Hasan Zyko Kamberi

Loyalty

Anëtar i Nderuar
Nga përfaqsuesit më të shquar të letërsisë shqipe me alfabet arab është Hasan Zyko Kamberi. Tematika që trajtoi ai në vjershat laike, paraqet interes të veçantë, sepse i bëri jehonë gjendjes shpirtërore dhe pakënaqësisë së masave fshatare mbi të cilat rëndonte pesha e vuajtjeve dhe shfrytëzimi i egër feudal. Për jetën e H.Z.Kamberit dihet pak. Ishte nga fshati Starje i Kolonjës. Siç del nga ndonjë vjershë e tij, ka kaluar një jetë të varfër e të vështirë. Ka të ngjarë të ketë mësuar në ndonjë medrese. Më 1789 mori pjesë si mercenar në luftën turko-austriake mbi Danub. Në këtë fushatë jo vetëm që s'e rregulli dot gjendjen ekonomike, por edhe vuajti shumë, siç do e tregojë në vjershën "Seferi humajun„ (Lufta mbretërore). Vdiq në fillim të shekullit XIX. Nga krijimtaria e Hasan Zyko Kamberit njihen 50-60 vjersha lirike. Shkroi edhe poezi fetare.
Rëndësi të veçantë kanë poezitë e tij me temë laike.
Ndryshe nga bejtexhinj të tjerë, të cilët shpesh poetizuan zakone e mendësi të jetës orientale të qyteteve e të mjediseve feudale, H.Z.Kamberi në këto poezi pasqyroi jetën e fshatit shqiptar të shekullit të XVIII, vuajtjet, pasigurinë dhe pakënaqësinë e fshatarëve. Me nota realiste gjejmë në të edhe një frymë të theksuar kritike e mospajtimi me realitetin, gjejmë dhembjen e poetit për gjendjen e njerëzve, që s'u ecën fati.
Një nga vjershat me tipike është "Bahti im„ , ku autori shpreh pakënaqësinë ndaj jetës dhe ankohet për fatin(bahtin), që s'e ndihmoi për të marrë prona e pozita, siç ndodhi me disa të tjerë.
Zu Hasani e zihetë,
me baht e tij po prihetë,
vallë, ku rri e fshihetë,
që s'punon, more bahti im.
Edhe vjersha "Seferi humajun„ (Lufta mbretërore) shpreh po atë gjendje pakënaqësie e zhgënjimi. Vërtet kjo merr shkas nga përvoja e hidhur e vetë poetit në fushatën e vitit 1789, por, në të vërtetë, në të zë vend një shqetësim më i gjerë. Aty i bëhet jehonë pakënaqësisë së përgjithshme të vegjëlisë nga fushatat ushtarake të osmanëve, që njerëzve të thjeshtë u sillnin vetëm fatkeqësi dhe mjerim, kurse fitimet i përvetësonin feudalët e mëdhenj dhe komandantët ushtarakë.
Për jetën e varfër e të rëndë të vegjëlisë fshatare flet edhe vjersha "Trahani„. Duke e shkruar me ironi të hollë e humor therës për këtë gjellë të të varfërve, autori s'e fsheh dhembjen për mjerimin e tyre, për faktin brengosës se ishte lumturi kur arrinin të shuanin urinë me trahana.
Tetë muaj gjithë ç'janë
Që e zjejnë dhe e hanë
Fukarasë i mbanë hajanë(1)
Dritë kush gjeti trahanë
Notat e humorit, përzier me ankimin e poetit për fatin e të rinjve, përshkojnë edhe vjershën "Gjerdeku„. Në të cilën pasqyrohen çaste nga jeta dhe brengat e vajzave që janë gati për martesë e që s'e dinë ç'fat i pret, meqë i martojnë pa i pyetur. Por, veç kësaj, ato i mundon edhe varfëria, ashtu siç i detyron edhe djemtë të marrin rrugën e kurbetit për të siguruar të hollat e nevojshme për martesë. Gjejmë në të edhe përshkrime zakonesh të martesës, por më tepër shqetësimin e të rinjve dhe të autorit për fatin e tyre.
Cupatë po bëjnë fiqiri(2)
"Vallë, ku e kemi takdir(3)?„
I martojnë me pahir
Se umur(4) ndë dorë s'kanë. Edhe në vjersha të tjera, si "Gratë e va„ , "Hasani bën shiqojet„(ankohet), "Vasijetnameja„(Testamenti) H.Z.Kamberi vë gishtin në plagë të ndryshme të shoqërisë së atëhershme.
Por poezia e tij më e fuqishme, ku prirja realiste e fryma kritike kanë gjetur shprehjen më të plotë është "Paraja„ ,
ajo është një satirë e fuqishme e gjithë sistemit politik feudal, e korruptimit të tij të gjithanshëm, madje edhe vlera e njeriut matet jo me cilësinë e virtytet e tij, por me paratë që ka.
Këto ide poeti is hfaq nëpërmjet ironisë e sarkazmës therëse, që godasin pa mëshirë gjithë piramidën shtetërore e shoqërore, që nga mbreti e veziri e gjer tek nënpunësi më i thjeshtë.
Mbreti q'urdhëron dynjanë,
që ka vënë taraphanë(5)
e i presënë paranë,
ia di kimenë parasë.
Poeti nuk kursen as autoritetet më të larta të fesë. Me sarkazëm të guximshëm ai zbulon se prapa shenjtërisë së tyre të shtirur fshihet një shpirt i pangopur fitimi, që i shtyn të bëjnë padrejtësi më të mëdha; e kanë ujdisur me djallin, siç shprehet poeti.
Patosi satirizues e demaskues zgjerohet edhe më tej, kur poeti zbulon se në atë shoqëri të shthurrur nuk ekzistonte as drejtësia më e vogël, se njerëzit e ligjit, kadilerët, e shtrembëronin këtë në mënyrën më të paturpshme, vetëm për të shtënë në dorë sa më shumë para.
Kadiu, t'i rrëfesh paranë,
ters e vërtit sherihanë(6),
për para ç'e shet t'anë,
ia di kimenë parasë.
Funksion të dukshëm ideoartistik ka vargu "ia di kimenë parasë„. Që përsëritet si refren në fund të çdo strofe. Ai përforcon idenë se në atë shoqëri ku merret nëpër këmbë çdo virtyt, ku njerëzit robotizohen e vuajnë, paraja është epiqendra e jetës. Vjersha tingëllon si një satirë e fortë që shpreh zemërimin e fshatarësisë shqiptare kundër shfrytëzimit të saj në kushtet e sistemit feudal në shuarje e sipër. Kuptohet që protesta e poetit është spontane, nuk shkon larg dhe ai shpesh bie në fatalizëm.
Vjershat laike të H.Z.Kamberit patën përhapje të gjerë në popull, se ato prekën plagë shoqërore të kohës. Veç kësaj gjuha e tyre është më e pastër se e poetëve të tjerë bejtexhinj. Vargu që përdor, është tetërrokshi i poezisë popullore.
H.Z.Kamberi qe poet i talentuar. Krijimet e tij i njihnin dhe i çmonin edhe rilindësit: Naimi, Samiu, Vretoja. Naimi shkruante: "Në mes të vjershëtorëve të Shqipërisë ka zënë kryen Hasani i Zyko Kamberit„.
Me poezinë e H.Z.Kamberit, Z.Bastarit e ndonje tjetri duken shenjat e para të realizmit në poezinë shqiptare…


