Gratë që urrejnë gratë

Nuk dinë të bëjnë lobing, pengojnë njëra-tjetrën dhe zihen. Nga këngëtaret tek politikanet, lëvizja feministe duket se e ka humbur kuptimin. Më shumë se bashkëpunim dhe luftë për të vënë drejtësinë në vend, bota femërore ofron rivalitet dhe armiqësi të heshtur, njësoj si tek burrat



Nga Alba Demiri

Revista KLAN



Me shumë gjasë edhe në vitin elektoral që troket në Shqipëri pas pak muajsh do të dëgjohet refreni i shumëpërsëritur: Gratë në vendimmarrje. Do të diskutohen ligjet, listat elektorale, zotimet dhe përbetimet mashkullore se në fakt nuk kanë asgjë kundër grave në karrierë dhe sigurisht do të dalin dhe të flasin edhe ato që i kanë hyrë kësaj rruge duke marrë shembuj politikën, artin, kinemanë, teatrin, këngën. Do të thuhet për të disatën herë se praktikisht meshkujt nuk hapin edhe aq kollaj rrugë, por gratë sërish do ta provojnë. Fundja kjo është koha e duhur dhe imazhi i femrave përkrah njëra tjetrës, nga ato që duhen si të ishin motra, është përkufizuar edhe si ndjenja që mund të shpëtojë botën nga përhapja e çmendur e të papunëve dhe sidomos nga apatia politike. Jo shumë javë të shkuara e famshmja “New York Times” e ngriti në qiell “motërzimin” duke e quajtur një tjetër “pranverë arabe”, por e shpirtit kësaj here. Feminilitet. Duartrokitje… Kohë të paqëta moderne pra, me gruan në krye.

Veçse lajmet që vijnë kohë pas kohe transmetojnë një atmosferë aspak rozë në këtë fushë. Gratë, ndoshta po mundohen të bëjnë përpara, por me njëra tjetrën vetëm si motra që nuk janë. Meqë është i freskët, kushdo mund të ketë dëgjuar për rivalitetin e shpallur dhe “gafën e parë franceze”, menjëherë pas betimit të Fransua Holand në krye të Francës. Ish bashkëshortja dhe gruaja me të cilën ndan jetën u sollën si dy fqinje që nuk shihen dot me sy, shumë xheloze, hapur, njëra me tjetrën.

Ndërsa, sa për ta shqiptarizuar, jo më larg se fushata e kaluar elektorale shqiptare, pikërisht kur diskutohej i famshmi 30 përqind-ësh i pjesëmarrjes femërore në vendimmarrje, një mbrëmje grarore në “Opinionin” e Fevziut nuk bëri tjetër veçse vërtetoi atë që dihet: gratë nuk është se janë edhe aq të dashura, si të ishin motra, njëra me tjetrën. Emisioni degjeneroi në një kakofoni zërash grricës aq sa të krijohej bindja se pas siglës mbyllëse, të ftuarat do të ziheshin për flokësh, ndërkohë që, me të drejtë, drejtuesi i tij e tha në fjalën e fundit: imagjinoni sikur 30 për qind e parlamentit do të ishin gra! Dhe nuk merr fund me kaq. Ajo që ndodhi në “Opinion”, diçka rreth tre vjet më parë, nuk ishte vetëm një përballje e ndezur mendimesh pro dhe kundër, televizive. Në të vërtetë, siç ndodh kudo tjetër në botën e zhvilluar, përtej imazhit të butë femëror, veshur me kostume elegante, bizhu të çmuara dhe parfume ndjellës, fshihet mungesa e aftësisë për të punuar në grup, mungesa e stimës për veten – siç thonë disa – dhe morali i lëvizjeve feministe përfundon i shkelur nga takat e larta, të veshura, mbi të gjitha, për të rënë në sy.

Fjala vjen, pavarësisht se nga jashtë gjithçka duket në rregull, brenda politikës tonë vështirë t’i bësh bashkë, si dy shoqe të mira, dy femra që aspirojnë karrierën politike dhe që janë aktualisht në parlament apo karriget e larta të qeverisë.

