Një 67-vjeçar ka gjetur vdekjen në tualetin e një moteli, nga një atak në zemër, i shkaktuar nga përdorimi i viagrës. Policia ka arrestuar në kushtet e flagrancës një 32-vjeçare që ndodhej me të në dhomën e motelit, nën akuzën e "ushtrimit të prostitucionit". Burime zyrtare të Policisë së Fierit bëjnë të ditur se paraditen e së mërkurës ka gjetur vdekjen 67-vjeçari Abedin Sinaj. Burri është gjetur i vdekur në tualetin e një moteli në periferi të qytetit të Fierit, në afërsi të stacionit të trenit.
Vdekja e Sinajt ka qenë e menjëhershme dhe është njoftuar nga "shoqëruesja" e tij. Ajo ka njoftuar administratorin e motelit dhe ky i fundit policinë. Mësohet se Sinaj kishte rezervuar paraditen e së mërkurës një dhomë në motelin pranë stacionit të trenit në Fier. Burri kishte hyrë në motel në shoqërinë e 32-vjeçares Edlira Xhelili. Rreth gjysmë ore më vonë, e alarmuar Edlira Xhelili ka kërkuar ndihmën e recepsionistit të motelit, pasi "partneri" i saj ishte rrëzuar pa ndjenja në banjë. Të dy së bashku i janë afruar banjës së dhomës së motelit dhe kanë parë të shtrirë në dyshemenë e saj 67-vjeçarin, i cili nuk jepte shenja jete. Menjëherë është njoftuar pronari i motelit dhe më pas policia.
Uniformat blu dhe ekspertët kriminalistikë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, por e kanë gjetur pa jetë 67-vjeçarin Sinaj. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se burri ka vdekur disa minuta para mbërritjes së policisë. Pas ekspertizave të kryera në trupin e tij ka dalë se ai nuk kishte shenja dhune dhe se vdekja i ishte shkaktuar si pasojë e një ataku të miokardit. Autopsia e kryer ndaj 67-vjeçarit si dhe analiza e një mostre të marrë në stomakun e tij ka treguar se goditja në zemër i është shkaktuar si pasojë e një aritmie të papritur, që ka ardhur nga përdorimi i medikamentit stimulues "viagra".
Pas dërgimit të trupit të 67-vjeçarit në morgun e spitalit të Fierit, policia ka shoqëruar në mjediset e komisariatit 32-vjeçaren Edlira Xhelili. Ndaj saj është marrë masa e ndalimit për veprën e "ushtrimit të prostitucionit". Policia pohon se 32-vjeçarja njihej si punonjëse e seksit në zonën e Fierit. Ajo siguronte e vetme klientë dhe në shkëmbim të shërbimit merrte nga 5 mijë deri në 7 mijë lekë të reja, në varësi të gjendjes ekonomike të klientëve. "Gjuetinë" e tyre Xhelili e kryente e vetme, duke frekuentuar mjedise të ndryshme të qytetit të Fierit, Patosit dhe Ballshit.
67-vjeçari, baba i gjashtë fëmijëve, prej dy vitesh jetonte në lagjen "1 Maj" të Fierit, ndërsa 32-vjeçarja është banore e lagjes "Naftëtari" në qytetin e Patosit dhe lëvizte në zonat pranë për të gjetur "punë" me qëllim mbijetesën.
Në Qarkun e Fierit policia ka goditur shpeshherë vatra të ushtrimit të prostitucionit, të cilat operonin jo vetëm në mënyrë të organizuar, por edhe në mënyrë spontane. Ndër format e ushtrimit të prostitucionit në Fier që janë zbuluar nga policia periudhën e fundit kanë qenë ushtrim prostitucioni në makina, në motele përgjatë autostradës, në lokale dhe në banesa private. Kryesisht janë femra të divorcuara apo pa arsim ato që janë ndaluar nën akuzën e ushtrimit të prostitucionit. Ndërsa në Fier janë arrestuar edhe femra që ushtronin "profesionin" e tutores.
SHQIP