Greqia të shpallet shtet multietnik, i grekëve, arvanitasve (shqiptarëve)…

legjenda

MAQEDONIA E VERIUT
Edhe pse u dha si lajm pasqyrues në disa media shqiptare qëndrimi i diplomacisë greke përmes gazetës “Kathimirini” mbi një lloj tensioni në marrëdhëniet dypalëshe për shkak të disa çështjeve “të mbetura pezull”, në fakt nuk pati jehonën e duhur dhe kaloi si një lajm i thjeshtë i radhës. Gazeta greke që i referohej burimeve diplomatike të Athinës, ngrinte disa çështje që realisht duhet të përbënin objekt diskutimi politik, diplomatik e mediatik edhe në Tiranë, pasi nuk janë çështje kalimtare apo pa peshë, pasi vërtet prej disa kohësh ndjehet njëfarë ftohjeje apo “kërcitje” në marrëdhëniet dypalëshe. Duket se qeveria Rama, në ndryshim me qeveritë e mëparshme, ka ndryshuar kurs kundrejt Athinës duke llogaritur kësaj here edhe interesat shqiptare e duke mos iu bindur pa kushte kërkesave apo pretendimeve greke. Madje ka kaluar dhe “vijën e kuqe” në marrëdhëniet tradicionale shqiptaro-greke duke ngritur në nivel diplomatik dhe duke artikuluar të drejtat e komunitetit çam të dëbuar në mënyrë të paprecedent nga shteti grek pas LDB, si dhe ka zëvendësuar beniaminin e qeverisjeve shqiptare të 25 viteve, kryetarin e PBDNJ, me kryetarin e partisë që identifikohet si “e çamëve”. Kjo ka sjellë që nga Athina të vijnë reagime dhe etiketime për qeverinë Rama si “nacionaliste e izolacioniste”.
E mësuar të ndikojë fuqimisht në politikën e Tiranës përmes emisarëve të vet të dislokuar në të gjitha krahët e politikës shqiptare, ky reagim i Athinës duket i arsyeshëm, pasi është prishur me sa duket komforti që ishte krijuar për të përgjatë çerek shekulli. Më tej edhe ajo që u duk se ishte drejt realizimit dhe që përbënte një fitore strategjike për Athinën, marrëveshja për ujërat detare, prej së cilës ajo përfitonte jo vetëm sipërfaqe detare por edhe një pozicion nevralgjik, u rrënua po prej kësaj qeverie. Dhe nga zakoni i viteve, asaj i duket e natyrshme që të ushtrojë trysni e të shprehet edhe për çështje të brendshme të shtetit shqiptar, në statusin e shtetit kontrollor apo protektor, madje edhe të diktojë qëndrime për koalicionet qeverisëse apo zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, apo të “shqetësohet” edhe për marrëdhëniet me qeverisë së Tiranës me Serbinë e Turqinë.
Qëndrimi aktual i Greqisë në fakt shpreh një mendësi dhe praktikë të rrënjosur për mëse dy dekada në marrëdhëniet dypalëshe, duke u nisur nga premisa e raportit të zhdrejtë në to, që janë karakterizuar jo nga reciprociteti por nga një pozicion inferior e deri kapitullant nga pala shqiptare. Ka munguar sinqeriteti dhe serioziteti për t’i ngritur këëto marrëdhënie në nivelin e duhur për dy shtete fqinjë, për të sheshuar ato handikape që qëndrojnë pezull dhe prodhojnë patjetër kriza në kohë të volitshme. Parreshtur kemi dëgjuar dhe i jemi bindur retorikës “integruese” të Athinës, madje dhe duke u “ndjerë në faj” nga qortimet e saj, pa u ngritur në nivelin e partneritetit dhe reciprocitetit mes dy vendeve. Raportet diplomatike janë karakterizuar më tepër nga leksionet greke për të drejtat e njeriut e posaçërisht për minoritetet, apo për standartet europiane që kërkon integrimi sipas këndvështrimti grek, për detyrat që duhet të plotësojë Shqipëria kundrejt Greqisë që të arrijë këtë integrim etj. ndërsa diplomacia shqiptare, duke qenë në rolin e nxënësit të zellshëm, ka vrapuar të zbatojë detyrat e caktuara nga Athina.

