Përleshja e një gjarpri me një bebe në Izrael ka përfunduar në mënyrën më të paparashikueshme. Fëmija 1-vjeçar e ka vrarë gjarprin duke i këputur kokën me një kafshim. Ngjarja e habitshme ka pushtuar të gjitha mediat izraelite ditët e fundit. Fëmija 13 muajsh Imad Gadir, nga Shfaram, një zonë në veri të Izraelit, u gjet nga e ëma teksa kafshonte trupin e gjarprit të ngordhur me gjatësi 35 cm.E tmerruar, ajo ka lajmëruar menjëherë një nga fqinjët, i cili ia ka hequr nga dora gjarprin fëmijës. “Mendoj se Imad është shtyrë nga instinkti fëmijëror kur ka futur kokën e gjarprit në gojë”, citojnë mediat izraelite Eli Cohen, një njohës i mirë i gjarpërinjve. “Për fat të mirë, ky lloj gjarpri nuk është helmues, përndryshe ngjarja mund të ishte kthyer në tragjedi”, thotë ai. Por ata që mendojnë se fëmija ka fituar një betejë të lehtë, gabohen. Sipas Cohen, gjarpri që ka sulmuar fëmijën në fjalë kishte një tjetër strategji për të kapur prenë. “Ky lloj gjarpri mbështillet rreth qafës së presë së tij derisa e mbyt”, thotë Cohen.Tashmë fëmija, i cili krahasohet nga mediat me Herkulin e vogël të mitologjisë klasike, është dërguar në spitalin e Haifas. Aty, ai u është nënshtruar ekzaminimeve, të cilat më shumë do të shërbejnë për të qetësuar dy prindërit e tij.
/ALBLIVE/
/ALBLIVE/