Gjykata e Lartë vendos gjykimin e Metës, rrëzon ekspertizën për videon

BoOoMBaStiCk

Il Silenzio
V.I.P
Ilir Meta do përballet me gjykatën për skandalin e videos ku ai shfaqet duke bërë afera korruptive. Edhe pse kishte dorëzuar një memo sa për sy e faqe për të thënë se ai kërkon të mos shpëtojë nga gjyqi për procedura, nuk është e vërtetë që ishte ajo që bëri që gjyqi të vijojë. Në të vërtetë Gjykata e Lartë nuk e ka marrë fare parasysh një gjë të tillë. Por gjykata thotë se nuk qëndron arsyetimi për tejkalim afatesh nga prokuroria për hetimin e Metës. Megjithatë gjykata nuk e ka pranuar ekspertizën e dy ekspertëve të huaj, njërit amerikan e tjetrit anglez, për videon në fjalë, duke thënë se ka pasur shkelje proceduriale.
Por, ndërsa gjykimi nisi, prokuroria në kërkesat e saj për shqyrtim nguli këmbë që të jenë sërish po të njëjtët ekspertë ata që do të kryejnë aktin e ekspertimit, këtë radhë të vlefshëm dhe me leje të gjykatës.
Mbrojtja në këtë pikë kundërshton ekspertët e huaj dhe kërkon ata shqiptarë, duke përmendur faktin se, edhe në raste të tjera gjykata ka përdorur ekspertë vendas dhe jo të huaj.
Në një konferencë për shtyp të mëvonshme, avokatët e Metës thanë se është gjykata që do vendosë për ekspertizën, duke u shprehur për mundësinë e ngritjes së një paneli. Avokatët e Metës megjithatë u shprehën të gëzuar me vendimin e gjykatës, duke thënë se ai ka vënë në dyshim procesin duke mos pranuar ekspertizat për videon. “Mbrojtja me kërkesat paraprake të paraqitura në seancën e datës 26.06.2011 ka kërkuar që aktet e ekspertimit të kryera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Angli te deklaroheshin të pavlefshme për shkak se ato ishin kryer në shkelje të ligjit. Kjo kërkesë i është drejtuar në tre raste edhe Prokurorisë së Përgjithshëm dhe Prokurores së Përgjithshme dhe na rezulton se në të tria rastet përgjigja ka qenë negative. Vendimi i Kolegjit Penal i Gjykatës së Lartë konfirmoi drejtësinë e pretendimeve tona nga njëra anë dhe nga ana tjetër shkeljet e vazhdueshme të ligjit të kryera nga ana e organit të akuzës. Kërkesa për provat materiale për tu deklaruar të papërdorshme Kolegji Penal vendosi që të shprehej në një fazë tjetër të shqyrtimit gjyqësor. Nëpërmjet pranimit të kërkesave tona Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vënë në dyshim vetë thelbin e çështjes e cila është e lidhur me videon dhe aktin e ekspertimit të saj. Pavlefshmëria e akteve të ekspertimit ka shkaktuar edhe një kosto për taksapaguesit shqiptar sepse ekspertët të thirrur nga Amerika dhe nga Anglia janë paguar për veprimit që kanë kryer,” thanë avokatët e Metës.
Seanca tjetër do jetë më 22 korrik. Si dëshmitar në këtë gjyq kaq të bujshëm do jetë edhe ish- ministri Dritan Prifti, i cili ka dorëzuar në prokurori edhe prova të tjera. Avokatët e Metës e kishin refuzuar Priftin si dëshmitar.
Seanca e radhës në 22 korrik do të fillojë me një listë dëshmitarësh, ku i pari në radhë do të jetë zoti Prifti, i cilësuar si dëshmitari kryesor në këtë cështje dhe me radhë pas tij një numër biznesmenësh, si Rezart Taci, vëllezërit Ymer e Skënder Tola, Agim Rrapaj, e të tjerë.
 
Back
Top