që vepruan të koordinuara në dhjetë territore, përfshirë Italinë, Shqipërinë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën, Gjermaninë dhe Dubain. Gjithsesi, autoritetet nuk kishin nevojë për të kërkuar për të dyshuarin si kreu i organizatës, 42-vjeçarin shqiptar kriminel karriere, Dritan Rexhepi.
I dënuar për dy vrasje, për grabitje me armë dhe trafik droge, Rexhepi ka qenë në një qeli burgu në Ekuador që nga viti 2014. Nga vendqëndrimi i tij në burg, thonë prokurorët, ai ka qenë duke ndërmjetësuar pazare mes karteleve të Amerikës Latine dhe bashkëpunëtorëve të tij në Kompaninë Bello, duke përdorur celularë të enkriptuar për komunikim.

Një ish student drejtësie, Rexhepi nisi karrierën e tij kriminale në Shqipërinë e trazuar të viteve 1990, thuhet duke punuar si vrasës me pagesë. Ai u diplomua në skenën evropiane, duke kapur dënime, gjuhë të huaja dhe reputacion si artist për arratisje nga burgu në Tiranë, Milano dhe Antwerp.
Rexhepi e nisi karrierën e tij kriminale në Shqipëri në vitet 1990, besohet duke punuar si vrasës me pagesë. Ai u diplomua në skenën europiane duke akumuluar dënime, duke shmangur urdhër-arreste ndërkombëtare, duke mësuar gjuhë të huaja dhe duke ndërtuar reputacion si artist i arratisjeve, duke shpëtuar nga burgjet në Tiranë, Milano dhe Antwerp. Fakti që një gangster ambicioz shqiptar përfundoi në Ekuador – ai u arrestua atje me një ngarkesë prej 275 kilesh kokainë – është tregues i një tendence më të gjerë që ka ndryshuar tregun e drogës në Europë.
Grupet kriminale nga Ballkani kanë një prani në rritje dhe të dukshme “më sipër” në zinxhirin e furnizimit me kokainë: me fjalë të tjera, përfaqësuesit e tyre janë duke blerë drejtpërsëdrejti nga kartelet e Amerikës Latine, të cilat kontrollojnë prodhimin. Fitimet shtesë i janë kaluar shpërndarësve në Europë, duke kontribuuar në uljen e çmimeve me pakicë për kokainën në tregjet më të mëdha, të tilla si Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda, si dhe në pastërti më të madhe të mallit që u ofrohet konsumatorëve.



Dritan Rexhepi, shihet në këtë foto majtas-lartë sipas shpalljes në kërkim nga Interpoli. Ai është i akuzua se ka ndërmjetësuar për marrëveshje fitimprurëse kokaine nga qelia e burgut në Ekuador.
Avantazhet që sjell ngjitja në zinxhirin e furnizimit nuk janë një sekret biznesi – grupime nga Serbia dhe Mali i Zi apo vende të tjera dihet gjithashtu se janë duke blerë drejtpërsëdrejti nga kartelet. Kjo taktikë u praktikua fillimisht nga ’Ndrangheta, mafia nga rajoni jugor i Italisë, Kalabria, e cila, krahas grupeve të tjera kriminale nga Spanja ka dominuar historikisht tregun europian të kokainës. Duke ndjekur gjurmët e ’Ndranghetas, shqiptarët besohet se kanë kapitalizuar mbi një lidhje që nisi në vitet 1990, kur shqiptarët u rekrutuan si ushtarë nga kalabrezët, ndërsa deti mes tyre ishte një rrugë e rëndësishme trafikimi.
Ekspertët theksojnë natyrën shumë bashkëpunuese në zinxhirin e furnizimit me kokainë. Njësoj si lojtarë të tjerë të mëdhenj nga Serbia dhe Mali i Zi, trafikantët nga Shqipëria kanë farkëtuar sakaq partneritete kurdo që ka pasur mundësi për biznes. “Miti se njerëzit nga Ballkani luftojnë njëri-tjetrin në bazë të etnisë nuk shfaqet në realitet aq shumë te operacionet e këtyre organizatave kriminale,” tha për BIRN Walter Kemp i Iniciativës Botërore Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, GITOC, një organizatë e pavarur e shoqërisë civile me bazë në Gjenevë.

