Gjon Mili, gjeniu shqiptar që shpiku blicin...

Katia

Hmm kureshtar-e?
V.I.P
"Mjafton të hapësh një nga librat e historisë botërore të fotografisë të shek XX dhe emri i Gjon Milit është ndër të parët."

Ai është ndër gjigantët e shekullit XX në fushën e fotografisë botërore. Inxhinieri shpikës i cilësuar si babai i blicit të aparatit fotografik që i dha një kthesë të rëndësishme artit të fotografisë botërore emigroi drejt “tokës së premtuar” që në moshë të hershme, ku punoi me figurat më të rëndësishme të artit dhe politikës, por ishte gjithmonë krenar për origjinën e tij shqiptare.
Mjafton të hapësh një nga librat e historisë botërore të fotografisë të shek XX dhe emri i Gjon Milit është ndër të parët. Ai është kudo me aparatin e tij fotografik, por të pavdekshme mbeten punët e tij në fushat si teatri, politika, muzika baleti apo sporti.
Fotografi i “Life Magazine” që ka pasur para aparatit të tij artistë e politikanë të lodhur nga publiciteti e blici i fotove, përshkruhet si mjeshtër në komunikimin me subjektin që do të stampohej në celuloid. Njeriu i përkushtuar, për të cilin disiplina e punës dhe kërkesat e larta profesionale ishin për të elemente të dorës së parë, arriti të ishte krah mjeshtërve të mëdhenj nga e gjithë bota në ekspozitat ndërkombëtare.
Arti i fotografisë së Gjon Milit veçohet për teknikën origjinale, gjë që i ka bërë shumë punë të tijat të hyjnë në panteonin e përjetshëm të fotografisë botërore.
Rast tipik për këtë është fotoja e famshme që ai i ka bërë Pikasos, me të cilin më pas e lidhi një miqësi e përjetshme. Ishte ideja e tij që piktori me famë botërore të pikturonte centaurin, simbolin e luftës civile të Spanjës, me anën e një drite të vogël të vendosur në majën e gishtit të tij tregues. Ndërsa Gjon Mili nga ana tjetër duhet të priste në errësirë fundin e pikturës së Pikasos për ta fiksuar në foto. Mbase më pak se një sekondë kohë për të shkrepur aparatin. E vështirë, por jo e pamundur për një gjeni.
Fotoja u konsiderua një magji e fotografisë dhe Mili “magjistari i fotografimit të ajrit” dhe ky moment shënoi nisjen e një miqësie mes gjenish, e cila do të zgjaste deri në vdekje.
Një tjetër punë e Milit që do të mbetej e pavdekshme është fotoja e realizuar në në burgun e Izraelit në 1961. Në të paraqiten duart e kriminelit të Luftës së Dytë Botërore SS Eichman.

“Mua nganjëherë më duket vetja se gjatë gjithë jetës sime si fotograf nuk kam bërë gjë tjetër veçse kam fotografuar fytyra njerëzish, me dëshirën për të gjetur diçka interesante në portretin e tyre. Dhe bazë e kërkimit tim u bë thjesht nxjerrja e karakterit të tyre të vërtetë!”. Do të ishte ky komenti i tij aty nga fundi i karrierës prej fotografi.
Ndoshta ne do ta kishim njohur më mirë Gjon Milin, nëse studioja e tij e dhënë nga agjencia “Life” nuk do të ishte djegur në vitn 1966. Mijëra fotografi, dhurata e kapele të vjetra, dhe veçanërisht letërkëmbimi e tij me mikun e ngushtë, Pikason, e me sa e sa personalitete të tjerë… gjithçka që ai kishte grumbulluar të paktën 50 vitet e fundit si artist u kthye në hi.

Jean Paul Sartre:

“Mili ju kap në grackë, të gjallë, bruto siç jeni. Në fotografitë e tij ju jeni gjithmonë duke luftuar me veten tuaj. Mili është një njeri i marifeteve të çarkut, të grackës, është pra i një shkathtësie të tillë që ju nxjerr gjithmonë jashtë loje. Ai nuk kënaqet vetëm duke kapur figurat e shquara në kamerën e tij, përkundrazi ai me çdo pozë kërkon të eksperimentojë, të provojë. Për të, ka aq mënyra për të fotografuar sa ka edhe mëndje njerëzore. Në qoftë se ai ju bën pjesë të koleksionit të vet të fotografive, ai jo vetëm që do t’ju fiksojë të gjallë ashtu siç dhe jeni, duke luftuar, por për më tepër, ai do të bëjë vrojtime mbi ju, do t’ju njohë, duke depërtuar dhe depërtuar, brenda jush”.

Jeta

Gjon Mili lindi në Korçë në vitin 1904. Pak më vonë familja e tij emigroi në Rumani për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Në moshën 13-vjeçare Gjoni humbet të atin, duke mbetur kështu burri i shtëpisë. “Një natë u ktheva vonë në shtëpi. Me zë të mbytur sikur të vinte nga qendra e botës, nëna ime më tha: Ulu biri im! Vetëm kaq ishte ajo në gjendje që të thoshte në atë moment. Kjo duket që ishte mënyra e saj e të treguarit se babai na kishte lënë përgjithmonë. Pra, isha unë më i madhi i fëmijëve edhe pa mbushur trembëdhjetë vjeç akoma konsiderohesha sipas Kanunit të Maleve Shqiptare, si i pari i shtëpisë. E pra, isha vetëm trembëdhjetë vjeç atëherë… Në ceremoninë e varrimit më ndodhi e njëjta gjë. Më vunë në krye të funeralit sepse të tjerët krijuan një distancë të vogël respekti. Gjithashtu, isha i pari i cili i hodha një grusht dhe mbi arkivolin e babait. Kur ktheva në shtëpi përsëri më vendosën në krye të qoshes, që të prisja vizitorët e ndryshëm, një zakon i maleve shqiptare, atje ku unë kisha lindur”, kujton ai.
Kur sapo i kishte kapërcyer të tetëmbëdhjetat, një dajë i tij e ndihmon të udhëtojë drejt Amerikës. Gjoni largohet duke lënë pas vëllezërit e motrat e nënën, lidhja e veçantë me të cilën do të bëhej motivi i suksesit të tij përtej oqeanit.
Nga 1928 – 1938 punoi në kompaninë e njohur elektrike amerikane WE dhe duke filluar nga viti 1939 e deri në fund të jetës së vet, punoi si fotograf profesionist në revistën e njohur “Life Magazine“.
Gjon Mili mbeti gjatë gjithë jetës së tij krenar për vendin nga vinte dhe këtë nuk linte rast pa e treguar.
“Ai i adhuronte vallet folklorike dhe në çdo fund jave shkonte poshtë nga Broduej për të vallëzuar së bashku me një tufë shqiptarësh të tjerë, shumica e të cilëve mezi i arrinin deri tek rripi i mesit”, kujtojnë bashkëkohësit.
Gjon Mili vdiq në shkurt të vitit 1984, në moshën 79-vjeçare. Në portofolin e tij iu gjet një thënie e Heraklitit. “Gjithësia ekziston dhe nuk ekziston, ajo është e rrëshqitshme, është në ndryshim të pandërprerë, dhe largohet gjithmonë në mënyrë të njëtrajtshme”!
(Gazmira Ndoja-Shekulli)
 
Titulli: Gjon Mili, gjeniu shqiptar që shpiku blicin...

Ja dhe nje shqiptar tjeter qe i jep vlera emrit dhe orgjines :)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top