SHPJEGUES
1- Jetën (shpirtin)
2- Mendohen, vrasin mendjen
3- Ku është thënë për ne
4- Jetë
5- Institucioni që pret monedhën
6- Ligjin, gjyqin​
 
Paraja
Mbreti qe urdhron dynjane
qe ka vene taraphane
e i presene parane
Ja di kimene parase

Dhe veziri qeshte veqil
ze sikur te benet adil
e mos thot dot kaly-kil
ja di kimene parase

Sheh islami q'jep fetfane
Qe di qitapete qthane
nuk kacirdis parane
Ja di kimene parase

Myftiu e myderize
edhe kyrra e vaize
Kane ujdisur iblize
ja di kimene parase.

Dhe kadiu i.mehqemese
qe rri siper sixhadese
edhe shehuni teqese
Ja di kimene parase.

Dhe pashallare e bejlere
edhe avame e te tjere
Per para apene krere
Ja di kimene.parase.
Kadiut ti rrefesh parate terse verdit sheryan
per para sa se shet tane
Ja di kimene parase.

Edhe foshjna qeshte ne djep
Zgjat doren te thote ''nep''
ta marre ta vere ne xhep
ja di kimene parase.

Eshe gala qe nuk flet
leshoja njenpara ne dhet
e merr e shpie ne folet
ja di kimene parase.

Paraja te ben sulltan
paraja te kurdis divan
paraja cdo hall derrmon
ja di kimene parase
(...)
O paraja murdare
Qe ben boten avare
qe gjesdis porai zagare
Ja di kimene parase.
 
Bahti Im (Fati Im)
Zu Hasani e zihetë,
me baht të ti po prihetë:
vallë ku rri e fshihetë,
që s'po punon,more bahti im?

Un' i mjeri kam bërë aht
të të pyes,ty more baht:
sos u bëre vezir me taht,
që s'punon,more bahti im?

Ndë je turk,ndë je me mënt,
as më rrëfe yzrinë tënt,
as mos je haps në ndonjë vënt,
që s'punon,more bahti im?

Ndë je ymmeti Muhamet,
më rrëfe ç'ësht ky hiqmet.
Mos je zaif e s'ke kyvet,
që s'po punon,more bahti im?

Të të dije,mos je dembel?
Mos je hokabaz,që qit mel?
Mos je shair e çallidis tel,
që s'punon,more bahti im?

A mos t'është zënë mesi?
Mos të ka zënë përdhesi?
Mos t'është grisur thesi,
që s'punon,more bahti im?

Vallë,mos kemi bedua,
që s't'ecën as ty,as mua?
Ndë je me din,as më thua,
që s'punon,more bahti im!...

Ah,bahti im rumbullaku,
pse qenke ti kaqë ahmaku?
Pse s'i ndihe këti plaku,
që s'punon,more bahti im?

Kur zënë bota,punojnë,
turli punëra,ndërtonjë,
ty valle ku të dërgojnë,
që s'punon,more bahti im?...

Shokëtë punojnë me pluk,
gjetnë mëndafsh e pambuk,
ti pështille,kruhe si shup,
që s'punon,more bahti im?

Shokë blenë iltizame,
marinë arsa e ilame,
ti po thua qysh të hamë,
që s'punon,more bahti im!...

More bahti im i ndyrë,
i fëlliqur' e i pështyrë,
të dije se ku ke hyrë!
As punon,more bahti im!...

Vështo,bahn,të mos përtojmë,
sa të mujmë të punojmë,
se djemtë do t'i martojmë:
As punon,more bahti im!

- poezi nga Hasan Zyko Kamberi
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top