Futbolli opium për popullin

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
Ergys Mërtiri

Kombetarja-Shqiptare.jpg
Përmasat mediatike që ka marrë ndeshja Shqipëri-Serbi janë të jashtëzakonshme. Për javë me rradhë ndeshja është vënë në qendër të vëmendjes, ndërsa numërimi countdown ka shtuar tensionin dhe ekzaltimin e turmave. Një fushatë mbarëkombëtare ka shpërthyer ngado, duke synuar edukimin e tifozëve për të mos krijuar incidente, masa sigurie nëpër rrugë të krahasueshme me ato të një gjendjeje të jashtëzakonshme, ndërkohë që, së bashku, media, politika dhe aktorë nga fusha e sportit janë angazhuar për të ofruar një atmosferë festive paraprake për fitoren e shumëpritur.

Natyrisht, ndeshja ngjall interes, jo vetëm për pozicionin në të cilin gjendet kombëtarja shqiptare (kurrë nuk kemi qenë më pranë një kualifikimi në një kompeticion të madh futbollistik), por edhe për pasionet etnike që krijon përballja me një fqinj problematik si Serbia. Fundja futbolli, sado që promovohet si ambasador i paqes, bashkues i kombeve e bla bla bla, nuk mund t’i rezistojë dot tundimit të politikës dhe memories, qoftë kjo politikë e ditës apo një projekt historik kombëtar. Duke gjeneruar një ndjenjë përkatësie në grupe të mëdha tifozësh, sporti përfshihet dashur pa dashur në kazanin e vluar të përballjeve identitare, duke u përdorur politikisht e ideologjikisht.

Natyrisht që kushdo dëshiron një fitore dhe kualifikim në kampionatin europian, por i gjithë ky emocion është i tepërt. Fakti që këndej nga Ballkani, ndryshe nga ç’ndodh në vendet e zhvilluara, një ndeshje mund të prodhojë kaq dramaticitet, tregon se jemi ende shoqëri provinciale. Një histeri të tillë nuk e sheh në asnjë vend europian, ndonëse paradoksalisht, një nga arsyet e këtij pasioni, është edhe kredoja se jemi dikush para Europës.
Republika e Stadiumit

Herbert Marcuse e ka parë sportin si një mjet robërimi për shoqëritë moderne. Ai pohon se shoqëritë e sotme kapitaliste bazohen në falsifikimin e nevojave reale të njerëzve, në mënyrë që të mund të mbajnë në këmbë sistemin e tregut, prodhimit dhe konsumit. Sistemi ka arritur të sundojë nëpërmjet krijimit të një një kulture të konsumit të paarsyeshëm dhe shpenzimit të kohës së lirë në mënyrë të kotë, si në rastin e sportit. Sipas tij, argëtimi i masave ndihmon për të shtypur mënyra apo organizime më racionale të shoqërisë. Pakënaqësia shoqërore shtypet nëpërmjet zgjerimit të konsumit dhe prej nga bëhet e mundur sundimi.
Për këtë arsye Marcuse thotë se shoqëria moderne shkatërron zhvillimin e lirë të nevojave njerëzore duke krijuar nevoja artificiale, të huaja për njeriun. Ajo e bën mendjen njëdimensionale të njeriut modern të paaftë të njohë kontradiktat në të cilat jeton, duke kultivuar një unitet të rremë midis grupeve të ndryshme shoqërore. Duke shikuar të njëjtat programe televizive apo duke mbështetur të njëjtat ekipe sportive, njerëzit krijojnë iluzionin e një uniteti, i cili e mban artificialisht në këmbë sistemin.
Në fakt një prej arsyeve përse aktorë me peshë në shoqëri, kryesisht nga politika, janë përfshirë me kaq zell në këtë event, është nevoja për të bërë të mundur sadopak pranueshmëri publike, në kushtet kur figurat e tyre shkaktojnë neveri te shumë njerëz. Pjesëmarrja në një event të tillë që krijon kaq shumë solidaritet, natyrisht që ndikon në zbutjen e papranueshmërisë shoqërore. Dhe këta aktorë kanë marrë përsipër jo vetëm praninë e tyre në këtë ngjarje, por madje edhe rolin e protagonistit, të sajuar nëpërmjet një beteje mediatike paraprake përtej ndeshjes. Dialektika Rama-Vuçiç, Morina-Bogdanoviç, më shumë se shfaqje e pasionit për ta zgjatur betejën më shumë se 90 minutat e ndeshjes, janë mjete mediatike për të tërhequr vëmendje në funksion të meremetimit të realiteteve politike, të sakatuara nga paudhësitë e aktorëve që i drejtojnë.
Kombëtarja përmbi kombin

