Fortesa" e Dritan Dajtit, e projektuar për arratisje

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
"

Nuk fshihej, por ishte aktiv



Arratia gjashtëvjeçare e ka ndihmuar Dritan Dajtin të përmirësonte mënyrën e jetesës. Oficerët e policisë gjyqësore kanë mbetur të shtangur gjatë këqyrjes së apartamentit të të shumëkërkuarit në Durrës, pranë vendit ku u vranë katër punonjësit e policisë. Në një pallat gjashtëkatësh, Dajti jetonte në katin e fundit, në papafingo, ku kishte arritur që të mobilonte apartamentin në një mënyrë që të kishte mundësi të shihte të gjitha lëvizjet poshtë pallatit. Dajti i druhej ndonjë operacioni të uniformave blu dhe kishte arritur që të gjitha dritaret e apartamentit të kishin pamjen e rrugës, në mënyrë që t‘i jepnin mundësi që të shpëtonte. Duket se "porosia" e Dritan Dajtit për inxhinierët që ndërtuan pallatin ishte një dalje e dytë nga banesa e tij. Ekspertët e policisë kriminalë kanë vërejtur se dhoma e gjumit ku qëndronte Dajti kishte pamje nga rruga, ndërsa dritarja në dhomë ishte modifikuar që me një hap 38-vjeçari të përfundonte në tarracën e pallatit dhe duke përdorur shkallën tjetër, ai mund të "arratisej", duke i dhënë mundësi të shumta vetes.


Mundësitë e shpëtimit

Hetuesit e ngjarjes së rëndë të vrasjes së katër punonjësve të policisë kanë kontrolluar deri në detaje shtëpinë e Dajtit, ku përveç disa teshave kanë gjetur një pistoletë neutralizuese si dhe disa dokumente. Burime nga Policia e Shtetit thanë se kanë mbajtur raporte shërbimi për mënyrën e mobilimit të shtëpisë, pasi dyshojnë se Dajti qëndronte në atë banesë prej disa vitesh. Sipas tyre, dritarja e dhomës së gjumit ishte ngjitur me tarracën e pallatit, ku pas një hapi, e gjeje vetën në tarracë. Katër metra larg dritares ishin dy mundësi shpëtimi. Së pari mund të gjejë mundësinë e ikjes nga shkalla tjetër e pallatit dhe mundësia e dytë ishte në një tjetër dritare të një apartamenti aty pranë. Hetuesit e policisë dyshojnë se apartamenti ngjitur mund të ishte pronë e një të njohuri të Dajtit. Sipas hetuesve të çështjes, 38-vjeçari organizonte deri në detaje mundësitë për t‘i shpëtuar ndjekjes policore dhe me të drejtë ai ishte quajtur një person i rrezikshëm. Sipas hetuesve që kanë përshkruar daljen e dytë nga apartamenti, rruga përshkonte daljen nga krahu tjetër i pallatit dhe një operacion i policisë për kapjen e tij mund të dështonte normalisht. Sipas të dhënave policore, shtëpia e tij mund të ketë qenë "zyra" ku Dajti kryente të gjitha punët në qytet dhe më gjerë, pasi ka të dhëna se ai vazhdonte aktivitetin kriminal edhe pas arratisjes nga burgu në vitin 2003.


Jeta në Tiranë e Durrës

Pas arrestimit të të shumëkërkuarit që i kushtoi shumë shtrenjtë policisë shqiptare, e gjithë vëmendja e policisë dhe prokurorisë janë lëvizjet e tij në Shqipëri. Ka të dhëna se Dajti nuk ka emigruar asnjëherë pas arratisjes së tij spektakolare në vitin 2003, çka ka ngritur shumë dyshime që një i shumëkërkuar të lëvizte lirisht në aksin Tiranë-Durrës, përkatësisht në zemër të Shqipërisë. Hetuesit kanë mundur që të identifikojnë se ditën e ngjarjes Dajti ka qenë në Tiranë dhe ka lëvizur në qytetin e Durrësit. Fakti që ishte në kryeqytet ka ngritur dyshimet se ai mund të jetonte në një banesë. Dyshimet e para kanë rënë në zonën pranë shkollës së mesme "Sami Frashëri". Megjithatë, hetimet e mëvonshme do të përcaktojnë të gjitha detajet e tjera.