Greqia si shtet multietnik

Asnjëherë diplomacia apo politika shqiptare nuk ka marrë kurajon të ngrihet në nivelin e sinqertë të reciprocitetit dhe të konstatojë apo t’i njohë Greqisë atributet reale që ajo ka pikërisht në këtë kuadër, pra të vlerave demokratike të bashkësisë europiane ku ajo bën pjesë. E në këtë kontekst, ajo çka është dhe objekti i këtij shkrimi dhe që përbën një ridimensionim jo vetëm të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe një ridimensionim të partnerit dhe fqinjit tonë grek, do të ishte një kontribut i vlertë i diplomacisë shqiptare që përveç të tjerave t’i njihte Greqisë statusin e “shtetit multietnik”. Kjo do të ndryshonte rrënjësisht dhe shtratin e marrëdhënieve, si dhe të profilit të këtij shteti në skenën rajonale e më gjerë.
Në fakt, kjo as është ngritur dhe as ka përbërë ndonjë axhendë mirëfilli diplomatike as dypalëshe e as shumëpalëshe, duke krijuar një raport të zhdrejtë na marrëdhëniet ndërkombëtare në rajon. Orientimi ka qenë përherë i njëanshëm, është tentuar dhe vijon të tentohet që të paraqiten shteti shqiptar dhe, së voni, ai i Kosovës, si shtete multietnike me arsyetimin (apo pretekstin) se këtu gjenden minoritete etnike të tjera. Ndërsa për Greqinë është pranuar statusi i shtetit monoetnik, dhe si i tillë është integruar edhe në organizma apo bashkësi ndërkombëtare. Po si qëndron realiteti dhe a duhet të përfshihet në axhendën diplomatike shqiptare një aspekt i tillë?
Mund të bësh pjesë në një bashkësi që mbahet si model i aplikimit të vlerave demokratike, të lirisë e të drejtës, si Bashkimi Europian, dhe në të kundërt të jesh shembulli më tipik dhe më flagrant i kundërshtisë qysh në themel të atyre vlerave të propaganduara. Ky është rasti i Greqisë. Dhe duket njëlloj paradoksi që, ndërsa të tjerëve që kërkojnë të bëhen pjestarë të kësaj bashkësie u kërkohen parametra optimalë të aplikimit të atyre vlerave tashmë të njohura, për Greqinë pranohet në mënyrë të pakontestuar një realitet krejt i papërligjur i funksionimit të shtetit mbi bazën e diskriminimit etnik e fetar, i shtypjes që në embrion të çdo lëvizjeje afirmuese të etnive atje. Pranohet butaforia e madhe sipas së cilës Greqia është një shtet monoetnik, shtet kombëtar grek, kur në të vërtetë është dhe duhet të konsiderohej ndërkombëtarisht si një shtet i mirëfilltë multietnik. E në rast të funksionimit të kësaj formule, pra të multietnicitetit, do të shtrohej edhe detyra e bashkëjetesës harmonike të disa etnive në një shtet të vetëm e të njësuar. E në këtë vazhdë edhe pala shqiptare nuk e ka çuar ndonjëherë nëpër mend ta shtrojë si modalitet në tavolinën e bisedimeve apo të mbajë qëndrim karshi kësaj, edhe pse në këtë rast do të ishte fort e interesuar dhe do të kryente një shërbim të rëndësishëm ndaj vetë partnerit e fqinjit që “përpëlitet” nën një rrobë krejt të parehatshme për të, pasi i duhet të mbulojë parreshtur gungat që ngrihen mbi harmoninë në dukje të shtatit të saj.

