Ermira Mehmeti: Shërbëtorët e dreqit e të birit nuk po pajtohen që mund ti superojë n

Arfenilla

Themelues i Forumit
Ish-deputetja e BDI’së në Parlamentin e Maqedonisë, tani bartëse e listës në njësinë numër 1 për zgjedhjet e parakohshme, në një intervistë për Gazetën Express, flet për veten dhe për subjektin politik të cilit i takon, për mesazhet që i sjellin BDI dhe ajo vetë përpara shqiptarëve, për jo-korrektësinë që po e karakterizon skenën politike shqiptare në Maqedoni, për “laboratorët që prodhojnë mjegull”, për qëndrimin ndaj ndjenjave fetare të elektoratit...

Express: Ju jeni bartëse e listës se Bashkimit Demokratik për Integrim në njësinë zgjedhore numër 1, që konsiderohet si njëra nga njësitë më të komplikuara për të dhënë mesazhin politik po edhe për të pranuar atë. ). Pse pikërisht ju dhe çka ofroni për votat të cilat kërkoni? Duket se do jetë mjaftë vështirë kësaj radhe?


Ermira Mehmeti: Bashkimi Demokratik për Integrim tradicionalisht ka qenë fituese në këtë zonë, bile edhe në kohët kur I kanë qëndruar karshi figura shumë të njohura e me autoritet në këto anë dhe kur strukturat e kundershtareve tanë kanë qenë vërtetë respektabile. Mandatin tim të parë si deputete e kam fituar pikerisht në këtë zonë, anipse kam qenë e e dyta në listë. Pra, e njoh mirë këtë njësi, më lidhin shumë gjëra me njerëzit e saj. Tani që po rikthehem të kërkoj votën e tyre si bartëse e listës, kuptohet se më shtohet përgjegjësia. Vota e këtyre njerëzve me të cilët unë jetoj dhe me të cilët I kam ndarë përherë të gjitha hallet është në rend të parë për BDI, për subjektin politik të cilit unë I takoj e I cili ka bërë të pamundurën që edhe njësisë numër 1 sikur edhe të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë t ‘ju ofrojë zgjidhje dhe mundësi për një jetë më të dinjitetshme e më të begatë. Pra, ballëlartë e me dinjitet dal para votuesve shqiptarë të kësaj njësie dhe të cilësdo njësi ku jetojnë shqiptarë, e sigurtë se do fitoj bindshëm bashkë me partinë time. Dhe, nuk do fitoj për shkak të fjalëve boshe, do fitoj sepse me BDI dhe me mua do të fitojë oferta e vërtetë, integrimi euroatlantik dhe ardhmëria e ndritshme e shqiptarit. A do jetë më vështirë kësaj radhe ? Asgjë në politikë nuk të ofrohet e gatshme,në tepsi, duhet luftuar dhe duhet dalur fitues nga lufta. Edhe unë, edhe BDI e dijmë fortë mirë se si fitohen luftërat politike, për ato të tjerat të mos flasim. Pse pikërisht unë në njësinë 1, më pyetët. E pse jo, po ju pyes unë juve?

Express: Do i rrënoni barrierat që me vite po ia vendosin subjektit të juaj politik kundërshtarët e konceptit eurointegrues ? اka në të vërtetë po synoni ju dhe cili është çelësi që duhet përdorur në këtë turlitavë politike, etnocentrike, neoromantike, kriminale, koruptive…

Ermira Mehmeti: Po pritni t’ju përgjigjem shkurt anipse ju më shtruat ,në fakt, pesë pyetje ? Më mbeteni borxhli një intervistë më të gjatë që të sqarohem përpara opinionit. Por, sidoqoftë, dëshiroj të them qartë atë që kam tentuar ta profiloj gjatë këtyre viteve të ekzistimit tim në politikë. Pra, po theksoj se në kodin tim politik është e regjistruar përpjekja dhe synimi jo për të rrënuar diçka, qofshin ato edhe barriera. Ai koncept është arkaik dhe nënkupton dhunë dhe mund të panevojshëm në fund të të cilit sërish do të hasni në një barrierë më të madhe që e vendosin njerëz që kanë të bëjnë me elementet që përmendët në pyetjen e juaj. Unë dëshiroj të hap barrierat, dëshiroj që subjekti im politik dhe populli im të kalojë lirshëm e me mençuri vështirësitë që I paraqiten . Nëse ju keni gjetur çelësin për të hapur një barrierë, të dytën, të tretën, kundërshtari I juaj do të dorëzohet. Politika është, megjithatë, mjeshtri.

Express:Të gjitha vlerësimet janë se kësaj here do kemi në Maqedoni një fushatë tejet të ndyrë dhe jokorrekte. Ju vetë ishit cak i më tepër akuzave të orkestruara në periudhën e fundit. Kush vlerësoni se qëndron pas tyre dhe cili ishte qëllimi I tyre ?

