“Habilajt” mbërthejnë shqiptarët para televizorit, audiencë rekord tre javët e fundit

“Habilajt” mbërthejnë shqiptarët para televizorit, audiencë rekord tre javët e fundit

dosja-habilaj-900x436.jpg


Që kur mediat publikuan dosjen e “Habilajve”, që akuzoheshin për trafik droge nga shteti italian dhe prokuroria shqiptare kërkoi arrestimin e ish ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri, vëmendja e mediave dhe e publikut ka qenë maksimale. Ashtu si një telenovele, që ka gjithmonë kthesa të papritura dhe nuk mbaron kurrë, nuk kanë “zhgënjyer” as seritë e politikës shqiptare. Tahiri nuk u arrestua, por historia nuk ka mbaruar. Paralajmërime për dosje të tjera e kanë mbajtur publikun të mbërthyer në pritje të zhvillimeve të reja, që ashtu siç ndodh edhe në telenovela mund të zgjasin pa fund dhe me “happy end”.

Të dhënat e audiencës të publikuara nga kompania e matjes së audiencës, “Telemetrix” dhe të përpunuara nga “Qendra e Kërkimeve Monitor” tregojnë se ka pasur një rritje të dukshme të shikueshmëritë tre të enjtet e fundit.

E enjtja në mbrëmje është kryesisht dita e politikës, kur konkurrojnë në prime time (kohën me shikueshmëri më të lartë), “Opinion” në TV Klan, “Top Story” në Top Channel, “Të paekspozuarit” në “News 24” dhe “360 gradë” në Ora News.

Të dhënat historike tregojnë se përgjithësisht, kur nuk ka zhvillime të dukshme, të katër programet arrijnë një shikueshmëri ‘rating’ mesatare prej rreth 20% përgjatë fashës orare 21.00-23.00. (Rating – tregon shikueshmërinë gjatë një fashe kohore apo programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e totalit potencial të audiencës; pra duke përfshirë edhe familjet që nuk janë duke parë televizor). Të enjten e 5 tetorit, kur situata ishte e qetë dhe nuk dukej në horizont ndonjë shenjë stuhie, ‘rating’ për të katër televizionet ishte 18.5%, ku kryesonte Tv Klan me rreth 10%.

Ndërsa në mbrëmjen e 12 tetorit, kur ranë rrufetë e para pas publikimit të Dosjes së Habilajve dhe kur filloi të flitej hapur për lidhjet e krimit dhe drogës me politikën, audienca mesatare e mbrëmjes (rating) ka kërcyer në 32.4% për të katërta televizionet në fjalë të marra së bashku.

Një javë më pas, në 19 tetor, kur më herët në mëngjes prokuroria kishte kërkuar arrestimin e ish ministrit të brendshëm, audienca (për të 4 televizionet) ka arritur në 32.7%. Shikueshmërinë e ka rritur ish ministri i brendshëm Saimir Tahiri, i ftuar në Opinon, me një ‘rating’ prej 26.2%. Kjo audiencë, teksa ish- ministri doli përballë publikut pothuajse i përlotur, ishte më e lartë se ajo e telenovelës indiane “Si ta quaj këtë dashuri”, (që transmetohet po në Klan) dhe arrin një ‘rating’ mesatar prej 23%, dhe shumë më e lartë edhe se emisioni argëtues “Portokalli” në Top Channel, që kishte në të dielën e mëpasshme (22 tetor) një ‘rating’ mesatar prej rreth 20%.

Tahiri është ndjekur shumë më tepër se shefi i tij, kryeministri Rama, që pak javë më parë, në intervistën e dhënë në “Top Story” në 16 shtator, arriti një ‘rating’ prej 6.3%.

Interesi i lartë ka vijuar edhe këtë javë, ku ditën e djeshme (19 tetor), ‘rating’ për të katër televizionet, që sërish kishin në fokus lidhjet e krimit me politikën. Gjithsesi ai ishte në rënie në krahasim me dy javët e mëparshme në 27.4%, duke sinjalizuar shprehjen e njohur se “çudia më e madhe tre ditë zgjat”.

Matjet e audiencës tregojnë se edhe përgjatë kësaj jave emisionet që kanë trajtuar çështjet politike kanë marrë vëmendje të lartë. Psh, gjatë ditës së hënë, “Opinion” ia ka kaluar lehtë programit argëtues “”Dance with me“, që transmetohet më herët në Tv Klan.

Të martën e kësaj jave, në News 24, audienca arriti në 6.3% në mbrëmjen kur ishte i ftuar Sali Berisha, që është dy herë më e lartë se audienca mesatare e atij televizioni gjatë gjithë ditës.

Politika ka rritur shikueshmërinë e televizioneve tre javët e fundit. Në total, ‘rating’ mesatar, për të katër televizionet përgjatë 24 orëve është rritur nga 14.7% në datat 2-5 tetor, në 16.5% në 22-26 tetor, ky audiencën kryesore e ka TV Klan, i ndjekur nga Top Channel, News 24, Ora News.

Capture-19.png


b.tiranaobserver
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top