Emigrantët e kohëve moderne, çfarë po i shtyn shqiptarët të ikin sërish

emigrante.jpg

Një e treta e popullsisë e ka braktisur Shqipërinë që nga viti 1991. Që nga kjo kohë, ka pasur disa valë emigrimesh. E fundit, 2014-2015, u konsiderua si emigrimi ‘modern’. Shkaku kryesor, papunësia, por edhe shpresa për një të ardhme më të mirë

Qysh herët, Shqipëria është dalluar për lëvizjet e forta të emigracionit, përjashtuar periudhën komuniste.
Në dekadën e fundit të shekullit të 20 (1991-2000) vala masive e emigracionit kishte si destinacion Italinë dhe Greqinë dhe ndodhi për shkak të dy faktorëve kryesorë: kolapsit të regjimit komunist dhe kriza e firmave piramidale në mars 1997.
Por, ajo çka ndodhi në periudhën 2014-2015 (azilkërkimi në një nga vendet e BE-së, si Gjermania, Belgjika, Franca etj.), sipas ekspertëve u konsiderua një tejkalim i karakteristikave ‘normale’ që e kishin shoqëruar fenomenin. Ata që emigruan ishin kryesisht të rinj, në kërkim të mundësive më të mira për studim, punë e mirëqenie. Një skuadër profesionale e përbërë nga studiues të Cooperation and Development Institute (CDI) / ShtetiWeb, e mbështetur nga zyra e Tiranës e Hanns-Seidel Foundation (HSF) ka realizuar një studim të detajuar mbi sjelljen emigratore të shqiptarëve në Gjermani në periudhën 2014-2016, si pjesë e serisë së Procesit të Berlinit, për çështjet e migracionit.
Në të u përcaktuan se kjo lëvizje emigratore u dallua për shkak të elementëve shtytës dhe tërheqës, që ishin: mjedisi i vështirë social-ekonomik dhe mundësitë e mëdha që ofronte Gjermania. Amplituda e lëvizjeve u ndikua nga mungesa e informacionit, por edhe nga interesa kriminale. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, mbi 20,300 shqiptarë u riatdhesuan për shkak të shkeljes së rregullave të lëvizjes në vendet e Bashkimit Europian.
“Shqipëria nuk i përket së ashtuquajturës ‘Rruga e Ballkanit Perëndimor’ të refugjatëve të luftës apo azilkërkuesve të tjerë. Edhe pas mbylljes së atij korridori, vendi nuk rezultoi një alternativë kalimi për emigrantët e Lindjes së Mesme apo nga Afrika. Por, veçanërisht në 2015-n, Shqipëria u vendos në vëmendjen e ndërkombëtarëve për shkak se u bë një nga vendet me origjinë nga Ballkani që kërkuan të emigronin në mënyrë të paligjshme, veçanërisht në Gjermani. Në atë kohë, më shumë se 40% e të gjithë azilkërkuesve të regjistruar ishin nga Ballkani. Shqipëria dhe Kosova zinin vendin e parë dhe të dytë, ndërsa emigrantët nga Siria të tretin. Vetëm 2.6% e aplikantëve për azil në Gjermani të moshës nga 18 – 35 vjeç u pranuan nga institucionet gjermane.
Bashkimi Europian e përcaktoi Shqipërinë në vitin 2015, si një vend të sigurt dhe si rrjedhim, azili ekonomik nuk mund të pranohej.
Arsyeja kryesore se përse qytetarët shqiptarë lanë vendin e tyre kishte të bënte me papunësinë e lartë, pagat e ulëta, por edhe përfitimet sociale që parashikonin në të tilla raste autoritetet gjermane.
Në fakt, çështja e të ashtuquajturit ‘emigracion i varfërisë’ ka qenë pjesë e rëndësishme e diskutimeve të atij që njihet si Procesi i Berlinit gjatë Samitit të Vjenës (2015) dhe atij të Berlinit (2016). Ky studim elaboron në mënyrë të detajuar fenomenin e emigracionit shqiptar në Gjermani edhe nën optikën e këtij procesi. Ai u realizua brenda periudhës prill-tetor 2016.
Dr. Klaus Fiesinger, drejtues për Europën Juglindore i
Hanns Seidel Foundation, thotë se qëllimi i hartimit të tij nuk ishte vetëm njohja e fenomenit dhe trajtimi, por edhe fakti se ndryshimi i tij është një proces i gjatë që do të kërkojë shumë punë, durim dhe kapacitete.

