Engjëj apo djaj të politikës?

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
BLEDAR KURTI

Bledar KurtiKohët e fundit kanë nisur të qarkullojnë zëra për ndryshime të sistemit zgjedhor, ndryshim të formës dhe numrit të përfaqësimit, dhe propozime gjysmake për rishikim të mënyrës së formimit të qeverisë pas zgjedhjeve. Kreu de jure i opozitës, Lulzim Basha, hodhi tezën e zvogëlimit të numrit të deputetëve nga 140 në një numër më të vogël, e pasuar me zëra të tjerë për riorganizimin e Parlamentit në sistem bicameral (dy dhomash); dhoma e deputetëve dhe senati.

Kemi dëgjuar zëra edhe për bashkëpunim të mundshëm PS-PD për arritjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, dhe janë përmendur shumë zgjidhje allaspanjolle e greke, por në fakt, nuk ekziston asnjë problem në sistemin zgjedhor aktual dhe as në mënyrën e përfaqësimit. Problemi i vetëm është frika për 2017-n.

Ligjet në tërësi dhe sistemet përfaqësuese apo politike, janë të vdekura nëse nuk përmbajnë integritetin e zbatueshmërisë. Një ligj me të meta do të zbatohej me integritet nga engjëjt, dhe një ligj i përsosur do të shkelej me të dyja këmbët nga djajtë. Dhe duke u pajtuar plotësisht me thënien e Shekspirit që “ferri është bosh, sepse djajtë kanë zbritur të gjithë këtu”, çdo propozim engjëllor, për gjoja të mirën e vendit, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për Shqipërinë europiane etj., nuk është asgjë më shumë sesa një truk djallëzor, për përfitimet e gojës prej së cilës dalin propozimet politiko-hyjnore.

Shqipëria është ende e brishtë politikisht dhe aq më shumë ekonomikisht. Ndryshimet në sistemin zgjedhor, ulja e numrit të deputetëve, zbatimi i primit: ku partia e parë bën qeverinë pa pasur nevojën e 50+1 të votave në parlament, nuk kontribuojnë aspak në stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik të vendit, përkundrazi, i dëmtojnë më shumë ato.
Numri më i paktë i deputetëve shton arrogancën e atij ofiqi, senatorët (padyshim me mandate më të gjata) do të na rikthejnë kryepleqërinë rurale, por kësaj here në mes të kryeqytetit.
Edhe primi nuk do të bëjë asgjë më shumë sesa ta kthejë vendin dekada pas dhe të forcojë edhe më shumë autoritarizmin në politikën shqiptare dhe qeverisjen absolute kaq të dëshiruar nga politikanët tanë.

Përveçse janë truke djallëzore, propozime divergjence dhe aspak konstruktive, janë tërësisht jashtë kontekstit të historisë e gjeografisë shqiptare dhe kundër vetë parimeve demokratike të përfaqësimit dhe qeverisjes. Senati, primi etj., ekzistojnë në vende të ndryshme, por janë të përdorura në kontekstin përkatës. SHBA-ja, Italia, Anglia, kanë dy dhoma, por njëra është republikë presidenciale, tjetra e ndarë në rajone, dhe e fundit është monarki parlamentare. Duke shfrytëzuar mungesën e njohurive të sistemeve politike, duke i trajtuar njerëzit e thjeshtë si injorantë dhe pa vetëdije politike, krerë të caktuar partie apo media klienteliste krijojnë tymnajë për të fshehur atë që përmenda më lart: frikën e 2017-s.

Duke ofenduar inteligjencën e shqiptarëve, të frikësuarit e largimit nga politika në zgjedhjet e ardhshme, përdorin alibinë e sistemit të keq apo ligjeve me defekte për të justifikuar humbjen. Në këtë mënyrë shtrojnë përpara opinionit publik teza, ide utopike apo edhe shembuj të vendeve të mëdha si SHBA. Me dinakëri informojnë opinionin publik se, për shembull, le të kthehemi në sistemin dypartiak si Amerika apo le ta ndajmë parlamentin në dy dhoma, duke fshehur të vërtetën përse ai vend ka dy dhoma përfaqësimi dhe ka atë sistem politik që ka.

Shpeshherë liderë të caktuar sugjerojnë që të aplikohen të njëjta korniza kushtetuese si SHBA-ja apo vende të tjera demokratike dhe suksesi do të jetë i garantuar edhe në Shqipëri. Këto eksperimente nuk kanë rezultuar të vërteta. Për shembull, Bolivia, pasi huazoi fjalë për fjalë Kushtetutën e SHBA-së, nga vitet 1826 deri 1898 pësoi gjashtëdhjetë revolta dhe gjashtë presidentë të vrarë. Në Shqipëri shumica e sugjerimeve apo tentativave për ndryshime në sistemin zgjedhor apo mënyrën e përfaqësimit dhe qeveribërjes janë kurthe dhe u shërbejnë vetëm të frikësuarve për të ardhur në pushtet apo për ta mbajtur akoma atë.

