Dhjetë mite të rrëzuara të luftës së madhe

PiNkY

Anëtar i Nderuar
91969.jpg


Asnjë luftë në histori nuk debatohet më shumë dhe nuk ka më shumë mite sesa Lufta e Parë Botërore. Për ushtarët që luftuan në të, ajo ishte në disa mënyra më e mirë sesa konfliktet e së shkuarës dhe në disa mënyra të tjera, më e keqe.

Por duke e vënë atë mënjanë si një mënyrë unike të tmerrshme, ne verbojmë veten ndaj realitetit, jo vetëm në lidhje me Luftën e Parë Botërore, por edhe me luftën në përgjithësi. Ne jemi gjithashtu të rrezikuar të nënçmojmë eksperiencën e ushtarëve dhe civilëve që u zunë në mes konflikteve të panumërta rrëqethëse përgjatë të gjithë historisë së njerëzimit deri në ditët tona.

1. A ishte konflikti më i përgjakshëm në histori deri në atë moment?

Pesëdhjetë vjet para Luftës së Parë Botërore, Kina e Jugut u shkatërrua nga një konflikt edhe më i përgjakshëm. Vlerësimet më të ulëta e japin numrin e të vdekurve në rebelimin 14-vjeçar të Taiping në 20-30 milionë vetë. Rreth 17 milionë ushtarë dhe civilë u vranë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Megjithëse më shumë britanikë vdiqën në Luftën e Parë Botërore sesa në çdo konflikt tjetër, lufta më e përgjakshme në historinë e këtij vendi në raport me përmasat e popullsisë ishte Lufta Civile, e cila shkatërroi vendin në mes të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Në atë konflikt vdiq një pjesë shumë më e madhe e popullsisë së Ishujve Britanikë sesa 2 për qind që vdiq gjatë Luftës së Parë. Mendohet se rreth 4 për qind e popullsisë së Anglisë dhe Uellsit, e ndoshta më shumë se kaq në Skoci e Irlandë, u vranë nga Lufta Civile.

91970.jpg


2. Lufta ku vdiqën më shumë ushtarë

Në Britaninë e Madhe, rreth 7 milionë burra u mobilizuan dhe nga këta mbi 700 mijë vetë u vranë. Kjo përbën 11.5 për qind të të gjithë ushtarëve. Por në fakt, nëse ishe ushtar britanik, kishe më shumë gjasa të vdisje gjatë Luftës së Krimesë (1853-‘56) sesa në Luftën e Parë.

91974.jpg


3. Burrat jetuan në llogore për shumë vite deri në fund

Llogoret e vijës së frontit mund të jenë një vend jashtëzakonisht armiqësor për të jetuar. Shumë shpesh të lagësht, të ftohtë dhe të ekspozuar nga armiku, njësitë këtu humbitnin me shpejtësi moralin nëse kalonin tepër kohë aty.

Për rrjedhojë, ushtria e Britanisë i dërgonte njerëzit me rotacion të vazhdueshëm në llogore. Mes dy betejave, një njësi ushtarakësh kalonte ndoshta dhjetë ditë në muaj në një sistem llogoreje, dhe nga këto, jo më shumë se tri ditë drejtpërsëdrejti në linjën e frontit. Nuk ishte e pazakontë të gjendeshe si ushtar një muaj të tërë jashtë llogoreve.

Në momente krizash, si ofensiva të mëdha, britanikët me raste kalonin deri në shtatë ditë në vijën e frontit, por zakonisht kalonin në rotacion vetëm pas një apo dy ditësh.

4. Klasa e lartë shpëtoi mirë

Megjithëse shumica dërrmuese e viktimave në Luftën e Parë Botërore qenë nga klasa punëtore, elita shoqërore dhe politika u godit në mënyrë disproporcionale më fort nga lufta. Djemtë e tyre qenë oficerë të rinj, puna e të cilëve ishte të udhëhiqnin të tjerët, gjë që i bënte jashtëzakonisht të ekspozuar përballë rrezikut, pasi qenë shembuj për burrat e tyre.

Rreth 12 për qind e ushtarëve të zakonshëm të ushtrisë britanike u vranë gjatë luftës, në krahasim me 17 për qind të oficerëve. Kolegji i famshëm i fëmijëve të të pasurve Iton (Eton) humbi më shumë se një mijë ish-nxënës – 20 për qind të të gjithë atyre që shërbyen. Kryeministri i kohës së luftës, Herbert Asquith, humbi një djalë, ndërsa Kryeministri i ardhshëm Endrju Bonar Lou (Andrew Bonar Law) humbi dy. Antoni (Anthony) Eden humbi dy vëllezër, një vëlla tjetër u plagos rëndë dhe një xhaxha u zu rob.

