Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka nisur të hetojë ish presidentin Fatmir Sejdiu dhe ushtruesin e detyrës, së presidentit, Jakup Krasniqi për shkelje të ligjit për faljet dhe Kushtetutës së Kosovës.
Sipas prokurorisë Sejdiu dhe Krasniqi bashkë me anëtarët e komisioneve ad hoc kanë falur të dënuar për krime të rënda, si trafikim me qenie njerëzore, vrasje të dyfishta e dhunim.
Një ish i dënuar, F.H. ishte falur më 2009 nga presidenti Sejdiu, e një ditë pasi ishte liruar nga burgu, kishte vrarë gruan e tij.
“Jemi në fazën e grumbullimit të informacioneve, po punohet shpejt. Në fakt, unë kam kërkuar nga policia që me urgjencë të grumbullojë informacione”, i ka thënë KTV, prokurorja Drita Hajdari, pa dhënë detaje të tjera.
Që nga viti 2009, presidentët kanë falur pjesërisht dhe në tërësi më shumë se 236 vjet burgim për 227 të dënuar, ndër ta edhe 10 femra.
Këtë vit presidentja Atifete Jahjaga ka falur vetëm 15 persona, kryesisht me dënime të lehta.
(ar.si/BalkanWeb)