600 shtetas ndodhen aktualisht të dënuar nga gjykata me punë me interes publik. 19-vjeçari Andrea Memollari e pa Muzeun Kombëtar për herë të parë jo si një vizitor, por si një i dënuar.
Djaloshin e gjejmë sipas vendimit të gjykatës në muze, ku detyra e tij që ka për qëllim ta rehabilitojë është mes të tjerash të orientojë vizitorët. Si ai me të njëjtin vendim gjykate në muze ndodhen edhe tre të dënuar të tjerë që kqyren e inspektohen befas nga specialistët e shërbimit të provës.
“Po ecja shpejt me makinë dhe u mundova t’i jepja lekë policit. Më futën brenda. Më dënuan me 48 orë pune në muze. Punoj 4 orë në ditë këtu. Orientoj njerëzit që të mos shkelin mozaikun e kështu gjërash. Ky dënim më bën të kuptoj që nuk i duhet dhënë më lekë policit sepse për të ecur shpejt, ne të rinjtë e kemi këtë problem”, thotë Andrea.
Melsi Labi, drejtor i Muzeut Kombëtar, thotë: “Detyrat e këtyre të rinjve janë dytësore. Kryesisht konsistojnë në kurimin e objekteve që nuk konsiderohen të veçanta apo të rralla apo në marrëdhëniet me vizitorët”.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të shërbimit të provës, të dënuarit e tjerë i janë nënshtruar punës me interes publik në shërbime të tjera pranë shtëpive të të moshuarve apo pastrimit të qytetit.
“Jo të gjitha rrethet gjyqësore aplikojnë të njëjtën masë. Në Kukës nuk ka asnjë dënim të tillë, ndërsa në Gjirokastër vetëm një. Të dënuarit me punë me interes publik janë nga të gjitha grupmoshat, por kryesisht të mitur. Femra ka shumë pak”, shprehet Ilir Qafa, drejtori i përgjithshëm i shërbimit të provës.
/ Top Channel