Ermira Mehmeti: Shikoni, unë në princip nuk merrem me fëlliqësira sepse ato flasin për njerëzit që I përhapin dhe merren me ato. Kësaj here isha e detyruar ti shkoj deri në fund punës e ti detyroj të demantojnë e të kërkojnë falje ata që e sajuan trillin. Pas këtyre pisllëqeve qëndrojnë pisat, kuptohet, qëndrojnë njerëz të frustruar e të kompleksuar, dështakë, varfanjakë intelektual, shërbëtorë të dreqit e të birit, ata që nuk mund të përpijnë faktin se një femër shqiptare mund ti superojë intelektualisht. Në kohën kur portat e internetit janë hapur për çdokënd dhe kur gjithfarë dallaverxhiu pretendon të bëhet gazetar, kur shërbime të ndryshme sekrete po e punojnë internetin si bahçen e babës dhe kur anonimusë dëshirojnë të zbrazin komplekset e tyre duke u fshehur pas nofkave , çdo gjë është e mundur. Por, ja ku jam, më e fortë se asnjëherë tjetër, e gatshme të luftoj çdo padrejtësi, trillim, gënjeshtër dhe plan të përpiluar në laboratorët e prodhimit të mjegullës qoftë nga ana e albanofobëve, qoftë nga kundërshtarët e opsionit politik të cilit I takoj, qoftë nga mjeranët që e hudhin gurin për të lënduar padrejtësisht një grua dhe, si qyqarë që janë, e fshehin dorën. Fakti që unë po dal në betejë në këto zgjedhje flet çdo gjë. Ku janë qyqarët e mjeranët, nuk e di.

Express: Në Maqedoni është tejet i rëndësishëm qëndrimi i politikanit ndaj fesë, në këtë rast ndaj fesë islame. Opozita tanimë ka filluar “të betohet në Allah”.

Ermira Mehmeti: Gjithmonë kam mbajtur qëndrimin se fesë duhet t’i jepet ajo që i takon fesë dhe politikës ajo që i takon politikës. Kuptohet, ato mund edhe të bashkëpunojnë në çaste të caktuara për të zgjidhur një problem a për të shpier përpara një proces që ka të bën me fatin e popullit. Të merremi vesh, edhe feja, edhe politika kanë të njëjtin “xhemat”. Pra, BDI ju drejtohet kryesisht shqiptarëve dhe shqiptarët e Maqedonisë janë kryesisht pjesëtarë të Islamit. Asnjëherë nuk do të shkelim mbi të drejtat dhe kërkesat e besimtarëve myslimanë, përkundrazi do të ndihmojmë maksimalisht që të realizohen të drejtat e besimtarëve myslimanë dhe të komunitetit mysliman. Sa më përket mua, çdokush ka të drejtë të shpreh bindjet e veta fetare ashtu si e vlerëson ai vetë, pra edhe mund të betohet publikisht në Allah. Nuk e di kush e ka bërë këtë por në të shkuarën kemi qenë dëshmitarë të keqpërdorimit të bindjeve fetare të njerëzve. Shyqyr , në Islam nuk ekziston ndërmjetësues mes njeriut dhe Allahut dhe kënaqësia e bukuria e të qenurit besimtar I devotshëm lidhet me lutjet dhe ibadetet që besimtari ia kushton drejtpërsëdrejti Krijuesit. Pra, të ndihmojmë fenë, por mos ta ndyejmë atë me apetitet tona politike.

Express:Në këtë cikël zgjedhor të parlamentareve, BDI ka paralajmëruar garimin edhe në njësinë e katërt zgjedhore, që shtrihet në Kavadarci, Gjevgjeli, Dojran, Vallandovë, Strumicë; qytete kryesisht maqedonase. Keni aspirate reale apo është më tepër një akt simbolik i gjithpërfshirjes së shqiptarëve në zgjedhje?

Ermira Mehmeti: Në fakt, nuk kemi nxjerrur listë në njësinë zgjedhore numër 4. Kishte disa ide se BDI, si parti politike që synon rrënimin e barrierave dhe që pretendon të jetë përfaqësues I të gjitha etnive përpos maqedonasve, duhet garuar edhe në këtë njësi, qoftë edhe për shqiptarin e fundit që mund të jetojë diku në Gjevgjeli, por mbizoteroi bindja se Maqedonia, si mentalitet, akoma nuk është e gatshme për një revolucion të tillë politik. Ne shpresojmë që në këto zgjedhje, për herë të parë të arrijmë të fitojmë një deputet në njësinë zgjedhore 3, që është Maqedonia qendrore dhe një pjesë e asaj Lindore. Testi I sivjetëm do të jetë argumenti për listën në zonën 4 në zgjedhjet e ardhshme.
ermira-mehmeti.jpg

Express: Opozita ka ashpërsuar edhe një herë retorikën e saj. Ndër tjera, ka filluar me “zbardhjen” tradicionale të dokumenteve. Këtë herë, në një të tillë që aludon në korrupsion dhe konflikt interesash, u përfshitë edhe ju.