Reagime sporadike mbi realitetet etnike në Greqi

Kohë pas kohe, ka pasur edhe reagime sporadike në lidhje me realitetet etnike në Greqi, por që janë fashitur me një përpjekje të mundishme intensive prej politikës e diplomacisë greke.
Pak vite më parë tërhoqi vëmendjen në këtë hulli një përkujtesë e ministrisë së jashtme turke për realitetin shqiptar brenda shtetit grek, përkujtesë që iu shpërnda kancelerive kryesore europiane e amerikane. Më tej, disa eurodeputetë të asaj kohe ngritën çështjen e të drejtave të minoriteteve dhe të lirisë së shprehjes në Greqi, ndërsa analistë, organizata joqeveritare, grupe të të drejtave, etj. janë shprehur mbi këto realitete si për t’i dhënë udhë procesit të përcaktimit dhe arritjes së një statusi të drejtë të etnive që përbëjnë dhe formojnë shtetin grek.
Po disa eurodeputetë, kohë më parë, interesoheshin mbi dënimin me burg të një anëtari të shoqatës së vllehëve të Greqisë, i cili kishte shpërndarë një broshurë mbi të drejtat e përdorimit të gjuhëve të pakicave në Greqi. Duke kontestuar njëkohësisht nenin 19 të kodit penal grek që dënoi atë, i cili bie ndesh me parimet e lirisë dhe demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit në Bashkimin Europian. Natyrisht ky interesim i parlamentarëve europianë ishte një praktikë rutinë e punës së Brukselit që merr për bazë ankesat që vijnë në drejtim të tij, dhe fatkeqësisht nuk përbën aspak hapjen e një kapitulli të vështirë dhe rrënjësor të problemeve që mbart Greqia në këtë drejtim.
Ndërsa përkujtesa e ministrisë së jashtme turke që thamë më lart zbërthente më realisht shkeljen flagrante të të drejtave të tre grupeve të shqiptarëve në Greqi: arvanitëve, çamëve dhe emigrantëve të viteve të fundit. Mjerisht kjo nuk u pasua, madje u shpërfill krejtësisht, nga politika dhe diplomacia e shtetit shqiptar të kohës, që shqetësohet jo pak publikisht dhe është i ndjeshëm për të drejtat e aziatikëve apo afrikanëve! Nëse problemi i ngritur nga parlamentarët europianë i atribuohet interesimit të shtetit rumun për vllehët e Pindit e të Gramozit, të cilët janë në një numër të konsiderueshëm, edhe angazhimi i europianëve është më i vëmendshëm pasi bëhet fjalë për një shtet që ka zë dhe është i përgjegjshëm për interesat dhe rolin e vet. Ndërsa në planin tjetër, edhe pse realiteti shqiptar në Greqi është mjaft më i madh se ai vlleh, shteti shqiptar nuk ka marrë kurajon dhe mundimin të artikulojë para organizmave ndërkombëtarë, apo në bisedimet me vetë shtetin grek, çështjet kardinale të pazgjidhura në shtetin grek në dëm të shqiptarëve. Roli i shteteve amë të pakicave apo kombësive që preken nga diskriminimi në shtete të tjerë, është përcaktues, kjo së paku e njohur deri më tash në realitetin e praktikave të zhvilluara në vende të ndryshme.

