Rekordi
Kërkuesit thonë se jo vetëm që 2015-a ishte viti më i nxehtë në historinë botërore, por gjithashtu kontinenti europian nuk ka përjetuar temperatura kaq të larta që nga Roma e lashtë
Europa është më e nxehtë tani nga sa ka qenë gjatë çdo periudhe kohore në këto 2000 vitet e fundit, pretendon një studim i ri.
Shkencëtarët thonë se zbulimet e tyre forcojnë pretendimet se ngrohja globale është bërë nga njeriu dhe jo pjesë e një cikli klimatik normal. Dhe ata kanë paralajmëruar se ne e kemi nënvlerësuar shtrirjen e ngjarjeve të mundshme ekstreme në të ardhmen, si për shembull valët e të nxehtit.
Shumica e Europës ka përjetuar verë të nxehtë gjatë disa dekadave të fundit, shoqëruar nga valët e të nxehtit të rëndë në vitin 2003, 2010 dhe 2015.
Kërkimi i ri e rendit të nxehtin aktual në një kontekst historik 2100-vjeçar, duke përdorur informacion nga rrathët e pemëve, një tregues kyç i klimës në të shkuarën.
Zbulimet u kombinuan më pas me dokumente historike për të sjellë një rindërtim të temperaturës gjatë verës në Europë. Hulumtimi, i publikuar në revistën “Kërkimi mjedisor”, tregon se gjatë 30 viteve të fundit, temperaturat janë rritur më shumë nga ç’pritej prej ngjarjeve natyrore, si shpërthimet e vullkaneve dhe aktiviteti diellor.
Profesor Jurg Luterbacher, nga Universiteti i Giessenit, tha: “Ne tani kemi një imazh të detajuar se si temperaturat kanë ndryshuar në Europë për më shumë se 2000 vjet dhe mund ta përdorim këtë gjë për të testuar modelet klimatike që përdoren për të parashikuar ndikimet e ngrohjes globale në të ardhmen.
Kërkimi, nga një grup prej 45 shkencëtarësh prej 13 vendeve, zbuloi se stinët më të nxehta të verës u përjetuan në shekullin e tretë, që i lejuan romakët të rrisnin rrushin dhe të bënin verë në veri të Britanisë.
Kjo u pasua nga kushte përgjithësisht më të ftohta nga shekulli i katërt në atë të shtatë.
Një periudhë përgjithësisht e nxehtë mesjetare u pasua nga një mallkim të ftohti nga shekulli 14 deri në atë 19, njohur si Periudha e Vogël e Akullnajave.
I nxehti filloi sërish në shekullin e 20 dhe në dekadat e fundit gjithashtu, që provohet më së miri në rrathët e pemëve dhe provat historike, mbi të cilat bazohet studimi. Provat sugjerojnë që ndryshimet e fundit natyrore në temperaturat e verës janë më të mëdha nga sa mendohej më parë, gjë që tregon se modelet klimatike mund të nënvlerësojnë ngjarjet ekstreme të së ardhmes, përfshirë valën e të nxehtit.
Ky ndryshim, në të shkuarën, është lidhur me shpërthime të mëdha vullkanike dhe ndryshime në energjinë e marrë nga dielli.
Zbulimi i ri, që temperaturat në 30 vitet e fundit kanë dalë jashtë ndryshimit normal të natyrës, mbështesin konkluzionet e arritura nga Paneli Ndërkombëtar për Ndryshimin Klimatik, që ngrohja e kohëve të fundit është shkaktuar kryesisht nga djegia e karburanteve fosile, pra nga aktiviteti njerëzor.
Bashkautori Danny McCarroll, tha: “Ne prisnim që temperaturat aktuale të ishin të ngjashme me ato në mesjetë dhe me ato të kohës romake, por janë në fakt më të nxehta. Kjo na befasoi!”.
“Nuk ka asnjë shpjegim tjetër për këtë anomali veç gazeve serë, sipas meje”, tha ai.
Shumica e shekullit 20 ishte në mënyrë të ngjashme e nxehtë me periudhat e tjera të së shkuarës, sepse u desh një periudhë kohore derisa aktiviteti njerëzor të fillonte nga veprimi. Kjo do të thotë se deri më tani ne e kemi nënvlerësuar rrezikun me të cilin mund të përballemi.
“Ne kemi dëgjuar vetëm që 2015-a ishte viti më i nxehtë në historinë e Europës”, tha studiuesi. Profesori McCarroll shtoi se skuadra e tij e punës analizoi kryesisht rritjen e rrathëve të pemëve në alpet e Europës dhe zonat skandinave, sepse këtu ndikon më së shumti klima.
Ato u kombinuan me të dhëna historike që janë mbajtur në të shkuarën, si për shembull taksat dhe të korrat. “Të dhënat janë arkiva të burokratëve të së shkuarës, informacione të mërzitshme, por që tani na shërbejnë shumë”, tha kërkuesi.
Megjithatë, bota ka filluar ta marrë ndryshimin klimatik seriozisht dhe të angazhohet për të zgjidhur problemet që do të vijnë prej tij, si dhe parandalimin e përkeqësimit të kushteve të planetit tonë.
Në marrëveshjen e Parisit, negociuar në dhjetor, vendet u zotuan të ulin rritjen e temperaturave globale nën dy gradë Celsius nga niveli paraindustrial, duke kufizuar çlirimet e gazeve serë dhe duke iu kthyer burimeve të gjelbra të energjisë. Fati i të gjithë njerëzimit do të varet nga zbatimi i politikave të dobishme mjedisore.
g.shqip