91975.jpg


5. ‘Luanë që udhëhiqeshin nga gomarë’

Kjo shprehje thuhet se ka dalë nga komandantë të lartë gjermanë, që përshkruanin ushtarët trima britanikë të udhëhequr nga të moshuar të paaftë që vinin nga kështjellat e tyre. Në fakt kjo shprehje u tha nga historiani Alen Klark (Alan Clark).

Gjatë luftës, më shumë se 200 gjeneralë u vranë, u plagosën apo u zunë rob. Shumica vizitonin vijat e frontit çdo ditë. Në betejë ata qenë goxha më afër luftës nga sa janë gjeneralët sot.

Natyrisht, disa gjeneralë nuk qenë të aftë për këtë punë, por të tjerë qenë brilantë, si Artur Kuri (Arthur Currie), një kanadez i shtresës së mesme që pati dështuar si ndërmjetësues policësh sigurie dhe investitor pronash.

Rrallëherë në histori, komandantëve u është dashur të përshtaten me një mjedis kaq të ndryshëm teknologjik. Komandantët britanikë qenë stërvitur të luftonin luftëra të vogla koloniale, ndërsa tashmë qenë hedhur në një përpjekje masive industriale, ndryshe nga çdo gjë që pati parë më herët ushtria e Britanisë.

Pavarësisht kësaj, brenda tri vitesh, britanikët patën shpikur një mënyrë lufte efikase, që vijon të dallohet edhe sot. Nga vera e vitit 1918, ushtria e Britanisë ishte ndoshta në kohën më të mirë dhe u shkaktoi disfata shpartalluese gjermanëve.

6. Galipoli u luftua nga australianët dhe neozelandezët

Ky është gjithashtu një mit. Shumë më tepër ushtarë britanikë luftuan në gadishullin Galipoli sesa ishte numri i australianëve dhe neozelandezëve i marrë bashkë.

Mbretëria e Bashkuar humbi katër apo pesë herë më shumë burra në këtë fushatë brutale sesa kontingjentet perandorake Anzake. Francezët humbën gjithashtu më shumë burra sesa australianët.

Natyrisht këto dy kombe e përkujtojnë Galipolin shumë dhe kjo është e kuptueshme, për shkak se të vrarët e tyre përbëjnë humbje të tmerrshme si përqindje e forcave të angazhuara prej tyre dhe si përqindje e popullsive të tyre të vogla.

7. Taktikat në Frontin Perëndimor mbetën të pandryshuara, pavarësisht dështimeve të vazhdueshme

Asnjëherë më parë nuk kanë ndryshuar në mënyrë kaq radikale teknologjia dhe taktikat në katër vitet e Luftës së Parë Botërore. Ajo ishte epokë novacionesh të jashtëzakonshme. Më 1914-n, gjeneralët mbi kuaj galoponin nëpër fushëbeteja, ndërsa burrat me kapele të thjeshta përballeshin me armikun pa zjarrin e nevojshëm mbulues. Të dyja palët qenë pasivisht të armatosura me pushkë. Katër vjet më vonë, helmetat e çelikut çanin përpara nën mburojën e zjarrit të predhave të artilerisë.

Ata tashmë qenë të armatosur me zjarrhedhës, mitraloza krahu dhe me granata të lëshuara nga pushkët. Sipër tyre, avionët, që më 1914-n qenë në mënyrë të paimagjinueshme të dobët, bëni duele për qiellin. Disa prej tyre kishin pajisjet e para eksperimentale të radios për të raportuar në kohë reale zbulimet që bënin.

Njësitë e stërmëdha të artilerisë hapnin zjarr me saktësi të jashtëzakonshme, duke përdorur vetëm foto ajrore dhe matematikë. Me kaq qenë në gjendje të godisnin në shenjë që me të shtënën e parë. Tanket patën kaluar nga zyrat e dizajnimit në fushëbetejë brenda dy vitesh, duke e ndryshuar luftën përgjithmonë.

