Hipokrizia, zemër e prishur!

Besimtarja

Antarë
Hipokrizia, zemër e prishur!

figure00000.jpg


“Hipokritët dhe hipokritet janë si njëri-tjetri; urdhërojnë për të keqen e ndalojnë nga e mira dhe shtrëngojnë duart e tyre. Harruan All-llahun, prandaj Ai i harroi. Nuk ka dyshim, hipokritët janë ata të prishurit.” – Kur’an, 9:67

“Katër cilësi kush i ka është hipokrit i pastër, e kush e ka vetëm një cilësi ai ka një cilësi të hipokrizisë derisa të braktisë atë: kur t’i lihet një gjë në besë e tradhton, kur flet gënjen, kur premton mashtron dhe kur kacafytet pëlcet.” – Hadith:Buhariu

Shkruan: Avni Tafili

S’ka gjë më të urrejtshme për natyrën e pastër njerëzore të mendosh ndryshe e të thuash ndryshe; të thuash ndryshe e të veprosh ndryshe; e të besosh ndryshe e të shprehesh ndryshe; të ndjesh ndryshe e të sillesh ndryshe! E s’ka gjë më të dënuar në shpalljen hyjnore se sa të jesh hipokrit! Këtë gjë, Zoti që të krijoi, e dënon ashpër, e dënojnë engjëjt e Tij, të Dërguarit e Tij, njerëzit e devotshëm, e çdo natyrshmëri e pastër.

Hipokrizia, e ti e di se ç’është hipokrizia. Kjo veti e shëmtuar, njeriut zemrën ia prish, shpirtin ia shkatërron, jetën ia nxin! Nuk ka padrejtësi më të madhe ndaj vetvetes se sa të jesh dyfytyrësh! Nuk mund ta kuptoj ndërgjegjja e pastër se si një njeri mund të tradhtojë vetveten, duke e mashtruar atë. Po, njeriu hipokrit është njeri i humbur në hipokrizinë e tij!

Mjerë pra, për ata njerëz, të cilët me zemrat e tyre, fjalët e tyre, veprat e tyre, rrejnë, mashtrojnë, tradhtojnë! Këta njerëz, hipokritë, kur shtiren, e ndjejnë ftohjen e zemrave të tyre, por mendja e tyre është e dehur, e nuk e ndjejnë mashtrimin dhe tradhtinë që vetvetes po ia bëjnë. Sikur përpiqen t’u hapin kurthe të tjerëve, por si nuk e kuptojnë se nuk i hapin kujt kurth veçse vetvetes.

Kur njeriu është dyfytyrësh, nuk di pra të jetë i pastër. Jeton në ndyrësirë, në mëkatim, në errësirë. Zemrat u prishen nga shtirja, gënjeshtra dhe prirja për keq! Ky lloj njerëzish, sa qyqarë: kur rrinë me miqtë e tyre hipokritë tregojnë zemrat e tyre të prishura, ndërsa kur janë me njerëz të tjerë, flasin ndryshe, sikur janë më të mirët. Po, nuk janë të sigurt nëse janë të gjallë a të vdekur, pasi brendia e tyre është plot errësirë. E errësira e zemrës, është verbërim i ndërgjegjes, është mbulim i mendjes së pastër.

Nuk dëgjojnë. E kur dëgjojnë, nuk respektojnë. E kur respektojnë, shtiren. Po edhe nuk logjikojnë, e as nuk arsyetojnë. Si ndjenjat e çiltërsisë, të urtësisë, e të mëshirës, po vdekkan! Jo, zemrat i kanë të prishura. Gjaku është i helmuar me padituri, me mendjemadhësi, me kokëfortësi, me fodullëk! E kur ky gjaku shkon në zemër, zemra me gjakun e prishur, prishet! اfarë gjendje mjerimi!

Hipokrizi nuk është vetëm të flasësh, e të mos veprosh. Njeriu mund të jetë përtac, e të bëjë diçka me përtaci, por, të flasësh, e të urdhërosh të tjerë të veprojnë, e ti jo që nuk e vepron atë që thua, por vepron në kundërshtim të plotë me atë që thua. E kjo është shenjë e hipokrizisë! Shenjë e hipokrizisë është edhe të flasësh shumë e pandërprerë, e të mos e kontrollosh gjuhën se ç’thotë! Po, hipokrizi është edhe të ngrihesh për adhurim, e të tjerët t’i bësh të mendojnë se je i devotshëm, ndërsa thellësia jote të thotë: ç’e gjeti të shkretën vetveten time! Po, sepse hipokriti nuk njeh Zot, nuk i është bindur Allahut!