Po çfarë na qenka kjo frika e 2017-s? Kush dhe përse paska kaq frikë sa flet përçart dhe ofron eksperimente sistemesh zgjedhore, formula parlamentarizmi dhe qeverisje njëpartiake? Në mungesë të një bashkëpunimi shumëvjeçar për çështje të rëndësishme të vendit, përse befas PD – PS bashkohen për ndryshimet e sistemit zgjedhor? Përgjigjja është e thjeshtë! E ka emrin LSI.

Tashmë është e pranuar nga të gjithë që LSI-ja është partia që prish ëndrrat autoritariste dhe shuan dëshirat e kujtdo politikani për pushtet absolut. E gjithë politika shqiptare është e vetëdijshme në logjikën e saj të ftohtë se guri që ata e hodhën tutje në 2008-n tashmë është bërë guri i qoshes, dhe mbi të ndërtohet kulla e qeverisjes. Por, ndërsa me logjikë të ftohtë e njohin këtë fakt, e kanë akoma të vështirë për ta pranuar me zemër apo emocionalisht, duke shpresuar të bëjnë lëvizjen e radhës për të gjetur një formulë për ta shkatërruar këtë parti.

Dhe përse janë shtuar ethet e 2017-s? Sepse LSI-ja është një ushtri në rritje, solide dhe e disiplinuar me 260 000 vota! Dhe nëse shihet në terma strategjike drejtimi, formacionet solide me drejtues të zgjuar mposhtin edhe ushtritë disafish më të mëdha, si për shembull (ndonëse jo ilustrim i saktë, por thjesht për të përforcuar argumentin) Aleksandri i Madh kishte 47 000 ushtarë kur mposhti Darius me 100 000 (madje, sipas burimeve të hershme, besohet se mund të ishte deri në një milion), dhe mori Babiloninë, ndërsa Jul Cezari me 22 000 ushtarë mposhti Pompein me 44 000 ushtarë, duke fituar Romën. Duke marrë në konsideratë që politika është një fushëbetejë edhe më e ashpër se ajo ushtarake, këta shembuj ndoshta nuk janë edhe aq të papërshtatshëm.

Nuk ka asnjë dyshim që Meta është politikan profesionist dhe lektor i politikës shqiptare, dhe partia që ai drejton është më e disiplinuara në aksionet elektorale e politike, dhe si rrjedhojë përbën edhe arsyen e etheve të partive të tjera për zgjedhjet e vitit 2017. PD-ja është në një gjendje mjerane për arsye të një lidershipi të dobët, PS-ja kryeson një qeverisje, e cila, duke marrë në konsideratë telashet dhe skepticizmin e dy viteve të shkuara, e ka të pamundur të jetë e suksesshme në dy vitet e ardhshme, ndaj këto fakte bëjnë që në 2017-n të rrezikohen që të dyja partitë.

Si Basha ashtu edhe Rama nuk kanë më asgjë të re për të dhënë në dy vitet e ardhshme. Basha nuk mund të bëjë opozitë më të fortë, sepse e ka humbur respektin e partisë së tij, e as Rama qeverisje më të mirë, sepse ministrat i ka të gjithë të lodhur dhe me ide të shteruara, ndaj me urgjencë kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor për të arritur më shumë kredibilitet politik nga elektorati. Por, koha ka treguar që sa herë PS-ja dhe PD-ja bashkohen kundër LSI-së, dy partitë e mëdha dalin me humbje.

Në kohë frike nisin e dalin idetë utopike. Gjatë dy dekadave të fundit, periudhë e mbushur me eksperimente politike, kemi dëgjuar ide nga më të ndryshmet, si për shembull: President i zgjedhur nga populli, kryetarë bashkie të propozuar nga populli, krijimin e një senati, një parlament gjysmë proporcional dhe gjysmë mazhoritar, politikë vetëm dypartiake dhe ja së fundmi edhe primi. Sistemet bëhen nga dhe për njerëzit, ndaj nëse nuk janë të bazuara mbi vlerat demokratike, qytetare dhe njerëzore, ato nuk kanë asnjë rëndësi.
Nëse politika dëshiron të kontribuojë në të mirën e këtij vendi, le ta nisë duke e mbajtur për vete frikën e pushtetit, dhe të sjellë në gjirin e saj dhe në të mirë të qytetarëve njerëz me integritet të lartë dhe jo ata oportunistë të vegjël që përfaqësojnë asgjë tjetër përveçse smirës së tyre. Dhe mbi të gjitha, nëse partitë e majta dhe të djathta dëshirojnë të bashkëpunojnë le të ulen dhe të diskutojnë për ekonominë dhe reformat që i shërbejnë vendit dhe jo truket e sistemeve elektorale që u shërbejnë vetëm partive.

Politika ka engjëj dhe djaj që flasin tërë kohën për të mirën e vendit, por fatkeqësisht me fytyra të njëjta, ndaj nuk dallohen lehtë. Në situatën e vështirë ekonomike që gjendet vendi, mungesa e madhe e mundësive për punësim, fenomeni i emigracionit masiv etj., ndryshimi i sistemit zgjedhor duhet të jetë gjëja e fundit në axhendën e politikës, e cila duhet ta lërë mënjanë egoizmin e saj dhe të tregohet paksa altruiste, duke vendosur qytetarin të parin.
g.shqip
 
Back
Top