Me apo pa fakte, të zeza mbi të bardhë, siç ishte rasti i zonjës së parë franceze Valeri Triervailer me ish bashkëshorten e Holand, Segolen Ruajal, këtu tek ne dihet dhe thuhet nën zë, për shembull, që kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli nuk e honeps edhe aq ministren e Integrimit, Majlinda Bregu ashtu siç edhe kjo e fundit nuk e ka pritur me fort entuziazëm emërimin e zëvendëses së saj, Grida Duma. Topalli dhe Bregu i kanë inatet e hershme dhe me aq sa komentohet pas çdo shkalle që kanë ngjitur në karrierë, dy gratë i përkasin grupeve të ndryshme brenda PD-së, pra janë të shpallura rivale, sado që në heshtje, dhe si të tilla nuk komunikojnë njëra me tjetrën. Luftojnë për karrierë secila në hesapin e vet dhe nëse u jepet rasti nuk e mendojnë dy herë t’i vënë shkopinj nën rrota njëra-tjetrës. Ndërsa Duma si e re në qeveri u pa si çudi edhe nga vetë eprorja Bregu. Një femër e bukur e katapultuar pa pritur e kujtuar në postet më të larta të ministrisë që punon vetëm për integrimin në BE, mund të ishte pse jo edhe një rrezik i fortë konkurrence, pra nuk u prit me entuziazëm e as me buqeta lulesh, pse shefja e madhe ishte femër si ajo, kur shkeli zyrën ditën e parë. Dy gratë e Ministrisë së Integrimit, ditët e para pas emërimit të Dumës si zv.ministre, e shprehën pa dashje mospëlqimin edhe në shfaqjet e para në publik, në mbledhje rutine pune ku ishte i dukshëm moskomunikimi e mbase edhe një lloj armiqësie e heshtur.

Në kahun e kundërt dihet gjithashtu se Luiza Xhuvani nuk i qas për fare dy koleget e saj në politikë, që gjithashtu vijnë nga bota e artit, Rajmonda Bulku dhe Yllka Mujo. Por inati mes tyre është shumë më i hershëm sesa dita kur pranuan të ngrinin flamurin e forcave respektive politike. Të treja janë munduar t’i prishin punë njëra tjetrës, me aq sa kanë mundur, qysh në kohët e hershme të rinisë, kur ishin yje në ngjitje në teatrin dhe kinemanë shqiptare. Luiza, bashkëshorte e një regjisori me emër, kishte përballë Rajmondën, e njohur ndërkaq si aktore, femër e bukur dhe e talentuar. Kjo e fundit pa gjithmonë si rivale të përjetshme, përveç Luizës, edhe Yllkën, e cila, me aq sa thonë kolegë të tyre, ka humbur jo pak role prej kësaj konkurence të zhvilluar në heshtje prej vitesh. Pastaj erdhi politika, një arsye më shumë për ta kthyer kokën në anën tjetër nëse gratë ndesheshin në rrugë. Tani debati se cila ishte më e zonja ka marrë një drejtim të ri. Njëra krenohet se i ka hyrë shumë vite më parë politikës se koleget e veta dhe tjetra se përkushtimi, por edhe shanset për të bërë përpara i ka më të mëdha. Kudoqofshin, në skenën e një teatri, sheshxhirimin e një filmi, apo në sallë parlamenti, ato thjeshtë nuk bëhen njëra me tjetrën.

Nëse politika është bërë më “e egër” për faj të burrave dhe iluzioni se gratë mund ta zbusin atë na ka gënjyer një copë herë të mirë, edhe “qeveria hije”, pra Partia Socialiste, nuk është pa shembuj të tillë “mirëkuptimi”. Mbërritja e papritur e Megi Ajtyresës tek forumi rinor i partisë, e po ashtu largimi i heshtur i saj, hyrja anësore e Ajola Xoxës apo më pas trokitja e fortë e Elisa Spiropalit në krye të FRESSH-it, të gjitha këto po lënë shenja në mjedisin femëror socialist. Pa harruar fërkimet e thashethemuara mes Arta Dades e Ermonela Felajt, pra garda e vjetër dhe ajo e re në parti, apo tërheqjen e kohëve të fundit të Olta Xhaçkës… Aleancat dhe armiqësitë mes grave, nuk u lënë asgjë mangët atyre të burrave.

Por, përse gratë atëherë lodhen duke bërë lobing, marrin në patronazh dhe betohen se do të ndihmojnë njëra-tjetrën në betejen për pushtet, përballë meshkujve? Ka teori që thonë se femrat nuk i njohin siç duhet mekanizmat e pushtetit, disa të tjera se gratë janë edukuar prej shekujsh të jenë të ëmbla, të sjellshme dhe në plan të dytë, shumë larg sallave ku merren vendime të mëdha ose bëhen punë të mëdha. Dhe sidomos shpjegohet më atë punën e mungesës së përvojës për të luajtur në skuadër: qysh në vegjëli, ndërsa djemtë luanin futboll, femrat merreshin me kukullat, vetëm.