Tregjet më efikase të drogës, thonë ekspertët, kanë tendencën të jenë më pak të dhunshme. Malli udhëton pa telashe nga prodhuesi te konsumatori për shkak se të gjitha hallkat e zinxhirit – nga zyrtarët e doganave te punëtorët e porteve, policët dhe politikanët, – janë siguruar. Gjithsesi, kërcënimi për dhunë luan një rol thelbësor në tregjet ilegale, duke parandaluar vjedhësit potencialë dhe rivalët në kushtet kur mungojnë institucionet ndërmjetëse si në industritë e zakonshme. Pikërisht në këtë kontekst, historia e Ballkanit me konflikte të armatosura bëhet aset për gangsterët nga rajoni, duke i pajisura ata me një reputacion për dhunë brutale, gjë që paradoksalisht mund të ndihmojë për ta mbajtur dhunën nën kontroll.
“Që të jesh i besueshëm ti ke nevojë për kërcënimin për dhunë,” tha Kemp. “Grupet nga Ballkani Perëndimor kanë reputacion për dhunë, por në fakt nuk është se të qëllon të dëgjosh shumë raste dhune, gjë që sugjeron se ata janë goxha efikasë dhe shkojnë mirë në marrëdhënien me partnerët e tyre vendës.” Atje ku grupe të tilla si shqiptarët “kanë qenë në gjendje të mposhtin konkurrencën,” shtoi ai, kjo ka ndodhur “më së shumti për shkak të modelit të biznesit se sa përmes dhunës.” Ata thjesht kanë ofruar mall të mirë më lirë.
Modeli i biznesit i përdorur nga Kompania Bello duket se është mbështetur në një rrjet furnizimi shumë mirë të integruar. Sipas Europolit, organizata veproi përmes hallkave të shumta nëpër të gjithë zinxhirin, “nga organizimi i transportimit të sasive të stërmëdha drejtpërsëdrejti nga Amerika Latine te shpërndarja nëpër Europë” – një model i ndryshëm ky nga ai tradicional ku importuesit, shpërndarësit në rrugë dhe tregtarët me shumicë vepronin veçmas. Puna në një organizatë duket se ka ndihmuar, duke sjellë aftësi që plotësojnë njëra-tjetrën. Sipas prokurorëve italianë që udhëhoqën hetimin, Kompania Bello funksionoi si një “federatë transnacionale krimi”, e përbërë nga 14 banda shqipfolësish.

‘Çrregullim i sistemit’
Në janar 2020, një konteiner transporti ku gjendej një sasi kokaine u shkarkua në kalatën e portit të Portsmouth në Angli. Sipas dokumenteve gjyqësore që mbështeten në përgjime dhe të dhëna nga mbikëqyrjet në terren, konteineri u mor nga një grup shqiptarësh që ishin nënkontraktuar për të tërhequr ngarkesën e trafikuar nga moli. Këtij grupi iu pagua një komision në varësi të përmasave të ngarkesës – një marrëveshje tipike kjo në zinxhirin e furnizimit.
Gjithsesi, grupi dyshoi se ishte paguar më pak nga sa meritonte nga klienti i tyre, përshkruar në dokumentet gjyqësore si shtetas britanik. Anëtarët e grupit vendosën të mbajnë kokainën e konteinerit të Portsmouthit, – gjithsej 260 kilogramë – në shkëmbim të parave që ata besonin se i meritonin. Vëllai më i vogël i Jan Prengës, Astriti, ishte një figurë qendrore brenda këtij grupi. Pasi iku nga Shqipëria si djalë i ri, ai u përfshi në krim të organizuar, bashkë me një vëlla tjetër, Ndrekë Prengën, i cili gjendej në një burg britanik nën akuzën e furnizimit të kokainës.
Dy javë pasi ngarkesa e Portsmouthit u ndalua, Ndrek Prenga mori një telefonatë në burg nga një i burgosur në anën tjetër të planetit – Dritan Rexhepi. Të dy burrat e njihnin njëri-tjetrin, pasi kishin qenë në burg bashkë në Itali. Sipas dokumenteve gjyqësore, Rexhepi i kërkoi Ndrekës t’i dërgojë një mesazh të vëllait, Astritit: ngarkesa duhet të dorëzohet. “Mos bëni gabim të luani gjërat, pasi janë gjërat tona.”



