LeVoyageur
RDM 33 NSOE
Hyrje e redaksisë: Flamujt e zinj, valëviten në zemër të Ballkanit, pak kilometra nga brigjet e Adriatikut – shkruan revista italiane Panorama në një artikull të gjatë botuar numrin e fundit dalë në treg këtë fillim marsi.
Artikulli titullohet: “Edhe në Kosovë tashmë valvitet flamuri i ISIS…” dhe shoqërohet me foton e një shtëpie ku valëvitet flamuri i zi. Artikulli flet për fshatin Restelicë por fotoja shoqëruese është e fshatit Gornja Maoca në Bosnje.
Gjithsesi artikulli jep të dhëna shqetësuese mbi përhapjen e rrezikut terrorist duke shfrytëzuar Kosovën.
“Antenat perëndimore në Prishtinë kanë gjetur madje zona që duken si zona stërvitjeje, me shkrime të mëdha mbi Allahun në zonat e thella të maleve të Sharrit, në jug të vendit, në kufi me Maqedoninë dhe Shqipërinë – shkruan ndër të tjera revista italiane.
Më poshtë, po botojmë në DITA pjesë nga shkrimi në fjalë:
*********
“Nëse në Ukrainë shkojnë luftojnë serbë dhe kroatë, myslimanët kanë të njëjtën të drejtë për të mbrojtur njerëzit e tyre dhe tokat e tyre në Siri….” Ai që justifikon xhihadin me këto fjalë është një nga islamikët me mjekër të Restelicës, një fshat kosovar me 10 mijë banorë, ku të gjithë flasin italisht; një e treta e tyre jetojnë dhe banojnë ende në Itali.
Sipas shërbimeve inteligjente italiane, Restelica (bashkë me Gornja Maoca në Bosnje, ku në fillim të shkurtit nisën të valëviteshin flamujt e zinj të Shtetit islamik) është një nga hallkat e një rrjeti për rekrutimin e luftëtarëve për t’i dërguar në Siri, duke përfshirë bashkëatdhetarë që jetojnë në Europën Perëndimore. Këtu përfshihet dhe Italia.
Një rrezik jo i nënvlerësuar edhe nga ambasadori italian në Prishtinë Andrea Ferrarese: “Nga ana italiane ka shumë kujdes drejt kanalit të pa ndërprerë të trafikutr të qenieve njerëzore që kalojnë nëpërmjet Ballkanit. Menjëherë morëm në konsideratë hipotezën se kjo rrugë tokësore do të shfrytëzohej nga vullnetarët që shkojnë të luftojë në Siri dhe Irak. Rrugë, e cila mund të përdoret edhe nga ata që pasi janë stërvitur në Siri kthehen në Europë”.
Burime të rezervuara, që operojnë në Kosovë konfirmojnë se “janë evidentuar tashmë luftëtarë, disa njësi, që nga vendi ku kanë luftuar janë rikthyer në Itali nëpëmjet rrugëve të emigrantëve klandestinë të Ballkanit.” .
Pika e hyrjes më e përdorur nga emigrantët është Trieste.
Nëpërmjet Italisë, tetë muxhahedinë të Ballkanit kanë mbërritur në Siri dhe katër kanë vdekur, por rrjeti është në ekspansion. Dhe tashme rreziku është rikthimi i “klandestinëve” veteranë, jo vetëm ballkanikë, për të krijuar celula të fshehta.
Në Restelicë tre minare të shndritshme, të cilat duken të reja fringo, ngrihen mes shtëpive me çati të kuqe, në mes të borës. Të rinjtë që vijnë rrotull në fshat me mjekrën e gjatë, me tunikën e bardhë, apo pantallona deri tek kyçi i këmbës betohen në gjuhën italiane që nuk janë “një kërcënim për Italinë, ku jetojnë prej vitesh”. Nuk pranojnë të thonë emra. Vetëm në fund, një nga kosovarët që punon si picajol në verilindje të Italisë, duke u kujdesur që të mos dëgjohet nga të tjerët thotë: “Ka të rinj që nisen për në Siri, por ne që punojmë nuk duam të kemi probleme”.
Lideri fondamentalist i Restelicës është imami Sead Bajraktari, i cili jeton në provincën e Sienës në Itali, ku ka themeluar një qendër islamike. Sipas shërbimeve sekrete, kthehet shpesh në Kosovë “për të bërë thirrje ideologjike dhe për të marrë pjesë në aktivitete trajnimi të tipit ushtarak”.
