Durrës, motorët e ujit në det me targa identifikimi

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
1371837812.jpg

Shkon në 12 numri i motorëve të ujit të sekuestruar nga policia kufitare e Durrësit, vetëm në harkun kohor të një jave. Ashtu siç ishte premtuar nga numri 1 i kufirit, Naim Manuka, nuk ka reshtur për asnjë sekondë “gjuetia” e bluve ndaj scooter-ave ilegalë. E reja më e fundit në lidhje me këtë aksion ka të bëjë me vendosjen e një numri identifikues për çdo motor uji që lundron në gjirin e Durrësit. Vendosja e këtij numri (të lexueshëm edhe nga distanca) është kushti i fundit që këto mjete të lëvizin. E thënë ndryshe bëhet fjalë për një lloj targe, që përkon me numrin e fabrikimit të motorit, emrin e pronarit, licencën e përdorimit si dhe patentën e marrë në Kapitaneri. Numri i dukshëm i identifikimit parandalon aktet e piraterisë, siç ishte rasti tragjik i 15 korrikut të këtij viti, kur një motor deti, akoma i paidentifikuar, plagosi për vdekje një turist kosovar. Pasi kaloi nëntë ditë në gjendje kome, Sabit Kuçi nga Deçani i Kosovës ka ndërruar jetë, duke shënuar kështu aksidentin e parë vdekjeprurës të shkaktuar nga këto mjete me shpejtësi marramendëse. “Tashmë vendosja e një numri në formë kodi, mbi skafin e motorit, do të bëjë që dëshmitarët të dallojnë dhe të identifikojnë lehtësisht shkaktarin e ngjarjeve të tilla”, tha për “Panorama” shefi i Komisariatit të Policisë në Durrës, Gjelosh Prendi. Ai nënvizoi se “nuk do të lejohet të qarkullojë në det asnjë scooter uji, që nuk ka në rregull të gjitha letrat e duhura nga Kufiri, Kapitaneria etj”. Policia kufitare, menjëherë pas aksidentit tragjik, shënjestroi të gjitha ato scooter-a, të cilat lundronin cekët. Sipas titullarit të kufirit, Naim Manuka, bëhet fjalë për sekuestro konservative, çka do të thotë që në fund të sezonit veror mjetet do t’i rikthehen sërish pronarëve me kushtin e panegociueshëm, që verën e ardhshme zotëruesit e tyre të kenë marrë patentën e lundrimit dhe dokumentet e tjera shoqëruese. Këtij urdhri iu bashkëngjit edhe detyrimi për të ushtruar këtë sport në thellësi të mëdha 300-500 metra larg bregut. “Në të kundërt masat do të jenë ekstreme”, paralajmëroi drejtori i Policisë Kufitare, Naim Manuka. Shqetësim në lidhje me motorët e detit ka treguar edhe kryepolici durrsak Ilia Nasi, i cili nënvizoi se “verën e ardhshme do të ngrihen akuadrome në det, të sinjalizuara me bova të kuqe, në të cilat mund të ushtrohen sportet ekstreme të ujit”. Ngritja e një infrastrukture të tillë, që kërkon edhe bashkëpunimin e pushtetit vendor, Kapitanerisë, Kufirit dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut do të minimizonte aksidentet, duke u rikthyer qetësinë plazhistëve.
*panorama*
 
Back
Top