Rrëmbimi i Jan Prengës, në foto sipër, lidhet me një mosmarrëveshje për një ngarkesë kokaine në Mbretërinë e Bashkuar.
Pak pasi këta të dy folën, Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz. Në një bisedë telefonike pas rrëmbimit, Rexhepi i tha Ndrek Prengës se Jani do të kthehej në shkëmbim të kokainës së humbur.
Ekspertët thonë se është e mundshme që grupi i Astritit të mos ishte i vetëdijshëm se kush ishte pronari final i kokainës së konteinerit të Portsmouthit. Një ngarkesë e vetme mund të ketë mall kontrabandë të porositur nga disa organizata njëherësh, të cilat mund të kenë grumbulluar porositë në mënyrë që të kursejnë në kostot e transportit. Sipas DR. Anna Sergi nga Universiteti i Essex, organizatat efikase të tilla si Kompania Bello nuk është që thjesht lëvizin ngarkesat e veta. Ata ofrojnë edhe shërbimin e transportit për grupime që nuk janë në gjendje të organizojnë rrugët e veta, duke i dhënë atyre “fitime shumë më të larta, pasi paguhen veçmas për transportin”.
Një zinxhir tipik i furnizimit përbëhet nga segmente të ndara në mënyrë të hollësishme, të cilat kryejnë funksione të përcaktuara mirë. Nga punëtorët e porteve që ngarkojnë konteinerët ku është fshehur malli te shkarkuesit që i nxjerrin ato. Në këto kushte, nuk është as e nevojshme dhe as e këshillueshme që individët në secilën prej hallkave të kenë informacion mbi segmentet e tjera. Edhe brenda zinxhirit të furnizimit të dominuar nga një organizatë e vetme, e tillë si Kompania Bello, udhëheqësit mbajnë zakonisht distancë nga operacionet ditore, ndërsa nënkontraktorët nuk informohen mbi atë se kujt po i shërbejnë, thonë ekspertët.
“Dikush mund të identifikohet si “kapoja” në një grup kriminal, por mund të mos jetë kurrë në të njëjtën dhomë ku ka prani të drogës apo të parave të drogës,” tha për BIRN John Livanis, një atashe në Athinë për Agjencinë amerikane kundër Drogës, DEA. “Të tjerë mund të jenë përgjegjës për transportimin, por mund të mos flasin kurrë me udhëheqësin.”
Përdorimi i anëtarëve të familjes si pengje është një praktikë e zakonshme në tregtinë e drogës, sipas trafikantëve dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit. Arbeni, trafikanti shqiptar, i tha BIRN se bandat në disa raste ofrojnë pengje paraprakisht – si kolateral për të garantuar ngarkesat.
“Po, dërgohet gjithmonë një i afërt, familjar, nip… nëse gjërat shkojnë keq, jeta e tij rrezikohet,” tha ai. Duke folur në përgjithësi, Arbeni shtoi se rregulli është që “nëse malli bllokohet nga shteti atëherë nuk ke asnjë detyrim. Por, nëse malli zhduket, vidhet, apo ndodh diçka, atëherë je i detyruar të paguash,” shtoi ai.
John Livanis i DEA konfirmoi se përdorimi i pengjeve është praktikë e gjithëpërhapur dhe nuk është e kufizuar vetëm te shqiptarët. Për shkak se bizneset ilegale të drogës “nuk finalizohen me kontrata të firmosura – ato bëhen me shtrëngim duarsh,” ndërsa një kolateral ndihmon për të garantuar që biznesi të ecë mbarë, tha ai.
Prokurorët shqiptarë besojnë se rrëmbimi i Jan Prengës u urdhërua nga Dritan Rexhepi dhe iu nënkontraktua një grupi vendës, në mënyrë që të sigurohej kthimi i kokainës së vjedhur në Mbretërinë e Bashkuar. Rrëmbimi reflekton tendencën mes grupeve kriminale shqiptare që veprojnë në arenën ndërkombëtare dhe përdorin “atdheun” si skenë për larje hesapesh. Rreziku i arrestimit dhe dënimit mbetet shumë më i ulët në Shqipëri, në krahasim me ekonomitë e pasura Europiane që janë tregjet kryesore të drogës.
Paratë nga krimi i organizuar kanë goditur shtetin shqiptar prej dekadash, duke e gërryer nga brenda. Vendi gjendet në rrugën përgjatë të ashtuquajturës “Shtegu i Ballkanit” i përdorur nga bandat për trafikun ilegal të migrantëve dhe heroinës. Shqipëria është gjithashtu një qendër rajonale për prodhimin e kanabisit në mjedise të hapura, pavarësisht operacioneve ndaluese të kohëve të fundit. Ish-ministri i Brendshëm që udhëhoqi operacionet ndaluese, Saimir Tahiri, u akuzua edhe vetë për trafik droge në vitin 2017, pasi përgjimet e policisë italiane duket se e implikuan atë në një skemë të stërmadhe trafiku marijuane. Tahiri i ka mohuar akuzat dhe është aktualisht në pritje të rigjykimit, pasi vendimi në gjyqin e parë e gjeti të pafajshëm për akuzat më të rënda, por u anulua nga Gjykata e Apelit.