Papunësia e lartë i shtyn shqiptarët të emigrojnë

Rreth 1.5-2 milionë shqiptarë gjenden si emigrantë jashtë, kryesisht në: Greqi (0.5-0.6 mln), Itali (0.5-0.6 mln) dhe SHBA (0.1 mln), etj.
Por, cilat janë arsyet kryesore që i shtynë shqiptarët të kërkonin azil në vendet e BE-së, veçanërisht në Gjermani.
Studimi ka nxjerrë në pah se faktorët ishin si shtytës, ashtu edhe tërheqës.
Në përgjithësi, të rinjtë mendonin se ishte e mundur që të mund të ndërtohej një familje e re, të jetohej me një standard jete pa pasur nevojë për shumë të ardhura.
Ata besonin se kjo nuk ishte e mundur në kushtet e Shqipërisë me atë çfarë parashikonin që të bënin. Ndaj vendosën që të ikin.
Papunësia, punësimi rastësor, të ardhurat e pakta për të paktën një prej partnerëve e detyronte një familje që të largohej.
Kushtet e jetesës, gjithashtu, konsiderohen si një faktor nxitës. Një grua ankohej se familja e saj nuk jetonte në një shtëpi siç duhej, duke qenë se nuk kishin të ardhura për ta përballuar.
Performanca e ekonomisë dhe rënia e kërkesës për punë në periudhën e emigrimit në Gjermani (2014-2015) ishte një nga shkaqet kryesore të cituara edhe nga ata persona, të cilët kishin një profesion ose drejtonin një biznes.
Një grua tha: “Unë punoja si rrobaqepëse dhe kisha një dyqan të vogël, por në atë periudhë nuk kisha shumë punë, ndërsa burri kishte një piceri, por fitimet nuk na mjaftonin për të mbajtur fëmijët. Ajo tha se bashkëshorti i saj i përkiste komunitetit rom dhe se kishin dëgjuar se ishte e lehtë që të emigroje në Gjermani dhe të përfitoje azil.
Një jetë më e mirë dhe dëshira për aventurë, gjithashtu ishin disa nga shkaqet që i bënin njerëzit të merrnin vendimin për të lënë vendin.
“Që kur isha fëmijë kisha ëndërruar që të shkoja në Gjermani dhe të punoja si mekanik makinash, duke qenë se njihet zhvillimi që ka industria e makinave. Kisha njerëz të njohur në Gjermani dhe kjo ishte një arsye më shumë për të shkuar atje”.
Një tjetër faktor shtytës i vërejtur ishte siguria e jetës.
“…Arsyeja kryesore përse vendosa të shkoja në Gjermani ishte se ndihesha i pasigurt në vendin tim. Në vitin 2005, vëllai im u përfshi në një konflikt me disa persona të cilët qëlluan me armë në drejtim të shtëpisë sime në mes të natës. Në atë kohë mund të ishim vrarë, por për fat plumbat nuk prekën asnjë familjar që ishte në shtëpi. Personi që na qëlloi u dënua me 10 vjet, por tani ai është jashtë. Ne ende nuk ndihemi të sigurt. Një tjetër arsye se përse u larguam nga Shqipëria ishte edhe situata ekonomike…”.
Të intervistuarit thanë se në atë kohë, mediat luajtën një rol të rëndësishëm në nxitjen e këtij fenomeni.
Një kërkim në Google mbi ‘kriteret për të emigruar në Gjermani’ dha 587,000 rezultate duke nxjerrë në pah mbulimin e çështjes nga ana e medias.
Në të diskutohej se Gjermania ishte duke kërkuar krah pune të kualifikuar, për shkak të pakësimit të burimeve njerëzore nga lindjet e pakta. Kjo u përforcua edhe nga autoritetet gjermane, të cilat deklaruan se do t’u siguronin punësim dhe strehim. Duhet të theksohet që të gjithë ata që u larguan tentonin të punësoheshin dhe jo të jetonin përmes skemave të mbrojtjes sociale.
 
