"Trendy" më i ri tek të rinjtë kohët e fundit duket se është heqja dorë nga konsumi i duhanit.
Dhe kjo më tepër tek djemtë, pasi tek vajzat është më ndryshe. Ka një rritje të numrit të femrave që konsumojnë duhan.
Pas 7 vitesh, Romeo tregon se bashkë me disa shokë të tij kanë nisur tentativat për të lënë duhanin: “Kam pirë për 7 vite dhe tani u bë nja dy muaj që po tentoj ta lë. Ekonomia, ana shëndetësore… të gjitha bashkë më shtynë ta lija”.
Zbatimi i ligjit për moslejimin e konsumit të duhanit nëpër lokale apo ambiente të mbyllura ka ndikuar në reduktimin e numrit të duhanpirësve. Një raport i IShP-së thotë se duhanpirja tek meshkujt e moshës 15-49 vjeç ka rënë nga 43% në 35%.
Por, tanimë do të ketë edhe një masë tjetër. Paketat nuk do të lejohet të shiten më nëpër lokale, supermarkete apo dyqane lagjesh. Ministria e Shëndetësisë është duke bashkëbiseduar me grupet e interesit për të hartuar një projektligj që përcakton që duhanet dhe produktet e tij të shiten vetëm në pika të licencuara.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha: “Jemi në fazë konsultimesh për ndryshimin e ligjit, qoftë me ata të mbrojtjes së shëndetit, qoftë me ata të tregtimit të duahnit. Sepse për ne, parësor është shëndeti i qytetarëve. Shqipëria është renditur 7 vende më lart sipas raportit të Bloomberg për përmirësimin e treguesve shëndetësorë dhe ju e dini se duhanpirja është ndër shkaktarët kryesorë të këtyre sëmundjeve kardiovaskulare dhe tumorale”.
Qëllimi i ndryshimeve në ligj është kufizimi i numrit të pikave të shitjes së duhanit dhe produkteve të tij. Po kështu, do të ndalohet shitja e pakteva me 10 cigare apo më pak.
Top Channel