Fitimet nga kokaina duket se kanë një ndikim në konsumin për dukje në kryeqytetin shqiptar Tiranë dhe në bregun e detit, ku projekte luksoze ndërtimi dhe automjete luksoze – të cilat vlejnë shumë më tepër se sa shtëpitë e zakonshme – janë një pamje gjithnjë e më e zakonshme. Kryeprokurori i Shqipërisë, Olsian Çela, i tha BIRN se kërcënimi nga trafiku i drogës është “i konsiderueshëm” dhe shtrihet shumë përtej rrezikut të dukshëm ndaj shtetit të së drejtës dhe sigurisë publike. “Përbën një rrezik të konsiderueshëm jo vetëm në drejtim të rendit dhe sigurisë publike, por nxit edhe fenomene të tjera si korrupsionin në nivele të ndryshme ashtu si dhe nis e deformon rëndë sistemin ekonomik, ndërkohë që duke qenë fitimprurës josh edhe individë nga grupe të ndryshme shoqërore të përfshihen në të,” tha ai.
Ndërsa tregtia e kokainës zakonisht josh të rinj me prejardhje të varfër, rekrutët e saj përfshijnë edhe anëtarë të shtresës së mesme apo të pasur. Më i njohuri nga këto është nipi i ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, i cili u arrestua në vitin 2015, krahas dy kolumbianëve, pas zbulimit të një laboratori kokaine në Shqipërinë qendrore.
Sfida kryesore për vende si Shqipëria, sipas Dr. Julia Buxton në Universitetin e Manchesterit, është krijimi i vendeve të punës. “Thjesht nuk ka kapacitet brenda ekonomisë kombëtare për të gjeneruar vende pune” që ofrojnë ndonjë lloj të ardhure të krahasueshme me tregtinë e kokainës dhe kanabisit. Në fund, tha ajo, fitimet nga droga janë kaq të larta, sa vetë kriminalizimi dështon si model – “ajo thjesht sa nxit angazhimin e mëtejshëm në këtë tregti.”
Pyetur se çfarë i nxit të rinjtë shqiptarë të hyjnë në këtë biznes, Ariani, trafikanti 45 vjeçar u përgjigj me një fjalë të vetme: “paratë”.



Automjeti i përdorur nga rrëmbyesit e Jan Prengës u gjurmua në Kompleksin Golden, në foto këtu, një sallon dasmash luksoz pranë Durrësit.

Pa kufomë
Pas rrëmbimit të Jan Prengës, grupi i lidhur me vëllanë e tij, Astritin, ndoqi udhëzimet për sigurimin e lirimit të tij. Sipas dosjes së prokurorisë së Tiranës, ata kthyen afërsisht gjysmën e kokainës nga ngarkesa e Portsmouthit te një ndërmjetës në Londër, caktuar nga Dritan Rexhepi, krahas qindramijërave paundëve për të mbuluar vlerën e pjesës tjetër të ngarkesës. Por rrëmbyesit e tij në Shqipëri dështuan të shfaqen në takimin për kthimin e Jan Prengës në familjen e tij.
Në qelinë e tij në Britani, Ndrek Prenga mori një telefonatë të dytë nga Rexhepi. Për shkak se rrëmbyesit nuk e kishin mbajtur fjalën, shpjegoi Rexhepi, ai ishte i detyruar t’i jepte emrat e tyre familjes Prenga, duke i lejuar ata të merreshin vetë me ta.
Duke pasur në dorë emrat e rrëmbyesve, familja e Jan Prengës përdori Kanunin, një kod mesjetar shqiptar që vijon të përdoret për zgjidhjen e situatave me hakmarrje në malet e Shqipërisë së veriut. Familja Prenga punësoi një ndërmjetës gjaqesh për të kontaktuar rrëmbyesit dhe për të negociuar lirimin e tij, por përpjekjet dolën pa sukses. Ndërsa lajmet në median e huaj kanë qejf të lidhin Kanunin që duket si ekzotik me krimin e organizuar shqiptar, ekspertët janë skeptikë mbi ndikimin real të tij. “Reputacionin e kanë,” tha Walter Kemp, analisti i GITO-së, por logjika e sy për sy dhe përdorimi i ndërmjetësve është gjithashtu “shumë e zakonshme në mënyrën se si operojnë grupet kriminale”.

