Emergjencë humane shqiptare apo kineze

ReNdEx

Interist Forever
Staf në FV.AL
Mod
51492_2.jpg


NGA: LILIANA HOXHA


Këto 20 vjet, përveç prej politikave jo adekuate, shqiptarët janë përballur me shumë fatkeqësi radhazi natyrore. Mjaft të përmendim përmbytje e këtë dimër të jashtëzakonshëm. Nga mbrapshtitë e politikës kemi pësuar shumë humbje jetësh (pa përmendur ato nëpërmjet emigrimit), jo më thjesht prej diktaturës, por prej sistemit politik post saj, siç qenë ato të ’97-ës e këtej. Si shembull do të mjaftonte tragjedia e mbytjes së qytetarëve të Shkodrës në brigjet e Vlorës, vetëm e vetëm për pakujdesi flagrante të shtetit. Kohë kjo kur kryeministri Nano dëfrehej nëpër kazinotë greke apo fluturonte për pushime dhe u ndal vetëm gjysmë ore në Rinas, për t’i dhënë orientime administratës shtetërore apo PS-së, mazhorancë e atëhershme. Ndryshe nga ai, kryeministri Berisha duket se dergjet në punë. Po në cilën punë? – detyrohesh të pyesësh veten. Pa përsëritur sloganet e arritjeve historike ( si hyrja në NATO, liberalizimi i vizave, rruga e kombit), që solli koha për interesat e vetë Europës (me kryeministër Berishën, pra fakt pa ndonjë përparësi të veçantë vetjake të tij), çka të lodhin me entuziazmin steril në gojën e qeveritarëve, duket sikur theksi i “sakrificës” shtetërore në këto ditë të frikshme izolimi absolut të zonave të thella, është ruajtja e jetës së njeriut. Madje vetë kryeministri Berisha jo vetëm argumenton, por ndjehet i arrirë, për shpëtimin e atyre që kanë rrezikuar ndjeshëm. Ndërkaq, harron se të tillë konsiderohen të gjithë ata, që kanë humbur çdo lidhje me shtetin, me fshatin, me shtëpinë, apo me individin më të afërt, që të bëhet zëdhënës, në se janë gjallë apo jo. Nuk dua të ndalem në efikasitetin e programit ekzekutiv emergjent qeveritar të ndihmës, sepse nuk i njoh pritshmëritë potenciale të rezervave të shtetit. Por duke e vënë veten në vend të çdo shqiptari, do t’i jepja përparësi interceptimit urgjent të njerëzve nën dëborë prej “çative” apo prej orteqeve,(siç shqetësohet Berisha), por sidomos thjesht prej thellësisë së zonës ku ndodhen. Ndërkaq, çka është elementare, s’do t’iu çoja sapunët e E.Hoxhës, (pa u ndalur në domethënien e këtij fakti), por kryesisht konserva mishi e peshku, batanije e medikamente specifike të motit, që i rrezikuari të mbijetojë së paku prej energjive biologjike. Ndihmat shtetërore, por dhe ato të Kryqit të Kuq (midis tyre kolinoz e furça dhëmbësh, me vetëm 2 konserva proteinike shtazore), janë tallje me mjerimin e pllakosur në veri. Për jugun ende nuk bëhet fjalë.
Predispozita opozitare për bashkërendim plani emergjencash, këtë radhë ishte për herë të parë gjest për t’u duartrokitur. Shpërfillja e mospranimi nga ana qeveritare vërteton faktin që jo vetëm Rama kërkon të prishi punë. Qeveria këtë e quan dualitet shtetëror. Nuk duhet lexuar kështu, por si ndihmë nga çdo shqiptar për shqiptarin në nevojë, pse jo, madje kryesisht nga opozita, e cila e ka për detyrë të bashkëpunojë me qeverinë në raste emergjencash ( dhe të ndërtojë, nëpërmjet kundërshtimit të sinqertë në kohë normale), për të çuar vendin përpara, apo në Europë siç duam të gjithë. Kjo është ABC-ja e demokracisë. Në këto ditë të zeza, kur tmerri i bardhë po mbyt njerëzit e varfër prej vetë shtetit, ministri i Mbrojtjes shfaqet me kokoroshllëkun e pandreqshëm (sidomos të pamotivuar: si ai i lëvizjes studentore të ’90-ës menaxhuar nga Alia, po ashtu “gjeneral” i “kryengritjes” së ’97-ës për të përmbysur Berishën, po nga Alia. I pashpresë më pas, ishte në “ikë e hajde” rrotull Berishës, deri sot). Në intervistë televizive, duke folur optimist për situatën, ka ngenë të gjejë sinonimin e terminologjisë “progres”, duke deklaruar se kjo fjalë ka konotacion marksist. Ndërsa kryeministri gjen jo vetëm kohën, por predispozitën morale për të qenë ekzotik. E vërtetë e pabesueshme është të dëgjosh edhe me veshët e tu, për vendimin e gjuhës kineze, si gjuhë e dytë e detyruar në sistemin arsimor. Kjo bëhet për “largpamësi” në kuadrin e zhvillimit global, meqenëse sot Kina është superfuqi prodhuese. Përveçse kushdo mund ta mësojë individualisht atë, është ironike kjo “përparësi” e tij në situatën emergjente për Shqipërinë. Meqë jemi këtu, mjafton anglishtja për ne shqiptarët në komunikim global edhe me Kinën. (Sidoqoftë, ky vendim duhet konsultuar e arritur me konsensus plebishitar, madje edhe nga vetë studentët). Dihet që BE ka nevojë për ofertat e Kinës, për çka kryeministri ynë përtejshëm “largpamës”, mund të parashtrojë argumentet e tij për këtë vendim grotesk. Por, -Instinkti është zëri i Zotit,– thotë Kanti. (Nëse është sinqerisht i tillë ky fishekzjarr i Berishës në katër metra dëborë). Por filozofi shton: - Shpesh, instinkti kundërshtohet nga arsyeja. Kjo përbën potencialin intelektual të njeriut, krahasuar me shtazën. Siç edhe thotë: - Mund të arrish gradën më të lartë të kulturës, por mund ta realizosh pa moralitet. (Në rastin tonë, në moment tejet të papërshtatshëm). Por s’është ky problemi im sot. Përkundrazi, problemi i të gjithëve sot është: Jemi në emergjencë për të shpëtuar jetë njerëzish apo në emergjencë deklamimesh ekstravagante, jashtë nevojave akute të shqiptarit, në kërthizë të tragjedisë humane të tij?! //Balkanweb.com
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top