Pse Greqia është shtet multietnik

Me të vërtetë, Greqia nuk zotëron parametrat e një shteti të mirëfilltë kombëtar. Ajo është pasqyrë e qartë e përvetësimit të së drejtës shtetërore prej një etnie të vetme, e cila me kalimin e kohës ka vepruar në drejtim të mbulimit dhe shtypjes sistematike të ndjenjës etnike tek grupimet e tjera, me të gjithë mekanizmat represivë shtetërorë, kishtarë apo arsimorë. Në favor të këtij pohimi do të kujtonim faktin domethënës se në parlamentin e parë të shtetit grek të dalë prej revolucionit të vitit 1821, u shtrua për diskutim edhe gjuha zyrtare nëse do të ishte shqipja apo greqishtja, apo të dyja. Kjo për shkak të vetë realitetit jo vetëm në parlament por më së shumti në të gjithë Greqinë e atëhershme, ku mbizotëronte popullsia shqiptare (arvanite), protagoniste e njohur botërisht edhe e vetë revolucionit të ashtuquajtur “grek”.
Duke ardhur më vonë në kohë, duhet të kemi parasysh se me bashkimin e pjesëve shqiptare të Epirit, Thesalisë, Maqedonisë jugore e jugperëndimore, gjatë ndryshimeve të mëdha në fundin e shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20, padyshim që popullsia shqiptare do të përbënte shumicën në atë shtet nëse nuk do të ndodhnin shkëmbimet e popullsive mes Turqisë dhe Greqisë në vitin 1922. Shkëmbime të cilat përbëjnë dhe ripërtëritjen e elementit grek në atë shtet me të krishterë ortodoksë turkfolës, me popullsi pa vetëdije etnike por vetëm fetare, me grupe-mozaik etnike të cilët statusi i refugjatit “etnik” u jepte shansin të bëheshin promotorë të forcimit të kombformimit në Greqi, duke e bërë Greqinë aq “greke” siç e shohim sot.
Por megjithë këtë përtëritje të elementit grek, përsëri raportet e popullsive në Greqi deri në ditët e sotme, mbetën të papërligjura për ta quajtur “shtet kombëtar grek”. Në bazë të të dhënave, grekët e “vërtetë” nuk përbëjnë as 30-35 përqind të krejt popullsisë 10.5 milionëshe në atë vend. Mbi shifrën 35 përqind vërtiten edhe arvanitët (shqiptarët autoktonë të viseve të Greqisë) pa llogaritur pjesët e shqiptarëve të Epirit, Thesalisë e të Maqedonisë Jugperëndimore (Kostur, Follorinë, Konicë, etj.), dhe të vajturit në këto dy dekadat e fundit. Ndërkohë që edhe vllehët (rreth 15-20 përqintd, turqit, bullgarët (sllavofonët e pjesës lindore të Greqisë), romët apo edhe të tjerë janë në shifra të konsiderueshme. Kujtojmë se një milionë bullgarë nënshkruan para disa vitesh një përkujtesë ku afirmonin përkatësinë e tyre, në pellgun e Selanikut.
Kështu pra, në një shtet ku shumicat relative janë grekët dhe arvanitët, ku ka përqindje të larta edhe të të tjerëve, është e pamotivuar që të cilësohet kombëtar (grek) meqënëse për arsye subjektive, rrethanore e përkrahje ekskluzive të forcave madhore ndërkombëtare, i është dhënë përparësi njërës etni, asaj greke, duke përkujtuar artificialisht një shëmbëlltyrë të antikitetit grek. Ndërkohë që ajo, pra Greqia, duhet t’i kishte atributet e një shteti tipik multietnik, qoftë për ekzistencën e dy etnive kryesore shqiptare e greke, qoftë edhe për karakterin e themelimit zanafillor të tij si një lëvizje politike shtetformuese shqiptaro-greke. Nuk është vështirë të dallohet se grekët për të motivuar ekzistencën teorike të shtetit të tyre kombëtar nuk kanë bërë gjë tjetër veç kanë punuar intensivisht vetëm në drejtim të një parametri, atë të frymës helenizuese për grupet e tjera etnike atje (përmes kishës, arsimit, represionit shtetëror, shpërblimit e korruptimit ekonomik) dhe duke e ngritur në sistem kanë arritur që të mbajnë në gjendje latente një realitet që gjithsesi një ditë, në kushte të tjera, doemos duhet dhe do të shpërthejë. Fryma helenizuese është një parametër me të vërtetë frytdhënës, por veç si përkohësi, ajo s’mundet të superojë përgjithnjë parametrat e tjerë, që gjithsesi në kohët e sotme kanë filluar të japin shenjat e veta dalluese.