Uzurpimi i ekraneve nga politikanë që nuk kanë lënë gjë pa i bërë këtij vendi, është shembulli i përkryer sesi bashkë me lugën e mjaltit shoqërisë i jepet vaksina kundër indinjatës dhe reagimit ndaj politikës. Paradoksalisht, por jo pa arsye, pasi e kanë vjedhur, rrjepur, masakruar, turpëruar, korruptuar e degjeneruar këtë vend, ata shfaqen në ballë të revolucionit futbollistik të kombit, duke “shkëlqyer” në betejat mediatike me fqinjët. Të paaftë për një përballje diplomatike me Beogradin, Rama dhe të tjerët rreth tij pozojnë si fitues në planin e demonstrimit të qytetarisë e tolerancës shqiptare. Një patriotizëm i tillë, që vishet dhe zhvishet bashkë me fanellën e kombëtares, sa herë që ka ndeshje, është pjesë e një spektali instrumental që synon të përdorë euforinë e patriotizmit të provokuar nga ndeshja në funksion të nevojave të tyre për pranueshmëri publike.

Entuziazmi i këtyre aktorëve për një fitore të mundshme ndaj Serbisë është cinizmi i rradhës, në një realitet ku serbët kanë fituar përballë nesh në çdo betejë politike. Ata kanë arritur të imponohen në Kosovë, duke shtënë në dorë juridikisht dhe politikisht stabilitetin e vendit. Serbia ia ka dalë t’i marrë në bisedime Kosovës gjithçka që ajo e ka fituar duke e paguar me gjakun e viktimave të pafajshme të luftës. Pavarësia e fituar po zbehet pak e nga pak nëpërmjet kushteve të diktuara nga marrëveshjet e imponuara prej ndërkombëtarëve, të cilat po e kthejnë Kosovën në një shtet të destabilizueshëm.
Këto janë në planin konstitucional. Në realitet Serbia ka arritur të krijojë një ishull me Mitrovicën, duke sunduar nëpërmjet saj politikat e të gjithë vendit, teksa e përdor gjithashtu edhe si korridor për depërtimin e mallrave serbe, të cilët sundojnë tregun kosovar pa iu nënshtruar asnjë barriere doganore. Ndërkohë kufiri shqiptar vazhdon të kufizojë ndjeshëm marrëdhëniet tregtareve midis dy pjesëve të ndara të kombit, duke e lënë Kosovën të hapur ndaj Serbisë dhe të mbyllur ndaj Shqipërisë. Teksa politikanëve shqiptarë u mbetet të bëjnë vetëm sehir, apo edhe të përfitojnë ndërkombëtarisht nga “toleranca” kozmopolite që iu dëshmojnë të huajve, në stadium ata pozojnë krenarë patriotizmin e tyre futbollistik.

Sido që të jetë, në këtë pikë janë vërtetë të suksesshëm. E sigurtë është që populli do ta hajë si gjithmonë dhe shfaqja do të ketë efekt pa dyshim. Fundja kjo është mrekullia e futbollit (e medias më shumë). Dreqi dhe djalli bëhen një, të bashkuar nga ndjenja e solidaritetit që të fal beteja në fushën e blertë. Të paktën për disa ditë, do të mund të harrojmë kriminelët në parlament, krimin e organizuar, trafiqet, mafian, CEZ-in, videot e Priftit, makinën e Tahirit, valixhen e zezë të Brahos apo vandalët e trashëgimisë kulturore në Lezhë. Sot të gjithë jemi bashkë: gegë e toskë, fshatarë e qytetarë, të majtë e të dhjathtë, persekutorë e të përsekutuar, policë e hajdutë, bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë. Sot “jemi nji”.

postbllok
 
Back
Top