Guyana njeh pavarësinë e Kosovës, ndërkaq gjatë ditës pritet të bëhet edhe zyrtarizimi, deklaroi për RTK-në, një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ).
“Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj sot po qëndron në Guyana. Ky shtet pritet që sot ta zyrtarizojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, përmes aktit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve”, deklaroi ai.
Nënshkrimi i marrëdhënieve diplomatike do të bëhet sot nga ministri Hoxhaj dhe homologia e tij nga Guyana, Carolyn Rodrigues – Birkett.
Ministri Hoxhaj në këto dy vite disa herë ka vizituar shtete të ndryshme të Amerikës Latine dhe të Amerikës Qendrore, në përpjekje për të bindur përfaqësuesit e tyre që të marrin vendimin e njohjes së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur. /Telegrafi/
Qeveria e Republikës së Jemenit ka njoftuar njohjen zyrtare të Kosovës, si shtet të pavarur dhe sovran. Njoftimi është publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Jemenit, transmeton Agjencia e Lajmeve e Jemenit, Saba.
“Qeveria e Republikës së Jemenit do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës me qëllim të fuqizimit të marrëdhënieve bilaterale dhe asaj që i shërben marrëdhënieve të përbashkëta midis dy popujve e vendeve miq në të gjitha fushat”.
Qeveria e Jemenit shpreh aspiratën që Republika e Kosovës të luajë rolin e saj aktiv si anëtar i ri në komunitetin ndërkombëtar, duke i shërbyer sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë.
Gjithashtu në kumtesë shprehet dëshira e këtij shteti që marrëdhëniet e mira dhe respekti i ndërsjellë të mbizotërojë midis dy vendeve fqinje, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me qëllim të prosperitetit të dy popujve, sigurisë e stabilitetit në rajon dhe punës për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura midis tyre sipas të drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së. Gazeta Shqiptare