8. Asnjë palë nuk fitoi

Fakti ishte që një pjesë e madhe e Europës u rrënua, miliona qenë të vdekur apo të plagosur. Të mbijetuarit kaluan përmes traumave të rënda mendore. Britania ishte e falimentuar. Ishte e çuditshme që në këto kushte të flitej për fitimtarë.

Megjithatë, në kuptimin e ngushtë ushtarak, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj fituan bindshëm. Luftanijet gjermane qenë zënë nga Marina Mbretërore deri sa ekuipazhet e tyre bënë kryengritje në vend që të bënin një sulm vetëvrasës kundër flotës britanike.

Ushtria gjermane ra në kolaps pas një serie goditjesh të gjithëfuqishme aleatësh që depërtuan nëpër mbrojtjet e saj që imagjinoheshin si të pakapërcyeshme. Nga fundi i shtatorit 1918, perandori i Gjermanisë dhe kryemjeshtri i tij ushtarak, Erik Ludendorff, pranuan se nuk kishte më shpresa dhe se Gjermania duhej të lutej për paqe. Armëpushimi i 11 nëntorit ishte në thelb një dorëzim i Gjermanisë.

Ndryshe nga Hitleri më 1945-n, qeveria e Gjermanisë nuk vijoi të këmbëngulë në luftën e pashpresë dhe të pakuptimtë deri sa aleatët të mbërrinin në Berlin – një vendim që kurseu një numër të pamat jetësh, por që në fakt ishte edhe themeli për të ngritur pretendimin se Gjermania në thelb nuk humbi.

91971.jpg


9. Traktati i Versajës ishte jashtëzakonisht i rëndë

Traktati i Versajës konfiskoi 10 për qind të territorit të Gjermanisë, por e la atë sërish kombin më të madh dhe më të pasur në Europën Qendrore.

Vendi mbeti gjerësisht i papushtuar dhe zhdëmtimet financiare u lidhën me aftësinë e vendit për të paguar. Në fund, shumica e dëmshpërblimeve nuk u imponuan për t’u paguar.

Traktati ishte dukshëm më i ashpër sesa ato që i dhanë fund luftës së viteve 1870-1971 mes Francës dhe Prusisë apo Luftë së Dytë Botërore. Fitimtarët gjermanë në Luftën e Parë aneksuan një pjesë të madhe të dy provincave të pasura franceze, të cilat patën qenë pjesë e Francës për 200 apo 300 vjet deri në atë çast, si dhe qenë zona ku prodhohej shumica e hekurit të këtij vendi. Ata i ngarkuan Francës një faturë masive që duhej ta paguante menjëherë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u pushtua, u nda në copa, makineria e saj prodhuese u copëtua apo u vodh dhe miliona të burgosur u detyruan të qëndrojnë me kapësit e tyre për të punuar si skllevër. Gjermania humbi të gjithë territorin që pati kapur pas Luftës së Parë Botërore, si dhe një pjesë të madhe përveç territoreve të kapura.

Versaja nuk ishte e ashpër, por u portretizua si e tillë nga Hitleri, i cili u përpoq të krijonte një valë ndjesie anti-Versajë, të cilën e përdori për t’u ngritur në pushtet.

10. Të gjithë e urryen

Si në çdo luftë, rezultati është fati. Mund të dëshmosh tmerre të paimagjinueshme, të cilat të lënë mendërisht dhe fizikisht të paaftë për të gjithë jetën, por mund të shpëtosh edhe me vetëm një të gërvishtur. Mund të jetë koha më e mirë ose koha më e keqe.

Shumë ushtarë e shijuan Luftën e Parë Botërore. Nëse ishin me fat mund të shmangnin ofensivat e mëdha dhe në shumicën e kohës, kushtet e jetesës për ta mund të qenë më të mira sesa në shtëpi.

Për britanikët kishte mish çdo ditë – një luks i rrallë në shtëpi – kishte cigare, çaj dhe rum, pjesë e një diete ditore prej mbi 4 mijë kalorish.

Mungesat si pasojë e sëmundjeve, një barometër i rëndësishëm i moralit të një njësie, qenë, në mënyrë mbresëlënëse, jo shumë sipër normave në kohë paqeje. Shumë të rinj e shijonin rrogën e garantuar, shoqërinë intensive dhe përgjegjësinë. Ata shijonin edhe lirinë seksuale që e kishin në këtë kohë shumë më të lartë sesa në shtëpi.

91972.jpg


(Shqip)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 22.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 11.1%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.6%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 22.2%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 11.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.6%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 22.2%
Back
Top