Ermira Mehmeti: Për mua, të ashtuquajturat ‘afera korruptive’ që zbardhen gjatë fushatave zgjedhore nuk janë asgjë tjetër, përpos pjesë e fushatës negative të rivalëve politikë. Unë mendoj se kjo ishte e pritshme dhe është pjesë e një fushate më të gjatë kundër personalitetit tim si individ, si femër, si intelektuale dhe si politikane e panjollosur. Nisi me ndërhyrje në jetën time private, tentoi të përfshinte anëtarët e familjes time, u zgjerua me sajimin e një afere gjoja se dashurie, dhe kulminoi me ‘aferë korruptive’. Këta janë tre elementet ndaj të cilëve votuesit janë më të ndjeshëm në raport me të zgjedhurit e tyre. E, kur në një afat prej tre muajsh ju ndodhin që të tri aferat, a duhet akoma të dyshojmë se kjo nuk është një fushatë e orkestruar?! Duket ironike por është e vërtetë, për fat të keq.

Express:Keni apeluar kohëve të fundit që të shqyrtohet fenomeni i votuesve fiktiv nga komuna e Liqenasit të Shqipërisë, për të cilët ekzistojnë indikacione se po votojnë në dobi të VMRO-DPMNEsë gjatë proceseve zgjedhore. Madje, subjekti të cilin përfaqësoni, ka kontestuar mbi 400 votues të cilët janë paraqitur të votojnë në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë. Kërkesa është hedhur poshtë, si nga KSHZ-ja, ashtu edhe Gjykata Administrative. Cka me tej?

Ermira Mehmeti: Manipulimet e këtilla ishin të pritshme. Për më shumë, ne si subjekt politik, sikur jemi mësuar me tentimet e këtilla për të na bërë hile institucionale në mënyrë që të na grabitet fitorja e drejtë dhe e merituar. Na ka ndodhur në vitin 2008, për shembull. Por, zgjedhjet e vitit të kaluar në Kërçovë janë prova dhe përgjigja më e mirë ndaj tendencave të këtilla të orkestruara nëpër shtabet e partive politike. Mobilizimi I diasporës shqiptare për të votuar kandidatin shqiptar, për herë të parë pas 70 vitesh e riktheu Kërçovën në qeverisjen e shqiptarëve, edhe pse u bënë koalicione joparimore, koalicione etnike, e tentime të tjera për të na e marrë fitoren. Në fund, fituan gurbetçarët. Tani është koha që e njejta të ndodhë me diasporën!

Express:Zgjedhjet e dyfishta në vend, ngjallën një sërë aktivitetesh jokonvencionale, si në aspektin juridik të tyre (nderhyrjet ne Kodin zgjedhor për shkak të afateve…), ashtu edhe në atë politik. Mes tyre, figuron edhe bojkoti i organizuar i BDI-së ndaj procesit të zgjedhjes së presidentit, me pretekst se kërkohet kandidat konsensual. Me që edhe më tej ekzistojnë paqartësi në opinion rreth kësaj çështjeje, si e përkufizoni ju konensualitetin në këtë kontekst?
b_7343.jpg

Ermira Mehmeti:Ne ishim të detyruar të kërkojmë shpërbërjen e Parlamentit, si përgjigje politike ndaj mosarritjes së marrëveshjes për një kandidat konsensual presidencial ndërmjet partive politike. Jam dakord se akoma ka paqartësi lidhur me këtë ide, rëndom ndodh kështu kur ofrohet diçka e re, qoftë ide apo politikë. Ideja jonë për një kandidat konsensual buroi nga fakti se gjatë të gjitha cikleve presidenciale zgjedhore, me votat e elektoratit shqiptar është bërë tregti në prag të raundit të dytë. Kjo ka dobësuar figurën e Presidentit, por më keq akoma, nuk ka lejuar demokratizimin e mirëfilltë të trupit votues shqiptar. Parimisht, ideja jonë ka qenë që ta rrënojmë këtë parim të politikëbërjes dhe të ofrojmë një koncept të ri për zgjedhjen e Presidentit, për sa kohë që Kushtetuta jonë parasheh zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale, dhe jo votim në Kuvend. Për sa kohë që jetojmë në një shtet të organizuar mbi baza etnike, kur dy popujt më të mëdhej, shqiptarët dhe maqedonasit, jetojnë në shoqëri paralele dhe të fragmentuara, ne kemi vlerësuar se është koha për një President, figura e të cilit do të përafronte dhe nuk do të distanconte, do të bashkonte, në vend se të ndante. Për fat të keq, shteti ynë akoma nuk ka arritur në këtë nivel të maturisë politike. Besoj se angazhimi ynë politik në të ardhmen do të jetë në drejtim të jetësimit të kërkesës për zgjedhje të Presidentit në Kuvend.
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top