Gjermani - Shqiperi, mes romantizmit dhe realitetit

Marrëdhëniet moderne mes Shqipërisë dhe Gjermanisë kanë një nisje romantike dhe pjesërisht të mitizuar nga ana shqiptare, të lidhur ngushtë me vizitat në Shqipëri të Franz Josef Shtraus. Një pjesë e madhe e shqiptarëve besojnë fort se, nëse do të kishte pasur ahere më 1984 një marrëveshje mes Shtrausit dhe Hoxhës apo më vonë Ramiz Alisë, që shihet si njeriu që kreu edhe bisedimet me këtë rast, Shqipëria do të kishte qenë një vend i lulëzuar.

Në mjaft dosje apo intervista për këtë çështje flitet për miliarda dojçmarka që do të vinin si ndihmë dhe që krerët e diktaturës i kishin kërkuar si reparacione lufte. Marrëveshja nuk u arrit mu pikërisht për këtë. Të paktën kështu besohet masivisht.

Vizitat e Shtrausit sidoqoftë nuk qenë pa efekt. Më 1987 Shqipëria vendosi marrëdhëniet diplomatike me atëherë RFGJ, që këtë vit janë në përvjetorin e 26-të. Jo shumë në fakt dhe të filluara ngadalë qoftë edhe prej faktit se Shqipëria vazhdoi edhe për disa vite të udhëhiqej prej Byrosë Politike të kapur ngushtë mes pranimit dështimit të diktaturës së proletariatit dhe ekonomisë në rënie të lirë dhe varfërisë ekstreme. Fati e desh që byroja në fakt të mos lëvizte në asnjërin krah. Ajo i qëndroi besnike sistemit që kishte ngritur dhe e la ekonominë të binte në vijim.

Ajo që ndodhi më pas është 1990-ta. Ambasada gjermane ishte ndër të parat, ku shqiptarë të rrëmbyer prej dëshirës për të ikur u sulën. Ata ishin ndoshta më fatlumët mes atyre që vazhduan të arratiseshin për vite me radhë nga të mundeshin për në Perëndim. Në këtë moment nuk mund të flasësh për marrëdhënie diplomatike. Situata ishte aq e çmendur, se ka pasur zyrtarë të diktaturës që mendonin ta sulmonin ambasadën, por pas këtij momenti gjërat vijnë e bëhen më mirë. Për shqiptarët me sytë nga SHBA dhe nga vendet fqinje, Gjermania në mes nuk duket se ka qenë ndonjëherë pikë reference. As në politikë nuk ka qenë e tillë edhe pse nga ana tjetër Gjermania ka qenë më dorëlëshuara prej vendeve në ndihma ekonomike duke qenë edhe sot ndihmësja e parë. Fakt është që Shqipëria e ka ndjere vetën shumë më afër SHBA-ve se sa gjigantëve të kontinentit, qoftë kjo edhe për shkak të asaj që ndodhi në Kosovë apo për rrethana të tjera që i kanë “distancuar” prej gjermanëve.

Sidoqoftë më 2008 Bernd Borchardt, që ishte atëherë ambasador i Gjermanisë në Tiranë, fliste për “një vit shumë të mirë për marrëdhëniet gjermano-shqiptare”. Kjo ishte më e mirë se “heshtja” të paktën mediatike rreth këtyre marrëdhënieve. Gjermania edhe pse prezente në Tiranë, duket se “vuan” të bëjë të qartë rolin e saj dhe ndihmën që ka dhënë. Më 2008 shënohet ndërkohë edhe vizita e dytë e një kryeministri shqiptar në Berlin. Berisha shkon pas 4 viteve boshllëku. Një kancelar gjerman në tiranë ndërkohë mungon edhe sot. Takimi është i përzemërt. Ka të gjitha fanfarat e atij të djeshmit, me paradë ushtarake dhe drekë, por nuk duket se ndryshon ndonjë gjë në emocionet rreth marrëdhënieve të dy vendeve. Shqiptarët vijojnë të jenë peng e shansit të humbur në vitet 80’, ndërsa gjermanët ndihmojnë heshtur kryesisht duke u fokusuar në projekte që kanë ndikim te banorët(Turizmi, mjedisi, uji, energjia), duke pasur jo rrallë herë fërkime me politikanët shqiptarë që ndërsa flasin për investime gjermane duket se “i përbuzin” këto të fundit.

Kriza e parë e tillë e provuar është tenderi telefoninë fikse. Një kompani gjermane që u ofrua dhe pretendoi se kishte dhënë një çmim më të mirë, pati probleme dhe nuk ja doli as të kualifikohej. Zhurma pas kësaj ishte jo e vogël dhe duket se sanksionoi një marrëdhënie jo fort të mirë të kapitalit gjerman me Shqipërinë.

Një fërkim tjetër edhe më i qartë ishte ai për linjën e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Përplasja qe aq e qartë saqë vendi rrezikoi të humbte ndihmën që merrte për ndërtimin e kësaj linje. Akuzat që u hodhën me gjermanët që këtë herë patën në krah opozitën dhe një pjesë të mediave shkoi deri edhe për sabotim të linjës për shkak të interesave të bizneseve finje me ndikim në Beograd. Se sa e vërtetë ishte e gjithë kjo nuk mund të thuhet, ajo që dihet është se kryeministri i ri Edi Rama futi në listën e vendimeve për tu miratuar menjëherë këtë linjë interkonjeksioni dhe përuroi atë sipas kushteve të përcaktuara nga KFث e cila u përplas për këtë me qeverinë e mëparshme. Futja së fundmi e një gjiganti gjerman te telekomunikacionit në vend është bërë vetëm nga dritarja, përmes Greqisë.

Fotoja nga vizita e djeshme e Edi Ramës në Berlin me Kancelaren Angela Merkel duke i treguar Berlinin nga ballkoni i vend takimit do të jetë e mjaftueshme qoftë për të shtyrë më tej në romantizëm besimtarët e shansit të humbur të viteve 80’ e po ashtu edhe pjesën tjetër që shpreson që marrëdhëniet të mos vërtitet në shprehje shabllon të diplomacisë së vakët. Në deklaratën e qeverisë gjermane pas takimit Merkel-Rama thuhej qartë që ekonomia më e fortë dhe më e madhe e BE ishte vetëm e 6-ta sa i përket pranisë në Shqipëri. Shkëmbime tregtare të ulëta që reflektojnë atë “pasigurinë juridike”, së cilës Merkel iu referua kur u pyet për mungesën e investimeve gjermane në vendin tonë.


Nga Vladimir Karaj - MAPO
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 46.7%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 13.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 20.0%
  • Larg

    Votat: 3 20.0%
Back
Top