Kryeministri i Pakistanit u kërkoi agjencive të sigurisë të bashkëpunojnë më mirë me njëra-tjetrën në luftën kundër terrorizmit, një ditë pasi një kamikaz vrau të paktën 72 persona në qytetin Lahore, në provincën e Punjabit.
Gjatë një takimi me krerët e sigurisë në vend, Nawaz Sharif tha se, vendosmëria e vendit për t’u përballur me militantët po rritej gjithnjë e më shumë.
Pas sulmit të përgjakshëm në parkun e qytetit, ku ishin mbledhur shumë familje të krishtera për të festuar Pashkët, autoritetet pakistaneze kryen disa operacione, në të cilat u sekuestrua një arsenal i madh armësh dhe u arrestuan disa persona.
Duke konfirmuar dyshimet e një dite më parë, militantët e organizatës “Jamaat-ul-Ahrar”, një grup i shkëputur nga talebanët, thanë se sulmi kishte për objektiv pikërisht të krishterët. Të paktën 300 persona u plagosën si pasojë e sulmit të përgjakshëm, ndërsa pritet që bilanci makabër të rritet.
Analistët thonë se, sulmi i radhës tregon që ndarjet për çështje fetare në Pakistan po thellohen. Dita e sulmit 27 mars ishte afati i fundit, që 30 grupe fetare i kishin dhënë qeverisë së provincës Punjab për të tërhequr një ligj për të drejtat e grave.
Ndërsa mbështetësit e Mumtaz Kadri, një roje sigurie që u ekzekutua muajin e fundit sepse vrau guvernatorin që kërkonte anulimin e ligjeve të blasfemisë, kanë shtuar protestat. Madje, ata përkujtuan vrasësin me një ceremoni pikërisht në datën 27 mars.
Lahore është një prej qyteteve më liberale dhe të pasura në Pakistan, si dhe baza e fuqisë politike e kryeministrit Nawaz Sharif. Sulmet që sa vijnë e shtohen atje janë një mesazh i talebanëve se, tashmë ata janë aty, ndërsa qeveria vendase duhet të bëjë jashtëzakonisht më shumë, nëse ka ndërmend që të përballet me ta.
Top channel/