LeVoyageur
RDM 33 NSOE
Entela Resuli
Atëherë nuk kishte celular, rrjete sociale, Whatsapp apo Viber për të uruar njëri- tjetrin.
Ishte koha kur edhe telefonat ishin të rrallë në qarkullim për të shpërndarë urimet.
“Mjeti” më i përdorur ishte kartolina. Në mendjet tona janë fiksuar kartolina standarde, ku shihej “Shqipëria socialiste”, gra dhe vajza “të lumtura” apo imazhe të partisë në pushtet e të udhëheqësit të kohës.
Në fakt, sot kemi “zbuluar” një grimcë realiteti tjetër, të paktën në pjesën e kartolinave që qarkullonin në Shqipëri në vitin 1973.
Ishte prag ndërrimi i viteve- 1972 po i linte vendin 1973, plot 46 vjet më parë. Një baba i uronte ditëlindjen djalit të vet. Ajo që bie në sy është pamja e kartolinës, ku duket një nga personazhet e famshme të filmave me kartona si miushi Xherri (Jerry).
Ai tërheq një karrocë ku është ngarkuar pema e vitit të ri dhe poshtë tyre urimi tradicional “Gëzuar vitin e ri”.
Në pjesën e pasme të kartolinës, lexohet N.SH. Botime Naim Frashëri Tiranë.
I veçantë është edhe urimi i shkruar mbi të, i cili është shkruar me dorë, ndryshe nga sot… Sot, kur të gjithë kemi harruar të shkruajmë me lapës, duke përdorur vetëm tastierën e celularit dhe kompjuterit.
Çdo vend ka traditën e tij me kartolinat. Që me shpikjen e tyre ato kanë përfaqësuar një kulturë të caktuar. Para viteve ’90, ato ishin forma e vetme përmes së cilave mund të dërgohej nga larg një urim për fetat e fundvitit. Nuk kishte ndjesi më të bukur sesa kur postieri ndalonte dhe linte poshtë derës së shtëpisë, kartolinat e pafund të ardhura nga shumë larg. Ato dukeshin sikur na sillnin shumë pranë kushërinjtë apo miqtë që kishim vite pa i parë.
Kartolinat sot
Po sot? Cilat janë raportet që kemi me kartolinat? Në një botë e cila po ecën me shpejtësi drejt elektronikës, duket se kartolinat elektronike apo mesazhet telefonike kanë zëvendësuar kartolinat e thjeshta.
Ndryshe nga vite më parë, dhe pse kartolinat nëpër dyqane janë shumë herë më të bukura e më të kuruara, shumë pak janë ata që shkojnë t’i blejnë për t’i dërguar diku. Kjo, pasi një kartolinë elektronike së cilës mund t’i bashkëngjitësh fjalët që dëshiron ose që mund të ketë gati dhe tekstin, mund të jetë një zgjedhje e thjeshtë për ta dërguar diku. Këto ditë, para dhe pas Krishtlindjeve, duhet të kenë mbërritur të tilla në postën tuaj elektronike. Imazhe me bredhin më të bukur ose nga vendet më fantastike me borë, janë disa prej atyre që interneti ua afron për t’i zgjedhur.
SMS-të dhe “Whatsapp” apo “Facebook” është një tjetër zgjedhje që ka zëvendësuar kartolinat tradicionale.
Mjafton një mesazh në celular për ta nisur te të gjithë miqtë tuaj dhe ju nuk keni pse të angazhoheni me një proces që kërkon blerjen e kartolinës, zarfeve, zgjedhjen e fjalëve… Por ndërsa ky duket se është një trend gjithnjë e në rritje, sidomos nga të rinjtë, ka nga ata që mbeten tradicionalë në shije dhe vëmendjen ndaj dikujt e tregojnë duke dërguar kartolina. Ne do t’ju sugjeronim të blinit kartolina. Jo thjesht për të mbajtur gjallë një traditë të bukur tonën, por si një gjest, i cili na bën të vlerësojmë më shumë miqësitë apo njëri-tjetrin, duke u menduar të zgjedhim fjalët e duhura që do t’ia çonim dikujt në këto prag festash. E shoqëruar pse jo me një buqetë me lule, një kartolinë do të ishte dhurata më e bukur e një fundviti.
Dita