Durrës, arrestohen 9 kontrollorët teknikë...

Angel_Devil

Kush ma vodhi diturinë !
V.I.P
Në pranga përfaqësues të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, kontrollit teknik e agjentë të kompanive të sigurimit.
Policia: Merrnin nga 3 mijë lekë deri në 1 mijë euro. Pezullohet një tjetër.
Bum arrestimesh në Durrës. Korrupsioni e marrja e ryshfetit në këmbim të kolaudimeve apo përgatitjes fiktive të dokumenteve të automjeteve ka çuar në pranga 9 persona.
Operacioni i koduar “Kolaudimi 2” ishte finalizim i një hetimi rreth 4-mujor, i cili paralajmërohet se do të vazhdojë me arrestime të tjera. Një zyrtar i Drejtorisë së Rrugëve, 3 inxhinierë të kompanisë së kontrollit teknik, si dhe 5 agjentë të kompanive të sigurimit u vunë në pranga.
Operacioni u zhvillua paraditen e djeshme nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, Njësinë e Përbashkët Hetimore Kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Durrësit, ndihmuar nga specialët e RENEA-s. Dhjetëra forca zbarkuan në zonën e Shkozetit, ku ndodhet Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës, kompania e kontrollit teknik të automjeteve dhe zyrat e agjencive të sigurimit të mjeteve. Në komisariatin e Policisë së Durrësit u shoqëruan dhjetëra persona, si punonjës shtetërorë dhe të kompanive private. Aksioni u zhvillua në mënyrë të befasishme. Makinat e mbushura me punonjës policie, me uniformë dhe civilë pushtuan territorin në Shkozet, duke bllokuar procesin e punës, duke kontrolluar dhe sekuestruar të gjitha dokumentacionet që punonjësit dispononin. Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk u bë i ditur numri i të ndaluarve, i cili u saktësua nga Policia e Shtetit. Sipas të dhënave të Policisë, të nëntë personat e arrestuar bashkëpunonin mes tyre për të përfituar nga qytetarët e interesuar në përgatitjen e dokumenteve të makinave të tyre. Nga 3 mijë lekë e deri në 1 mijë euro ishte vlera që paguhej nga pronarët e mjeteve, të cilët kërkonin pajisjen me dokumentacionin e duhur e deri tek kontrolli teknik i makinave. Të pranishëm ose jo, çdo veprim kryhej me lehtësi, pa u kryer verifikimi i nevojshëm për mjetet. Hetimet nisën në fillim të këtij viti nga ana e Taske-Forcës pranë Prokurorisë

