Love
βeℓℓe â๓e
Nga: Ledi Shamku
Dje në Tiranë, institucioni europian i Avokatit të Popullit, nën patronazhin e përfaqësuesit frëng, organizoi një tryezë të rrumbullakët për një çështje shumë të rëndësishme – çështje që në fakt në Shqipëri është kthyer në hall: Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve.
Të pashë Sali tek zaptove mikrofonin dhe gjithë zell po i tregoje tryezës për vendosmërinë tënde në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Kulmi! Ti u the atyre se në Shqipëri ligjet që garantojnë këto të drejta janë shumë të mira, por duhen zbatuar me zero tolerancë. E di cilit personazhi i ngjet çdo ditë të vitit ti? Ti Sali Berisha je njëlloj si Mister two-face tek Batman. Ky Mister two-face, apo shqip Zotni dy-fytyrëshi, nëse jua shëmbëllen tash kujtesa, ka njërën gjysëm fytyre të djegur e të shkatërruar, tipike prej krimineli, dhe gjysmën tjetër e ka të pacenuar. Quhet ndryshe edhe mjeshtri i maskimit, pikërisht prej kësaj dyfytyrësie. Kështu edhe ti, dje sërish deshe t’iu shfaqësh ndërkombëtarëve gjysmën tënde të rreme të fytyrës, duke folur për të drejtat e fëmijëve. Po pikërisht ti flet për respektim të këtij ligji?! Ti që nuk ke lënë oborr shkolle pa bastisur, bashkë me çetnikët e tu, duke nxjerrë jashtë me pahir nxënës e mësues që të dëgjojnë ty si shan e pështyn kundër opozitës. Të kujtoj Zotni Dy-fytyrëshi, se Ligji për Arsimin Parauniversitar e ka të qartë, të zezë mbi të bardhë: neni 8 e po ashtu neni 32 pika 4, ta ndalojnë ty kategorikisht atë sjellje të turpshme antiligjore e antietike nëpër shkollat e vendit. Shqiptarët ty të njohin si ligjngrënës, kështu që ti s’e ke problem t’u tregosh gjysmën tënde të vërtetë të fytyrës – atë përçuden që nxin. Dje u përpoqe t’ju tregosh gjysmën e rreme ndërkombëtarëve. Vonë, shumë vonë! Siç të paralajmëruam, janë njoftuar të gjitha institucionet ndërkombëtare për aktet e tua të turpshme nëpër oborre shkollash. Shkurt, s’të bën punë më as ajo gjysëm-fytyre. Sa keq për ty!
Po natyrisht shndërrimi i shesheve të shkollave në përsheshe mitingjesh nuk është e vetmja shkelje e rëndë ligjore në punë të arsimit, për të cilën çdo qeveritar a nëpunës i përfshirë do ndëshkohet sipas ligjit pa as më të voglin hezitim!
Siç e denoncova në Kamëz para pak ditësh, çdo drejtor drejtorie arsimore ka marrë tashmë urdhër verbal nga eprori i vet direkt, ministri i Arsimit, që t’i kërkojë çdo fëmije në momentin e regjistrimit edhe numrin e qendrës së votimit të prindërve, edhe sa persona në moshë madhore – pra që votojnë – ka në shtëpi. Prindër nga e gjithë Shqipëria, të fyer e të zemëruar, janë gati ta bëjnë publike këtë mesele tuajën të pisët, njëlloj siç e bënë publike para mediave një javë më para banorët e Kamzës.
Zoti Ministër i Arsimit, e ke nisur këtë krim nga Kamza për arsyen e thjeshtë se e ke zonën tënde elektorale dhe aty pandeh se i shtrin kollaj gishtat e manipulimit. Tani dëgjo me kujdes: veç ligjit të Arsimit Parauniversitar që sapo u miratua, është po ashtu edhe Kodi Zgjedhor, që po ashtu sapo u miratua. Ky kod, në nenin 88 pika 2, e thotë qartë se institucionet arsimore nuk mund të përdoren kurrsesi për t’u rrëmbyer me kanosje votën e lirë shqiptarëve.
Kështu pra, u bënë dy ligje shumë të rëndësishme të shtetit që ti, zoti Ministër i pushtetit po shkel keq. Ndaj ta përsëris: Plotëson të gjitha kushtet për t’u akuzuar dhe çuar para drejtësisë – dhe drejtësi shpejt do të ketë! Akuzohesh sepse ligjet i njeh dhe i ke thyer me ndërgjegje, duke qenë edhe përfaqësuesi më i lartë i një institucioni. Pikërisht për këtë ti duhet të pengohesh me ligj, përjetë, që të kryesh funksione shtetërore, qysh nga ato më të ulëtat.
Më tej akoma, ligji përcakton, se në të tilla sjellje të rënda antiligjore siç janë mitingjet nëpër shkolla dhe përdorimi i shkollave si kamxhik elektoral, në të tilla sjellje kriminale pra, kur grupi i përfshirë e kalon numrin dy të të inkriminuarve, atëherë quhet grup i organizuar apo ndryshe bandë kriminale. Dhe në çdo rast ju jeni minimalisht katër: Zotni Dy-fytyrëshi në krye sigurisht, pastaj Ministri i Arsimit, Drejtori i Drejtorisë Arsimore dhe Drejtori i shkollës. Një bandë e vërtetë që sot orvateni të terrorizoni nxënës, mësues e prindër, por nesër, fill pas qershorit të ndryshimit, në Vitin e Ndryshimit, do të ndëshkoheni ligjërisht siç parashikon ligji për bandat kriminale. Dhe të siguroj zoti Ministër: kësaj radhe nuk do ja mbathësh dot jashtë për t’u specializuar si bletërritës, njëlloj siç jam mbathe në ’97, kur ishe sërish Ministri i Saliut për Arsimin. Kësaj radhe jo.
Ndaj të mbledhë mendjen çdo drejtor a funksionar i arsimit, që të mos rendë pas qerres së qe(rr)verisë se ajo e ka marrë rrokullimën e nuk ja vlen të shtypet nën peshën e saj. Larg duart nga nxënësit e mësuesit! Ndryshe, çdo i përfshirë të bëhet gati për takimin e afërm me ligjin.