Gratë më të zgjuara dhe më të zonja se burrat
Gratë janë më të zgjuara se burrat. Ndoshta kanë qenë gjithmonë, që nga Adami dhe Eva, por me sa duket në të kaluarën nuk arrinin ta shprehnin plotësisht potencialin e tyre.
Ose mund të jenë bërë të tilla më vonë, për shkak të stresit që u duhej të kombinonin punën dhe familjen, shtëpinë dhe karrierën, pra me sforcon që duhej të bënin shumë gjëra njëkohësisht. Sido që të jetë, për herë të parë femrat kanë arritur rezultate më të mira se meshkujt në testet e koeficientit të inteligjencës. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur diçka e tillë. Nuk ndodh në çdo vend, por tendenca është e qartë dhe e dukshme: “Në trurin e grave efekti i jetës moderne sapo ka nisur të shfaqet”, thotë James Flynn, psikologu më me autoritet në këtë fushë, i cili do të publikojë edhe një libër ku analizon zhvillimin e grave në këtë fushë.
Historia e testeve të koeficientit të zgjuarsisë (I.Q) është e diskutueshme. Gjithmonë ka qenë temë debatesh nëse marrja e pikëve maksimale është një metodë për të matur zgjuarsinë absolute. Shpeshherë rezultatet e testeve të I.Q kanë përdorur për të mbështetur superioritetin e një race mbi tjetrën, ose një gjinie (asaj mashkullore) mbi tjetrën. E megjithatë, testet përdoren në mënyrë rutinë si një sistem analizash në fushën akademike, biznesit dhe sociologjisë. Një gjë është e sigurt: në dekadat e fundit, rezultatet mesatare kanë vazhduar të rritet gradualisht, si për burrat ashtu edhe për gratë. Vetëm një zbulim i profesor Flynn, në vitet ‘80, ka treguar se, të paktën vendet perëndimore, rezultatet e testeve rritet me një mesatare prej tri pikësh çdo dekadë. Pra sot një europian arrin të marrë 30 pikë më shumë se gjyshërit e tij ose stërgjyshërit. “Kjo është një pasojë e modernizmit. Kompleksiteti i botës moderne i ka nxitur mendjet tona të përshtaten dhe si pasojë të rritet koeficienti i zgjuarsisë”, thotë Flynn për “Sunday Times”.
Sipas studiuesit, modernizmi duket se ka vepruar si një stimul më shumë për gratë sesa për burrat. Të dhënat e mbledhura prej tij tregojnë se koeficienti i zgjuarsisë së femrave është rritur më shumë se i meshkujve. Përfundimi është se në disa vende, si Australia, meshkujt dhe femrat arrijnë një rezultat të njëjtë. Në vende të tjera si Zelanda e Re, Estonia dhe Argjentina, ku profesor Flynn sapo ka nisur studimet e tij, gratë i kanë tejkaluar tani burrat. Kjo është një ngjarje e rëndësishme, sepse është hera e parë që ndodh në një shkallë kaq të madhe. Por ja dy teori për të shpjeguar këtë fenomen. Njëra është se gratë sot, të detyruara nga një jetë intensive, ku në të njëjtën kohë duhet të kujdesen për punën dhe familjen, kanë zhvilluar një zgjuarsi të madhe. Tjetra është se gjithmonë kanë pasur një zgjuarsi të madhe sesa meshkujt, por vetëm tani mund ta shprehin, sepse ata janë më të lira për të pasur një rol të pavarur. “Gratë kanë qenë për shekuj seksi në dizavantazh, i shtypur. Tani janë bërë të pavarura mund të shihet më mirë se sa vlejnë”, thotë Flynn.
Emma Gordon, një studente e diplomuar në Universitetin e Bristolit duke marrë rezultatet maksimale thotë: “Sot është bërë shoqërisht e pranueshme që një grua të jetë më e zgjuar se një burrë dhe këtë e vërtetojnë të dhënat shkencore”. Helena Jamieson, e dalë nga Kembrixhi me një doktoratë mendon se gjithmonë ka qenë kështu: “Thellë-thellë në vetvete ne femrat e kemi ditur se jemi më të zgjuara se meshkujt, por në të kaluarën duhej t’i përmbaheshim stereotipit të seksit të dobët, prandaj i kemi lënë meshkujt të duken më të zgjuar”.
/t/ch/