Dosja “Basha” pranë mbylljes përfundimtare

Зngjεll

___________
basha lulzim.jpg

Tirane – Dosja penale më e përfolur në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit, gjendet në një situatë të komplikuar juridike, të cilës Prokuroria e Përgjithshme nuk po arrin ti japë zgjidhje ndërsa gjykatat kanë mbajtur qëndrime kontradiktore. Procedimi penal në ngarkim të Ministrit të Jashtëm në detyrë Lulzim Basha, në të cilën akuza pretendon për një dëm ekonomik prej 235 milionë euro është thuajse e mbyllur në mënyrë përfundimtare. Më 10 prill 2009, Gjykata e Lartë vendosi të shpallë “absolutisht të pavlefshme” aktet e prokurorisë për ngritjen e akuzës “shpërdorim detyre” ndaj ministrit Basha si dhe aktin e thirrjes së tij në cilësinë e të pandehurit në Prokuorinë e Përgjithshme për njoftimin e akuzës. Goditja proceduriale në këto dy akte, indirekt e ktheu dosjen në një tufë letrash pa vlerë pasi gjykata pushoi akuzën ndaj Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, e si rrjedhim dosja nuk kishte asnjë të pandehur. Menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë të 10 prillit 2008, në rrugë jozyrtare Prokuroria e Përgjithshme deklaroi kundërshtimin e saj, duke paralajmëruar se me të marrë vendimin, do të verifikonte atakimet kushtetuese për ta çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e vetmja që mund të rishikojë vendimin e Gjykatës së Lartë e cila mbylli dosjen. Vendimi i 10 prillit 2009 është zbardhur dhe në formë zyrtare rreth dy javë më parë ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme ku mësohet se është marrë në shqyrtim nga prokurorët e çështjes, Arben Kraja dhe Kujtim Luli si dhe nga një staf më i gjerë i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Burime jozyrtare nga organi qendror i akuzës, thanë sot për agjencinë “Lajmifundit”, se Prokuroria e Përgjithshme është në përfundim të kërkesës që do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese me qëllim prishjen e vendimit të Gjykatës së Lartë me të cilin akuza ndaj Lulzim Bashës u rrëzua. Ndërkohë në mënyrë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Gjykata Kushtetuese, konfirmohet se nuk ka asnjë padi deri më tani në lidhje me vendimin e Gjykatës së Lartë që i hoqi akuzën “shpërdorim detyre” ministrit Basha. Më shumë se tre muaj kanë kaluar që kur vendimi në fjalë u shpall në Gjykatën e Lartë. Jozyrtarisht Prokuroria deklaroi edhe disa ditë më parë se kishtë përgatitur padinë për në Gjykatën Kushtetuese por pozitat pritëse të organit qendror të akuzës deri pak ditë më parë ishin të kuptueshme. Vendi ndodhej në fushatë elektorale dhe Prokuroria duket se vendosi të mos ndikojë. Dosja “Durrës-Kukës” për mëse dy vite ishte kryefjala e akuzave të opozitës për korrupsion ndaj Qeverisë dhe maxhorancës së Sali Berishës. Nga ana tjetër Qeveria dhe vetë Ministri Basha, e përdorën rrugën Durrës-Kukës, si një nga pikat më të forta të qeverisjes së tyre e madje edhe të fushatës që u zhvillua për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 korrikut. Megjithatë Prokuroria nuk ka vepruar dhe nuk po vepron edhe kur po bëhen dy javë nga përfundimi i zgjedhjeve. Ankimimi në Gjykatën Kushtetuese ka një afat i cili po rrezikon të skadojë duke nxjerrë përfundimisht nul dosjen penale e cila sipas pretendimeve të prokurorisë, përbën krimin ekonomik më të madh që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Lulzim Basha ka deklaruar se është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Lartë, e cila në fakt nuk është shprehur kështu. Togat e zeza të asnjë gjykate në Shqipëri, kurrë nuk thanë nëse Basha ishte apo jo i fajshëm. Gjykata e Lartë duke marrë për bazë pretendimet mbrojtëse të avokatit të Bashës, deklaroi vetëm se formulimi i akuzës ndaj Bashës si dhe thirrja e tij nën akuzë, ishin kryer jashtë afateve, por Kolegji Penal nuk shqyrtoi asnjëherë provat apo faktin nëse krimi ka ndodhur apo jo. Dosja “Durrës-Kukës” gjithnjë e më shumë po përvijohet si një dështim i prokurores së Përgjithshme Ina Rama, ndërsa institucioni i saj nuk po vepron ende, tani kur ka mundësinë e fundit në dorë e mbi të gjitha, kur çështja nuk mund të ketë asnjë ndikim mbi fushatën apo rezultatin ende të pashpallur të zgjedhjeve parlamentare. Përtej dështimit të Ina Ramës, akuzave të opizitës për korrupsion, fajësisë apo pafajësisë së Lulzim Bashës, shqiptarët duhet të dëgjojnë fjalën e drejtësisë për këtë çështje, e cila për mëse dy vite materializoi publikisht idenë e mbetur në eter, se taksat e shqiptarëve ishin vjedhur në emër të patriotizmit folklorik për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës, së lidh Shqipërinë me Kosovën. /Lajmifundit/
 
Back
Top