Ndërsa familja Prenga po përpiqej të kontaktonte rrëmbyesit, policia shqiptare ishte duke kërkuar mes shumë orëve xhirime nga kamerat e sigurisë për të ndjekur lëvizjen e Range Roverit të bardhë të përfshirë në rrëmbimin e Janit. Mjeti u gjurmua eventualisht në Kompleksin Golden, një vilë me stil neo-barok pranë qytetit të Durrësit. Ndërtesa e luksit me mermer të bardhë është e vendosur mes palmave dhe shatërvanëve dhe i përket dy vëllezërve nga Shqipëria e veriut, njëri prej të cilëve ka qenë i dënuar për trafik droge në Itali. Reklamuar si një sallon dasmash, vila shërbeu për një funksion makabër më 17 janar 2020.
Në ditën kur Jan Prenga u rrëmbye, shumica e kamerave të sigurisë në garazhin nëntokësor të parkut ishin fikur. E vetmja kamera e lënë ndezur, siç duket gabimisht, regjistroi mbërritjen e Range Roverit të bardhë rreth orës 12.30 të premten – një gjysmë ore pasi Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz, 30 kilometra larg. Një grup me burra u xhirua duke zhvendosur një trup nga automjeti dhe duke e transferuar atë, bashkë me lopata dhe kazma, në një automjet tjetër në garazh.
Policia shqiptare beson se Jan Prenga vdiq në Range Rover, si rrjedhojë e plagëve të marra kur i rezistoi rrëmbyesve. Nga të pesë burra që janë arrestuar në lidhje me vrasjen e tij, vetëm njëri vijon të jetë në burg. Urdhërarreste janë lëshuar për gjashtë të tjerë. Kufoma nuk është gjetur ende.
Agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar konfirmoi se ajo kishte dijeni për vrasjen e Jan Prengës dhe se besonte se ajo ishte rrjedhoje e një “mosmarrëveshjeje për drogën”. Në një deklaratë të dërguar me email për BIRN, një zëdhënës tha se agjencia “vijon të punojë me autoritete shqiptare në lidhje me këtë ngjarje” – por nuk ofroi detaje të mëtejshme.

Më 1 prill 2021, shtatë muaj pas operacionit ndërkombëtar kundër Kompania Bello, doganat shqiptare kapën një sasi tjetër prej 49 kilogramësh kokainë nga porti i Durrësit. Ngarkesa erdhi nga Ekuadori dhe, sipas prokurorëve, kishte për destinacion Kompaninë Bello. Me kërkesën në lulëzim dhe ofertën e vazhdueshme “tregu i kokainës si i tërë nuk ndryshon,” tha Dr. Anna Sergi nga Universiteti i Essex. “Ndryshojnë vetëm rrugët përmes të cilave kokaina del në treg.”
Në apartamentin mbi mobilerinë në Kamëz, një botë larg makinave luksoze dhe resorteve vezulluese të Shqipërisë së re, Marija Prenga thotë se ajo nuk mund të pranojë që bashkëshorti i saj është vrarë, për sa kohë trupi i tij nuk është gjetur ende. “Gjysmën e ditës e qaj për të vdekur,” tha ajo. “Gjysmën tjetër shpresoj se mos është fjalë e lutem që ai të kthehet”.

/Reporter.al
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 6 46.2%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 15.4%
  • Bora e parë

    Votat: 3 23.1%
  • Larg

    Votat: 2 15.4%
Back
Top