Në 2012 u ndalua mes maleve të Dragashit së bashku me kosovarë të tjerë të xhamisë të Sienës. Policia lokale flet vetëm për një “kamping islamik”, ku nuk u gjetën armë.
Megjithatë, Bajraktari duket se ka influencuar radikalizmin e shumë të rinjve kosovarë si Eldin Hoxha, 25 vjeç, rezident në Bolzano, i cili shkoi të stërvitej në Turqi e më pas të luftonte në Siri. Më pas u risoll në shtëpi nga një familjar i cili kishte paguar për “ta çliruar”. Një tjetër “mësues i keq” është Idriz Idrizoviç, kunati i Bajraktarit, një predikues i njohur në qarqet palafite lombarde. Mazllam Mazllami, imam i Prizrenit, i cili u arrestua shtatorin e kaluar për ushtrim të ekstremizmit dhe më pas u la i lirë: është gjithnjë nën hetim për nxitje të luftës së shenjtë. Ka predikuar në vende të ndryshme në Itali si në Casalolo, provincë e Mantovas dhe ka influencuar mbi kosovarin Resim Kastrati, një 22 vjeçar kosovar, i cili jetonte në Itali dhe iu dha espuls në 19 janar për shkak të përkrahjes së “ideologjisë xhihadiste”.
Kastrati ka pranuar të flasi për revistën.
Majori Fatos Makolli, i cili komandon antiterrorizmin në Prishtinë i klasifikon personazhet e lidhur me Italinë si; Bajraktar, Idrizovic, Mazzlami e Krasniqi në ‘kategorinë e imamëve që propagandojnë një islam radikal dhe ju bëjnë lavazh truri të rinjve’.
Një shtator një shtetas kosovar me një pasaportë belge është ndaluar në aeroportin e Prishtinës me një flamur të Kalifatit të valixhe, ndërsa ishte duke marrë avionin për në Stamboll, me qëllim që prej aty të arrinte në Siri. Aspirantë të tillë nisen edhe nga aeroporti i Shkupit, apo ai i Podgoricës.
Rilindja e islamit është financuar me fonde të ardhura nga Katari, nga Arabia Saudite dhe pjesërisht nga Turqia. Organizata humanitare myslimane garantojnë 100 euro në muaj të rinjve që rrisin mjekrën dhe luten pesë herë në ditë duke u veshur si talebanët në Afganistan: një ofertë mjaft joshëse në një vend ku rroga mesatare është 170 euro në muaj dhe papunësia është në shifrat e 50%.
Jo vetëm xhihadistë vullnetarë, por edhe shumë para po kalojnë tranzit në favor të revoltës kundër Assadit. Po monitorohen zhvendosje fondesh “për çështjen siriane” të cilat nisen nga Italia dhe nëpërmjet Kosovës mbërrijnë në Jordani. Antenat perëndimore në Prishtinë kanë gjetur madje zona që duken si zona stërvitjeje, me shkrime të mëdha mbi Allahun në zonat e thella të maleve të Sharrit, në jug të vendit, në kufi me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
I dëbuari për xhihadizëm: Dua të kthehem në Itali, të martohem me miken time italiane
‘Nuk po them se e kam bërë, por edhe po të kisha mbështetur rebelët, siç janë ushtria e lirë siriane, përse duhet të merrja ekspuls?’ Amerika po i ndihmon, po ashtu dhe Bashkimi Europian.
Resim Kastrati, 22 vjeç, është një kosovar i cili ka jetuar për 6 vjet në Itali, në Pozzaglio, pranë Cremonias. Ai ka marrë ekspuls në 19 janar pasi ‘ka përqafuar ideologjinë xhihadiste dhe është futur në marrëdhënie me persona që ndajnë të njëjtat pikëpamje sktremiste’. Për herë të parë një ekspuls nga vendi ynë për lidhje me xhihadin.
I riu flet nga Skype dhe hedh poshtë akuzat ‘herë pas here predikoja në xhami. Kam video të të rinjve italianë të konvertuar, mos duhet të arrestohem për këtë?’
Në facebook shkruan se për Muhamedin është gati të sakrifikojë jetën. Akuzave se ka financuar kauzën xhihadiste i përgjigjet që ‘vetëm sa i ka dhënë një dorë OJF-së Islamic Relief Italia për të mbledhur ndihma humanitare për refugjatët sirianë’.
Mbi masakrën e Charlie Hebdo është i dyzuar: mendon që është një inskenim. Objektivi i tij? Të kthehet në Itali dhe të martohet me shoqen e tij italiane, jo myslimane’.
******
Redaktimi i fundit: