Pe: FK Kamza
Ishka: Lojtarët me përvojë, çelësi i suksesit për Kamzën
Ish-kampioni dinamovit, Sokol Ishka, ishte një nga më të mirët për kamzalinjtë në takimin me Vllazninë
Deri para ndeshjes me Vllazninë, Kamza më shumë është gjykuar nga emri, sesa nga përbërja që ka. Trajneri Ernest Gjoka ka fatin të punojë me një grup lojtarësh me eksperiencë, ku disa prej tyre kanë fituar edhe trofe në superligë. Një nga këta është edhe ish-kampioni dinamovit, Sokol Ishka, i cili ndaj Vllaznisë na kujtoi ditët e tij më të mira, që pa dyshim patën ndikim në suksesin e Kamzës.
Për mesfushorin, Kamza nuk do ta diskutojë mbijetesën, pasi lojtarët me eksperiencë janë çelësi i suksesit. “Ajo çfarë arriti Kamza me Vllazninë nuk duhet konsideruar si rastësi, por si konkretizim i asaj pune që ekipi në drejtimin e stafit teknik ka bërë në fazën përgatitore. Kamza ka një grup me lojtarë me përvojë, që pa dyshim japin garanci dhe skuadra nuk do ta diskutojë mbijetesën në superligë.
Si ekip debutues na bie që si objektiv të kemi mbijetesën, por kam bindjen se Kamza do të renditet në mesin e superligës. Ndonëse potencialet nuk i mungojnë ekipit, sërish ne jemi me “këmbë në tokë”, pasi nuk jemi të atij kalibri që mundëm Vllazninë dhe menjëherë të themi se jemi për në Europë. Them se ekipi e ka nisur mirë sezonin, por kemi nevojë që të përmirësohemi sërish, ku kërkohet të jemi më konkretë në finalizimin e aksioneve. E rëndësishme është që jemi në rrugën e duhur,”- u shpreh mesfushori Sokol Ishka.
Lushnja Kamzalinjtë sot do të jenë në Lushnjë për të luajtur ndeshjen e parë të kupës dhe pa dyshim kalimi i turit të parë nuk duhet diskutuar, sepse dihet që më pas kjo veprimtari kalon me fazë grupesh. “Nuk jemi të përqendruar vetëm në kampionat, por edhe në kupë. Pa dyshim, Kamza nuk duhet ta diskutojë kalimin e këtij turi. Sot do të jemi në Lushnjë dhe pa dyshim na pret një sfidë e vështirë, për vetë emrin e kundërshtarit, grupit që ka, si dhe faktit se luajmë në transfertë.
Përpos këtyre vështirësive ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe të mos e diskutojmë kualifikimin, i cili do të përcaktohet pas një jave në fushën tonë,” – vijon më tej mesfushori 32-vjeçar i kamzalinjve. Ndaj Lushnjes pritet që trajneri Ernest Gjoka të ruajë energji edhe për takimin e Ballshit në fundjavë.
Bylisi Ndonëse luan sot për kupë në Lushnjë, fokusi i Kamzës është përqendruar nga transferta e Ballshit në fundjavë, takim i vlefshëm për javën e tretë të kampionatit. Për Sokol Ishkën, blutë e Kamzës do të udhëtojnë drejt Ballshit që të luajnë futboll dhe, pse jo, të marrin edhe pikë.
“Lushnja ka rëndësinë e saj, por çështjen e kualifikimit e vendosim në fushën tonë, kështu që, përveç kupës, jemi të përqendruar edhe tek sfida me Bylisin. ثshtë një transfertë e vështirë, sepse dihet se ballshiotët e kanë nisur shumë mirë kampionatin dhe në fushën e tyre janë të pakalueshëm.
Gjithsesi, ne do të shkojmë për të luajtur futboll, për të bërë lojën tonë dhe, nëse e meritojmë, të marrim edhe pikë. Personalisht do të isha i kënaqur edhe me një pikë në fushën e Ballshit dhe shpresoj ta realizojmë atë,”- përfundon ish-kampioni dinamovit i Kamzës, Sokol Ishka.