Financierja e kompanisë 4 bilionë USD

eGo0sTyle

System Engineer
erta-karaj.jpg

Mban titullin e financieres më të lartë në një nga kompanitë më prestigjioze amerikane për prodhimin e drogave neuropsikiatrike. Me një karrierë të sigurt profesionale dhe një model suksesi edhe për vet amerikanët, Erta Karaj është shembulli i vajzës së thjeshtë, por me ambicie të mëdha për jetën
Erta Karaj është shembulli tipik i femrës me këmbë në tokë dhe fare pak ëndërrimtare. Një vajzë e re, me pasaportë shqiptare në xhep, por me ambicie për t’u konsideruar. Një histori që deri diku ngjan me ato të mijëra emigrantëve shqiptarë që shpresuan një jetë më të mirë, por që ka më tepër dëshirën e ethshme për t’u realizuar profesionalisht. Do të bëhej pjesë e kompanisë “Biogen Idec INC”, një nga firmat më prestigjioze për prodhimin e drogave neurologjike, jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë. Dhe suksesit të kompanisë nuk mund të mos i faturohet një fitim vjetor që kap shifra që shkojnë deri në 4 bilionë dollarë në vit. Erta Karaj nuk do të “mbinte” aty nga hiçi për të prekur kaq lehtësisht ëndrrën amerikane. Prej vitit 1997, kur ajo u vendos në SHBA me familjen, rruga nëpër të cilën ka kaluar nuk ka qenë e lehtë. “Kompania më ofroi këtë mundësi duke u bazuar sigurisht në të kaluarën time profesionale. Një CV e pasur, eksperienca pune të kualifikuara dhe kësisoj ata gjykuan që isha një rast i volitshëm për kompaninë e tyre. Për mua ishte një privilegj, pasi “Biogen Idec INC” është një ndër kompanitë më të mëdha në USA. Intervista nuk ishte e lehtë, mund të them që ishte tepër e vështirë, me pyetje të shumta si nga ana profesionale, ashtu edhe nga ajo psikologjike. Në fund të disa intervistave rigoroze, testimeve që kalonin në skaner aftësitë e mia, besova se ia kisha ndalë mbanë, u ndjeva vërtet e sigurt. Kur më aprovuan në pozicionin e financieres së lartë të kompanisë, ishte arritje shumë e madhe për mua”, thekson Erta.
Përgjegjësitë
Në përditshmërinë e punës së saj asnjë ditë nuk i ngjan tjetrës. Tensioni mes letrave e shifrave, mes përmbylljeve me shumë zero mbrapa nuk është gjithnjë i lehtë. Dozat e përgjegjësisë shtohen edhe më tepër kur punon për një nga kompanitë më serioze në tregun amerikan që njihet për prodhimin e ilaçeve kundër çrregullimeve neurologjike dhe sklerozës. “Një nga pikat kyçe që të jesh e suksesshme në punën time është të mbash lidhje ndërmjet departamentit të Financës me atë të Shkencëtarëve. Puna ime gjithashtu konsiston në mbajtjen e buxhetit të kompanisë dhe parashikimin e tij. Bashkëpunoj gjatë gjithë kohës me drejtuesit më të lartë të kompanisë, punoj me stafin dhe drejtuesit e kostove, me qëllim që të mbajmë nën kontroll shitjet dhe koston e marketingut. Rutina e përditshme kërkon menaxhimin e buxhetit për fusha të ndryshme dhe të sigurosh që çdo gjë është perfekte, të përgatisësh raportet dhe t’i prezantosh ato në mënyrë të shkëlqyer te drejtuesit e saj. Ndodh që dita ime të jetë vetëm mbledhje të njëpasnjëshme, ngarkesë emocionale që lind natyrshëm prej nevojës për siguri dhe kualitet në punë… Tanimë jam stërvitur me kësi situatash”, thotë 32-vjeçarja nga Tirana, e cila prej 14 vitesh jeton në Boston, Massachusetts.
Drejt ngritjes
Terreni nëpër të cilin ajo kishte shkelur nuk ishte krejt i paqenë. Pas përfundimit të studimeve të larta universitare dhe masterit në profilin Administrim Biznesi me rezultate të shkëlqyera, vendi i parë i punës për Ertën do të mbahet mend jo vetëm për prestigjin, por edhe për kulturën e punës me të cilën u mëkua e mbi të gjitha aty Erta do t’i gëzohej shpejt ngritjes plot gjashtë herë në detyrë. “Sapo mbarova kolegjin, shkolla më ndihmoi të punësohesha në një kompani në Boston të quajtur “Staples INC”. Një kompani e suksesshme për profilet e teknologjisë kompjuterike. Punova aty për tetë vjet me radhë dhe kam marrë gjashtë herë ngritje në detyrë, deri sa arrita të bëhem “Senior Financial Analyst II”(Analist i lartë financiar). Pas kësaj u punësova nga kompaninë “Biogen Idec”, në të cilën jam e angazhuar për momentin. Jam shumë e dhënë mbas shkollës dhe edukimit. Për mua është një hap kyç e pa atë dhe punën time të vazhdueshme kurrë nuk do të kisha arritur këtu ku jam tani”, vijon ajo. Të punuarit për një kompani serioze që në qendër të misionit të vet ka përmirësimin e jetës së njerëzve, jo vetëm që përkthehet në kënaqësi, por është një nevojë më shumë për të qenë pranë pacientëve dhe individëve qoftë me probleme mendore apo ata me sëmundje të sklerozës. Në realitet, Erta Karaj nuk e kishte menduar kurrë se do të “ngatërrohej” me botën e ndërlikuar të shifrave e bilanceve, madje ajo e cilëson si një sekret të vogël faktin që kur ishte në shkollë të mesme gjithmonë ëndërronte të bëhej gazetare dhe e urrente financën dhe shifrat. “Jeta e solli që unë të vazhdoja për Biznes dhe madje shkova edhe më tutje, mbarova masterin duke u specializuar për këtë profil. Tani jam e dashuruar me profesionin tim. Kam dhënë shumë mund e djersë për të dhe jam e kënaqur që zgjodha këtë rrugë. Puna si financiere e lartë në kompaninë ku punoj më jep kënaqësinë jo vetëm për të ardhurat monetare, por edhe për natyrën e saj, për ndihmën dhe suportin në emër të pacientëve dhe klientëve. Sigurisht ka ditë që janë shumë stresuese dhe të ngjeshura, por janë bashkudhëtare të profesionit tim. Ka diçka të re që mëson çdo ditë në këtë fushë dhe ndjehem më shumë se e realizuar profesionalisht”. Si shqiptare, ajo kurrë nuk ka ndierë shikimet vëngër të kolegëve, përkundrazi. Përpos sukseseve të njëpasnjëshme dhe ngritjes profesionale, ajo ka gjetur vetëm përkrahje dhe vlerësim në radhët e të gjithëve me të cilët ka marrëdhënie pune. Për Ertën, Amerika është ndër të paktat vende ku vërtet ndihesh mirë, ku ke gjithë hapësirat e nevojshme për t’u ndierë i lirë, i vlerësuar dhe ku dyert e suksesit të hapën pavarësisht pasaportës që mban në xhep.

ERMIRA ISUFAJ
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top