Banesa e Dritan Dajtit


Dritan Dajti jetonte prej disa kohësh në pallatin gjashtëkatësh që ndodhet në sektorin "Iliria" të plazhit të Durrësit. Ai jetonte në katin e fundit, ndërsa në afërsi të tij jetonte pronari, ndërtuesi i pallatit. Dje, pallati ruhej si zakonisht nga roja e objektit, Bekja. Ai nuk pranon të flasë dhe thotë se nuk ka parë asgjë, pasi nuk është puna e tij të shohë kush hyn e del nga pallati, por vetëm të kujdeset për të nga jashtë. Nuk do të ngacmohet me pyetje, madje i sjellshëm e në formë lutjeje të kujton se mban familjen me katër fëmijë me këtë punë dhe i është mirënjohës pronarit. Të tjerat nuk i di dhe as i duhen.



Dyshimet


Apartamenti ku rrinte i shumëkërkuari, ndoshta një shpërblim për shërbimin e tij


Dajti, ndërmjetës në shuarjen

e një konflikti mes ndërtuesve


Një apartament i marrë me qira apo i blerë siç ndodh rëndom në zonat bregdetare? Cila është origjina ligjore, nëse ka, e apartamentit ku Dritan Dajti strehohej në plazhin e Durrësit? A e dinin njerëzit që e kishin strehuar dhe ishin fqinjë me të se ai ishte një nga të shumëkërkuarit dhe element i rrezikshëm me precedentë të rëndë kriminalë, i dënuar për vrasje nga drejtësia shqiptare? Dje, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit nuk deklaroi asnjë veprim, qoftë dhe shoqërim të kryer në drejtim të zbardhjes së këtij fakti. Grupi hetimor, mesa duket, vazhdon hetimet në këtë drejtim, po burime brenda tij konfirmojnë se strehimi i Dritan Dajtit në Durrës nuk është i pafajshëm, thjesht i diktuar nga fluksi i njerëzve që vërshojnë në qytet e plazh në këtë periudhë të vitit dhe mundësia për t‘iu shmangur kapjes nga policia. Rreth dy vjet më parë, i shumëkërkuari Dritan Dajti ka qenë përfaqësues i njërës prej palëve të përfshira në një konflikt interesi për ndërtimin e një pallati pranë stacionit të trenit. Dyshohet se ai mbronte në këtë konflikt interesat e biznesmenit që ka ndërtuar pallatin ku Dajti fshihej në plazhin e Durrësit. Ky ka qenë një konflikt mes biznesmenit të ndërtimit dhe djemve të një deputeti, që është mbyllur me ndërhyrjen e Dajtit. Konflikti mes palëve për interesa ka qenë i fortë dhe më pas ka arritur në një marrëveshje mes tyre dhe pronarëve të truallit. E parë në këtë këndvështrim, jo pak njerëz në Durrës e dinin se Dajti ishte i pranishëm në qytetin port, me të cilin e lidhnin shumë aktivitete të përbashkëta edhe me njerëz të politikës. Ndërkohë strehimi në pallatin shtatëkatësh duket se nuk ka qenë aspak rastësor, po mbase një dhuratë nga të shumtat për shërbimin e bërë dhe lidhjen që i bashkonte.



Precedentët


Miqësitë për hir të lidhjeve të forta mbi bazë interesash e kishin bërë të pathyeshëm