O Allah! Na ruaj nga gjendja, gjendje e njeriut hipokrit!

Kjo kategori e njerëzve hipokritë, jo vetëm që tradhtojnë e mashtrojnë vetveten duke u shtirur para të tjerëve, por këta janë të dëmshëm edhe për të tjerët, për shoqërinë! Këta gënjejnë, shpifin, nxisin debate të padobishme, polemizojnë tepër e shkaktojnë çrregulltish. E kur qortohen, dije o njeri i devotshëm, se këta nevrikosen, hidhërohen, bërtasin, nuk të dëgjojnë, largohen, të fyejnë e të përçmojnë! Po, sepse kur qortohen, ndihen në buzë të greminës: po hapet brendia e tyre tradhtare e mashtruese.

Dije o njeri i devotshëm, se hipokritët zakonisht janë njerëz që pak lexojnë. Pak dituri të dobishme kërkojnë. Pak Allahun e përkujtojnë. Pak njerëz shoqërojnë. Aspak fytyra s’u ndriçon. Qeshin shumë, tallen shumë, nuk janë serioz. E kohën më shumë e kalojnë duke folur për të tjerë, duke u dëfryer e luajtur me moralin dhe jetën e njerëzve të tjerë. Këta njerëz hipokritë, dije o njeri i devotshëm, se aspak s’e qortojnë vetveten e tyre, nuk flasin për problemet e tyre, nuk u intereson as familja e tyre. Hipokriti, me zemrën e tij të prishur, kurdoherë flet, vetëm zjarr nxjerrë!

Jo, këta ende janë të dehur në hipokrizinë e tyre. Zemrat e tyre ende janë të prishura. Nuk dinë të pendohen e të përmirësohen. Sepse zemra duhet të kurohet. E derisa të dehur në paditurinë e tyre janë, këtyre as të përkujtuarit e Zotit që ndonjëherë bëjnë, nuk u bën dobi, nuk ua qetëson zemrat! E si zemrat e hipokritëve të qetësohen, kur ata s’kanë zemra. Zemra të zbrazëta, e të mbushura vetëm me errësirë, janë të thata dhe të pajeta!

Po këta njerëz hipokritë i pret dënim i dhimbshëm! Këta janë më të poshtëruar sesa mohuesit, sesa ata që e deklarojnë pabesinë!

Sa të dëmshëm që janë hipokritët! Këta duke mashtruar vetveten, shkaktojnë përçarje në mesin e njerëzve. Këta duke u shtirë tregtojnë me moralin e njerëzve të mirë. Këta duke tradhtuar vetveten, çnderojnë nderin e njerëzve të devotshëm. Jo, kurrsesi! Këta janë njerëz të errët, të paforcë, këta e kanë poshtëruar vetveten! Njerëzit e devotshëm e të ndershëm, i ruan Zoti, i Cili i zotëron edhe këto zemra të prishura!

E padyshim, ndëshkimin ndaj hipokrizisë së tyre do ta përjetojnë edhe në këtë jetë! Jo vetëm në varr, e në Ditën e Tubimit, e jo vetëm në Xhehennem – vend mjerimi e dëshpërimi i njëmendtë! Edhe në këtë jetë këta ndëshkohen. Vallë, a nuk është ndëshkim, të ndjehet njeriu i zbrazët në zemër e shpirt! A nuk është ndëshkim, të mos ndjehet qetësia dhe paqja kurrë! Po, sepse këta gjithnjë janë të shqetësuar, të dëshpëruar, të hidhëruar e të hasmuar! Nuk kanë qetësi e as rehati. E dëshpërimi e dhembja më e madhe do të jetë pra në Jetën e Përhershme!

E hipokrizia është në gjuhë, në mendje, në zemër, e në gjymtyrë! Mund të flas, të mendojë, të ndjejë, e të veprojë, por ai hipokrit është! Kur secili veprim bie në kundërshtim e në konflikt, e jo në pajtim e harmoni, e pra era hipokrizi vjen! Hipokriti vetvetes zjarr i ka hapur! Vetveten e ka poshtëruar.

O Allah, na ruaj nga hipokrizia dhe nga gjithçka që mund të na shpie në hipokrizi!

Ve ma et-teufik ila bilah!
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top