Hirushja urrehej nga motrat e saj, sepse ishin pothuaj në të njëjtën moshë dhe në ajër vinte aroma martesë. Rezarta Shkurta, pasi u rrah me Rozana Radin, aq sa desh i nxorri syrin, doli e tha se fajin e kishte kjo e fundit: gjithmonë i kishte gjuajtur të fejuarin. Kjo punë doli sheshit pas mosmarrëveshjesh të nisura në një reality show në Kosovë dhe të importuara në Tiranë, në fund të të cilave u poll një përleshje fizike, në të cilën merrte pjesë edhe i fejuari i Rezartës, ai pra që këngëtarja pretendonte se Rozi donte t’ia merrte. Të dyja palët bënë denoncim në polici dhe aktualisht çështja është në gjyq. Ka përfunduar në Gjykatën e Faktit dhe priten zhvillimet në Apel. Për një mashkull thonë se ka lindur edhe armiqësia e betuar mes Altuna Sejdiut dhe Adelina Tahirit. Shkak që dy këngëtaret nga Maqedonia nuk flasin është aktori Blerim Destani. Ky i fundit, fort i lakmuar nga vajzat e ekranit, u shfaq në një ditëlindje përkrah Tunës. Mediat hamendësuan për lidhje dhe pas kësaj në sulm u hodh Adelina, e cila gjithashtu përflitet për një histori dashurie me Destanin. Një mashkull, me aq sa thonë, është sebepi edhe për një tjetër armiqësie sa i takon këngëtareve: Fjolla Morina dhe Drenusha Latifi.

Dhe meqë në këtë fushë armiqësitë femërore nuk janë aq të kamufluara sa në politikë, mjafton t’ju kujtojmë një sherr, që megjithëse është i hershëm në kohë, përmendet sot e gjithë ditën: ai mes Adelina Ismajlit dhe Leonora Jakupit. Dy vajzat, kur ishin në kulmet e veta, u zunë për flokësh në paskuintat e një skene dhe lajmi mori dhenë. Morën një dozë të mirë publiciteti, ama shoqëria, nëse ka pasur ndonjëherë të tillë mes tyre, mori fund përgjithmonë. Edhe sot, në çdo intervistë secila syresh e përmend përplasjen fizike, sigurisht duke ia hedhur fajin sho-shoqes.

Në vitin 1968 feminizmi e bëri motërzimin slogan, duke teorizuar se individualitete të ndryshëm mund të bashkëjetonin për bukuri nëse bëhej fjalë për një qëllim të përbashkët: ruajtjen e dinjitetit femëror, mbrojtjen e nderit, fitimi i të drejtave të barabarta me meshkujt etj. Lëvizjet merituan duartrokitje me shumicë. Mirëpo këto kohë lëvizja i ka ndryshuar konceptet deri në kufijtë më të paimagjinueshëm, aq sa po jepen shembujt më të këqinj të mundshëm. Thuhet se brenda llojit po konsumohet një luftë e ashpër dhe gratë po bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë: rrëzojnë njëra tjetrën. Këtë sezon televiziv ka shumë mundësi që Albana Osmani të mos marrë asnjë emision, qoftë edhe ndonjë nga ata rinorë, në të cilët prezantohet vetëm muzikë dhe thashetheme për personazhet e njohur.

Ka një rivale të fortë brenda Top Channel: prezantuesen më të mirë të momentit në këtë televizion që rastësisht ka një emër shumë të ngjashëm dhe mbiemër të njëjtë me të, Arbana Osmani. Vajzat nuk është se janë zënë ndonjëherë nga flokët, siç bëjnë këngëtaret, por ama nëpër rrethet e tyre shoqërore nuk ia përtojnë t’i hedhin thumba njëra-tjetrës. Albana është e gjatë, trup modeleje, vishet bukur. Arbana ama është e zonja në prezantim, nuk i rrëshqet kurrë situata nga dora me ndonjë fjalë pa kuptim në shqip dhe mbi të gjitha mban një vend nderi në listën e prezantueseve. E kanë zënë me inat dhe si të tilla nuk humbasin asnjë rast po të jetë fjala për të prishur punë.

Nga ana tjetër edhe Xhemi Shehu nuk është se shkrihet nga kënaqësia kur përballet me Eneda Tarifën në ambjentet e Top Channel dhe jashtë tij. Ajo aty është prezantuese prej vitesh, është vajzë e bukur dhe ka investuar në fushën e prezantimit, por pas ikjes së Amarda Toskës vendin e saj në varietenë “Portokalli” e zuri Eneda. Erdhi nga jashtë, nuk kishte lidhje fare me prezantimin, por funksionoi, nuk bëhet fjalë ta lërë atë spektakël, për momentin të paktën. Pra zuri një vend që e synonte Xhemi, rrjedhimisht është një rivale e saj, me të cilën vështirë të flitet për shoqëri e aq më pak për diçka më tepër siç mund të jetë miqësia.

