“Cilësitë” e tre burrave që kontrollojnë këtë vend

LeVoyageur

Once upon a time...
Nga Afrim Krasniqi

"I korruptuar”, “karagjoz”, “bandit”, “gënjeshtar”, i paaftë”, “mashtrues”, “drogaxhi”, “shantazhues”…Nuk janë çunat e dehur në birrarinë e lagjes që po i flasin kështu njëri tjetrit, – janë tre burrat që kontrollojnë këtë vend, njëri kryeministër, njëri kandidat për kryeministër dhe tjetrin do ta kemi President pas korrikut.
I thonë se ka të gjitha cilësitë negative, por e bënë President. I thonë se është kreu i mafias, por e bënë e duan ta mbajnë kryeministër. I thonë se ka të gjitha cilësitë anti-politike, por i thonë se është garancia e dy palëve, kryeministrit dhe presidentit të ri!
Shikojini si flasin nëpër mitingje, sesi tallen, sesi çirren kundër njeri tjetrit, sesi kërcënojnë dhe e thonë fjalën e fundit, sesi ngrenë në qiell partinë e tyre dhe denigrojnë Tjetrin, dhe mos harroni se pas 25 qershorit e 24 korrikut ata do veshin kostum tjetër, do jenë përfaqësues “të unitetit të popullit” apo “shërbëtor të popullit”.
Si është e mundur të denigrojë politika dhe institucionet deri në këtë pikë? Si është e mundur që të kemi President dikë, të cilin ata që e sapo e zgjedhorën e etiketojnë si e keqja e vendit? Si mund të bëhesh president kur thua publikisht se ata që të zgjodhën dhe ata me të cilët do të punosh janë e keqja e vendit?
Si është e mundur të kemi kryeministër atë që e kanë akuzuar përmes mijëra letrave e takimeve si baron të mafias dhe shtetit autokratik dhe që pranon të ketë në kabinet e të emërojë zyrtarë kundër të cilëve flet gjithë ditën?
Si është e mundur të kemi opozitë atë që quan sukses lëmoshën një mujore prej 4-5 ministrave që iu dha nga mazhoranca? Si është e mundur që i pranojmë, i lejojmë të sillen kështu, heshtim dhe nuk reagojmë? Si është e mundur që talljen me shtetin, politikën, qytetarët, zgjedhjet dhe demokracinë i pranojmë si normalitet, madje si sjellje trendy?
Si është e mundur që nuk nxorëm mësime nga gabimet e të kaluarës dhe kemi kaq shumë pasion të përsërisim të njëjtat gabime edhe në të ardhmen? Jo, ky vend meriton më shumë. Të paktën kështu kam besuar, dikur.
Ora News
 
Back
Top