Një nismë që duhet ndërmarrë

Natyrisht vetëm artikulimi i një teze të tillë do të përbënte për situatën aktuale një “sakrilegj”, pasi do të hapte një proces jo fort të lehtë dhe të paparashikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por në shërbim të realitetit dhe njëkohësisht edhe për të ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një stad sinqeriteti dhe serioziteti, i takon palës shqiptare ta artikulojë përsëpari politikisht e diplomatikisht. Ndoshta kjo do të sillte edhe një reflektim të palës greke në këto marrëdhënie, pasi do të kujtohej se raportet dypalëshe janë ngritur mbi një realitet të zhdrejtë. Nëse deri më tani, për hir të politikave koniukturale apo oportuniste të zhvilluara përgjatë shekullit të njëzet, është lënë mënjanë e nuk është ngritur për diskutim problemi i multietnicitetit të shtetit grek, tashmë shteti grek nuk ka ato atribute në arenën ndërkombëtare që për hir të së përgjithshmes të sakrifikohen të tjera interesa dhe të tjera objektiva. Edhe shteti shqiptar, e më tej shqiptarët në përgjithësi, nuk janë më në atë stadin e mjerimit, por janë faktorizuar ndjeshëm këto dhjetë vitet e fundit. Kështu që kërkohet një ridimensionim në marrëdhëniet rajonale për të ndryshuar atë raport faktorizimi që ka ekzistuar deri më tani.
Duke pranuar rëndësinë e shteteve amë të etnive të gjendura në pozita të tilla si në rastin e Greqisë, mund të themi se nëse arvanitët (shqiptarët e Greqisë) janë goditur rëndë në vetëdije dhe në instiktin veprues, kjo ka si shkaku kryesor mungesën e mbështetjes, nxitjes dhe lidhjess organike me shtetin simbol të etnisë së tyre përkatëse. Përballë shtypjes sistematike nga ana e institucioneve të përvetësuara nga grekët, arvanitët nuk kanë gjetur ankorimin shpëtues tek shteti shqiptar, e për rrjedhojë janë ndrydhur edhe më tej në fatin e tyre humbës.
Asnjëhere shteti shqiptar nuk ka protestuar përpara organizmave ndërkombëtarë për shqiptarët e Greqisë, që për nga numri mund të jenë të barabartë me vetë popullsinë e shtetit shqiptar. Asnjëherë nuk ka trajtuar në bisedimet dypalëshe me palën greke për të drejtat elementare, të paktën të arsimimit, të përdorimit të gjuhës, organizimit apo lëvrimit të vlerave të popullsisë arvanitase, qoftë edhe duke i konsideruar si minoritet, edhe pse nuk janë të tillë por përbëjnë elementin vendimtar shtetformues të Greqisë.
Por multietniciteti i mohuar i Greqisë duhet të dalë në sipërfaqe dhe të shndërrohet në një proces aktiv e evolutiv politik e diplomatik. Kjo duket utopike kur kujton politikën e zhvilluar deri në këto vite në shtetin shqiptar, por duhet marrë në konsideratë se realitetet shqiptare kudo në Ballkan këto vitet e fundit kanë pësuar një evolucion të dukshëm, kështu që nuk ka sesi të mos pasqyrohet edhe në atë realitet shqiptar aq të rëndësishëm për fatin e mëtejmë dhe pozitën e kombit shqiptar në gadishull.
Greqia është faktikisht një shtet multinetnik, ky cilësor deri më tash i ka munguar. Së pari është e nevojshme që ai të artikulohet dhe të zërë vend në mendësinë e përgjithshme. Agoninë që po përjeton Greqia në mashtrimin e vet të deritanishëm, është në radhë të parë detyrë e shqiptarëve që t’i përkushtojnë kujdesin dhe terapinë efektive për t’ia larguar. Vetëm duke riafirmuar realitetet në bazë të potencialeve faktike të tyre, duke punuar dhe vepruar në drejtim të zhvendosjes së raporteve të derisotme në Greqi, shqiptarët mund ta shpëtojnë fqinjin e tyre duke i dhënë pamjen e vet natyrale si një shtet multietnik. ثshtë e rëndësishme që procesi të nisë, pastaj është gjë tjetër dhe nuk varet më vetëm prej shqiptarëve, nëse si i tillë ai shtet, pra Greqia multietnike do të vazhdojë të ekzistojë apo jo…
mbremje-shq.jpg
http://www.shqiptari.eu
 
Titulli: Greqia të shpallet shtet multietnik, i grekëve, arvanitasve (shqiptarëve)…

To view this content we will need your consent to set third party cookies.
For more detailed information, see our cookies page.


Dokumentar mbi arvanitasit nga historian grek.

To view this content we will need your consent to set third party cookies.
For more detailed information, see our cookies page.
 
Titulli: Greqia të shpallet shtet multietnik, i grekëve, arvanitasve (shqiptarëve)…

Ne fakt shekulli XXI filloi dhe vazhdon te flas shqip por ka vetem nje problem se shqiptaret nuk po kuptojne gjuhen ne te cilen po flet ky shekull, fatkeqesisht. :drumepre:
 
Titulli: Greqia të shpallet shtet multietnik, i grekëve, arvanitasve (shqiptarëve)…

To view this content we will need your consent to set third party cookies.
For more detailed information, see our cookies page.
 
Titulli: Greqia të shpallet shtet multietnik, i grekëve, arvanitasve (shqiptarëve)…

To view this content we will need your consent to set third party cookies.
For more detailed information, see our cookies page.
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top