Tre dështimet e policisë për

arrestimin e Dritan Dajtit


E treta e vërteta në Durrës. Ka pasur një kosto tepër të lartë për Policinë e Shtetit kapja e Dritan Dajtit në plazh, ndërsa dy herët e tjera i shumëkërkuari kishte mundur të shpëtonte. Aktiviteti i Dritan Dajtit në ilegalitet, pas arratisjes më 17 nëntor të vitit 2003 nga Gjykata e Tiranës, dukej se e lidhte shumë me Durrësin. Mbështetja që kishte gjetur në qytet dhe miqësitë për hir të lidhjeve të forta mbi bazë interesash e bënin të qarkullonte shpesh dhe të strehohej në të, në një zonë të plazhit që konsiderohet e sigurt dhe nën kontroll të plotë të njerëzve me pushtet të panjohur zyrtarisht. Në mars të vitit 2005, brenda pak ditësh, ai arrin t‘i shpëtojë dy herë policisë së Durrësit. Dritan Dajti ka qenë një nga dy personat që mundën t‘i shpëtojnë policisë durrsake të fokusuar në aksionin për kapjen e Emiljano Shullazit, pa e ditur se po linin të largohej një person shumë më i kërkuar se ai. Shullazi, Dajti dhe tre të tjerë po lëviznin me automjetin tip "Benz", me targë të huaj AT 347 XV, kur nuk iu përgjigjën kërkesës së postbllokut policor pranë filialit të BKT-së, afër hyrjes së portit detar. Gjetja e armëve të gatshme për të shtënë në makinën e braktisur prej tyre u konsiderua nga krerët e policisë në atë kohë, bazuar në emrat e përfshirë dhe aktivitetin kriminal të tyre, si një ndërhyrje e suksesshme që parandaloi një krim të sigurt, paçka se Dajti arriti të shpëtojë. Një vit e gjysmë pas arratisjes nga Gjykata e Tiranës, ai arrin t‘i shpëtojë një aksioni dhe një postblloku policor në Durrës. Pavarësisht përpjekjeve për të fshehur identitetin e Dritan Dajtit nga ana e Shullazit dhe dy personave të tjerë të kapur që udhëtonin me të në automjetin që nuk iu bind postbllokut, policia saktësoi që kishte qenë pikërisht ai. Finok dhe i sigurt, ndërsa Shullazi ka vrapuar duke u futur në një pallat në lagjen 1 të Durrësit për t‘i shpëtuar kapjes, Dajti ka lënë të kuptohet se do të dorëzohet. Ka dalë nga automjeti "Benz" me duart lart, duke treguar se ishte i paarmatosur dhe aspak i rrezikshëm dhe menjëherë është larguar me shpejtësi. Të tërhequr nga veprimet e shokut të tij të ngushtë, Shullazit, policët e kanë zhvendosur vëmendjen drejt tij, pasi veç të tjerash ishte dhe i armatosur, duke lënë Dajtin të largohet pa i hyrë ferrë në këmbë. Me gjithë krehjen e zonës pas kapjes së Shullazit, dy personat e tjerë, njëri prej tyre Dajti, nuk u kapën. Pa kaluar pak ditë nga ajo ngjarje, Dritan Dajti arrin sërish t‘ia hedhë Policisë së Durrësit. Këtë herë në superstradën Durrës-Tiranë. Zyrtarisht, Policia e Durrësit nuk e bëri publike ngjarjen, po burimet brenda saj patën deklaruar se Dritan Dajti arriti të arratiset dhe një tjetër herë. I djegur nga ngjarja e tri ditëve të shkuara, ai nuk ka tentuar të mos i bindet postbllokut, po ka ndaluar, teksa lëvizte me një automjet me targa të huaja. Në momentin që kërkonte dokumentacionin, punonjësi i policisë e ka njohur dhe ka dashur të bëjë njoftimin përkatës, por me shpejtësi Dajti ka nxjerrë pistoletën dhe ia ka vënë në kokë, duke e kërcënuar se do t‘ia hidhte trutë në erë nëse do të fliste a reagonte. Pas kësaj është larguar me shpejtësi, ndërsa polici nuk ka mundur të marrë veten për disa minuta nga ngjarja. Kështu brenda pak ditësh, Dajti i shpëton dy herë Policisë së Durrësit në kontrolle rutinë të policisë rrugore, ndërsa mendohej që për shkak të të qenit në krye të listës së personave më të kërkuar, ai do të kishte mundur të largohej jashtë vendit. Të kthyera thuajse në rrëfime urbane kriminale, Dritan Dajti kishte nisur të lëvizte në kufijtë e të bërit mit. Dy ditë më parë regjistroi herën e tretë kur Dajti, në Durrës, në përpjekje për t‘u arratisur sërish reziston fort dhe shkakton për herë të parë viktimat e tij gjatë serialit të arratisjeve. Plagoset, por edhe çon drejt vdekjes katër agjentët specialë të policisë që ishin angazhuar për ta vëzhguar dhe kapur. Edhe të plagosur, policët e kanë pasur frikë nga mënyra si rrodhën ngjarjet në sektorin "Iliria" të plazhit të Durrësit. Përpara këtyre episodeve Dajti i shpëtoi një tjetër rrethimi policor, që vuri në pranga katër shokë të tij. Në një aksion të forcave RENEA tek ish-ekspozita "Shqipëria sot", mes pallateve të kësaj lagjeje, forcat RENEA ndërhynë, duke ndalur në befasi një automjet të dyshimtë. Tre nga personat që ndodheshin në autoveturën me targa të huaja AT 347 XV mundën të largohen me shpejtësi, ndërsa policia i ka ndaluar. Vetëm njëri prej të arratisurve është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerët nuk u kapën. Gjatë ndjekjes, agjentët e policisë kanë arritur të identifikojnë njërin prej të arratisurve, që ishte Dritan Dajti.
*shiqip*
 
Back
Top