Pa një arsye që të thuhet me zë të lartë, edhe miqësia e ngushtë dikur, e Jonida Maliqit me stilisten Enada Atnikolla është venitur aq shumë sa dy gratë e njohura për disa kohë as e përshëndesnin njëra-tjetrën. Nëse dikur miqësia e tyre i kapërcente kufijtë personalë, ishte edhe familjare, tani vështirë të rrinë pranë e pranë në të njëjtin ambient. Me kalimin e kohës Jonida dhe Enada janë afruar disi, thonë se të paktën përshëndeten po të gjenden përballë, por për më shumë nuk bëhet fjalë.

Pas vitesh të gjata miqësi edhe shkrimtarja Diana اuli nuk ka më të njëjtat raporte të afërta me familjen Kadare, sidomos me bashkëshorten e shkrimtarit, Helenën. Ende edhe sot mbahet mend miqësia e para ’90-ës mes tyre, për më tepër që Diana ishte mbesë e Sofokli Lazrit dhe ky i fundit e ka ndihmuar më shumë se një herë familjen Kadare. Por pas ndryshimit të sistemeve me sa duket ka marrë fund edhe ajo shoqëri e ngushtë e hershme dhe kjo u vu re sidomos pas botimit të librit të Helena Kadaresë, në të cilin nuk përmendej në asnjë rrjesht as emri i Sofokliut dhe as lidhjet e tij me ngjarjet e shkuara. E kotë të thuhet se edhe shoqëria me Dianën duket se është fshirë nga kujtesa.

Gjithnjë në kurriz të antipative personale, në pozicione të përhershme luftarake kanë qenë edhe prima balerina e Teatrit të Operas dhe Baletit, Enada Hoxha, me balerinën, dikur po e këtij teatri, Anbeta Toromani. Dy vajzat ishin rivale të betuara qysh në bankat e shkollës dhe pas ikjes së Anbetës në Itali u duk sikur luftën e fitoi Enada. Kishte një partner-bashkëshort në krah, gjithashtu balerin i talentuar, u emëruan të dy prima balerinë, i hapën rrugë vetes të merren edhe me koreografi, pra misioni dukej i përfunduar. Por Anbeta nga ana tjetër e ngriti karrierën edhe aty ku shkoi, mori pjesë në spektaklin “Amici” dhe sot gëzon një dozë të mirë publiciteti në Itali. Ka disa telashe personale pas ndarjes nga modeli Oni Pustina, por kjo nuk ka shumë lidhje me profesionin. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se rivalja e saj e dikurshme është pikëlluar kur ka dëgjuar për atë çështjen gjyqësore që Anbeta ka më Onin dhe shumën e parave që balerina pretendon se i ka vjedhur ish i fejuari. Përkundrazi.

Së fundmi po qarkullon edhe lajmi tjetër se dy rivale të reja janë shfaqur në horizont: Elvana Gjata dhe Dafina Zeqiri po hahen kokë më kokë për ekskluzivitet në tregun muzikor dhe sidomos për koncerte, ftesat për të cilët nuk i pranojnë nëse nuk bëhet fjalë për pagesa 2500 euro e lart. Meqë Elvana është shumë e preferuar në Kosovë, Dafina i ka hedhur sytë këtej kufirit, duke e dhënë ekskluzivitetin e klipeve të veta vetëm në Tiranë. Pas prishjes së miqësisë së Dafinës me “Baba Stars”, thuhet se dy vajzat nuk takohen më, sepse edhe sikur të gjenden përballë njëra tjetrës rastësisht rrezikojnë të përfundojnë në sherr. Kjo është pasqyruar edhe tek fansët, të cilët në koncerte të ndryshme në Kosovë apo Shqipëri shfaqen me pankarta apo thirrje fyese kundër kundërshtares së këngëtares së preferuar. Rivaliteti tani është përqendruar tek koncertet meqë secila mundohet të ketë më shumë se kolegia e vet. Duhet thënë edhe se Dafina nuk shquhet për këngëtare që di të ruajë lidhjet apo miqësitë me kolegët e saj. Numërohen shumë syresh me të cilët ka prerë çdo komunikim pas sherresh dhe inatesh të momentit. Veçse duhet shtuar edhe se këto të fundit e kanë ndihmuar më shumë se kënga që të bëhet një personazh i njohur dhe i përfolur kudo.

Ja pra që nuk bëhet fjalë as për lëvizje feministe e as për motërzimin si slogan. Kohët moderne i kanë dhënë përmasa të tjera asaj që nisi në vitin 1968 dhe parashikimi optimist i “New York Times” vështirë të dalë dhe pranvera të shfaqet në horizont.

mesila-sherr-me-majlin1-300x246.jpg
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top