Gjarperesha
Anëtar i Respektuar
E megjithatë, e dyshimtë është...
Shkruan : Skender Minxhozi
Në altarin e përfolur të Damir Fazlliçit, i pari që mesa duket u flijua për hir të politikës dhe konvulsioneve të saj të momentit, ka qenë Kosta Trebicka me vdekjen e tij të dyshimtë. Vendimi i para dy ditëve i prokurorisë së Korçës për të mbyllur dosjen hetimore të kësaj ngjarjeje tëbujshme të një muaji më parë, shënoi fundin procedural të veprimeve që institucionet jetimore kanë ndërmarrë për të gjetur shkaqet e vdekjes së dëshmitarit kryesor të trafikut të armëve dhe Gërdecit, Kosta Trebicka.
Ky hap u hodh pas një zinxhiri të gjatë sulmesh e presionesh që maxhoranca aktuale bëri ndaj kryeprokurores Ina Rama, kryesisht për nisjen e hetimeve që ajo bëri ndaj skandalit të serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, ku ndodhen të përfshirë kryeministri Berisha, ministri i jashtëm Basha dhe familjarë të tyre. Një varg ngjarjesh, përfshirë hetimet për rrugën Durrës-Kukës, Gërdecin dhe projektligjin për prokurorinë, kanë sjellë me kalimin e muajve ashpërsimin gradual të marrëdhënieve mes qeverisë dhe organit qëndror të akuzës, duke krijuar në momentin aktual një situatë të krahasueshme me kohën kur në krye të prokurorisë qëndronte paraardhësi i Ina Ramës, Dhori Sollaku.
Në këtë mjedis të mbarsur me elementë krize, vdekja e Trebickës, një ngjarje që tashmë mund të thuhet se po del gradualisht nga fokusi i vëmendjes së opinionit publik dhe mediave, mbetet ndoshta nyja më e thjeshtë për t’u zgjidhur (të paktën formalisht) për Ina Ramën. Vendimi për mbylljen e dosjes është vërtet një gjest o vogël shtensionues që prokuroria bën në drejtim të qeverisë, por ato që nuk dihen janë më së paku dy gjëra, sa të thjeshta, aq edhe të rëndësishme.
Së pari, vdekja e Kosta Trebickës do të vijojë të mbetet një episod tejet i dyshimtë për opinioni publik, edhe pasi prokuroria është shprehur zyrtarisht për variantin e aksidentit automobilistik. Si e tillë, kjo ngjarje do të vazhdojë të ushqejë si fantazinë kolektive, me fakte që do ta dalin aty-këtu edhe në të ardhmen (siç po shohim në fakt përditë në gazeta dhe televizione), por edhe debatin politik mes palëve. Në këtë mënyrë, prokuroria ka hedhur një hap që nuk e shmang problemin Trebicka, e aq më pak e zgjidh atë.
Së dyti, kjo shkelje syri në drejtim të Berishës, ka shumë mundësi që mos t’i hyjë fare në punë këtij të fundit. Kryeministri ka kohë që nuk e llogarit si kosto të tij vdekjen e biznesmenit, për arsyen e thjeshtë se në javët që pasuan atë, kanë ndodhur shumë e shumë incidente të tjera me pasoja delikate e të panjohura për Berishën dhe njerëzit rreth tij. Zbulimi i aferave të lobistit të qeverisë Fazlliç, përbën një ngjarje që ka eklipsuar gjithçka dhe që ka vendosur më shumë se kurrë drejtësinë përballë politikës.
Kësisoj, vdekja me 35 kilometra në orë e Kosta Trebickës, ndodhet sot e arshivuar më shumë për komoditet juridiko-politik, sesa për shkak të një hetimi tërësor dhe ezaurues rreth shkaqeve të saj, ashtu siç u mbyll për shumë muaj njëri sy për rrugën e Kukësit dhe miliardat e çuara dëm atje, ashtu po mbyllen të dy sytë përballë një vdekjeje që nuk i ka harxhuar implikimet, efektet dhe pasojat, as edhe me vendimin e fundit të prokurorisë së rrethit Korçë, e cila na komunikoi se Kosta Trebicka u vetëvra dhe nuk e vranë.