Në anën tjetër, studimi rendit edhe faktorët tërheqës të këtij fenomeni.
Sipas tij, më kryesorja është mjedisi social-ekonomik, zhvillimi, standardi i lartë i të jetuarit që e bëjnë Gjermaninë tërheqëse dhe të kërkuar.
“Ne të gjithë e dimë që Gjermania është një nga shtetet më të zhvilluara në Europë dhe shumë të rinj do të donin të jetonin, studionin e punonin aty, pasi në Shqipëri nuk do ta kemi një të ardhme të tillë”.
Ka shumë mundësi për t’u punësuar, ka punë më të mira, më të paguara, veçanërisht për ata që kanë një profesion, ka mundësi më të mira për t’u zhvilluar profesionalisht dhe edukim më të mirë për fëmijët. Të gjitha këto janë pjesë e faktorëve tërheqës dhe që janë listuar nga azilkërkuesit.
Gjithashtu, pagesat që ofroheshin si ndihmë nga autoritetet gjermane ishin tërheqëse: 140 euro për të rriturit dhe 40 euro për fëmijët, në muaj. Shtëpia, energjia, uji dhe shërbimet mjekësore ishin falas për të gjithë familjen.
Kjo u rendit si një ndër arsyet kryesore që nxiti emigrimin në radhët e shqiptarëve në këtë kohë. Kjo pagesë do të shërbente edhe për të larë borxhin që ata mund të kishin marrë për të paguar udhëtimin e tyre.
Në aspektin afatgjatë, pagesa që autoritetet gjermane ofronin ishte më e lartë se paga minimale e një të punësuari në Shqipëri.
Procesi i shikimit të kërkesave për azil në Gjermani ishte i gjatë dhe pavarësisht nga përgjigjja, pozitive ose negative, do t’u mundësonte shqiptarëve që të siguronin disa të ardhura dhe kushte më të mira jetese. E mbi të gjitha, kjo nuk shoqërohej me asnjë rrezik fizik.
Një tjetër faktor i rëndësishëm tërheqjeje ishte edhe roli i diasporës shqiptare në Gjermani.
Shqiptarët që jetonin dhe punonin atje kishin ndarë informacione për mënyrën sesi ata ishin integruar. Në anën tjetër, mund të shërbenin si ndihmë për të gjetur strehim e punësim.
Pavarësisht faktorëve tërheqës apo shtytës, studimi nënvizon se perceptimi i përgjithshëm ishte se azilkërkuesit kishin informacione të përcipta, një rrjet të fortë ndërlidhjeje, si dhe një shpresë të madhe për një të ardhme më të mirë.

Identikiti i emigrantit shqiptar

Përtej faktorëve, studimi ka ‘vizatuar’ edhe profilin e emigrantit shqiptar që iu bashkua valës së Ballkanit.
Pjesa më e madhe e të intervistuarve ishin të rinj, meshkuj të moshës nga 20-34 vjeç, të cilët emigruan me familjarët e tyre, por edhe me partneret e fëmijët. Vinin kryesisht nga qytetet e mëdha: Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Fieri. Koha që ata kaluan në Gjermani varion nga minimumi 2.5 muaj në 2.5 vite. Megjithatë mesatarisht qëndruan një vit.
Pjesa më e madhe e të intervistuarve qëndruan 9 muaj dhe më pas u riatdhesuan përpara janarit 2016.
Vendimi për të emigruar në një përqindje të konsiderueshme ishte
familjare. Në ndryshim nga valët e mëparshme të emigracionit, nuk ishin vetëm meshkujt, por e gjithë familja, përfshirë gruan dhe fëmijët.
Të intervistuarit kishin nivele të ndryshme arsimi dhe sipas studimit nuk ishte e mundur që të përcaktohej një nivel i saktë.
Pjesa më e madhe e tyre ishin të diplomuar në momentin e emigrimit, shumë pak ishin me edukim elementar. Ata që ishin me arsim të lartë kishin njohuri edhe ndaj gjuhëve të huaja, kryesisht italisht, anglisht e më pak gjermanisht.
Vetëm dy nga të intervistuarit ishin të papunë në momentin e emigrimit, ndërsa të tjerë referuan histori punësimi me periudha të shkëputura. Problemet kryesore të kësaj kategorie lidheshin me: pagesat e ulëta, pasigurinë, pagesat e parregullta, punë jashtë aftësive të tyre, ndryshimet e shpeshta, mospagesën e sigurimeve shoqërore.
Të intervistuarit, të cilët kishin një diplomë universitare ose edukimi profesional, punonin në fusha të tjera që nuk kishin lidhje me specializimet e tyre, të tilla si kamerierë apo shoferë kamionësh. Të tjerë raportuan se kanë punuar në bizneset e tyre të vogla familjare. Studimi thekson se edhe pse mostra e përdorur nuk ishte përfaqësuese, statistikisht ishte interesante të theksohej se kërkimi për kushte më të mira të punësimit dhe perspektivat e karrierës janë një parametër i rëndësishëm që ndikuan në vendimin për të emigruar për dy arsye:
E para, ka shumë profesionistë të kualifikuar të cilët duan të largohen nga vendi. Kjo tendencë mund të thellohet edhe më tej duke qenë sesa më shumë të kualifikohen, aq më lehtë bëhet emigrimi për ta. Por, ndërsa largimi nga është në dobinë e tyre, për vendin është negative, pasi humbet potencialin njerëzor.
E dyta, lëvizja e lirë jashtë vendit në kërkim të një pune të mirë do të jetë një sfidë, kur Shqipëria të hapë negociatat dhe të nisë diskutimin për Kapitullin 2 “Liria e lëvizjes së punëtorëve”. Kur shqiptarët emigruan në Itali apo Greqi e perceptuan si një masë të përkohshme ose të përhershëm për të përmirësuar standardin e tyre të jetës.
Por, në valën e fundit, ata e konsideruan emigrimin të lidhur me mundësitë për një të ardhme më të mirë sesa një punë të veçantë. Kjo kategori e të intervistuarve ishte pjesë e shtresës së mesme.

“Do largohemi përsëri…”

Nga të gjithë azilkërkuesit, vetëm 2.9% arritën të përfitonin të drejtën për të qëndruar.
Pothuajse të gjithë të intervistuarit, që u morën si kampionë për të realizuar studimin, thanë se kërkimi i azilit ishte i gabuar dhe se duhet të ishin informuar më mirë përpara sesa të linin Shqipërinë.
Për të gjithë ata është e qartë se është shumë e vështirë që të qëndrosh në ilegalitet në Gjermani.

“…Mendova se ofrimi i një pune dhe qëndrimi në Gjermani nuk do të ishte një problem. Por, pasi m’u kërkua që të largohesha, e kuptova se kërkimi i azilit ishte gjëja e gabuar”.
Përveç respektimit të rregullave të emigrimit, ata kuptuan se vendi kërkon aftësi të mëdha pune. Përveç lejes së punës, vizës, kërkohej edhe njohja e gjuhës. Mungesa e saj përbënte pengesë për kërkimin e vizës.
Tipologjia e riatdhesimit e emigrantit shqiptar të periudhës 2012-2016 konsistonte në katër forma: vullnetare; kthimi për shkak të krizës në vendet pritëse si Italia e Gjermani, kthimi i të miturve dhe kthimi me forcë.
Pas kthimit, disa të intervistuar deklaruan se kishin gjetur punë, të tjerë se ishin kthyer te vendet e mëparshme.
Megjithatë, ata sërish raportuan se kishin të njëjtat probleme sikundër para emigrimit. Disa të rinj iu rikthyen studimeve, të tjerë që po i ndiqnin ato filluan të punonin me kohë të pjesshme, të tjerë janë në kërkim të një pune.
“… Po, e kam në plan të emigroj sërish në Gjermani sepse ka qenë ëndrra ime që fëmijë. Arsyeja ekonomike është më kryesorja se pse dua të largohem. Unë kam një punë me kohë të pjesshme dhe paga ime është 120 euro. Nuk e kam planifikuar ende saktësisht udhëtimin, por mendoj të largohem nga mars/prilli 2017”.
“…Mendoj të planifikoj të shkoj sërish në Gjermani në mënyrë që të punoj në profesionin tim. Kur të jem aty, mund të bëj edhe ndonjë kurs edukimi, jam i hapur ndaj kësaj mundësie gjithashtu. Megjithatë, arsyeja kryesore përse po shkoj të jetoj në Gjermani është të punoj. Nuk kam ndërmarrë asnjë hap konkret për të organizuar udhëtimin, por mendoj se kam ende kohë për këtë”./ Monitor.al
 
skam nerva ta lexoj te gjithen sorry...
gjithesesi emigrimi si pellazg si modern asgje me shume nuk eshte se kerkim i materialitetit duke paguar me dashurine... me mallin..... ne fund gjithmone mendoj qe ne emigranteve na mugon dicka e do na mungoj dicka...
trasferohemi si ato zogjt qe per dite dimri kerkojne diellin e kthehemi serish ne folene qe jemi lindur per te marre ate qe zgjendet ne ate te rene... qofte edhe per pak dit qofte edhe vetem eren... buzeqeshjen...perqafimin..ndonje vaki ...lajmet... e behemi nacionalist iluzionar me ate qe njihnim kur e kemi lene pa marre parasyshe e kuptuar metamorfozen qe ndjek vendi qe kemi lene...
cudi e vetmja gje qe nuk evulon te pakten ne mua eshte edhe pse i njoh difektet...edhe pse si pranoj realitetin...edhe pse..edhe pse... prap me djeg malli per ate..per Shqiperine!
 
Ne gjithe boten, qenga krijimi e gjer me sot, njerezia kane levize here ketej e here andej, ne kerkim te me te mires. Kjo levizje fillon nga lagja per qytet, nga qyteti per Kryeqytet dhe nga vendi ne nje vend tjeter.

Ne keto kohet e sotme kur diferenca e te jetuarit ne nje hapesire kaq te vogel eshte kaq e ndryshme nuk shof nonje arsye per te mos levizur njeriu.

Ju prifte e mbara!
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top