Love
βeℓℓe â๓e
Prej më shumë se një shekull e gjysëm, gjermanët e shikojnë veten si "das Volk der Dichter und Denker" (populli i poetëve dhe mendimtarëve), ndoshta me të drejtë, kur mendon që i kanë sjellë botës poetë si Gëte dhe Shiler apo filozofë si Kant dhe Hegel.
Ndaj dhe në ruajtje të kësaj trashëgimie, kujdesi për gjuhën vazhdon të kultivohet me pasion dhe sot e kësaj dite. Kështu, në vitin 2004, Këshilli Gjerman për Gjuhën (Deutsche Sprachrat) si dhe Instituti Gëte shpallën një konkurs për zgjedhjen e fjalës më të bukur gjermane.
Rreth 23.000 individë nga mbi 100 vende të botës dërguan me postë sugjerimin e tyre për fjalën më të bukur, duke dhënë dhe nga një shpjegim për zgjedhjen. Sugjerimet që ishin përmendur më shpesh ishin:
1. Liebe (dashuri)
2. Gemütlichkeit (rehat)
3. Sehnsucht (mall)
4. Heimat (atdhe)
5. Kindergarten (kopsht fëmijësh)
6. Freiheit (liri)
7. gemütlich (i rehatshëm)
8. Frieden (paqe)
9. Sonnenschein (rreze dielli)
10. Schmetterling (flutur)
Sidoqoftë, komisioni i përzgjedhjes së fjalës fituese përdori kriteret e tij (tingëllimi, përmbajtja, dhe shpjegimi) për të shpallur fituesit. Një nga anëtarët e jurisë, me mburrje të vetëkuptueshme, u shpreh se "gjermanët janë kampionë bote në krijimin e fjalëve ku theksohen ndjenjat", duke përmendur fjalë si Weltschmerz (lëngim global), Heimweh (mall për atdheun, mëmëdhëmbje), Fernweh (mall për të udhëtuar).
Në vazhdim janë fjalët e zgjedhura fituese nga juria e përbërë nga gjuhëtarë dhe personalitete të artit dhe kulturës:
1. Habseligkeiten (sende që dikush i ka të vyera)
2. Geborgenheit (të ndihesh i mbrojtur dhe i sigurt)
3. lieben (dashuroj)
4. Augenblick (çast)
5. Rhabarbermarmalade (marmalatë nga një lloj fruti)
Një nga përshkrimet më të bukura sipas jurisë ishte ai për fjalën "lieben", sepse sugjeruesja kish shkruar: "lieben (dashuroj) sepse është vetëm një i larg nga leben (jetoj)".
ثshtë e vërtetë që nuk ka shumë kuptim të përpiqesh të gjesh fjalën më të bukur të një gjuhe, sepse bukuria shpesh lidhet me rëndësinë që ka kuptimi i fjalës për një individ. Por është vërtet një eksperiment interesant për të studiuar lidhjen emocionale të njerëzve me gjuhën.
Unë vetë këto ditë kam pasur shpesh në mend fjalën gojëmjaltë, ndoshta si një lloj mbrojtjeje ndaj lajmeve që dëgjojmë nga Shqipëria për mënyrën sesi shprehen politikanët tanë. Kjo fjalë më bën të mendoj që populli ynë, megjithëse i njeh dhe i përdor të gjitha fjalët, ka ditur gjithnjë të vlerësojë ata që mendojnë para se t'i nxjerrin fjalët nga goja. Dhe këtë vlerësim ka ditur ta shfaqë në shumllojshmërinë e mbiemrave që ka krijuar për të kategorizuar të folurën. Të gjithë mbiemrat në vazhdim (mbi 50) janë marrë nga fjalori i gjuhës shqipe:
gojaç, gojartë, gojasllan, gojash, gojashpër, gojëbilbil, gojëbrisk, gojëbuall, gojëçorap, gojëfarmak, gojëfëlliqur, gojëgjarpër, gojëkeq, gojëkamare, gojëhelm, gojëkyçur, gojëkuti, gojëlidhur, gojëlëshuar, gojëlashtë, gojëlopatë, gojëlig, gojëlidhur, gojëmadh, gojëlubi, gojëluan, gojëlopë, gojëmbël, gojëmbajtur, gojëmarraq, gojëmbërthyer, gojëmjaltë, gojëmirë, gojëmbyllur, gojënepërkë, gojëndyrë, gojëmprehtë, gojëpiperkë, gojëpalarë, gojëqepur, gojëprishur, gojërrudhur, gojërëndë, gojëqershi, gojëshpatë, gojësheqer, gojëspec, gojështhurur, gojështrembër, gojëshpuar, gojëthatë, gojëtharë, gojëters, gojëvrarë, gojëvogël, gojëzënë.
Mapo
Nëse do të zgjidhnit një fjalë që ju duket më e bukura e gjuhës shqipe, cila do të ishte?