Ambientet e kompanisë SGS në Shkozet të Durrësit

së Durrësit, e cila kishte sinjale në rrugë operative që punonjësit e Drejtorisë së Rrugëve dhe të kompanive private ishin të implikuar në akte korruptive. Në fund të çdo procesi, pronarët merrnin në dorë certifikatat e gjendjes së kontrollit fizik të automjeteve, sipas të cilave mjeti kishte parametrat e duhur për të qarkulluar në rrugë. Pas vëzhgimit disamujor dhe përgjimeve të kryera për rastet e dyshuara, Prokuroria i kërkoi Gjykatës të caktonte masën e sigurisë me burg për: Eugen Gjyzelin, administrator i sistemit informatik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës; inxhinierët mekanike pranë firmës SGS Automotive Albania: Albert Saraçi, Lipion Goci dhe Artur Xhepmeta; agjentët e kompanive të sigurimeve: Idriz Hoxha, Indrit Dervishi, Arben Ndreka, Ilir Nelaj dhe Enri Dervishi. Ata akuzohen për kryerje të veprave penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “falsifikimit të dokumenteve dhe formularëve”. Ndërkohë, për 28-vjeçarin Bruno Shazivari, me detyrë inspektor i Kontrollit në Rrugë në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës, Gjykata ka vendosur si masë pezullimin e ushtrimit të aktivitetit të tij. Nga hetimet e kryera rezulton se ishin kryesisht agjentët që kryenin rolin e sekserit tek përfaqësuesit e kompanisë private të kontrollit autoteknik dhe tek ata të Drejtorisë së Rrugëve.
Sipas grupit hetimor, pritet që të tjerë persona të vihen para akuzës për korrupsion. Gjatë ditës së djeshme, puna në zonën e kolaudimit të makinave në Shkozet të Durrësit ka qenë e paralizuar, ndërsa pritet që vetëm sot të nisë normalisht kontrolli teknik i mjeteve.
Të arrestuar
1. Eugen Gjyzeli, 39 vjeç, banues në Shijak, me detyrë administrator i sistemit informatik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës
2. Albert Saraçi, 24 vjeç, banues në Gosë e Madhe Kavajë, me detyrë inxhinier mekanik pranë firmës SGS AUTOMOTIVE ALBANIA, Dega Durrës
3. Lipion Goci, 24 vjeç, banues në Krujë, me detyrë inxhinier mekanik pranë kompanisë SGS AUTOMOTIVE ALBANIA, Dega Durrës
4. Artur Xhepmeta, 28 vjeç, banues në Durrës, me detyrë inxhinier mekanik pranë firmës SGS AUTOMOTIVE ALBANIA, Dega Durrës
5. Idriz Hoxha, 20 vjeç, banues në Kavajë, agjent i kompanisë së sigurimeve në Durrës
6. Indrit Dervishi, 41 vjeç, banues në Durrës, agjent i shoqërisë së sigurimeve në Durrës
7. Arben Ndreka, 41 vjeç, banues në Durrës, agjent në agjencinë e sigurimeve “INTERALBANIA” në Durrës
8. Ilir Nelaj, 36 vjeç, banues në Durrës, agjent në agjencinë e sigurimeve “INTERALBANIA” në Durrës
9. Enri Dervishi, 24 vjeç, banues në Shijak Durrës, agjent i shoqërisë së sigurimeve në Durrës
Prostitucioni
Përgjimet e kryera për të zbuluar korrupsionin tek pajisja e makinave me dokumentacion kanë zbardhur një rrjet të shfrytëzimit të prostitucionit. Sipas Policisë, agjenti i kompanisë së sigurimeve, Idriz Hoxha, rezultoi se bashkëpunonte në një grup kriminal, bashkë me 6 persona të tjerë të arrestuar tashmë. Artur Shusha, 44 vjeç nga Patosi, Pëllumb Elezi, 51 vjeç, nga Tirana, si dhe katër shtetase me inicialet N.N., A.Q., A.B. dhe I.M. u arrestuan nga policia. “Këtyre shtetasve, gjatë ecurisë së këtij hetimi, u është vërtetuar veprimtaria e shfrytëzimit dhe ushtrimit të prostitucionit”.
Deklaratë e Kompanisë SGS Automotive Albania sh.p.k.
Në datën 28.05.2012 në Qendrën e Kontrollit Teknik Durrës Policia e Shtetit ndaloi 3 (tre) inspektorët e kontrollit teknik Artur Xhepmeta, Lipjon Goci dhe Albert Saraci. Duke marrë shkak nga kjo ngjarje e rëndë kompania lëshon ketë deklaratë për shtyp:
SGS Automotive Albania sh.p.k. përshëndet dhe falënderon Policinë e Shtetit, për punën e saj dhe masat e marra në luftën kundër korrupsionit. Kompania ofron të gjithë mbështetjen dhe ndihmesën e saj për hetimin dhe gjykimin e kësaj ngjarjeje të shëmtuar. Kompania u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe ne veçanti qytetarëve të ndihmojnë duke denoncuar çdo rast korruptiv që mund të ndeshin në ambientet e Qendrave të Kontrollit Teknik.
Kompania jonë ka ndërmarrë vazhdimisht hapa për parandalimin e akteve korruptive, të kësaj natyre, në të gjitha qendrat ku operojmë. Gjatë vitit të kaluar, janë dhënë masa ndëshkimore deri në largim nga puna, për të gjitha rastet e shkeljeve, të konstatuara dhe vërtetuara nga kompania.
Nga ana tjetër, kompania pasi analizoi me përgjegjësi shkaqet dhe motivet e këtij rasti, po nxjerr mësime dhe po harton një sërë masash te reja për parandalimin dhe luftën pa kompromis ndaj korrupsionit.
SGS Societe Generale de Surveillance është kompania lider në botë në fushën e inspektimit, verifikimit dhe testimit. E pranuar globalisht për cilësinë dhe integritetin e shërbimit që ajo ofron, SGS ka te punësuar mbi 68.000 njerëz dhe operon me një rrjet prej më tepër se 1.200 zyra dhe laboratorë të shpërndarë në të gjithë botën.
SGS Automotive Albania shpk. është kompania koncesionare e formuar në Shqipëri nga kompania zvicerane SGS Societe Generale de Surveillance, për një periudhë 10 vjeçare. Kontrata e koncesionit parashikon një investim, i cili tashmë është realizuar, në të gjithë rrjetin ekzistues të Qendrave të Kontrollit Teknik dhe ndërtimin e Qendrës së re të Kontrollit Teknik në Tiranë, me një vlerë totale prej rreth 5 milionë Euro. Ky investim ka modernizuar tërësisht sistemin e kontrollit teknik të mjeteve, duke implementuar teknologjinë më të fundit të kohës dhe metodologjinë më moderne të kontrollit teknik për të cilën SGS ka investuar dhe investon vazhdimisht.
Duke përfunduar, edhe një herë shprehim falenderimin dhe mbështetjen tonë për organet e drejtësisë dhe i bëjmë thirrje ndërgjegjes së qytetareve që të mos jenë pjesë e skemave të tilla korruptive, por të bashkëpunojnë me ne, në parandalimin e tyre, dhe në përpjekjen tonë për të ofruar një shërbim sa më cilësor dhe të standarteve europiane.

koha jone.
 
Pe: Durrës, arrestohen 9 kontrollorët teknikë...

Epo peshku nga koka prishet
 
Titulli: Durrës, arrestohen 9 kontrollorët teknikë...

kishte koh qe ky "lajm" si pasarel modelesh kalonte neper veshet tona...edhe kta te tiranes nuk esht se ngelen mbrapa , jo . gjithsesi dihet qe ne pun kush nuk esht i kenaqur me ate qe i ofrohet ne pun do te gjej nje menyr tjeter per te sigurauar dicka me shume se sa vetem rroga .
 
Back
Top